Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Politikë

TË GËNJYERIT

Nga Gresa Hasa

Në artikullin “Të zhgënjyerit“, Arjan Shahini bie pre e një dikotomie të rreme kur i ndan në sharje dhe përgëzime qëndrimet publike ndaj vendimit të Taulant Mukës për të pranuar postin si zv/ministër i arsimit. Mungesa e ekzistencës së kritikës qoftë si hipotezë, vjen këtu për disa arsye. Së pari, shndërrimi dhe reduktimi i argumentave të kundërshtarit në “sharje”, “përdhosje” e kështu me radhë, është një teknikë e njohur e zhvlerësimit jo vetëm të fjalëve të tjetrit por edhe të pozitës së tyre në debat, çka, për shembull, e vëmë re shpesh të manifestuar te kryeministri ose ministrja e arsimit në Shqipëri, të cilët e përdorin këtë teknikë si mënyrë mbrojtjeje dhe sulmi sa herë që çështjet e arsimit sillen në vëmendje. Së dyti, nëse flasim për “sharje”, zor se do ta orientojmë debatin tek arsyetimi dhe dalja në ndonjë përfundim ku përplasjet dialektike supozohet të na shpien. E konsideroj keqardhëse një qasje të këtillë nga një profesor, i cili më së paku, do të duhej të ishte tejet i qartë ndaj rregullave kryesore të debatit.

Për më tepër, Z. Shahini në artikullin e tij e përqëndron vëmendjen te një subjekt kyç që mëton se e paskësh kundërshtuar në mënyrë eksplicite vendimin e Mukës për të pranuar postin e zëvendësministrit: Organizata Politike, një lëvizje shoqërore e majtë e krijuar fill pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011 nga bashkimi vullnetar i disa njerëzve. Asgjëkundi Organizata Politike nuk është shprehur zyrtarisht për emërimin e zëvendësminstrit të ri, pavarësisht se aktivistë të ndryshëm të saj kanë shprehur mendimin e tyre personal mbi këtë ngjarje.

Z. Shahini i ndan aktivistët e OP-së në dy brezni: brezi i parë, ku ai përfshin nismëtarët e lëvizjes dhe brezi i dytë, aktivistët që e përbëjnë sot Organizatën Politike dhe të cilët i kanë dhënë asaj një identitet solid gjatë viteve. Me një ton të lehtë ironie, ai rreket të vërë në dukje se si disa nga aktivistët e lëvizjes gjenden sot në administratën publike si pjesë e radhëve të Partisë Socialiste. Ndoshta për mungesë informacioni të z. Shahini ose ndonjëfarë dembelizmi të tejskajshëm, ky i fundit mund të mos e dijë që asnjë nga aktivistët e Organizatës Politike nuk ka patur ndonjëherë lidhje me ndonjërën prej palëve të pushtetit në Shqipëri. Personat fantazmë së cilëve z. Shahini iu referohet kinse në mënyrë enigmatike, nuk janë pjesë e Organizatës Politike. Por edhe sikur të ishin, sikundër në çdo lëvizje apo grup tjetër, qoftë ky politik apo jo, në çastin kur dikush shkëputet nga bashkësia e grupit, është i pakushtëzuar të zgjedhë të shkojë ku ta shohë të arsyeshme. Vendimet personale të njerëzve jashtë lëvizjes, nuk janë as përgjegjësi dhe as shqetësim i lëvizjes. Kësisoj, është paksa e paqartë se si i vlen këtij diskutimi rikthimi në vëmendje i do personave që përpara tetë vitesh, në rrethanat e ngjarjeve dhe atmosferës politike të asaj kohe, zgjodhën të bëheshin bashkë por për arsye të ndryshme jo shumë kohë më pas, vendosën të ndiqnin rrugë katërcipërisht të kundërta. Se çfarë përpiqet të thotë z. Shahini, duke përmendur në tym individë pa emër, nuk është fort e qartë. Por që tentaton ta godasë Organizatën Politike, kjo është mëse e kuptueshme, aq më tepër kur e quan atë një “grup dogmatik” edhe pse dështon të shpjegojë se si OP-ja qenkësh dogmatike. Fakti që gjatë kohës kur z. Shahini shërbente si këshilltar në Ministrinë e Arsimit, OP-ja nuk binte dakord me politikat e ministrisë, nuk e bën këtë lëvizje dogmatike por një subjekt aktiv demokratik që kundërishtimin e bazon në argumenta, hulumtime dhe mbi të gjitha në forcën e fjalës, ardhtë kjo si debat konstruktiv apo në formën e protestës.

Organizata Politike ka qenë ndër vite tejet vokale (edhe) për sa i përket çështjeve dhe problematikave të universitetit, veçanërisht reformës dhe ligjit për arsimin e lartë. Së bashku me Lëvizjen Për Universitetin, këto dy grupe janë organizuar sistematikisht në përpjekjen për reduktimin e tarifave arsimore deri në arritjen e arsimit publik falas; kundërshtimit të plagjiaturës së profesorëve në universitetet publike; abuzimit të tyre me postin nëpërmjet korrupsionit dhe shitjes së paligjshme të librave; mungesës së literaturës, mungesës së bibliotekave; mungesës së një perspektive për të rinjtë e diplomuar, etj.

Gjithashtu, z. Shahini bën një gabim tjetër kur merr rastin personal si referencë për të përgjithësuar mbi një post shtetëror. Unë nuk jam plotësisht në dijeni të performancës së z. Shahini si këshilltar në Ministrinë e Arsimit, paçka se marrë parasysh qëndrimet e tij ndaj reformës së arsimit të lartë dhe vendimeve të ekzekutuara nga qeveria dhe kjo ministri, mund të dal në përfundimin se ka pasur pak dorë në vendimarrje, në mos fare. Është pikërisht kjo ajo së cilës i bën rezistencë Organizata Politike dhe shumëkush tjetër që ndan të njëjtin mendim me të: mungesës së demokracisë, lirisë, transparencës dhe shpërndarjes së autoritetit në institucionet publike.

Nga ana tjetër, kritikat nga aktorë të ndryshëm politikë përfshirë Organizatën Politike, nuk i drejtohen personalisht Mukës, formimit apo aftësisë së tij për të kryer punën por vendimit të tij për të pranuar këtë emërim. Muka nuk është emëruar në ndonjë post si specialist i pavarur, siç do të mund të ishte për shembull, një komision i posaçëm për hetimin e plagjiaturave, të cilin mund ta ngrinte qeveria por së paku, në parim, do t’u linte dorë të lirë “ekspertëve”. Ai ka marrë detyrën politike të zv/Ministrit, çka do të thotë se ka rënë dakord të mbrojë të gjitha politikat qeveritare mbi arsimin, posaçërisht atë të lartë: pra, të jetë pro financimit të universiteteve private nga buxheti i shtetit; kundër uljes së tarifave studimore, kundër shtimit të përqindjes së votës studentore, pro komercializimit të universiteteve publike, etj. Rama dhe Nikolla nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se kanë ndërmend të ndryshojnë këto themele të politikës së tyre arsimore, kështu që Muka e ka për detyrë t’i mbështesë si zv/Ministër. Edhe nëse arrin të bëjë diçka kundër plagjiaturave – për të cilën jam skeptike – do të bëhet zëdhënës i të gjitha padrejtësive të mësipërme.

Ndër të tjera, besimi që i vetëm e pa kurrfarë pushteti dikush në të tilla rrethana mund të kryejë çoç revolucion prej kolltukut të gatitur paraprakisht nga njerëz që akuzohen për një sërë krimesh të rënda, tingëllon qesharak. Në mos qoftë ky një besim romantik dhe naiv, është atëherë një kalkulim tejet i hollë për përfitime personale dhe përfitimet jo domosdoshmërisht janë të natyrës monetare, siç mund të mendojë shumëkush. Prestigji dhe një titull ndryshe në CV, një titull në dukje me peshë, mund të jenë një përfitim i tillë. Mbase qëllimi për shndërrime apo ndikim të drejtpërdrejtë, jo me patjetër mund të jetë synim i Mukës. Dhe kjo se bën zgjedhjen e tij të gabuar, pavarësisht se moralisht tingëllon e diskutueshme. Aq më tepër, kur Muka deklaron publikisht që po vetësakrifikohet për atdheun, duke lënë një rrogë 9000 Euro në perëndim, për rrogat e mjerueshme të administratës shtetërore në Shqipëri.

Dhe kur flasim për plagjiaturat (ku shumëkush po e tkurr këtë debat), a do të jetë në gjendje zv/ministri Muka të bëjë publike dhe të denoncojë të gjitha rastet e plagjiaturës, përfshirë mbase persona që teksa flasim, janë në poste vendimmarrëse duke i shërbyer të njëjtit pushtet si ai; a do të jetë ai në gjendje t’i dalë kundër propozimeve të mëtejshme të Ramës dhe Nikollës kur ta kërkojë rasti apo pas pak kohësh, njëlloj si shefat e tij do të na thotë që ne thjesht se kuptojmë dashamirësinë e pushtetit udhëheqës në Shqipëri…

Në realitetin ku tentakulat e kriminalitetit janë shtrirë kudo në institucionet shtetërore, vendimi i Mukës mund të merret për shumë i guximshmëm ose krejt patetik dhe mashtrues. Ky ishte një vendim personal. Askush nuk e imponoi Mukën, paçka se dikush njëfarësoj duket se e joshi atë mjaftueshëm sa për të thënë “po”. E ky është vendimi i tij me të cilin është i ngarkuar të pranojë edhe qëndrimet kritike apo skepticizmin. Tentativat për t’u shpallur hero ose viktimë, janë tejet të konsumuara por mbi të gjitha, s’na vlejnë. Ky debat meriton të zbresë në terma konkretë: jetojmë në Shqipëri, në Shqipërinë e korruptuar ku postet në institucionet publike mbartin pushtet fiktiv pasi pjesa dërrmuese e të zgjedhurve në to janë marionetat e një pushteti gjysmë-autoritar dhe narçiz, i përqëndruar te një tufë oligarkësh që vendimet për arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe gjithçka tjetër që na takon të gjithëve, i marrin dy-tri politikanë në bashkëpunim me bizneset monopole e më pas i imponojnë ato nga lart poshtë. Mos të bëjmë sikur jetojmë në një shoqëri normale ku çdokush merr hakun që i takon në bazë meritokracie, përndryshe si do ta shpjegojmë normalizimin e padrejtësisë dhe shtypjes në thuajse çdo aspekt të jetës sonë?

Gjendemi në një situatë të jashtëzakonshme prej tash sa kohësh dhe situatat e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Sot potenciali për emancipim shoqëror dhe ndryshim rrënjësor të një sistemi të korruptuar që riprodhon veç gangrenën e vetvetes, gjendet te studentët e përbashkuar dhe të gjithë ata qytetarë të cilëve iu ka ardhur në majë të hundës nga fjalët boshe dhe poshtërimi i vazhdueshëm, jo te burokratët e rinj me kravata “cool” që tentojnë të na e shesin sapunin për djathë. Situatat kritike kërkojnë të mbahet anë dhe Muka së bashku me avokatët e tij, e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Koha do të na tregojë të gjithëve se cila palë e paskësh patur gabim, me shpresën që gabimi të mos na kushtojë fatalisht të gjithëve. Në ka vend për urim këtu, ky është ai, jo përgëzimi i një aktori potencial – por të humbur tashmë – në luftën e përbashkët për zhvillim, që i largohet kësaj të fundit për t’i tundur derën atyre që na kanë vrarë të ardhmen.

(c) 2018, autorja.

 

12 Komente

  1. duke kursyer shkrimin e radhes: Te komentuarit, ceshtja e OP-es ishte nje shembull per ta konkretizuar burimin e kritikes. Ceshtjen e ka paraqitur mire Gjilpera, ne thelb behet fjale per raportin e intelektualit me sferen politike, por ne praktike (momenti i takimit ndermjet sistemeve nuk duhet te jete vetem kritika/distancimi, por edhe praktika) behet fjale per menyren sesi duhet krijuar dhe ushtruar kjo marredhenie. Kjo e fundit ishte qellimi i shkrimit, prandaj edhe perspektiva personale si ish-nepunes i shtetit.

    Vend per urim ka sa te duash: p.sh. uro qe te mos behet me shume dem sesa tani, ose te krijohet nje lloj tjeter kulture trasparence etj.

  2. Mua OP-ja qe e brezit 2K&CO (Kananaj-Kolaj e compagni ) me eshte dukur politikisht nje anakronizem ekzotik, qe duhet te ekzistoje, per te njejtin motiv qe ekzistojne pigmejte e Kongos dhe indiosit e Amazones, te cilet te veshur me gjethe fiku vrasin kafshe me shtiza e gure.
    Te pakten ata te brezit te pare benin ndonje batute dhe nuk e merrnin veten shume seriozisht.

    Nuk jane si brigadistet e kuq e grupe te hershme revolucionare, por kane te njejtin sistem mbijetese, mbeshteten e financohen nga te ashtuquajturit radikal shik ose bolshevike sallonesh, te cilet ndersa pijne shampanje gjejne kohen te firmosin ndonje çek per keta te rinj kaq te zellshem e pasionale per progresin.

    Ndonese drejtoria e Kananajt u ka financuar ketyre te OP-se projekte rinore dhe ky eshte fakt jo aq i pavlere.

    Me beri pershtypje saktesia e autores per gjendjen ne Shqiperi, por nuk e kuptoj pse studentet duhet te jene perpetuum mobile i ndryshimit te gjendjes.
    Mesa me rezulton nga historia e Shqiperise, komunizmi u udhehoq nga ”studenti” Enver Hoxha dhe mosha mesatare e kryesise komuniste ne 1945 veshtire se i tejkalonte 25 vjeç.
    Po keshtu ky sistem kaq i keq, i pershkruar sakte nga autorja, i ka rrenjet tek Levizja Studentore dhe studentet e asokohe, bashke me pedagoget e rinj, u bene ministra, deputete e drejtore e me the e te thashe. Mund te fusim edhe mjaftistat qe dikur ishin te rinj, po tani jane ministra, drejtora, deputete dhe marshojne ne krah te Edi Rames.

    Nqs argumenti eshte ”e treta e verteta”, une duke qene pakez supersticioz, mund edhe ta besoj, perndryshe mua me duket se studentet duhen mbajtur larg ndryshimeve te radhes ose me mire te jene force qe mbeshtesin me vonese ndryshimet e nevojshme.

    1. OP-ja përkrahet financiarisht vetëm nga fondacioni Rosa Luxemburg. Përpara se të hysh në debat, e mira do të ishe të kryeje detyrat e të merrje informacione të sakta.

      1. Te them te drejten emri i bolshevikeve te salloneve qe ju financojne nuk me intereson aspak, biles duke njohur kujtesen time, ky informacion do te fshihet shume shpejt.
        Fondacioni Roza Luksemburg eshte njesoj si te thuash Fondacioni Vladimir Iliç Lenin, megjithese ky beri Revolucion te suksesshem dhe vdiq ne krevat nga semundja, kurse revolucioni bolshevik i Rozes deshtoi dhe e pushkatuan ne vend. Roza sherbeu ne histori per t’i ngritur kacabujt Hitlerit dhe per te shkruar ndonje gje qe nuk e lexon kush tjeter perpos bolshevikeve (me fjale te tjera, nuk eshte si Marksi apo Antonio Gramshi).

    1. Ju deshën dy javë që ta kuptonte se s’mund ta ndryshonte sistemin së brendshmi. 😀

      1. Vellait tjeter siamez nuk i mjaftoi tere jeta per te kuptuar se sistemi s’mund te ndryshoje se jashtmi.

      2. Mua e gjithë kjo m’u duk bufonadë: nga emërimi me urdhër të peshkut te dorëheqja pa e filluar akoma punën. Ky tipi, kur e emëruan zv. ministër, mos kujtonte vallë se do t’i jepnin carta bianca? Dhe si ndodhi që e pranoi detyrën, pa e marrë vesh se çfarë kërkohej prej tij pikërisht? Më në fund: si do ta ndryshonte ky sistemin, kur nuk e paskësh idenë si punonte sistemi?

  3. Pergjithesisht denoncuesit, ata qe tregojne gishtin, nuk jane natyra te pershtatshme per ta ndryshuar se brendshmi sistemin. Kjo ishte Kronika e nje Deshtimi te Paralajmeruar. Me mire qe ndodhi shpejt dhe ne kete forme. Eshte nje precedent per te ngjashmit. Por ndoshta plani ka qene edhe ky:
    https://www.youtube.com/watch?v=JTTC_fD598A

  4. Ia lexova deklaraten dhe mu duk si shushk (mashkullore e shushke), gjthsesi njeri i mire, i pakoŕruptuar, qe mund te sherbeje si aset ne te ardhmen.

  5. Te dy artikujt mbi rastin Muka i lexova i paperqendruar ne tekst, sepse ndoqa paralelisht ne youtube nje diskutim ne studio, (vetem nga fundi e dallova qe biseda ishte e vjeter, prill 2018), ku ishte edhe personi ne fjale, Taulant Muka. Ky paskesh bere nje lloj sontazhi, ku paskesh nxjerre, aluduar te themi me mire, qe punonjes shkencore shqiptare te mjeksise dergonin artikujt e tyre shkencore ne nja tre revista boshnjake, nje maqedonse, nje indiane, te cilat -sipas tij- jane revista biznesi, njera e kritikuar edhe nga nje reviste prestigjioze (science). Ky sontazh konsistonte ne nje studim mbi nje enzime te caktuar dhe ne terrenin e organeve te dy gjysheve te tij.
    Mendoj se sontazhe te tilla private jane te vlefshme. Gjithashtu njihen edhe revistat qe botojne artikuj per arsye fitimi, (duket artikujt botohen nga autori). Mirpo une nuk e kuptova pse ishte qesharake fakti, se ne studimin e tij ishin marre dy gjyshet!? Ne fund te fundit, nje apo me shume njerez do te ishin studim i tij! E ne fund te fundit, ligji shqiptar eshte kopje e atij te huaj, qe thote se per te marre nje titull shkencor duhet te kesh artikuj ne revistat e huaja shkencore.

    1. Pak me vonese por pe e jap nje pergjigje per punen e gjysheve.

      Dy gjyshet nuk ishin subjekte te studimit por autore. Dmth Muka kishte cuar per botim nje “studim” ku autore ishin dy gjyshet. Artikulli qe pranuar nga keto revistat, gje qe tregon se sa serioze jane ato ne realitet. Tani shumica e akademikeve tane botojne tek keto revista dhe jo tek ato prestigjozet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin