Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Media

SUEDEZJA

Te “Panorama” lexoj një histori me bisht. Një turist suedez që viziton Shqipërinë në vitin 1988, boton pastaj, me t’u kthyer në Suedi, përshtypjet e udhëtimit në një revistë të atjeshme, ku rrëfen mes të tjerash si ka bërë hot sex me një punonjëse të hotel “Butrintit” në Sarandë. Madje boton edhe fotografi nudo të kësaj vajze esmere, të cilën e quan “Ana” dhe e paraqet si të uritur, me një mollë në dorë.

U aktivizuan kanalet diplomatike dhe agjenturore, u shkëmbyen mesazhe nga Stokholmi në Tiranë e kthim, u vunë në dijeni ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm, u dha urdhri që të identifikohej “Ana” me çdo kusht, edhe pse fotoja nuk përkonte me asnjë nga punonjëset e hotelit. U konkludua atëherë se vajza i përkiste komunitetit egjiptian, ose, siç shprehet në mënyrë eufemistike autori i shkrimit te “Panorama”, ishte një femër nga pjesët inferiore të popullsisë së vendit:

Këtu dyshoj se artikulli citon lirshëm nga ndonjë raport i Degës së Punëve të Brendshme, Sarandë; por autori, për të evituar ndonjë term të papërshtatshëm që ka gjetur atje (p.sh. jevgë ose cigane), ka shpikur – krejt pa dashur – një “pjesë inferiore të popullsisë të vendit”. Duke pasur parasysh se vetëm para pak ditësh u kremtua, madje edhe në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Romëve, kjo akrobaci stilistike e artikullit më bën të mendoj se ne veç i kopjojmë nuk i adoptojmë institucionet dhe modelet e marrëdhënieve sociale; dhe respektin mosdiskriminues për pakicat e përkthejmë si gatishmëri për t’ua ndërruar emrat.

Përndryshe, të gjithë do të kenë marrë frymë lirisht, kur është zbuluar se suedezi i ngratë ka bërë seks jo me pellazgen, por me një simotër inferiore; nordiku ka rënë, pra, në grackën që i pat ngritur zeshkania aziatike. Only in Albania.

12 Komente

  1. Do thoja se politikisht korrektja ne fjale eshte me shume nje dukuri alla Gresa Hasa sesa alla pellazge. Pellazget s’do kishin ndonje kompleks per t’i thene jevges jevge dhe arixheshkes arixhofke, keshtu qe nuk do te ishin sforcuar per te nxjerre ndonje perkufizim aq absurd sa ai me siper. Keto jane perla te politikishtes korrekte.

    1. Zakonisht janë zelltarët pellazgofilë që flasin për edhe për raca të larta dhe raca të ulëta, për popullsi superiore dhe inferiore. Pa u lënë gjë mangut nacionalistëve të Facebook-ut. Kur ishte hera e fundit që këta u kanë thënë grekëve “jevgj” për t’i poshtëruar? Pa çka se, po t’i bëjmë mirë llogaritë, i bie që “eugjiptas” të kenë qenë pellazgët vetë: më duket se Eskili i përshkruan këta pellazgë si të zeshkët (melanthes… genos): por mos më lër të gaboj.

      E megjithatë, brezi i Gresës ka aq ndjeshmëri sa t’i quajë këta të sotmit me emrin që ata e konsiderojnë si të pranueshëm: egjiptianë, pa u ngatërruar me eufemizma burokratike. Përkundrazi, shprehja “pjesë inferiore e popullsisë” do të ketë dalë nga pena e ndokujt të një brezi më të vjetër. Brezi im u ka pasë thënë (dhe u thotë akoma) “jevgj”, por pa ndonjë kuptim të keq a poshtërues, pavarësisht nga statusi i tyre i perceptuar dhe pavarësisht ngase atyre kjo sot nuk u pëlqen më, dhe mbase me të drejtë. Për shkak të inercisë, mua nuk më vjen lirisht t’i quaj “egjiptianë”, as më bind hipoteza e ardhjes së tyre nga Egjipti, por kjo nuk më bën t’i konsideroj si vetvetiu “inferiorë” ndaj shqiptarëve. Jemi rritur me ta në lagje, kemi shkuar gjithnjë mirë.

      1. Mundet te kete qene pene e vjeter si thua ti, por ama me merakun e ri te politikishtes korrekte. Neper forume njerezit thone shume gjera, po ne gazetari perpjekja ka qehne vazhdimisht drejt korrekteses poliike, prandaj gazetari, nqs ka nderhyre realisht, thjesht ka bere nje gafe. Gafa eshte e dyfishte, meqenese ka nderhyre edhe ne tekstin burimor. Ndoshta ka qene i influencuar ngaqe keto dite evgjitet kane qene ne qender te vemendjes mediatike, per shkak te dites se tyre nderkombetare.
        Sot, mediatikisht mund te digjesh per nje llaf goje, keshtu qe kush nuk perditeson dot me kujdes korrektesen politike, me mire ta harroje fare e te bazohet ne terminologjine e tradites. Mund te vije dita, kur Egjipti te protestoje diplomatikisht per termin egjiptian qe u aplikojme ose edhe e kunderta te kerkoje njohjen e tyre si minoritet kombetar egjiptian, te sjelle libra ne arabisht per ta, duke shkaktuar tek shqiptaret nje problem te ri, por edhe duke i mbushur kesisoj ndokujt xhepat.

        p.s me gjys ironie do thoja se greket si pasardhes edhe te danajve te ardhur nga Egjipti (keshtu thote mitologjia greke), nuk kane pse e marrin per fyerje origjinen egjiptiane, ashtu sikunder pellazgologet perderisa ”Thoti fliste shqip”, nuk kane pse te fyejne egjiptianet e greket.
        Duket se evgjitet shkaktojne me shume interes sesa atyre vete u intereson.

        1. Sic ka thene nje burre i mençur, te jesh politikisht korrekt, dmth ta kapesh kacarrumin e m_tit nga ana e rregullt (right side).

          1. Ne shume raste eshte e vertete, por jo ne te gjithat. Ne pergjithesi mbyt debatin, nxjerr nje pale fitimtare,por ne thelb palet ndahen secila me mendjen e vet dhe pala e humbur pret momentin,kur bota do rrotullohet si rrota.
            Meqe suedezja implikon edhe çeshtjen e racizmit, fashizmit e nazizmit, po t’i hedhim nje sy Gjermanise ku arriti apologjeun, shohim se partia AFG, Alternativa per Gjermanine, e cila mbahet si delja e zeze, eshte me e forte ne ish-Gjermanine Lindore, mandej ne Gjermanine Qendrore e Jugore. Fortesen e vet, kjo parti e ka ne Saksonine e Siperme qe eshte ne kufi me Cekine, zone me qytete te njohura si Lajpcigu dhe Drezdeni.

            Kur vete brenda Gjermanise, ka nje ndarje te tille kjo do te thote se modeli i mbylljes se gojes dhe imitimit ”nudo e crudo” ka deshtuar plotesisht.
            Me tej mund te marrim edhe shembujt e Hungarise, Cekise apo Polonise apo shtresave te ndryshme ne Perendim.
            Duket se modelet imponuese ne fund fare dalin te pasuksesshme dhe se ne çeshtje me shume sociale e kulturore sesa politike dhe ekonomike, duhet shume pune, shume durim, shume arsye dhe pak fare imponim.
            Ne Shqiperi, ku puna, durimi dhe arsyeja nuk jane tamam virtyte kombetare, kurse imponimi eshte rruga e preferuar, duket sikur eshte bere nje pune e madhe, kur ne realitet nuk eshte bere asgje me rendesi.
            Nuk eshte ndonje tragjedi e madhe qe ne realitet shume njerez kane mbushur xhepat me fonde europiane pa bere gje, sepse kemi nje tradite relativisht tolerante. Ne fund te fundit, qofsh i zi, i bardhe, i kuq, rendesi ka te mos me levizesh gardhin, tha, per te tjerat do e gjejme nje menyre te mos vritemi.

            1. hyllin, microkomenti im ishte thjeshte nje ironi me “politikisht korrekten”, ne kuptimin qe po qe per te kapur m_tin, se e kap nga “right side” apo “wrong side” (nqs mund te flitet per right dhe wrong kur eshte fjala per kaken, dhe pikerisht ketu konsiston ironia me vete konceptin e “politikisht korrekt”) realisht nuk ka ndryshim.

              Meqe jam pak maniak me fjalet, shpresoj te jete lapsus, gjithsesi thuhet “apogjeu” dhe jo “apologjeu”.

              Qe te kthehemi tek politikisht korrektja, aq me teper ne Shqiperi, duket krejtesisht jashte pozicioni. Ne nje vend ku ne parlament shahen nga nona, krahasohet gjindja me organin gjenital mashkullor i tipit qe nuk ngrihet sado qe ti frysh, gjuhet me cizme, miell, veze e uje, eh, le korrekte qe s’ka gjekundi, po me duket se edhe politikishtja ka vdek me kohe.

            2. E drejte, u nis me mendje per gjermanet si apologjete e perfundoi me Gjermanine dhe apologjeun. Ndoshta efekt anesor i korrekteses politike, meqe nuk mund te paragjykohet gjithe kombi, kurse apogjeu ne Gjermani eshte i sakte.
              Krejt padashje mund te sherbeje si shembull, qe robi mund te niset per mire e te beje nje gafe.

              Parlamentin e kemi rival te Portokallise, aty mungon serioziteti,keshtu qe nuk i duhet as korrektesa apo politikishtja. Me kujtohet qe Berluskoni ne pushtet doli me tezen qe Parlamenti nuk i hyn ne pune kujt, se çeshtjet zgjidhen ne tryeza me te ngushta bisedimesh. Keta tanet e vune ne jete tezen, duke ia nderruar perfundimisht natyren ne spektakel humori.
              Besoj se ne ate institucion duhet te lejohet hyrja me shapka,pantallona te shkurtera dhe kanatiere, qe deputetet te jene me komode ndersa e kalojne kohen duke u çeplendisur me celularet dhe batutat.

        2. Madje mundet që të jenë pikërisht këta egjiptasit e sotëm pasardhësit e pellazgëve të lashtë! Nga Egjipti po, të zeshkët po

  2. Po the inferiore, ke thene superiore. Domethene fashizem.
    Kjo eshte nje prove suplementare qe konfirmon se tashme politika shqiptare e kohes kish kaluar nga e kuqja tek e zeza.

    Faqja e zeze!

    1. Po the faqja e zeze!, ke thene faqja e bardhe!

      Bjellogardizem!, dmth ke thene bolshevizem!

      Faqja ngjyre ylberi!

  3. Gërmova pak online dhe më doli se shkrimi është fillimisht botuar në Mapo http://www.mapo.al/viti-1988-shkrimi-mbi-aventuren-erotike-te-nje-turisti-suedez-ne-sarande-shkakton-termet-ne-tirane/ (e përcjellë më pas nga Panorama).
    Misioni i Mapo-s, siç referohet në fund të faqes kryesore është : “Synimi: Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës”.

    Tani, a kanë përgjegjësi këta redaktorët e kësaj gazete me pretendime kur lejojnë daljen në dritë të kësi fëlliqësish që përveç se dëshmojnë arrogancë dhe racizëm, zbulojnë edhe injorancën e thellë të shkruesit / redaktorit… Fjalor i këtillë e ka parë haptazi dritën e diellit në Gjermaninë e vitit 1933. Që sot, në 2018-ën, të përdoret fjala “inferiore” në lidhje me një pjese të popullsisë, kjo s’ka lidhje fare me politikisht korrekten dhe as edhe me Ditën Ndërkombëtare të Romëve (a thua se po të ishte botuar diku më larg asaj dite – të themi nga qershori) do të ishte më e pranueshme.

    Shpresoj të mos jetë e vërtetë që mediumi në fjalë të jetë i lidhur ngushtë me një institucion të arsimit të lartë të Shqipëri. Përndryshe, unë nuk e di se çfarë antropologjie sociale u mësohet studentëve të atij universiteti që mëton të jetë pararojë e mendimit intelektual në Shqipëri.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin