Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

DIAGNOZA PËR FISCHER-IN

Një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, një radio filipinase intervistoi drejtpërdrejt ish-kampionin e botës në shah, të mirënjohurin Bobby Fischer, në lidhje me çfarë sapo kish ndodhur. Fischer-i aso kohe jetonte në Baguio City, në Filipine; për të qarkullonte një urdhër-arresti i lëshuar nga autoritetet federale të SHBA, për shkelje të Urdhrit Ekzekutiv presidencial no. 12810, që kish vendosur sanksione kundër Jugosllavisë; kjo, ngaqë ai kish marrë pjesë në një match me ish-rivalin e vet për titullin, rusin Boris Spaski, të organizuar në Sveti Stefan dhe Beograd, në vitin 1992. Gjatë këtyre viteve, ai kish fituar edhe një farë nami të keq me deklaratat e tij të shumta anti-semite; dhe duke e pikturuar veten si viktimë të një komploti hebraik ndërkombëtar. Sipas tij, SHBA tashmë kontrolloheshin prej hebrenjve. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe në intervistën në radion filipinase në 12 shtator, kur shprehu kënaqësinë e vet që kjo kish ndodhur dhe se SHBA e kishin merituar këtë shuplakë. “Çfarë lajmi i mrekullueshëm,” tha Fischer-i. “E përshëndes këtë akt. SHBA dhe Izraeli prej vitesh i kanë masakruar palestinezët, thjesht i kanë masakruar. I kanë grabitur dhe i kanë masakruar. Askujt nuk i është bërë vonë për këtë. Tani i erdhi radha SHBA-ve. Fuck the U.S. Dua t’i shoh SHBA-të të fshira nga faqja e dheut.” Më tej ai shpjegoi se shpresonte që fuqinë në DC ta merrnin ushtarakët, të cilët t’i mbyllnin sinagogat dhe të ekzekutonin ca mijëra hebrenj. Pas kësaj, të bardhët duhej të largoheshin nga kontinenti amerikan dhe të ktheheshin në Europë, ndërsa të zinjtë në Afrikë. Gjithçka duhej t’u kthehej indianëve të Amerikës. Fischer-i e mbaroi intervistën me thirrjen “Vdekje SHBA-ve!”. [1]

Reagimi i përgjithshëm pas këtyre deklaratave dhe, në përgjithësi, tatëpjetës anti-semite të Fischer-it – i cili ishte vetë hebre – u përqendrua te gjendja mendore e degraduar e ish-kampionit të botës; diskursi “kundër” iu atribua kështu çrregullimeve mendore të një gjeniu, ose kushedi ish-gjeniu, i cili tashmë i ishte dorëzuar asaj patologjie nga e cila vuajnë jo rrallë rebelët, kontrarianët dhe anti-konformistët: paranoja. E megjithatë, ata që e njihnin Bobby-n dhe që e kishin ndjekur nga afër trajektoren e tij, që prej fillimeve si mjeshtër ndërkombëtar në fund të viteve 1950, do ta mbanin mend se, për shkak të qëndrimeve të tij haptazi anti-sovjetike gjatë viteve 1960 dhe insinuatave rreth një konspiracioni të mjeshtrave sovjetikë për ta mbajtur larg titullit botëror, ishin në fakt sovjetikët që e kishin diagnostikuar Fischer-in si paranojak. Përkundrazi, SHBA aso kohe krenohej me të; dhe fitorja e tij ndaj Spaskit, në vitin 1972, u festua anembanë Amerikës si triumf edhe kombëtar.

Tani, nëse ishte apo jo Fischer-i i marrë, kjo pyetje nuk u bë për herë të parë pas intervistës së tij me radion filipinase. Dyshimi, i bazuar në sjelljet ekscentrike të kampionit, kish lindur dekada më parë, qëkur Bobby, aso kohe ende djalosh faqepadirsur, kish filluar të habiste botën, me sukseset e tij në turnetë më të rëndësishëm të shahut. Që në 1962, një mjeshtër i madh amerikan, Robert Byrne pat sugjeruar që Fischer-i duhej të konsultohej me një psikiatër, ndërsa një tjetër shahist amerikan, Paul Benko, e konsideronte si paranojak. Edhe nëna e tij, Regina, ishte diagnostikuar në dosjet e FBI-së si personalitet paranojak por jo psikotik; dhe mendërisht jo-stabël. Valeri Krilov, një psikiatër sovjetik që kish studiuar korrespondencën e Fischer-it për llogari të kampionit të ardhshëm të botës Anatoli Karpov, besonte se Bobby vuante nga skizofrenia. Më vonë u shfaq edhe një hipotezë e re – ajo e sindromës Asperger. Megjithatë, psikiatri amerikan Joseph G. Ponterotto, që i ka kushtuar vëmendje kësaj çështjeje, mendon se Fischer-i me gjasë ka vuajtur nga një çrregullim paranoid i personalitetit, i cili shfaqet që në fëmijëri dhe në adoleshencë, me vetmi, vështirësi në marrëdhëniet me moshatarët, ankth social, rezultate të dobëta në shkollë, hiperndjeshmëri, mendime dhe gjuhë të pazakonshme dhe fantazi idiosinkratike. Ponterotto vëren edhe se, veç paranojës së hershme që e pat trashëguar pjesërisht nga e ëma, Fischer-i tregoi shenja të manisë së persekutimit më vonë në jetë, të shoqëruara me këmbënguljen për t’u angazhuar në gjithfarë padish dhe apelimesh në gjykata. Si faktor rëndues në këtë çrregullim, ky autor përmend statusin e Fischer-it si celebrity dhe trysninë nga mass mediat. Gjendja psikologjike e ish-kampionit të botës erdhi duke u rënduar, pasi ky u tërhoq nga shahu kompetitiv; në fakt, siç pat shkruar shahisti i madh dhe psiko-analisti amerikan Reuben Fine, “për të shahu paskësh qenë më e mira e terapive.”[2]

Me gjasë, Fischer-i ishte pra vërtet paranojak dhe me mani persekutimi: pas vitit 1972, e gjithë jeta e tij publike mund të përshkruhet si një kalvar betejash reale dhe imagjinare, me armiq realë dhe imagjinarë, mes të cilëve spikasnin hebrenjtë – botues, gazetarë, financierë. Deri sa vdiq, Fischer-i do të ketë qenë ndoshta personi më i famshëm publik, që kish përqafuar dhe promovonte haptazi qëndrime anti-semite, të ngjashme me ato të nazistëve. E megjithatë, urdhër-arresti i lëshuar kundër tij nga autoritetet federale amerikane nuk kish të bënte me anti-semitizmin dhe anti-amerikanizmin e Fischer-it; tek e fundit, SHBA gjithnjë duan ta respektojnë lirinë e fjalës. Përkundrazi, këto qëndrime politike e diskredituan Fischer-in përballë opinionit publik botëror, i cili e dënon anti-semitizmin të paktën moralisht.

Çështja që duam të cekim këtu është nëse këto dalje publike të një njeriu si Bobby, me historinë e tij dhe dhuntitë e tij të pashoqe, i detyroheshin doemos patologjisë së tij mendore; pra, nëse antikonformizmi gratis i Fischer-it ishte simptomë e një patologjie mendore. Tek e fundit, edhe vetëm pak më shumë një dekadë më parë, në Bashkimin Sovjetik (aq të përçmuar prej Fischer-it) disidentët politikë rëndom i mbyllnin në klinika psikiatrike, meqë diskursi i tyre subversiv dhe jo-konformist interpretohej si manifestim a simptomë e paranojës ose e ndonjë lloji tjetër të skizofrenisë. Nëse Perëndimi ishte tani gati që edhe disidentët e vet t’i etiketonte si të sëmurë mendorë, mos vallë kjo do t’ia vinte vulën përfundimisht diagnostikimit të diskursit subversiv, çdo lloj diskursi subversiv, si provë të paranojës të atij që flet?

Të vihet re se ky qëndrim, i përvijuar edhe në shkrimet e Shkollës së Frankfurtit për personalitetin autoritar, nuk kish aq të bënte – në këtë rast – me përmbajtjen e diskursit subversiv: tek e fundit, ka paranojakë që janë anti-semitë dhe ka anti-semitë që janë paranojakë, por njëra karakteristikë nuk e presupozon doemos tjetrën; dhe anti-semitizmi mund të vlejë si diagnozë politike, por jo si diagnozë psikiatrike. Prandaj, si edhe në rastin e psikiatrisë sovjetike, patologjia mendore i referohej aktit të së folurit publik kundër, jo përmbajtjes së këtij akti; pra lidhej me mënyrën si e paraqiste veten në publik disidenti. Për ta thënë me fjalë të thjeshta, vetëm një i marrë do të rrezikonte reputacionin e vet, duke i dalë kundër diskursit dominant; sepse vetëm një i marrë nuk do t’i përfillte, ose më keq akoma, nuk do t’i kuptonte dot pasojat që i bashkëlidheshin një kundërvënieje të tillë. Patologjia në këtë rast do të kish të bënte me paaftësinë për të lexuar drejt marrëdhëniet e vetes me të tjerët, në publik, ose për të drejtpeshuar nevojën për vetëmbrojtje me dëshirën për të predikuar teza, interpretime dhe doktrina kontroversiale, armiqësore ose kriminale. Sipas këtij arsyetimi, një njeri mendërisht normal dhe që kujdesej për ta mirëmbajtur statusin e vet social, nuk do t’i ekspozohej kësisoj dënimit moral dhe penal, por në rastin më të keq do t’i mbante mendimet e veta për vete (qoftë edhe vetëm ngaqë nuk do t’ia vlente) dhe në rastin më të mirë do të ishte në gjendje të mbante qëndrim kritik ndaj tyre, duke i identifikuar si paragjykime ose fantazi.

Edhe Fischer-i, si ish-kampion bote dhe gjeni shahistik, madje nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, nuk “fitoi” asgjë nga pozicionimi i tij si kontrarian absolut; fjalët dhe qëndrimet e tij u dënuan publikisht, shumë prej dashamirësve të tij u zhgënjyen me të, dhe vetë figura e tij përfundoi në fringe të vetëdijes dhe të vëmendjes së publikut anembanë botës. Sa kohë që paranoja e tij ishte drejtuar ndaj një armiku politikisht korrekt, shahut “sovjetik”, ajo u tolerua madje u mirëprit në Perëndim; por anti-semitizmi dhe anti-amerikanizmi jo. Dhe pyetjes se si ishte e mundur, që një idhull i milionave, si Fischer-i, të degradonte kështu në një anti-semit dylekësh, formësuesit dhe manipulatorët e opinionit publik ia kishin gati përgjigjen: tashmë Fischer-i nuk ishte më i përgjegjshëm për ato që thoshte poshtë e lart. Subversioni i tij i kishte rrënjët në marrëzi.

Madje, madje, për këtë lloj opinioni, deri edhe një gjest ekstrem, si ai i çekut Jan Palach, që i vuri zjarrin vetes në sheshin Venceslas në Pragë në 16 janar 1969, për të protestuar ndaj pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, nuk do të shpjegohej automatikisht si i ndërmjetësuar nga ndonjë patologji mendore; njëlloj si gjesti i tunizianit Mohamed Buazizi, që i vuri zjarrin vetes në 17 dhjetor 2010, në protestë ndaj korrupsionit të regjimit në vend; pa çka se nuk është e lehtë të kuptosh se çfarë mekanizmi i ndihmon këta heronj që të mposhtin instinktin e vetëmbrojtjes. Kjo do të thotë se opinioni publik, në Perëndim, ndoshta e ka më të lehtë ta konsiderojë normal gjestin e një paranojaku që vret veten në publik, në protestë kundër – të themi – konspiracisë “hebreo-masone”, sesa diskursin publik me të njëjtën temë të dikujt tjetër, që flet në park kundër së njëjtës konspiraci. Ky i fundit rëndom do t’i asociohet ndonjë lloj patologjie mendore, mundësisht kronike; dhe folësi do të likuidohet si “i marrë.” Me fjalë të tjera, një person “normal” mund edhe t’i vërë flakën vetes për të protestuar, por një tjetër që veç flet kundër nuk mund të jetë “normal” – sepse rrezikon gjithnjë shumë më tepër se çfarë fiton.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi nga mediat pa lejen e një administratori të faqes.


[1] Cituar nga një artikull i Rene Chum, “Bobby Fischer Pathetic Endgame”, botuar në revistën The Atlantic, edicioni i dhjetorit 2002.

[2] Këto të dhëna për psikopatologjinë e Bobby Fischer-it i kam nxjerrë nga një artikull i Joseph G. Ponterotto, “A Psychological Autopsy of Bobby Fischer”, botuar në revistën Pacific Standard, 14 dhjetor 2010.

14 Komente

  1. E keqja kryesore, ose veshtirsia kryesore, e kesaj teme eshte se zakonisht trajtohet me snobizm, per shkak se duhet te mbahet nje qendrim ose te shprehet nje gjykim aty ku eshte veshtire te shprehet e te mbahet. Flitet per gjeniale, dhe Fisher ishte i tille, dhe gjenialet rendom kane shenja te dukeshme maniako-depresive. Nga çndodh dhe ka ndodh ne realitet çmenduria eshte pagesa qe i duhet bere te qenurit gjeni. Ky eshte pothuaj rregull, ne rastet e kundert mungon informacioni biografik.

    Snobizmi eshte i kuptueshem, gjeniu mund ti falen ca gjera ne shkembim te zbulimeve gjeniale, por nuk eshte i pranushem kur snobizmi lavderon çmedurine si kusht i te qenurit gjeni. Eshte legjitime pyetja: a mund te behen zbulime gjeniale pa qene nevoja me shkul veshin tend, pa patur simptoma depresioni, manikale, makthe, humbje koshience, agresivitetet, perversione etj? Pse u dashkan pa tjeter keto simptoma per te zbuluar ligje te reja ose per te qene kunder regjimit?

    Tjeter problem qe ben te mundur snobizmin, akoma nuk ka nje perkufizim se çfare quhet njeri normal, bile eshte e ndaluar snobistikisht te shqyrtohet perkufizimi i normalit sepse automatikisht do te perkufizoheshin edhe anormalet, nuk eshte politikisht korrekt.

    Ne lidhje Fisher, nuk e di e nuk kuptohet pse-ja i denimit te tij, nuk dalin kollaj ne shesh punet e policise. Mund te them vetem qe per policine e nje vendi te lire, nuk perben problem perfojla se kush pakice komandon vendin, por perben problem folja me bindje per zhdukjen e vendit me gjithsejt, si ne rastin e Fisher, dhe kur prek interesa te komandes.

  2. Interesant ky transformim i Fisherit nga hero kombetar ne te marre. Mbase kujtesa me genjen po edhe shahisti i Zweigut e perdori shahun per te mos dale mendsh. Duket se nje pjese e njerezve qe supozohen me kuocient te larte inteligence kane probleme me realitetin. Ne pergjithesi pozicionet ekstremiste perpiqen t’i lidhin me probleme mendore, po nuk do i jepja shume kredite ketyre lidhjeve. Pozicionet ekstremiste kane gjithnje nje strukture te forte logjike. Te moderuarit, te ekuilibruarit ekzistojne pikerisht sepse ekzistojne ekstremistet, thjesht zbusin pozicionet duke bere me praktike dhe njerezore pozicione rigorozisht logjike te ekstremisteve. Psh marrezia fisheriane e te bardheve qe kthehen ne Europe dhe afrikanet ne Afrike duke u lene Ameriken indianeve indigjene eshte pozicion qe nje indian ekstremist do e quante pozicion rigorozisht logjik, cka nga pikepamja abstrakte ska te share, sepse indianet u perpoqen qe ne fillim te kolonizimit, t’i hidhnin te bardhet ne det. Indianet e moderuar do e zbusnin kete pozicion ekstremist duke kerkuar privilegje si komunitet amerikan. Problemi i Fisherit behet mendor sepse ai nuk eshte indian indigjen. Perndryshe pretendimi i indianeve te moderuar per privilegje gjithfaresh eshte pozicion politik i argumentuar. Nejse se ceshtja eshte shume lemsh, po mendoj se pozicionet ekstremiste duhen marre shume seriozisht ,nuk duhen likujduar si marrezi. Ne Itali mund te behet nje qeveri mes Lega Nord dhe 5 yjet, cka para 5 vjeteve do quhej marrezi dhe sot te shumte e quajne ende marrezi. Ne fakt nuk po kuptohet mire se ku mbaron arsyeja e fillon marrezia si problem mendor. Eshte nje fushe ku pergjigje te rendesishme mungojne.

