Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Psikologji / Sociologji

NGA KRENARIA NË MIRËNJOHJE

E pranoj që në krye se shprehja “jam krenar që…” është nga ato që më ngrenë qimet përpjetë, duke filluar nga folklorikja “jam krenar që jam shqiptar”; pa folur për të gjithë ata që ndihen kështu, krenarë, për meritat dhe arritjet e të tjerëve, duke e përfytyruar veten si të ishin në të njëjtën skuadër futbolli me fituesin (“jam krenar që Skënderbeu…”). Pastaj se ç’ka diçka prej kaposhi të rrjepur “krenaria”, diçka prej zhgabe pendë-lyrosur, që e kalon ditën duke çukitur kërma; çfarë edhe e bën të tingëllojë kërcënuese, sidomos kur ta thonë në fytyrë, me nëntekstin “po ti pse nuk je krenar?”, të thuash se krenaria është një lloj rituali përkatësie që ti i detyrohesh kolektivit. Pa folur pastaj për ata që ndihen krenarë për gjëra nga më të çuditshmet – që nga prejardhja (“jam krenar që e kam origjinën nga fshati Çezmë e poshtme”, “që kur kam qenë fëmijë e kam pasë pirë qumshtin direkt nga cica e dhisë”, “që Hitleri na ka quajtur racë e pastër…”, “që gjyshi im nga nëna e ka mësuar kompjuterin edhe pse me një këmbë në varr”) te hollësi të tjera absurde (“jam krenar që Shqipëria u rendit e shtata në Eurovision”); dhe ata të tjerët që, gjithë duke qenë fetarë të flaktë, nuk e dinë se “krenarinë” e mbajnë zakonisht si më vdekatarin e mëkateve; dhe më mirë kështu, sepse po t’ua shkulësh ca besimtarëve puplat e krenarisë tribale, nuk u mbetet gjë tjetër në kokë. Nuk e honeps dot, pra, këtë “jam krenar që…”, më tingëllon si konfirmim patologjik inferioriteti; por e kuptoj, megjithatë, që disa prej nesh e përdorin thjesht sepse ndiejnë një emocion të veçantë, specifik, një si rrëmbushje a mallëngjim, që lidhet me përkatësinë te një grup a bashkësi – nga familja e fisi, te grupe e bashkësi të tjera më abstrakte a më imagjinare. Duke shpresuar, pra, se bëhet fjalë më shumë për një keqkuptim si të thuash leksikor, po guxoj të sugjeroj se, në shumicën e herëve kur na vjen të themi “jam krenar që…”, në të vërtetë duam vetëm të themi “jam mirënjohës që…”, ose “ndiej mirënjohje për/që…”; meqë nuk është krenaria ajo që ndiejmë, por mirënjohja. Kujtesa morale e njerëzimit, e pat quajtur mirënjohjen Georg Simmel. Dhe nuk është aq larg mendsh të besosh se, deri edhe ai që shëtit në rrugë me një t-shirt me mbishkrimin “JAM KRENAR QË JAM SHQIPTAR”, kërkon të thotë, në thelb, “JAM MIRËNJOHËS QË JAM SHQIPTAR”; pse mund të ndiesh mirënjohje për diçka a për dikë, pa qenë hiç krenar. E kuptoj edhe se nuk mund ta mësosh dikë që të jetë mirënjohës, as mund t’ia kërkosh; por të paktën mund t’i sugjerosh ta provojë si shprehje: “jam mirënjohës për Nënë Terezën” sikur tingëllon më mirë se “jam krenar për nënë Terezën”; ndryshe nga krenaria, mirënjohja nuk e sjell me vete as sfidën prej kaposhi të rrjepur, as papjekurinë prej pulastreni, as gërvimën prej sorre, as kokën përpjetë si karabushi i qepës; ndryshe nga krenaria, mirënjohja nuk i thotë Tjetrit “jam më i mirë se ti”, por thjesht i tregon se ku është e mira. Nga KRENARIA në MIRËNJOHJE – këtë tranzicion do ta shihja si një model në miniaturë të emancipimit: nga instinktet e qymezit, te kujtesa morale.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™

10 Komente

  1. Gent Cakaj në emisionin Opinion, sipas Reporteri.net:

    “Kam zgjedh Vetëvendosje sepse ka qenë nga rrethanat e vendit, kam pas kontakte me eksponentë të lëvizjes dhe ka pasur anëtar të rinj me të cilët kam pasur shoqëri. Kam qenë njëri prej adhuruesve të Albin Kurtit dhe jam tepër krenar që kam qenë pjesë e VV e edhe më shumë që jam larguar nga ajo. Kur ka qenë koha të jem në VV unë isha aty dhe tregova shpitin pasionant për pushtetin, e kur ka qenë koha të largohem u largova. Tani kam komunikim miqësor me një pjesë të Vetëvendosjes.”

    Ndoshta “shpreh mirënjohjen për lëvizjen VV pjesë e së cilës isha etj.” do të kish tingëlluar më mirë. Se gjithë kjo krenari mund t’i bëjë edhe keq mëlçisë.

    1. Në tekstin e sjell, nuk më duket se ky zotëria e njeh mirënjohjen. Të paktën jo kundrejt Vetëvendosjes.

      Personalisht e lexova sikur ky ishte krenar, ose i vetëkënaqur, që i kishte bërë nder Vetëvendosjes me prezencën e tij. Dhe më pas po aq krenar me veten (ose I vetëkënaqur), që u largua prej saj. Mirënjohje ky njeh ndoshta kundrejt Kryeministrit. Por kurrësesi kundrejt Vetëvendosjes. Sepse kjo e fundit nuk është se e ka sjellë gjë në pushtet.

  2. Shpesh here njerezia kur thote “jam krenar” e ka fjalen “nuk me vjen turp” nga kjo apo ajo origjine, perkatesi, e kaluar apo beme.
    Pra, nje si reagim ndaj njefare te gjykuare ( reale apo e imagjinuar, e thene ose e nenkuptuar) te personit perballe.
    Ju qe hani buke me qemtimin e nuancave e te folurit dhe te te shkruarit, si dhe qe jeni… aghm, kaq krenare me aftesite tuaja observuese te fenomeneve kulturore shqiptare, duhet ta kishit vene kete ne dukje… merr vesht…

    1. Me shenjat e kompleksit të inferioritetit në ligjërim do të merrem një herë tjetër. Sikurse do të merrem një herë tjetër me trollimin prej atyre që e kthejnë argumentin kundër argumentuesit. Ti, Vendet tona, në ca tema do të bëje më mirë të dëgjoje, pa ndërhyrë shumë.

      1. Pjesa e pare e komentit tim eshte seriozisht. Do kisha pasur deshire qe te dija c’mendon ti per kete qasje; te thenit “jam krenar” si mekanizem mbrojtes ne bashkebisedim.
        Pjesa e dyte ishte thjeshte nje shaka, qetesohu bro!
        Pastaj ato me komplekse dhe trolle, merri mbrapsh se s’ti pranoj. Sidomos trollin se ate te inferioritetit, edhe mundet ta kem, se njeriu nuk e njeh veten kurre plotesisht.
        Gjithesesi, une jam shume krenar per sensin tim te humorit dhe lendohem kur te tjeret nuk e gjejne per te qeshur ate qe une e nisa per te tille!

        E shikon se si e aplikova mekanizmin mbrojtes ketu psh?

  3. Por kur dikush kryen një akt për të cilin duhet t’i vijë turp, por që në fakt nuk i vjen, ka gjë lidhje kjo me të qënit krenarë?

  4. My country, right or wrong; if right, to be kept right; and if wrong, to be set right

  5. Gjithnje edhe une, ne mos si shenje inferioriteti,e kam pare pa kuptim perdorimin e shprehjes “jam kerenar.., apo jam krenar qe jam shqiptar”. Si mund te jesh krenar per dicka qe nuk e ke zgjedhur ti te jesh. Per ate qe ka te beje me perkatesine ne nje shtet apo komb, per familjen, prinderit, prejardhjen, gjendjen sociale te trasheguar, ngjyren e lekures, rracen etj. Te gjitha keto perkatesi te cilat jane rastesore ne fatin tend nuk mund te bejne te ndihesh krenar. Per ate sesi mund te ndryshosh statusin tend, social, ekonomik, kulturor, intelektual apo shpirteror, pra per ato qe mund te arrish ti vete, mund te ndihesh me ne fund krenar. Te gjitha ato “arsye” te lartpermendura, per te cilat njerezit jane krenare, nga ana tjeter mund te behen “arsye” edhe per diskriminim, apo per te qene i diskriminuar. Jane te gjitha te pabaza ndaj nuk mund te jene arsye as per dikriminim, as per krenari. Vezhgimi juaj eshte plotesisht i drejte per te qene mirenjohes, per te gjitha ato me te cilat kemi ardhur ne kete jete. Shpresoj qe shqiptaret te gjejne dicka per te cilen te jene krenare

    1. Ne fakt shumekush do te thoshte per arritjet e filanit apo fistekut se ska ndonje gje per krenari sepse atij iu dha mundesia qe shumekujt nuk i eshte dhene, duke filluar qe me trashegimine ne lindje, po te kish lindur ne breg te ndonje lumi si romet apo arixhinjte me siguri nuk do te kish pasur asnje arritje per tu krenuar, se do kish pase nja 7 a 8 vellezer e motra e do kish dale per te lypur ne vend qe te shkonte ne shkolle.

      Nqs behet loja e rastesise njeriut nuk i ngel veçse te hidhet ne lume, nga ata me uje shume, mundesisht te rrembyer.

      Prandaj e kunderta eshte nje bindje me natyre metafizike, ku njeriu e sheh vetem si pjese e ne mos projekti, te pakten nje zinxhiri shkak-pasoje dhe nqs eshte i kenaqur, sipas parimin ka me keq, se e mira ska fund, atehere mund te krenohet me nje pjese apo gjithe karakteristikat e identitetit te vet.

      Diskutimi ne vetvete eshte filozofik, ontologjik, dhe eshte i vjeter sa vete bota. Parmenidi psh do te thoshte meqe realiteti, perditshmeria, eshte iluzion atehere ketu ska asgje as per tu krenuar, as per te qene mirenjohes, as per tu hedhur ne lume. Nje plak i urte do te thoshte, jemi miq ne kete bote vijme e ikim, cu be u be, cu pa u pa.

      Per mua krenaria lidhet me optimizmin, menyren si e sheh robi veten ne rendin e gjerave, keshtu qe do e fusja tek gjerat vetjake ku pezullohet gjykimi i bashkesise derisa te mos e jete qartazi e demshme per bashkesine.
      Pak a shume si Presidenti qe eshte i papergjegjshem per veprimet qe kryen ne funksionet e veta, persa kohe qe nuk jane tradhti e larte apo shkelje e rende e kushtetutes.

      Shqiptaret skane pse te gjejne ndonje gje qe te jene krenare, meqenese cdo shqiptar mund te gjeje cfare ti doje qejfi, sipas parimit ka me keq se e mira ska fund. Nje qejfi plazhi do gjente nja 100 shtete ne harte qe skane plazhe ose skane klime te duhur, nje alpinist do ishte krenar dhe do thoshte ka me keq psh Hollanda, nje tymoses hashashi do thoshte shyqyr qe gjen mall te mire se cdo beja po te isha mongol, e keshtu me radhe.
      Nuk eshte e thene qe gjithe shqiptaret duhet te biem te gjithe dakort per cfare duhet te jemi krenare. Pastaj shprehja, gjithe shqiptaret qe bien dakort eshte nje kunderthenie, prandaj as nuk ia vlen te vrasesh mendjen, Le tua leme individeve dhe grupeve te gjejne vete se per cfare duan te jene krenare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin