ROLI I EKSPERTIT

 

Ç’rol u duhet besuar e ç’përgjegjësi u duhet lënë ekspertëve në debatet publike?

Pyetjes nuk i gjendet lehtë përgjigjja. Për çdo temë të nxehtë, si centralet bërthamore ose hapja e dosjeve ose standardi i shqipes zyrtare sot do të ndeshësh të paktën katër opinione në mediat:

  1. Mendimi i intelektualëve, ose i të ashtuquajturve “analistë”, ose “opinionistë”; të cilët janë, si të thuash, profesionistë të opinionit ose zëdhënës të publikut.
  2. Mendimi i pushtetarëve, ose i ekzekutivit.
  3. Mendimi i ekspertëve, të cilët flasin në bazë të ekspertizës që kanë.
  4. Mendimi i publikut (popullit), i shprehur në gjithfarë letrash e telefonatash e komentesh në forume interneti, ose në rrugë statistikore (referendum, vullneti i shumicës).

Me interes të veçantë është të ndjekësh dialektikën e raporteve midis këtyre burimeve të opinionit. Intelektualët pretendojnë se flasin nga pozitat e publikut, i cili është palë në çdo çështje me interes publik; publiku, të cilit i vjen në majë të hundës ngaqë çështjet nuk gjejnë zgjidhje, kërkon që të flasë “specialisti”, edhe pse gjithnjë tundohet nga opcioni statistikor; ekspertët kanë mendime të mbështetura shkencërisht, por zakonisht nuk i shprehin dot mirë, as i vendosin dot në kontekst. Politikanët, nga ana e tyre, duan t’i manipulojnë të gjithë, për të mbrojtur pushtetin, ose për ta marrë në dorë.

Sot sheh një irritim të përgjithshëm me “analistët”, kryesisht për shkak të performancave të tyre televizive, ose ubikuitetit (kudogjendjes), i cili zakonisht shprehet edhe nëpërmjet kërkesave për të dëgjuar opinionet e ekspertëve. Në mbyllje të debateve, ekziston gjithnjë rreziku i terrorit demokratik, ose i ftesës populiste “për t’ia lënë popullit (sovranit) të vendosë”, ku vendimi i popullit shpesh është përkthim i interesave të populistëve e të demagogëve.

Pushtetarët nga ana e tyre, futen në këto debate ose drejtpërdrejt, ose nëpërmjet përfaqësuesve të tyre nga radhët e shoqërisë civile, ose edhe të ekspertëve vetë. Në kushtet e dobësimit të besimit ndaj tjetrit në Shqipëri, publiku gjithnjë e më tepër priret t’i shohë protagonistët e ligjërimit publik si zëdhënës të interesave partiake e gjithsesi të grupeve të interesuara për pushtetin. Më të mbrojtur ndaj kësaj akuze të heshtur mbeten ekspertët teknikë, por vetëm e vetëm ngaqë këta mbrohen pas prestigjit të vetë dijes ku kanë ekspertizën.

Mirëpo duhet pasur parasysh se ekspertiza në një fushë të caktuar nuk shoqërohet automatikisht me ndonjë ngritje të profilit etik. A priori, një akademik është po aq i korruptueshëm sa edhe një karrocier plehrash, ndonëse jo me të njëjtat mënyra e mjete. Prandaj unë mbetem i mendimit se opinioni i ekspertëve është i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm, cilado qoftë çështja e debatuar. Në rast se diskutohet, bie fjala, ndërtimi i një centrali atomik në Shqipëri, ekspertët mund e duhet të sqarojnë publikun, në mënyrë pedagogjike, për të mirat dhe rreziqet e këtij projekti – por jo të vendosin nëse centrali do të ngrihet apo jo. Edhe teknokracia ka limitet e veta, në politikë sikurse kudo. Vendime të këtij kalibri kanë gjithnjë aspekt etiko-social i cili nuk mbulohet dot nga ekspertiza.

Ekspertët i pengon edhe siguria që të jep vetëdija e të qenit profesionist në një mjedis amatorësh ose profanësh; sepse kujtojnë se kanë gjithnjë të drejtë, madje edhe kur diskutimi kalon nga çështjet teknike në çështje me natyrë sociale, kulturore, etike e psikologjike. Shto këtu edhe vështirësinë që kanë shumë prej këtyre për t’u artikuluar mirë dhe rezultati nuk është asnjëherë i kënaqshëm.

E gjithë kjo pa e prekur fare aspektin e marrëdhënieve të ekspertëve me pushtetin, ose manipulimin e së vërtetës “akademike” nga politika.

Sa për intelektualët, kundër tyre dëgjon të ngrihen shumë zëra nga ata që janë formuar në vendet anglo-saksone, ku tradita e intelektualit pothuajse nuk ekziston. Mirëpo në Shqipëri kjo traditë është dhe mbetet e fortë dhe nuk ka arsye pse të luftohet në vetvete, edhe sikur disa të vetëquajtur intelektualë të mos jenë veçse sharlatanë të rastit, ose përfaqësues të interesave politike.

Simbol të denjë të intelektualit shqiptar sot unë do të quaja Fatos Lubonjën, i cili ka treguar gjithnjë kurajo të madhe për t’iu kundërvënë pushteteve të ndryshme, grupeve të interesave dhe tribalizmit provincial. Lubonja ka një veprimtari e krijimtari aq konsistente, sa mund të shërbejë si model për protagonistët e ardhshëm të ligjërimit publik; madje edhe për ata që nuk pajtohen me qëndrimet e tij, ndonjëherë tepër radikale. Në këtë rast, e kam fjalën më tepër për një stil të posaçëm të performancës publike, që merr edhe më tepër vlerë në rrethanat specifike të Shqipërisë.

Po në ç’fushë është ekspert Fatos Lubonja? Në fizikë, për të cilën është diplomuar në universitet? Në sociologji? Në filozofi politike? Në psikoanalizë? Natyrisht jo. Intelektuali është ekspert për të shprehur opinionin publik, ose për të funksionuar si zëdhënës i publikut. Prandaj kundërvënia midis ekspertit dhe intelektualit është kundërvënie shpesh sipërfaqësore, sa kohë që të dy këto figura janë praktikisht komplementare.

Ka intelektualë e opinionistë që kuturisen të flasin për çështje të cilat nuk i njohin mirë, ndonjëherë edhe duke gabuar. Mua më ka qëlluar të kap disa herë, në gabime elementare, kolegë të mi që flasin për çështje të gjuhës e të gjuhësisë të mbështetur në lexime që kanë bërë në kohën e lirë, ose duke e ndjekur gjuhësinë si hobby. Megjithatë, në raste të tilla i them vetes se ndoshta detyra ime, si “i fushës”, do të ishte, ndoshta, të sqaroja më mirë publikun, për t’i evituar këto gabime në të ardhmen.

Në një farë mënyre, seanca e gjyqit si praktikë sociale e ritualizuar dhe rigoroze mund të shërbejë si model edhe për krejt zhvillimin e ligjërimit publik. Në gjyq gjen një prokuror që zakonisht përfaqëson palën publike dhe një avokat mbrojtës zakonisht të të akuzuarit ose të palës private; sikurse ka edhe një gjykatës që me përkufizim qëndron mbi palët e që funksionon si moderator i debatit vetë. Opinioni i ekspertit gjatë procesit gjyqësor është shpesh i domosdoshëm, por gjithsesi roli i ekspertit në gjyq nuk mund të barazohet për nga rëndësia me rolin e prokurorit ose të avokatit, aq më pak të gjykatësit vetë (e të jurisë, në vendet që e kanë si institucion).

Çdo krahasim çalon, dhe modelimi nuk ka ndonjë detyrim “moral” ndaj modelit. Megjithatë, analogjia me sallën e gjyqit të bën të mendosh.

Do të më thonë: po populli, ose fjala e shumicës? Në të vërtetë, gjatë një debati publik populli ose është nocion fiktiv e gogol për kërcënime të ndërsjellta, ose përfaqësohet të paktën nga zëdhënësit e vet: politikanët dhe intelektualët.

Përndryshe, vlera e një vendimi të marrë “popullorçe” është në përpjesëtim të drejtë me shkallën e informimit të atyre që kanë votuar. Unë nuk entuziazmohem shumë nga referendumet, as kujtoj se populli është “i pagabueshëm”; përkundrazi, mbetem i mendimit se populli, sikurse të tjerët, duhet të konstituohet si palë në dialog e sipër duke u shndërruar në publik, jo ta përmbytë sferën e debatit publik me privilegjin e sovranitetit.

21 Comments

  1. Ngado që të sillet, çështja e ndërhyrjes së ekspertit në debatin publik reduktohet në një ndeshje të Njeriut me ndërgjegjen e tij. Vetëm pasi njeriu-vetëekspert e ka fituar këtë ndeshje, ai zbret në arenën publike, i veshur me petkun e specialistit të fushës, të « analistit », të « politikanit » ose dhe të qytetarit të thjeshtë që poston një letër ose shkruan një e-mail.

    Përsa i përket « legjitimitetit civil » të një ndërhyrjeje të tillë, ai mbetet funksion i mjedisit, i shkallës së pjekurisë qytetare, i nivelit mesatar intelektual dhe i seriozitetit shkencor të bashkësisë së ekspertëve të mirëfilltë. Fundja fundit, ligjërimi publik dhe pjesëmarrja në debat, përveç përmbajtjes së përmasës të demokracisë së vërtetë, shërbejnë edhe si ferment që fryn « brumin » e mendimit dhe që « pjek » opinionin e përgjithshëm ; shërbejnë si kut i domosdoshëm për t’i treguar cakun e fundit veprimit politik vendimmarrës.

    Sa për performancën e ndërhyrjes, ajo e tejkalon së tepërmi « ndërgjegjen » e ekspertit dhe « zotësinë » e tij profesionale. Ajo përmbledh në vetvehte elementë të dijes enciklopedike, nuanca të tejpamjes intelektuale, fragmente të vetëkritikës dhe të analizës ndërfushore, instrumenta të sintezës dhe të përgjithësimit filozofik dhe mbi të gjitha mjete të fuqishme shprehjeje : një penë të shkathët që ndërthur argumentat dhe lidh idetë me kontekstin konkret, një zë i përveçëm që nuk i ndruhet kritikës dhe opinioneve të parafabrikuara. Mund të themi se rasti i Lubonjës përfaqson zgjidhjen e lumtur të kontradiktës personale, të guximit intelektual, të vizionit qytetar dhe së fundi të talentit të kultivuar.

  2. Në sallën e ligjëratës publike, intelektualët janë ata që bëjnë pyetje, kurse ekspertët janë ata që japin përgjigje. Eksperti është sinonim i teknikut, në kuptimin që njeh mirë fushën e vet të ngushtë të shkencës apo kulturës. Intelektualit i duhet ta shohë problemin në kontekstin ku ndërveprojnë shumë faktorë, shqisat e të cilit janë të afta t’i kapin e t’ua shohin drejtimin.

    Nga ana tjetër teknikut gjithnjë mund t’i thuhet – zakonisht pa gabuar – se po mbështet interesat e tij personale. Nuk them se eksperti qe mbron mbikalimin e Zogut të Zi paguhet nga pronari i ndërmarrjes së ndërtimit, as që inxhinieri bërthamor që lëvdon të mirat e centralit kërkon punë dhjetëravjeçare me pagesë të majme, por dyshimi se eksperti kërkon riprodhimin dhe prestigjin e ekspertizës së vet mbetet medoemos.

    Mendimi se intelektuali është zëdhënës i opinionit publik më duket disi reduktiv, sepse shpeshherë intelektualët futen në të çarat e opinionit publik, madje me raste shkojnë pikërisht kundër opinionit të përgjithshëm. Ndoshta kjo e bën edhe “më intelektual” mendimin e tij. Jo sepse është antagonist, rebel, antikonformist; por sepse vepron kundër rrymës, ndërkohë që teknikut i duhet të justifikojë zanatin e vet, politikanit i lipsen votat e ardhshme, pushtetarit i nevojitet pushteti, kurse publikut i duhet (ndonjëherë) idhulli.

    Apo intelektuali i jep zë opinionit publik të brezave të ardhshëm? Ndodh jo rrallë, por ne nuk e kuptojmë. Atëherë i rrëmojmë në biografi. Edhe kur shkruan me pseudonim.

  3. Keto dite po lexoj “In Defense of Elitism” nga William Henry III. Kur vjen puna tek intelektualet ai, si jo egalitar qe eshte, thote se populli ua le ceshtjet madhore ne dore atyre pasi populli/vulgu eshte injorant. Pra intelektuali eshte ne pozite te terheqe nga hunda opinionin e popullit e jo ta percjelle ate.

  4. Kur thashë zëdhënës, e kisha fjalën më tepër për “shprehës ose interpret të interesit të publikut”; dhe jo në kuptimin që intelektuali shëtit poshtë e lart për të mbledhur folklor, por në kuptimin që niset të mbrojë interesat e publikut, si palë në dialog. E kam të qartë që si përkufizim është i paplotë; dhe më intrigon shumë vërejtja e Pishakut se intelektual është ai që bën pyetjet.

  5. Eksper-t eshte ai i cili eksper-menton, shkencetari, ai qe mbledh te dhenat mbi te kaluaren dhe ben nje permbledhje te tyre, por qe absolutisht nuk mund te japi nje teori mbi to pa kapercyer kufijte e deges. Analize.

    Intelektuali eshte ai qe pasi lexon te dhenat dhe permbledhjen e ekspertit, mund te ofroje nje teori e cila eshte e lexueshme per praktikat e se ardhmes. Vetem nje teori me e sakte, apo vetem ekspertet e se ardhmes mund te rrezojne nje teori te intelektualit. Sinteze.

    Publiku eshte platforma e politikes. Publiku dhe politika jane nje. Te dhenat e ekspertit, te bera te lexueshme nepermjet teorive te intelektualeve, vendosen ne praktike nga publiku dhe nga politika. Praxis.

    Kjo per mendimin tim eshte edhe ndarja klasike e ketyre roleve. Persa i perket metodes se perdorur nga secili rol, ajo eshte e variueshme per nga secili agjent i cili ben pjese ne njerin grup apo ne tjetrin. Per sa i perket ekspertit, metoda eshte e ngurtesuar, dhe eshte metoda e eksperimentit. Pyetja, qe tha Pishaku, Retorika, Kritika, apo Analiza, Analogjia, etj, me nje fjale gjithcka qe mund te penetroje ne thelbesi te ceshtjes, mund te jene metoda te intelektualeve. Nga ana tjeter, publiku dhe politika mund t’a anashkaloje jo vetem ekspertin, por edhe intelektualin dhe mund te vendosi ne praktike nje teori te nxjerre nga eksperienca e vete. E mira eshte qe hallka te mos keputet, pasi teoria e ofruar nga intelektualet eshte metodike, jo vetem e thelle, por edhe e gjere.

  6. Kam pershtypjen se eksperti ne shkrim eshte pare ne nje rol te ngushte duke hamendesuar se ai nuk i njeh implikimet etike dhe shoqerore te profesionit te vet, gje qe mund te jete e vertet ne nje fare shkalle ne Shqiperi duke pasur parasysh edukimin (?) qe nuk e ka vene asnjehere theksin ne to pasi prurjet ideologjike te kesaj menyere te menduari nuk mund te kontrollohen.
    Ndersa intelektuali operon kryesisht ne rrafshin ideologjik, eksperti ka tendence te luahtet, por kurresesi ai nuk mund ta perjashtoje dimensionin etik dhe shoqeror te profesionit. Psh. rasti me i fundit i kerkimeve ne “stem cell” (kerkoj ndihmen e expertit te gjuhesise!) eshte mblematik ne ate qe: megjithese eshte nje debat qe perfshine gjithe shoqerine vetem qendrimi etik i eksperteve duket se po i jep atij ngjyrimet perfundimtare.
    Pra ne kete akspekt eksperti nuk mund mund te margjinalizohet, porse te vleresohet realisht roli i tij. Margjinalizimi sjell pasoja per te dy palet si per shoqerine ashtu edhe per fushen perkatese te ekspertizes.

  7. Ujk, cili eshte qendrimi etik i eksperteve ne kete rast pervecse i kane qendruar besnik metodes se tyre te eksperimentit? Eshte teoria se keto eksperimente jane te dobishme per rracen njerezore ajo qe siguron fondet per zhvillimin e ketyre eksperimenteve. Ketu qendron etika, jo tek vete ekspertet apo eksperimenti.

  8. Artikull i cili edhe implikon faktin qe ne Shqiperi, mungesa e fondeve per ekspertet eshte per faj te mungeses se filozofeve te mirefillte.

  9. Lulian, une po i referohem debatit qe eshte zhvilluar ne US (sepse paralel me zhvillimet ne amerike jane edhe ato jashte saj) i cili eshte ngritur deri ne nivelin e nje debati presidencial, dhe do ishte e paimagjinueshme qe mos te perbente objekt diskutimi ne rrethet e shkencetareve. Ne nje interviste ne NYT menjehere pas publikimit te zbulimit shkencetari ne fjale i referohej edhe nje vendimi moral dhe etik qe i eshte dashur te marre per te vazhduar me tej ne kerkimet e veta. (po qe se e gjej artikullin me gjithe qejf do ta postoj ketu). Ky debat ne rrethet profesioniste ka ekzistuar por ajo qe ne ndjekim eshte ekspozeja qe i behet ketij debati nepermjet Bushit apo Kerit. Ekspertet nuk jane njerez pa qendrime morale, dhe nenvleresimi i ketij aspekti per mua eshte nje lloj miopie, e cila psh. e ben qendrimin “evangjelik” te Bushit pas ketij zbulimi pjese te historise – gjithmone nese ai vertet e ka pasur ndonjehere seriozisht dhe nuk e ka perdorur debatin per te forcuar radhet ne baze.

  10. Ndonjëherë, po ata njerëz që u kërkojnë intelektualëve publikë të hiqen mënjanë për t’u hapur vend ekspertëve, bëjnë thirrje pastaj edhe që çështjet të zgjidhen me referendum, ose me konsultim të drejtpërdrejtë me popullin. Kjo mua më duket paaftësi për të parë zgjidhje të tjera përveç atyre më radikale; ose për ta respektuar lavjerrësin vetëm në pikat e vdekura. Shpesh, thirrja për t’ua dhënë fjalën ekspertëve shpreh një dëshirë, të hapur ose të fshehtë, për ta hequr përgjegjësinë nga vetja; por njëlloj ndodh edhe me ata që, në çdo disput, të kërcënojnë me vullnetin e popullit. Më në fund, eksperti (teknik) zakonisht është ekspert për çfarë bën, jo për çfarë thotë; nuk është e thënë të jetë komunikator i mirë, as i kërkohet; një kirurg i shkëlqyer mund edhe të mos jetë në gjendje t’ia përshkruajë publikut artin e vet. Unë, po të kem një problem me shëndetin, doemos do të vete te mjeku të vizitohem, por kur diskutohen problemet e shëndetësisë (private apo publike) nuk e vlerësoj mendimin e mjekut më shumë se të pacientëve. Mendimi im, që dëshiroj ta diskutoj me kolegët, është që eksperti duhet të flasë kur ta pyesin; dhe se orvatjet e ekspertëve për t’ua zënë vendin intelektualëve janë shenjë e dështimit të shoqërisë civile, jo e përparimit teknologjik. Për shembull, kur flitet për centralin bërthamor në Shqipëri, ekspertët mund të pyeten për përvojën e vendeve të tjera, ose për llojin e reaktorit që do t’u përshtatej kushteve lokale, ose për distancën optimale nga qendrat e banuara etj., por nuk ka kuptim që t’u lihet në dorë ekspertëve politika energjitike, sepse politika energjitike, si çdo politikë, duhet bërë nga politikanët. Më në fund, eksperti dhe intelektuali publik mund të bashkëjetojnë te një person i vetëm; sepse këto janë role, jo esenca.

  11. Lulian, ai artikull flet per nje lloj zhvillimi ne mendimin filozofik dhe nuk e kam te qarte se si aplikohet ne kete rast?

  12. Mendimi im eshte se qe me fillimin e periudhes moderne, pra qe nga Francis Bacon dhe Descartes, ne praktiken perendimore, ne ndarjen e roleve te ekspertizes, ato kane tentuar te fitojne statusin ideal te percaktuar prej Platonit. Persa i perket rolit te eksperteve, ato jane ndare qarte ne dega te ndryshme te shkences, dhe kjo ka ardhur si rrjedhoje e faktit qe etikes se tyre nuk i eshte lejuar te kaperceje kufijte e praktikes se tyre. Nga ana tjeter, ka pasur raste hit and miss te filozofit mbret, (ku i vetmi shembull pozitiv mund te jete Goerge Washington) por kjo jo per faj te ketyre filozofeve, po per faj te mbreterve ne fuqi.

    Si aplikohet? Aplikohet ne ate qe xha xhai i ka ndare ne role, dhe esenca. Po, teoricieni mund te beje rolin e eskpertit dhe te merret me eksperimente apo kerkime shkencore, dhe e anasjellta, eksperti mund te ofroje nje teori ne lidhje me kerkimet e tij eksperimentale. Kjo eshte praktike me se e pranueshme. Por, ekspertiza nuk eshte rol, por esence. Gjithashtu, sic e shpreh edhe artikulli, filozofi mund te beje eksperimente, por ne momentin qe duhet te beje filozofi, te dhenat, eksperimenti, ekspertiza, lihen menjane dhe behet filozofi.

    Nuk e di a i jam pergjigjur pyetjes.

  13. Ne rregull Lulian, u morem vesh. Pra rolet jane te ndryshme, dhe kjo eshte e qarte. Ajo qe shqeteson ketu eshte kur ato nderthuren – pra kur eksperti pa dashur del nga diskutimi i thate dhe lakonik, dhe nderhyn ne diskursin publik, dhe menyra se si e angazhon intelektuali, te thaten dhe lakoniken. Ai mund ti japi asaj nje dimension publik por edhe mund ta abandonoj krejt ne favor te retorikes per te perqafuar referendume. Dhe ketu dalim tek ajo qe thekson z. Bejko rreth mardhenieve te intelektualit dhe opinionit apo popullit – ku roli i ketij te fundit nuk mund te kuptohet vecse nepermjet votimeve/referendumeve.

  14. Nëse ekspertët në mediat rrezikojnë të ushqejnë tundimin për teknokracinë si formë shkencore të qeverisjes, intelektualët sjellë vend e pa vend në ekran mund të shndërrohen në prime donne e në celebrities. Nuk e ndjek televizionin shqiptar, por kam dëgjuar se disa figura të njohura si “analistë” e kanë kaluar tashmë Rubikonin, për t’u kthyer në parodi të vetvetes, e duke përfunduar në çdo gjellë, si majdanozi. Ndoshta kjo dukuri çon pastaj në formulime të tilla si:

    Intelektuali publik eshte nje specialist i llojit te vecante, ai qe flet shume dhe nuk ben asgje. I veteshpalluri intelektual publik. Nje lope qe mjel veteveten si OJQ.

    Të cilin e ndesha nga një debat i ditëve të fundit te blogu Përpjekja. Ky formulim shpreh thelbin e denoncimit të politikës deliberative nga fashizmi, ose i përbuzjes që ndien për pjesën tjetër të apartamentit nevojtorja. Me argumente të tilla janë mbyllur e qëlluar me top parlamentet, ose janë nxjerrë akademikët shëtitje rrugëve të hipur në karroca të plehrave, për t’u përqeshur nga turma e për t’u qëlluar me domate të kalbura. Çështja është si arritëm që shprehje të tilla t’ia pranojmë vetes deri aty sa t’i përdorim lirshëm në publik… duke përfituar pikërisht nga ajo liri mendimi të cilën e kanë kërkuar me ngulm, të parët, intelektualët!

  15. Xha Xha, me lere te hamendesoj duke sjell dy raste konkrete:
    I pari implikon nje opinionist si Lubonja dhe dy arkitekte Maks Velo dhe Arben Bicoku ne nje debat per nje projekt ne qender te Tiranes, nisme e Bashkise se Tiranes. Lubonja pasi ben nje shkrim duke ju kunderven mendimeve te dy arkitekteve ekspert te fushes merr si pergjigje nje reagim (une do ta quaja te eger) i cili ne vend te fokusohej ne argumentat qe u ishin servirur nga Lubonja, i drejtohen atij me akuzen se ai nuk dinte se c’fliste pasi nuk ishte specialiste i asaj fushe. Ndersa argumentet lihen menjane debatin e pushton nje metafore “cifteje” e permendur ne nje shkrim te meparshem te Artan Lames (ne ate kohe ose nenkryetar bashkie ose zevendesminister kulture – nuk jam i sigurt).
    Per mendimin tim “specialistet” jo vetem qe nuk e perqafuan debatin profesionalisht por e kthyen ate ne personal dhe e perqafuan pushtetin pa ndroje.
    Rasti i dyte problemi i “Zogut te Zi” qe eshte prekur shkarazi dhe ketu. Mendimi i pergjthshem qe dominoi – pervec evidentimit te nje konflikti te qarte politik – ishte se ekspertet ben nje loje te piste te pushtetit. Fjala ishte gjithashtu se dikush nga grupi i “eksperteve” qe perfaqsonin oponencen e projektit e kishte miratuar ate me pare. E verteta eshte qe menjehere te gjithe vrapuan neper llogore si politikan ashtu edhe inteletuale/analiste/opinionberes per te marre pozicione pro e kundra por rralle (kurse me aq sa kam pare une: asnjehere) per te perimtuar dhe shkoqitur problemin. Ne radhe te pare te kishin pyetur a ishte kjo nje veper e dobishme nga pikpamja urbane apo ishte vertet nje monster? Si ishin marre vendimet per te nderkohe qe asnje nga qytetaret nuk kishte degjuar te flitej me pare per te? Kush u ankua dhe pse (thjeshte u supozua se pas cdo ankimi jane interesa te pista sic rendom konsiderohen interesat private ne Shqiperi)? Kurse per kete dore ekspertesh qe u anatemuan nga te gjitha anet kush beri ndonje investigim te shikonte se si miratohen projektet ne bashkine ku kryeurbanist eshte Rama? Perse ne krye te drejtorise se urbanistikes (te pakten ne ate moment) nuk ishte nje profesionist por nje matematicien i cili mburret se eshte menaxher dhe kjo drejtori nuk ka nevoje per me shume? Nuk i bente kjo te dyshonin keta mbrojtes te interesit publik se bashkia e Tiranes nuk pranon mendimin e eksperteve pervec Kryeurbanistit Rama dhe ato qe i krehin bishtin (Artan Shkreli vazhdon e shkruan ende te Shekulli per “Kthimin ne Identitet”)?
    Deshperuese ne fakt nuk jane gjithe keto kontradiksione ne sjelljen e specialisteve dhe opinionberesve – qe une mund t’i konsideroja edhe normale – por fakti se pas gjithe ketyre ne nuk nxjerrim asnje perfitim dhe asnje lloj mesimi. Deshperuese eshte se pushteti vazhdon te dominoje realitetin, dhe publiku vazhdon te jete i neperkembur. Asnje ndryshim ne legjislacion qe ben sanksionimin e te drejtave te komunitetit apo atyre private nuk u arrit. Perse luftuam dhe u futem neper llogore? Per te perseritur te njejten skene te shemtuar me aktor te ndryshem? Dhe sigurisht pas gjithe kesaj nuk rri dot pa menduar se ai qe ka shkruar ate citimin e sjell prej jush nga blogu i Lubonjes ndoshta ka te drejte – ne flasim dhe s’bejme asgje!

  16. Çfarë shkruan Ujku i Zi ma konfirmon se në Shqipëri janë bërë mjeshtra për t’i diskredituar rolet; njëlloj siç diskreditojnë institucionet, ose siç shkatërruan veprat publike trashëguar nga regjimi i mëparshëm. E gjithë kjo lidhet edhe me një hipertrofi të dinakërisë, ose të levantinizmit, ndër shqiptarët e në kulturën shqiptare; ose një bindje se mund t’ia hedhësh tjetrit, e cila sado të bazohet në mençuri, prodhon idiotizëm sa kohë që të gjithë duan të marrin pjesë në lojë. E kisha harruar farsën me ekspertët e “Zogut të Zi”, që përfunduan në kukulla animatronike, nga ato të parqeve të Disney-t e që vërtetuan se ekspertiza, në tregun shqiptar të etikës, është nga mallrat më të lira. Natyrisht, ligjërimi publik e ka gjithnjë një element teatral, por në Tiranë këtë e kanë kuptuar si të ishte fjala për teatër kukullash.
    Ka edhe një faktor tjetër që i shndërron njerëzit në karikatura të vetvetes: pasiguria e statusit. Shihni se çfarë zhurme bëhet çdo ditë në shtyp për politikën e kuadrit: kush hipën në fik, kush zbret, kush rrëzohet; kush flitet se do të hipë e kush flitet se do të bjerë; çka është e neveritshme në vetvete, por të bën të mendosh edhe sa të pasigurt duhet të ndihen këta njerëz, e sa të ngutur në përpjekjet e tyre për të përfituar nga pushteti që u është dhënë përkohësisht. Të parë nga larg, më kujtojnë historitë e amerikanëve të thjeshtë që fitojnë llotarinë, e që pastaj prishen mendsh nga kërkesat e kushërinjve, farefisit, miqve e krushqisë për ndonjë llokmë të tortës. Kjo pasiguri statusi është e re në kulturën e elitave të Shqipërisë. Deri në 1944, statusi përcaktohej nga “sëra”, çka edhe lidhej edhe nuk lidhej drejtpërdrejt me madhësinë e qeseve me florinj; pas 1944 statusi përcaktohej nga shkalla e besueshmërisë, ose e afinitetit të një personi e sidomos të një familjeje me “lëvizjen”. Në krahinat, statusi ndiqte mekanizma të tjera, të cilat nuk u ndikuan dhe aq shumë nga politikat e Tiranës. Prandaj një nga pasojat më largvajtëse të përmbysjes së 1990-ës do të ketë qenë relativizimi i statusit të elitave. Natyrisht, afërsia me pushtetin ndihmon edhe tani si atëherë, vetëm se tani pushteti ndërrohet; dhe bashkë me të ndërrohen edhe një pjesë e mirë e intelektualëve publikë, madje edhe e ekspertëve.
    Kam shkruar dikur se një nga prirjet më të dënueshme në jetën qytetare të viteve 1990 ka qenë kooptimi i kuadrove në politikë nga shoqëria civile; sepse kjo dukuri në vetvete e varfëronte shumë shoqërinë civile teksa krijonte një precedent të rrezikshëm të përdorimit të veprimtarisë qytetare si trampolin drejt pushtetit. Kjo praktikë vijon edhe sot, në të dy anët e spektrit politik, me partitë që i mbajnë të hapura 24 orë në ditë zyrat e rekrutimit në lagjet e intelektualëve e të institucioneve të shoqërisë civile. Po të hapësh sot gazeta të para dhjetë vjetëve, habitesh me emrat e analistëve atje, sepse po ata njerëz kanë përfunduar sot në aparatçikë të Partive, ose shqiptues banalitetesh të hatashme në takime me “bazën” anembanë vendit. Të vjen keq të dëgjosh një kolegun tënd të cilin dikur e admiroje për sensibilitetin e mendimit dhe mprehtësinë e leximeve që u bënte dukurive sociale dhe kulturore të post-komunizmit në Shqipëri, t’u dërdëllitë tani njerëzve gjëra të tilla si “kam ardhur këtu të ulem gju më gju me ju njerëzit e thjeshtë, në Karavastanë heroike të bëmave shekullore ku sheh Ibërshim Bismilahu ngriti flamurin shqiptar, për t’u qarë hallet e për të mësuar shqetësimet tuaja e për t’u dhënë fjalën se kur të vijmë ne në pushtet…” Këto gjëra të ngjethin mishtë: mua më kujtojnë një film që e konsideroj si kryevepër të artit anti-utopik, “Invasion of the Body Snatchers” (versioni i Philip Kaufman, i vitit 1978). Politika ia merr shoqërisë civile këta njerëz dhe i klonon, por diçka nuk shkon mirë diku gjatë procesit dhe rezultati i klonimit janë qenie të tilla, të shfytyruara.
    Nga ana tjetër, sapo një përfaqësues i shoqërisë civile nis të aktivizohet në mediat e të thotë fjalën e vet me forcë për çështje të ndryshme, fillon mjegulla e supozimeve për postin që ky synon, ose për postin që i kanë premtuar. Kjo sepse është përftuar një anti-etikë, sipas së cilës veprimtaria publike synon pushtetin, i cili të krijon kushte për të pasur sukses në veprimtaritë private, të tilla si kontrabanda e lidhësave të këpucëve dhe e qenushëve të racës për gratë e të fortëve të Tiranës, ose marrja e shesheve të ndërtimit, ose fundja edhe aksesi në klubet ekskluzive të prostitutave dhe balerinave televizive. Kjo atmosferë do t’i shkonte për bukuri “Sopranove”, ose edhe ndonjë qyteze të sunduar nga camorra, si Giuliano në periferi të Napolit, ndoshta edhe ndonjë kryeqyteti afrikan të mbetur në dorë të dhive; por në Tiranë është vërtet e papranueshme. Një arsye më tepër për t’ua rritur vlerat atyre pak intelektualëve që kanë mbijetuar, duke refuzuar të hypin në Benz-at e banditëve.

  17. Xhaxhai shkruan:
    “Simbol të denjë të intelektualit shqiptar sot unë do të quaja Fatos Lubonjën, i cili ka treguar gjithnjë kurajo të madhe për t’iu kundërvënë pushteteve të ndryshme, grupeve të interesave dhe tribalizmit provincial. Lubonja ka një veprimtari e krijimtari aq konsistente, sa mund të shërbejë si model për protagonistët e ardhshëm të ligjërimit publik;”

    Absolutisht dakort!

    Fatos Lubonja eshte simboli intelektual i Tiranes, po aq sa edhe Migjen Kelmendi eshte simboli intelektual i Prishtines.

    Nderkaq, eshte shume e rendesishme te permendim se ajo çka i ben keta figura te kene konsistence e kurajo, pos pregatitjes se tyre teorike, eshte ne rradhe te pare dhe te fundit, morali i tyre i paperlyer.

    Eshte forca titaneske e ketij morali te paperlyer qe i ka kthyer ne simbole intelektuale. Nje intelektual i perlyer, sado pergatitje teorike te kete, mbetet non sens.

Comments are closed.