    1. “Problemi i Fisherit behet mendor sepse ai nuk eshte indian indigjen”

      Sikur behen shume probleme mundore bashke te njejtit lloj megjithse me shenje te kundert, psh po te mendosh qe Fisher ishte hebre qe urrente çifutet.

      Mire Fisher, eshte marre vetem si shembull, qe ka simptome ekstremizmi logjik, por te tjere gjeniale kane simptoma teper banale. Tani vone kam marre vesh se Manzoni, nje figure madhore per Italine si Naimi per ne, kishte frike te kaperxente rrugen me dy korsi, e mbante nga dora nje sherbetore shoqeruese kur dilte rruges matane.

      1. Ne fakt ka shume njerez anembane botes qe urrejne vendet e kombet e tyre. Do te ishin ca si teper njerez me probleme mendore. Cifutet ska pse te perjashtohen aq me teper qe grupe apo sekte cifute e kane konceptuar diasporen si vuajtje e sjelle nga Zoti i tyre per mekatet e te pareve dhe duhet te vuajne ne mergim derisa te vije Mesia i cili do i shpetoje dhe jape lejen te rikthehen ne Token e Premtuar. Nuk mendojne se Ben Gurioni ishte Mesia.

        1. P.s Fisheri mund te jete fare mire nje plak i rrjedhur, thjesht nuk mjaftojne keto qendrime per ta shpallur te atille.

          1. Nuk i kuptoj shume dy komentet e fundit, ndoshta ngaqe edhe un nuk kam qene i qarte sepse kam bere ironi.

            Nuk kuptoj, per ta shpallur Fisherin plak te rrjedhur, apo te çmendur qe ne adoleshence, kur duken shenjat, dhe Fisheri i ka dhene shenjat qe ishte i rrjedhur.

            Per te qene i qarte, ta kam llafne, qe ne rastin e Fisherit nuk kemi te bejme vetem me nje ekstrem logjik, por me nje çmenduri te keqe, me nje keqdashje totale. Duke ju referuar noveles se Cvajgut (nje tjeter ekstremist logjik çifut ha ha), Fisheri i ka permbledh baske te dy personazhet kundeshtare.
            ————————————————
            “Ne fakt ka shume njerez anembane botes qe urrejne vendet e kombet e tyre. Do te ishin ca si teper njerez me probleme mendore”.

            Faktet e fundit historike kane treguar me fakte qe njerez qe e kane dashur me fakte vendin e tyre, mbas do kohe ka dale me fakte se nuk e kane dashur me fakte vendin e tyre. Kjo duket pa lidhje ne nje diskutim pa lidhje, por mund te jete nje rruge e mire e mundeshme per te kuptuar muhabetin ne qorrsokak.

            1. Një gjë për t’u vërejtur: sa kohë që Fischer-i kampion bote u duhej amerikanëve si flamur, muhabetet për gjendjen e tij mendore bëheshin vetëm korridoreve. Paranoja e tij ishte në shërbim të “çështjes”. Kur ky filloi të llapë poshtë e lart për hebrenjtë, doli sakaq sheshit edhe diagnoza.

  3. Dilemën e të burgosurit e dinim por kjo dilema e doktorit tê burgut qënka fantastike.
    Dhe argumenti në fund të shkrimit – dilemë dhe paradoks: dmth ai që i vë flakën vetes në shenjë proteste – quhet “normal ” kurse një person që shpalos diskursin e tij në publik, do të konsiderohej i marrë, skizoften! …dhe se ky i fundit rrezikon më shumë veten!
    Në fakt , vetëvrasja si protestë , është një akt i vetëm, përfundimtar dhe i mbyllur. Si i tillë, nuk rrezikon rregjimin . Personi asgjëson veten , pra merr mbi vete gjithë rreziqet e mundshme, deri tek dënimi kapital.
    Personi tjetër , ai “i marri” që flet në publik, realizon një performancë permanente dhe kësisoj bëhet më i besdisshëm për statusquonë dhe regjimin. Provokimi i tij nuk është një akt i mbyllur. Nga kjo pikpamje ai rrezikon më shumë regjimin duke iu kundêrvënë publikisht dhe në mënyrë permanente diskurit dominant.

    1. Do të shtoja vetëm se kjo e paragrafit të fundit mbase vlente për vendet e Lindjes në përgjithësi, meqë në Shqipëri ai që guxonte të fliste haptazi kundër, e dinte mirë se nuk do të kish rast ta përsëriste këtë gjest: herën e dytë mbase do ta bëte para hetuesve në qeli.

      Vetëvrasja, nga ana e vet, e kërcënon regjimin, jo si akt, por kur bëhet si një lloj “terrorizmi”, ku fajtori ushtron dhunë kundër vetes për të tërhequr vëmendjen dhe për të përcjellë një mesazh. Pra, në masën që njerëzit e marrin vesh dhe kanë rast të pyesin se pse e bëri ky këtë, kaq keq paskan qenë punët, etj. Kam përshtypjen se atij që vret veten (dhe aq më tepër atij që e bën për një motiv politik ose altruist duke lënë një mesazh mbrapa) menjëherë ia heqin diagnozën psikiatrike – si të thuash i vdekuri nuk është më “i marrë”. Kjo vlen edhe për “suicide bombers”, që mund të jenë tërësisht trushpëlarë, por vetëm sa kohë që janë gjallë. Pas vdekjes, diagnoza nuk vlen më. Që vetëvrasja të funksionojë si lloj subversioni, duhet informacion – nga mediat, ose në formë thashethemi.

      1. I vetvrari vazhdon ta kercenoje regjimin nese akti i tij i mbyllur kthet ne simbol. Çfar mund t’i beje dot nje simboli si Palash regjimi? Prandaj eshte shprehur nje deshire nder ne (me duket edhe Kadareja): ah sikur te kishim patur edhe ne nje Palash midis Komitetit Qendror dhe Kryeministrise!

        Po njesoj edhe Fisher, dhe jo vetem, jane ndruajtur te kthehet ne nje simbol. Nuk i njoh rrethanat, por ka mundesi qe jane nxituar per t’i dhene denimin akoma pa arritur ne atdhe, ne menyre qe ky te mos kthehej, sepse po te kthehej do te shterngoheshin ta arrestonin, dmth ta kthenin ne simbol. Ne kete menyre e kane rrenuar, e po te ishte burre per te kuptuar kurthin, duhej te kthehej e te sfidonte. Por nuk ishte burre, prove tjeter qe ishte nje psikopat i mjere (gje qe nuk perjashton te qenurit gjeni), nje keq dashes i rendomte me probleme personale, qe i projekton keto probleme ne çeshtje publike.

  4. Me te degjuar e kam, ne psiqiatrine e Torinos shkruhet: jo te gjithe jemi ketu. Padiskutim, si ata zyrtare amerikane qe leshuan urdher-arrestin per Fisherin, ashtu edhe ata qe e diagnostikuan dhe e konsideruan si te semure psiqik, kane po ashtu diagnozat e tyre psiqike.

  5. But there are two sorts of madness, the one that which the revengeful Furies send privily from hell, as often as they let loose their snakes and put into men’s breasts either the desire of war, or an insatiate thirst after gold, or some dishonest love, or parricide, or incest, or sacrilege, or the like plagues, or when they terrify some guilty soul with the conscience of his crimes; the other, but nothing like this, that which comes from me and is of all other things the most desirable; which happens as often as some pleasing dotage not only clears the mind of its troublesome cares but renders it more jocund.

    Erasmus of Rotterdam, The Praise of Folly (1511)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin