nga Fatma
Duke u kthyer tani te letra e diplomatëve milanezë, për të analizuar se ç’konkluzione mund të nxirren.
Le t’i referohemi edhe njëherë tekstit:
Mbërriti këtu një kalorës i dërguar i një zoti që dikush thotë është nga Greqia e dikush nga Arbëria, zot i quajtur Xandrebech , është i pafe …por për arsye të urrejtjes personale që ka kundër turkut, se ky turk ka vënë t’i vrasin babanë e atij zotit e ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.
a – ”…është i pafe”
që duhet të nënkuptojë se meqë milanezët ishin të krishterë, “zotëria i pafe “ të jetë i fesë islamike. Dihet që në botën e krishterë të pafe quheshin vetëm islamikët. Pra, për raportuesit milanezë në vitin 1454 Skënderbeu është një zotëri i fesë islamike. Dihet nga shumë burime që Skënderbeu u kthye në fenë e krishterë sapo mori Krujën. Gjon Muzaka thotë tekstualisht: “All the rulers of Albania rejoiced at the event and Scanderbeg immediately became a Christian.” Skënderbeu pra më 1454 jo vetëm nuk ishte i pafe, por vetë papa e kishte shpallur “athleta Christi”, siç pretendohet. Edhe nëse ky cilësim nuk provohet, Skënderbeu ishte atëkohë antagonisti më i shquar i islamikëve në Ballkan. Prandaj, së pari, informacioni i dy milanezëve është kryekëput i gabuar, së dyti, ata nuk e kanë takuar kalorësin ambasador të Skënderbeut, sepse përndryshe do të kishin informacion të saktë. Një informacion kaq i gabuar mund të mblidhet vetëm nga burime fare të pasigurta. Që është i tillë, pra i pasaktë, e pohon vetë Schmitt-i, në shënimin e vet të f. 57 ku thotë: “Njoftimin se Skënderbeu qenkësh një i pafe, diplomati milanez e korrigjoi pak më vonë, por nuk është korrigjuar njoftimi për vrasjet.”
Këtu, veç provës që informacioni i parë prej ambasadorit milanez është jo vetëm i pasaktë, por i gabuar (dhe për këtë arsye ky më pas e ka korrigjuar), mund të supozojmë që ambasadori të ketë bërë një korrigjim të dytë në lidhje me vrasjet, i cili pastaj mund të ketë humbur apo Schmitt-i nuk e ka gjetur ende. Gjithsesi duke qenë një informacion i korrigjuar, supozimi i mësipërm është legjitim, por përtej kësaj, ajo që mund të konkludohet në këtë rast është se i gjithë informacioni i ambasadorit milanez vihet rëndshëm në dyshim.
b – “…dikush thotë është nga Greqia e dikush nga Arbëria…”
Nga vetë teksti rrjedh se ambasadorët milanezë nuk janë takuar me kalorësin e dërguar të Skënderbeut. D.m.th. këta nuk e kanë dëgjuar historinë e vrasjes nga ambasadori i Skënderbeut in persona sepse ashtu formulimi do të kish qenë ndryshe. Po qe se do ta kishin marrë informacionin direkt nga ambasadori i Skënderbeut, këta do ta dinin saktë se ky Xandrebech ishte zot i Arbërisë dhe se quhej Scanderbeg. Këtu jo vetëm theksohet edhe njëherë pasaktësia e informacionit, por evidentohet qartë edhe burimi i informacionit i ngërthyer në togfjalëshin: “ dikush thotë …dikush [tjetër] thotë …” . Ambasadori këtu duhej të kishte bërë një korrigjim tjetër të mëvonshëm, që Skënderbeu është zot i Arbërisë, korrigjim që do të ishte më i domosdoshëm se ai për përkatësinë fetare, meqë asnjëherë nuk është vënë në dyshim që ai ishte zot i Arbërisë. Për më tepër, në atë kohë nuk kishte as Greqi e doemos as zot të saj. Por Schmitt-i nuk raporton për ndonjë korrigjim të dytë, për të cilin përsëri mund të supozojmë se ka humbur ose nuk është gjetur. Por pavarësisht nga kjo, prej këtyre elementeve të përmendura evidentohet në mënyrë të përsëritur që informacioni i ambasadorëve milanezë është i gabuar. Dhe për pasojë, në tërësinë e vet, i dyshimtë.
Ky tip informacioni duket që vjen prej vulgut, më sa duket prej të papunësh, sarhoshësh a prostitutash që tërhiqen nga shkëlqimi i veshjeve të “ambasadorëve milanezë”, rrugëve e pijetoreve të pazarit të Romës. (Njerëzit të zënë me punë, ata që shesin e blejnë, s’kanë nge të merren e t’u shpjegojnë ambasadorëve se kush ia vrau t’anë Xandrebech-ut). Ky lumpen i pazareve mesjetare është nga natyra i prirur t’i shndërrojë gjërat e mëdha në të vogla, të rëndësishmet në të parëndësishme. Është një skotë njerëzore, e paaftë të perceptojë ndjenja e ideale të mëdha, që dramat mund t’i përjetojë vetëm si melodrama; kështu që lajmet që vinin nga bregu tjetër i Adriatikut për luftëra e kryengritje i merrte për gërr-vërre oborresh e xhelozira haremesh. Por siç thonë, e keqja nuk vjen kurrë vetëm, sepse pas këtij filtrimi të pafajshëm të së rëndomtës, gjithmonë do të gjenden pasionantë të shkolluar për ta regjistruar me kujdesin më të madh dhe pastaj interpretues modernë që në thelb s’bëjnë gjë tjetër veçse transportojnë pleh nga stallat mesjetare, në impiantet e sotme të mbeturinave. Dhe sigurisht, si gjithmonë, aradhja e sehirxhinjve, admiruesve dhe duartrokitësve.
Por ajo që na intereson është se, sikundër e provon vetë teksti, diplomatët milanezë raportojnë ç’dëgjojnë rrugëve. A mund t’u besohet thashethemeve dhe për më tepër a mund të ngrihen mbi to përfundime historike siç vepron Schmitt-i, pa asnjë mbështetje tjetër dokumentare? Është e pamundur të gjesh një historian ta aprovojë këtë metodologji pune.
Megjithatë është e pashmangshme pyetja se si është e mundur që këta ambasadorë milanezë në Romë të mos kenë dëgjuar kurrë për Skënderbeun, në një kohë kur të paktën në brigjet perëndimore të Adriatikut fama e tij kishte mbërritur me kohë. Të kujtojmë që ishte bërë dhe rrethimi i parë i Krujës (1450) dhe shpejt pas saj humbësi i madh sulltan Murati II kishte vdekur, një ngjarje kjo madhore që nuk mund të kalonte pa u regjistruar në oborret princërore të Adriatikut dhe Europës.
Që dukati i Milanos kishte jo vetëm dijeni, por edhe kontakte me Skënderbeun para vitit 1454 kjo është e padyshimtë. Mjafton të përmendim vetëm se në vitin 1451 Skënderbeu kishte nisur pranë Sforza-s të dërguarin e vet, abatin Lazër, për të kërkuar ndihmë. Përgjigja ishte se “dukati nuk kishte anije për të dërguar ushtarë në Ballkan” pasi ishin të dërmuar nga luftërat e mëparshme dhe nga murtaja që kishte pllakosur vendin. (K. Frashëri, 330). Në këto rrethana mbetet e pashpjegueshme se si ambasadorët e Milanos raportojnë sikur të kenë dëgjuar për herë të parë për Skënderbeun dhe me një pasiguri të plotë. Në çdo rrethanë, kjo kundërthënie e bën akoma më të qëndrueshme arsyen për ta shmangur informacionin e ambasadorëve si të papërdorshëm për përfundime historike serioze.
c – ”…ky turk ka vënë t’i vrasin babanë e atij zotit e ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.”
Meqë raportojnë ç’dëgjojnë rrugëve, këta ambasadorë milanezë na kanë lënë një informacion si një fjalëkryq. Është normale të dish kush është ky “Turk”, ç’emër ka, cilin sulltan përfaqëson. Historia e ka provuar pa asnjë dyshim që Skënderbeu ka pasur të bëjë vetëm me dy “Turq”, Muratin II dhe të birin e tij, Mehmetin II.
Nëse për ambasadorët e Milanos kjo ka qenë enigmatike, për Schmitt-in, historianin që përdor informacionin e tyre, është një detyrim profesional ta sqarojë. Por Schmitt-i e le në errësirë përcaktimin e saktë të këtij “Turku”, që do të thotë, nga njëra anë, se edhe ai vetë e pranon pasaktësinë e informacionit të milanezëve, por nga ana tjetër nuk arrin ta ftillojë këtë rebus “turqish” dhe e shmang ballafaqimin me të. Schmitt-i thotë se ishte Murati II që vrau Gjon Kastriotin, t’atin e Skënderbeut, duke u mbështetur te letra e ambasadorëve se “ky turk ka venë t’i vrasin babanë e atij zotit”. Atëherë, sipas po kësaj letre, rrjedh që Skënderbeu të ketë vrarë të vëllanë e Muratit II sepse “ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.”
Pra duke e lidhur këtë pohim në letrën e ambasadorëve me historinë e njohur e të provuar rrjedh se Murati II (ky Turk) ka vrarë Gjon Kastriotin kurse Skënderbeu vëllanë e Muratit II (të Turkut) meqë përdoret i njëjti epitet, “Turk”. Schmitt-i jo vetëm nuk bën ndonjë përpjekje për të interpretuar e sqaruar kush është ky “Turk”, siç duhej të prisnim edhe nga më i rëndomti i historianëve, por e shton edhe më shumë mjegullën në letrën e ambasadorëve. Sipas interpretimit të tij ad hoc, është Murati II që ka vrarë t’atin e Skënderbeut, kurse Skënderbeu ka vrarë jo të vëllanë e Muratit II, por të birin e tij, përkatësisht të vëllanë e Mehmetit II. Pra, sipas tij fjala “Turk” në letrën e ambasadorëve i referohet një herë Muratit II dhe herën tjetër Mehmetit II. Dhe e gjithë kjo dykuptueshmëri jo vetëm nuk sqarohet, por edhe as vihet në dukje. Se sa e palejueshme është kjo për historianin, është e tepërt të përmendet. Në këtë rast vetëm mund të thuhet se interpretimi i botuar, d.m.th. ai i Schmitt-it, tingëllon surrealist, pasi duke huazuar koncepte të mekanikës kuantike, rezulton që “Turku” herë shfaqet si Murati II, herë si Mehmeti II.
Duke supozuar për një çast se gjithsesi letra e ambasadorëve ruan të vërtetën në lidhje me vrasjet, interpretimi më i mundshëm do të ishte ai i një historiani vendas, M. Ylli. Historiani në fjalë, në një replikë në shtyp, jo detyrimisht të një karakteri rigoroz historik, hedh pikëpamjen se interpretimi më i besueshëm i rrëmujës së ambasadorëve milanezë në letrën e tyre do të ishte invertimi i vrasjeve reciproke; konkretisht që Skënderbeu “vrau” të atin e “turkut”, d.m.th. të atin e Mehmetit II. Duke u nisur nga fakti se Murati II vdiq shpejt pas humbjes që pësoi nga Skënderbeu në rrethimin e parë të Krujës, sipas mendësisë popullore ishte Skënderbeu, me humbjen që i shkaktoi, që e çoi në varr Muratin II. Dhe informacioni i milanezëve, marrë rrugëve, mund ta merrte për të vërtetë opinionin popullor. Për më tepër edhe vetë teksti i letrës së ambasadorëve “ky Turk ka bërë të vdesë babanë e këtij zotërie” në një zbërthim kuptimor nuk flet për një vrasje por se “e ka bërë të vdesë” (fece morire – në origjinal, përkthimi i z. Klosi – ‘ka vënë t’i vrasin’– është letrarizuar duke humbur nuanca që janë shumë të rëndësishme për një dokument historik), më shqip “e ka shpënë drejt vdekjes” si pasojë e humbjes së luftës, rrethimit të Krujës. Ky interpretim nuk është i pamundshëm.
Nga ana tjetër “turku’ d.m.th. Mehmeti II. vrau vëllanë e Skënderbeut “ky zotëri ka bërë të vdesë një vëlla të Turkut” (e përmbysur do të lexohej: turku ka bërë të vdesë një vëlla të zotërisë)”. Edhe kjo është më afër së vërtetës, sepse në historiografinë e Skënderbeut nuk ka të dhëna të sigurta për fatin e vëllezërve të tij dhe flitet se sulltani ia ka helmuar. Bile vetë Schmitt shkruan, në f. 56, se “Në qarqet e Kastriotit edhe në fillim të shek. XVI tregonin se sulltani kishte helmuar vëllezërit e Skënderbeut, çka dëshmohet se është e pasaktë , pasi Reposhi vdiq …që më 1431, Stanisha jetonte ende më 1445, e vetëm gjurmët e Konstandinit humbasin”, duke iu referuar qartazi vetëm një të dhëne, asaj të Dh. Frangut.
Gjithsesi alibia e Schmitt-it, përveçse në rastin e Reposhit, është logjikisht e pamjaftueshme sepse jo vetëm Konstandini, të cilit i kanë humbur gjurmët, potencialisht mund të ishte helmuar; por edhe Stanisha, për të cilin gjithashtu nuk ka më gjurmë pas 1445-ës, kurse letra e ambasadorëve milanezë është e vitit 1454, kohë e mjaftueshme për sulltan Mehmetin II, « turkun » pra, për ta helmuar edhe këtë në hakmarrje për vdekjen e t’atit shkaktuar prej Skënderbeut. Pra mjafton t’i zhvendosim reciprokisht termat ‘zotëri’ me ‘turk’ në letrën e përmendur e kjo s’është ndonjë gjë e pamundur, po të kemi parasysh se sa konfuzë janë ambasadorët, pra të jenë ata që e kanë ngatërruar ‘turkun’ me ‘zotërinë’. Madje mund të prisnim edhe një korrigjim të tretë. Ky interpretim jo vetëm ka kuptim por dhe ‘turkun’ e njëson vetëm dhe vetëm me sulltan Mehmetin II. Në çdo rast interpretimi sipas M. Yllit do të ishte shumë herë më i mundshëm se sa interpretimi fantazmagorik i Schmitt-it, që ndërton një histori të tërë nga hiçi, me kundërthënie të dukshme dhe fantazi të papërmbajtur prej letrari, siç do vihet në dukje edhe më poshtë.
Siç duket nga sa më sipër, letra e ambasadorëve milanezë de Curte dhe Trivulzio drejtuar dukës Sforza të Milanit nuk ka më tepër vlerë se një thashethem. Mjafton të kujtojmë edhe njëherë formulimin hapur: “disa thonë, …të tjerë thonë…” për të arritur në përfundimin se ky dokument është i papërdorshëm për të arritur në çfarëdo konkluzioni. Se si është e mundur që këta diplomatë të raportojnë formulime të tilla dhe se si dukati i Milanos punësonte e mbështetej në këta farë diplomatësh mbetet enigmatike, por ajo që na intereson është thjesht raporti i tyre ashtu siç e ka zbuluar dhe paraqitur Schmitt-i.
Ndërkohë Schmitt-i raporton që në faqet e para të veprës së vet, se zbulimi i kësaj letre e detyroi ta shtynte botimin me një vit.
Që do të thotë se ka patur kohë më se të mjaftueshme për të gjykuar tërësisht për vlerën e saj historike dhe, çuditërisht, në vend ta linte mënjanë si të pavlerë për gjithë arsyet që u thanë më sipër, në të kundërt e bën epiqendrën e gjithë aventurës së vet skënderbegiane. Por ajo që ai konstrukton vetëm mbi bazën e kësaj letre të ambasadorëve milanezë është e pabesueshme.
(vijon)
(c) 2018, autori
Nja dy mendime që kam, tani që e lexova sërish letrën e dy diplomatëve milanezë.
Duke filluar nga fjala “Turco”, që këta e shkruajnë gjithnjë me të madhe; dhe që me gjasë i referohet sulltanit – ose që trajtohet si titull. Ndoshta kjo mundëson edhe “efektin kuantik” për të cilin flet Fatma, ose që e njëjta “Turco” të vlejë edhe për Muratin II edhe për Mehmetin II. Më pas, duke filluar nga fundi i shekullit XV, sulltani në gjuhët e gadishullit të Apenineve do të quhej rëndom “Gran Turco”.
