Është ndjekur me polemika një shkrim i Artan Lames, Po të mos ishte Migjeni, ribotuar në Koha Jonë (pas botimit në 2011), dhe pikërisht ngaqë ky autor shkruan atje se “shkodranët nuk e donin Migjenin”, dhe “nuk e duan”; dhe sidomos Migjenin “nuk e donin priftat”, ngaqë Migjeni “e shqeu fasadën false” të konservatorizmit të kulturës katolike; madje priftat “nuk e duan as sot”, sepse “s’mund t’ia falin atë çka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë.”
Më duket se Lamja i ka gabim të gjitha këto. Duke filluar me pohimin “shkodranët nuk e donin Migjenin” – pa çka se Migjeni kur ishte gjallë ishte relativisht i panjohur në Shkodër; dhe pa çka se nuk ekziston një entitet i tillë si “shkodranët”, sa kohë që Shkodra ka qenë dhe mbetet e ndarë jo aq sipas vijave klasore, siç e hedh fjalën Lamja, por sipas komuniteteve fetare. E ka gabim Lamja edhe kur flet për “priftat” që nuk e donin Migjenin – duke projektuar atje faktin e kundërt, që Migjeni ishte antiklerikal dhe nuk i donte priftat.
Arsyet pse ka pasur gjithnjë një ftohtësi ndaj Migjenit në Shkodër, sidomos nga komuniteti katolik, janë të tjera. Poeti i përkiste minoritetit ortodoks në një qytet të ndarë fort sipas vijave fetare; madje ka një mendim se fliste serbokroatisht në familje (Arshi Pipa), që është kundërshtuar (unë personalisht e gjej shqipen e Migjenit mjaft të lëkundur).
Një tjetër arsye pse katolikët e Shkodrës ishin të ftohtë me Migjenin ishte antiklerikalizmi i këtij.
Arsyeja e tretë, edhe ajo e fortë, që shkodranët e sotëm, për ta thënë me fjalët e Lames,
“gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër”
ka të bëjë me përvetësimin gati brutal që ia bëri Migjenit propaganda e regjimit të Hoxhës, krahas dhe karshi denigrimit madje shfarosjes kulturore të kulturës katolike të Shkodrës; pra, lidhet me antikomunizmin, sado naiv, të disa shkodranëve sot.
Arsyeja e katërt, është që Migjeni nuk vazhdoi traditën letrare të Shkodrës as ia njohu autoritetin artistik patriarkëve katolikë si Fishta & temave idilike me malësorë me qeleshe,dhe as shkroi si “shkodran”; poezia e tij kish tingëllim tjetër dhe pretendime të tjera, dhe vetvetiu do të pritej me kundërshtime nga një publik letrar i mësuar me poezitë e rimuara dhe tetërrokëshin rilindës.
Lamja nuk përmend asnjë nga këto arsye në shkrimin e vet, por përqendrohet në atë që Migjeni ishte poet i kritikës sociale dhe tribun i të dobëtve, çfarë unë sërish nuk jam gati ta besoj. Në përgjithësi, Migjeni i vuan sot e kësaj dite pasojat e pompimit të pashije që ia bënë megafonët e regjimit të Hoxhës – në përpjekjet e dëshpëruara për t’ia gjetur një traditë realizmit të shartuar socialist. Vepra e tij është pasuri e vyer për letërsinë shqipe, por ende nuk e ka gjetur vendin e duhur, për shkak të manipulimeve politike kryesisht të kritikës dhe të ideologjisë totalitare dje.
© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht botimi në media të tjera. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
Arshi Pipa për Migjenin:
(Arshi Pipa, “Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore”)
Pipa e analizon tek-tuk edhe gramatikën e përdorur nga Migjeni, duke gjetur te “Kanga e përndimit” tre lloje të ndryshme të ardhmesh dialektore.
Këtë kam parasysh kur flas për “lëkundje gjuhësore” të Migjenit; jo faktin që ai shkruante gegnisht. Në kohën kur shkruante Migjeni, standardi nuk ekzistonte. Por kish një koine letrare të gegnishtes veri-perëndimore (të përpunuar brenda kulturës katolike), së cilës Migjeni nuk i përmbahej.
E citoj Pipën si ilustrim, jo sepse fjalët i ka të skalitura në gur. Por Pipa e njihte Migjenin mirë, madje edhe e kish takuar dhe fjalët e tij zënë vend.
Mbi gjuhen dhe kontekstin: E ashtuquejtuna koine e gegnishtes veri-perëndimore nuk kishte “kanun”, si shkruen Fishta nuk shkruen Harapi e me radhe. Per ma teper, nder sa e sa te perkohshmesh qe delnin vetem ne Shkoder, loja (e precedenteve) ishte e hapun. Dhe precedenti per mjedisin e kohes ishte pertej papirocentrizmit, ahengjet gelonin, bejtaret Kole Tivari dhe Hamdi Bejtja (te cekun po nga Pipa).
“Luhatjen” e gjuhes mund ta vejme re ne krejt hapsinen e shkrimit te shqipes, ne te tana te perkohshmet, kujtoj debatin Merlika-Logoreci. Trajta “përndim” pervijoi ne perdorim ne te shkruemin e shqipes ne Kosove ne kohen e Titos.
Edhe sikur serbo-kroatishtja te ishte diktuese per klimen mbrujtese gjuhesore ne votren e Nikollajve, mjedisi ruente inercine e kohes se perandorise ku gjuhet e hueja ishin mjete nderkembimi, tregtie. Sheherlinjte ne Kosove ende ruejne kujtesen qe te paret e tyne flitnin tyrçe ne shpi, sepse ishte gjuha “urbane” per ta – shtresezim prej nga vjen ky mund te gjurmohet historikisht – pavaresisht se na asht ba ferra Brahim nga Prizreni i koheve te sotme.
Pavaresisht bias-it qe mund t’i mveshet Skender Luarasit prej lidhjeve familjare, a i dihet Migjenit ndonje varg ne serbo-kroatisht?