Ministria e Kulturës promovon në faqen e vet Petrit Kozelin, “një këpucar-ambasador në Mantova”, motoja e të cilit është “të gjithë jemi instrumente. Japim mesazhe paqeje”, i njohur edhe si “këpucari i Papës” ose si “realizuesi i këpucëve me ngjyrat e flamurit italian dhe atij shqiptar.” Për këpucët që ia pat dhuruar Papës, bashkë me një mesazh dhe nën moton “ecim së bashku”, atij iu blatua titulli Commendatore dell Ordine di San Silvestro Papa. Siç mund të merret me mend, Kozeli është edhe “ambasador i Kombit”, një titull që ia paraqitën gjatë Festivalit të Letërsisë në Mantova.
Ky përkim i fundit, dhe pikërisht që titulli i Ambasadorit të Kombit iu dhurua një mjeshtri këpucar nga Shqipëria gjatë një eventi kushtuar letërsisë dhe librit, më solli në mend që edhe Tolstoi, në vitet e pleqërisë, u pat distancuar nga letërsia dhe kish filluar të mësonte si të bënte këpucë, me një mballomaxhi të zonës. “Një palë këpucë vlejnë më shumë se Lufta dhe Paqja” citohet të ketë thënë një herë. Që para Tolstoit, shkrimtari radikal Dmitri Pisarev pat shkruar se “preferonte të ishte më mirë një këpucar rus, se Rafaeli rus”; dhe se “një këpucar ishte më i rëndësishëm se Pushkini.” Edhe Bazarovi, heroi i Etër dhe Bij të Turgenjevit, thotë, mu para se të vdiste nga një infeksion banal: “Mua ma pati nevojën Rusia… Jo, në fakt, nuk ma pati nevojën. Kujt ia kemi nevojën? Këpucarit ia kemi nevojën, rrobaqepësit ia kemi nevojën, kasapit…”
Që këtej ndoshta – por jo me siguri – edhe një slogan i ndjekësve të Peronit në Argjentinë, të njohur edhe si ‘los descamisados’: alpargatas sí, libros no!, diçka si “këpucë po, libra jo!”, por alpargatas nuk janë thjesht këpucë, por këpucët më të lira, prej kanavace, që vishnin të varfrit (fr. espadrilles). Thuhet se, në vitet 1940, studentët e klasave të larta iu kundërvunë peronistëve me sloganin: no a la dictadura de las alpargatas, çfarë në shqip do të ishte diçka si poshtë diktatura e opingave. Që këtej, peronistët dolën në rrugë me sloganin: opinga po, libra jo.
When in doubt, tha, populism is the answer!
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.
Libra apo kepuce?
Kepuce, sigurisht.
1. Kepucaret nuk rrine e tallen me shkrimtaret.
2.Kepucarin e mire nuk ke nevoje per ndermjetes qe ta kuptosh. As ai i keqi nuk te ve dot ne loje medemek “ti nuk me kupton, dhe me qorton sepse ke kompleks inferioriteti”
3. Kepucet na cojne perpara gjithmone.
When in doubt, tha, always side with the meek.
Vendet Tona – kur ka qenë hera e fundit që ke shkuar te këpucari? (Nuk po të pyes se kur ka qenë hera e fundit që ke bërë këpucë me porosi).
Këpucari për të cilin flet ti në shënimin më lart është figurë letrare. Nuk duhet ngatërruar me këpucarin e Papës.
Le t’i japin këpucarit atë që është e këpucarit… çmimin ‘Këpucar i Kombit’.
Komenti nga Vendet Tona më sipër, por edhe një koment i ngjashëm në Facebook, më bëri të mendoj për persistencën e një vizioni të mykur romantik, për ca zanate si ai i këpucarit, por jo vetëm; edhe i rrobaqepësit, i tapicierit, i marangozit e kështu me radhë, që sot nuk është se janë zhdukur krejt, por janë specializuar në role shërbyese të elitave. Kjo më tepër në vendet e zhvilluara, ku sundon kultura e “shop ‘til you drop”. Në Shqipëri më qëllonte ndonjëherë të bëja këpucë me porosi, por qëkur kam ardhur “këndej” as që e mendoj. Pa folur për të qepur ndonjë kostum te rrobaqepësi! Edhe këpucari “ambasador i Kombit” e ka fituar reputacionin me këpucët për Papën (të çuditshëm për mua ata që arrijnë të mallëngjehen me këtë farë kitsch-i), jo – ta zëmë – me këpucët për refugjatët sirianë a të pastrehët në stacionin Termini. Sot për këpucarë dhe rrobaqepës kanë nevojë sidomos të pushtetshmit, të pasurit dhe atelietë e fashion designers; të tjerëve u mbetet dyqani. Prandaj edhe kjo shtresë zanatçinjsh, e njohur në kulturë si “e varfër” për shkak të një tradite tashmë të vjetruar, tani është në kontakt të drejtpërdrejtë me elitën, i shërben asaj dhe është në gjendje të përfitojë prej saj. Njëlloj siç ka dalë nga qarkullimi edhe mjeku i familjes, pa çka se mjekët nuk kanë qenë kurrë më të pasur se sot; po të më ndodhë mua gjë në NYC, nuk më ofrohet alternativë tjetër veç sallës së urgjencës në spitalin më të afërt; pa çka se të kamurit i vjen mjeku te koka e krevatit për dhjetë minuta.
Ndryshe nga paraardhësja e saj, ministrja e tanishme e kulturës punon me pasion dhe zemër, jo për t’u dukur.
Përkitja e veprimtarisë së Mantovës me ndodhjen aty të z. Kozeli është rastësore. Titulli i kotë “Ambasador i Kombit” është një nga idetë e rëndomta të Majkos. E keqja është kur këtë titull e përdorin disa “anëtarë të këshillit koordinues të Diasporës” për të bërë politikë.
Besoj se pajtohemi se nderimi i një këpucari në Mantova është e keqja më e vogël. “Ç’t’u bëj doktorëve me doktoratura të falura, ose me plagjiaturë”, tha, “se sa për këpucarin, le të kujdeset Papa..”. 🙂
Sugjeroj që doktorët me doktoratura të falura të detyrohen – nga Gjykata e Strasburgut – të qepin pantofla për Papën.
Alternativisht, mund të vihen të kontribuojnë, gjithsekush me sa mundet, në librin enciklopedik me biografitë e autorizuara të Ambasadorëve të Kombit.
Te Fishta kur zgjedhin shkapat e vjetra shqiptarët në vend të mendve:
Se pat thanë nji plakë pa dhambë
Ku s’ka mend, do ketë kambë!