Më tej, te ndërtimi “fece morire” dhe po aty “ha facto morire”, të cilin Schmitt-i me gjasë e ka përkthyer në gjermanishte si “vrau” dhe pastaj “ka vënë të vrasin”, dhe që andej e ka marrë edhe Klosi (unë nuk besoj që Klosi të ketë përkthyer drejtpërdrejt letrën e milanezëve; tek e fundit, libri e përmban versionin shqip në trup të tekstit, dhe nga kjo mund të deduktohet se ashtu e kish edhe versionin gjermanisht). Tani, “far morire” në italishten e sotme është ndërtim shumë i shpeshtë, me kuptim “kauzativ”; “far morire” do të thotë “bëj që dikush të vdesë”, por edhe “i shkaktoj vdekjen dikujt”; sikurse “far uscire” do të thotë “nxjerr”; dhe “fammi entrare” do të thotë “më lër të hyj, më lër të futem”; dhe “fammi vedere” do të thotë “më lër të shoh edhe unë”, ose “ma trego edhe mua”. Ky ndërtim lejon të specifikohet më mirë kryefjala: “si è spogliato di fronte al pubblico” do të thotë “u zhvesh para publikut”; por “si è fatto spogliare di fronte al pubblico” do të thotë “e zhveshën (të tjerët) para publikut”. Me fjalë të tjera, ndërtimi kauzativ lejon përdorimin e një subjekti të ndërmjetëm. Në kërcënimin e llojit mafioz “ti ammazzo” do të thotë “të vras!”, por “ti faccio ammazzare!” do të thotë “të vras nëpërmjet një të treti, ose duke ta porositur vrasjen”. Prandaj, besoj unë, shprehja “lo quale Turco fece morire lo padre de quel tal Signor” mund të përkthehet pa problem si “vrau”; dhe ndërtimi kauzativ këtu vetëm sa lë të kuptohet që nuk e vrau me dorën e vet, por vuri dikë tjetër që ta vriste; dhe fakti që flitet për “morire” dhe jo “uccidere”, ndoshta ka të bëjë me atë që autori i letrës nuk e ka të qartë si ka ndodhur pikërisht vrasja: me prerje koke, me helmim, me mbytje etj. Po ashtu, “questo tal Signore ha facto morire uno fratello del Turco”, sërish i referohet një vrasjeje me porosi ose të ndërmjetësuar; aq më tepër që, brenda së njëjtës fjali, i njëjti ndërtim, “far morire”, ndeshet dy herë dhe për të përshkruar dy veprime që, nga pikëpamja narrative, pasqyrojnë njëra-tjetrën. Dhe në çdo rast, edhe nëse Murati II vdiq nga pezmatimi, pas katastrofës në Krujë, nuk besoj që për këtë lloj vdekjeje do të përdorej shprehja “far morire”. Por kam një rezervë të madhe për këto përsiatje, sepse unë i referohem italishtes së sotme jo asaj të shekullit XV.
Më në fund, pasiguria e letërshkruesve, në lidhje me “chi dice de Grecia e chi de Albania” mund të lidhet me atë që në Romë dhe gjetiu në Itali Skënderbeun e quanin “zot të Shqipërisë” ndërsa ky vetë, nëpërmjet të dërguarve të tij, i referohej shpesh “Epirit”; dhe mbase ambasadorët në fjalë nuk e kanë kuptuar që në rastin e Epirit bëhej fjalë për një instrument retorik, ose “neoklasicizëm”, zbukurim i diplomatëve arbër të Skënderbeut, që i quanin vendet me emrat që kishin në kohën e Romës.
_Ndaj te njejten njohje qe ‘Turco’, ‘Gran Turco’ ishte nje sinonim per sulltanin. Edhe per sulltanin ne fron po edhe per sulltanin ashtu ne pergjithesi. Po nuk besoj se do te perdorej per dy sulltane konkrete , aq me teper ne nje raport zyrtar , qe apriori nenkupton saktesi. Keshtu mund te flitet ne nje bisede pa pretendime por jo ne rregjistrin zyrtar.
Eshte kaq e pergjithshme , si nje ekuacion me shume rrenje, qe nuk jep zgjidhje te vetme.
Sido qe te jete,qofte edhe kaq sa ke shkruar ti , autori ne fjale kishte detyrimin ta bente per sa kohe ka te beje me materie historike.
_ Per gramatiken e italishtes nuk kam ate njohje qe te me lejonte te hyj ne debat. Por ajo rezerva juaj eshte edhe e imja.
_Verejtja e trete besoj se eshte nje lapsus.
Sepse projekton situaten e sotme te Epirit ne shek XV. Ne mesjete Epiri nuk konsiderohej Greqi dhe kur Skenderbeu i referohej Epirit askush nuk nenkuptonte Greqi.
Bile as se ku binte Epiri mund te mos e dinin me sepse kishte shekuj qe nuk perdorej me si emertim. Osmanet nuk e perdoren kurre sepse edhe nuk e gjeten ne perdorim kur erdhen dhe krijuan ndarjet administrative. Edhe kur perdorej ndonjehere me te rralle ishte e karakterit savant apo neoklasicizem , sic e ke thene ti, prej njerezish te kultivuar si Skenderbeu.
Per me teper, ‘Epirus’ ishte sinonim i ‘Arberise se poshtme’ (‘Epirus sive Albania’, ’Epirus hodie Albania’,’Epiro seu Albania’,’Albania ..inferiorem , quae olim Epirus’,..)
Por eshte e tepert dhe e kote te hyjme ne keto imtesime sepse letershkruesit, qe nuk dinin as si quhej Skenderbeu, veshtire te dinin ku binte Arberia e Greqia , pa le me Epiri. As eshte e besueshme te mendosh se kishin lexuar letrat e Skenderbeut , qofte keta qofte masa e popullit ku mblidhnin informacion, qe te mund te ngaterroheshin me ‘epirotarum principis’.
Kur e sheh raportin e tyre si te tere kuptohet qe ambasadoret jane te paditur. Ata nuk e kane idene kush eshte Skenderbeu me 1454(!!), ç’pret tjeter …
Për “Epirin” po mendoja edhe këtë: ndoshta sekretarët e Skënderbeut (dhe mbase edhe ky vetë xhanëm) e kanë përdorur në letrat dhe shkëmbimet e tjera me italianët fqinjë, me mendimin se këta do të impresionoheshin më shumë nga “Epiri” sesa nga “Albania”, meqë për italianin mesatarisht të kultivuar të Rilindjes Epiri ndoshta lidhej me Piron dhe historinë e tij, si një nga ata që luftuan dhe fituan kundër Romës në lashtësi. Njëfarësoj, edhe ekspedita e Skënderbeut në ndihmë të Ferrantes do të rimerrte – në shkallë – bëmat e dikurshme të Piros. Për italianët dhe veçanërisht ata të Jugut Epiri ishte emblema e një fuqie politike që dikur e kish vënë poshtë Romën, ose të paktën sundimin e Romës në Jug. Në çdo rast, do të kishim të bënim me retorikë të hollë.
Pjese nga letra e Gjergj Kastriotit drejtuar princit të Tarantos: “[…] Se
le nostre cronache non mentono, noi ci chiamiamo epiroti et dovete
havere noticia, che in diversi tempi deli nostri antecessori [= Pirro – red.] passassero
nel paese che hoggi voi tenete et hebbero con Romani grande
battaglie et trovamo, ut plurimum, che hebbero piutosto honore che
vergogna […]”. (khs. Makušev II 122v.;Radonić 1942 120 e Noli (1947) 1989 308):
Shtjellimi i dyte i A.Vehbiut,me saktesimet qe kryen,gjithmone pa rene ne gracken,e te vertetave te pamohueshme,ploteson me se miri shtjellimin,e dyte te Fatmes,mbi te pathenat,lidhur me librin e O.Schmid,mbi Skenderbeun.
“Bile vetë Schmitt shkruan, në f. 56, se “Në qarqet e Kastriotit edhe në fillim të shek. XVI tregonin se sulltani kishte helmuar vëllezërit e Skënderbeut, çka dëshmohet se është e pasaktë , pasi Reposhi vdiq …që më 1431, Stanisha jetonte ende më 1445, e vetëm gjurmët e Konstandinit humbasin”, duke iu referuar qartazi vetëm një të dhëne, asaj të Dh. Frangut.”
e cila deshmi nuk mund te injorohet apo te lihet menjane kaq lehte pasi dhimitri ka qene kryefinancier dhe njeri i afert me skenderbeun. pra, pas kesaj deshmie mund te fshihet nje tradite ne rrethin e ngushte te skenderbeut per helmimin e nje apo me shume pjestareve te familjes kastrioti nga ana e turqve (dhmitri thote tre vellezerit, ambasadoret thone babai, ndonje tjeter do dali te thote kali, etj).
vete menyra e vrasjes-vdekjes, me helm, eshte nje e dhene qe te shpie ne metoden e parapelqyer te heqjes qafe qe ka perdorur kryesisht fisnikeria qe nga lashtesia, ne mesjete e ditet e sotme, e cila nuk i donte duart e lyera me gjak (literalisht).