Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

ARBËR DHE KUMANË

Në librin e vet High Albania, udhëtarja britanike Edith Durham përmend, më se një herë, gojëdhënat që qarkullojnë mes malësorëve të veriut të Shqipërisë, sipas të cilave këta kanë ardhur në vendbanimet e sotme prej gjetiu, për të gjetur aty një popullsi tjetër.

Ja çfarë i tregon autores një plak i Kastratit:

Kur Gegë Lazi [stërgjyshi i fisit, Xh2] dhe të bijtë erdhën këtu, gjetën banorë vendas. Këta nuk ishin sllavë, por një popull shumë i vjetër. Askush nuk e dinte se nga vinin. Disa thoshin se këta ishin si tartarët. Gjyshi im thoshte se ishin të fuqishëm dhe të shkathët, dhe mund të kërcenin përtej gjashtë kuajve njëherësh; dhe se hanin lende lisi (acorns) dhe mish kali. Dymbëdhjetë shtëpi në Hot rrjedhin prej tyre dhe me këto shtëpi ne mund të martohemi. Janë të një gjaku tjetër. Quhen Anas.

Ja edhe një histori tjetër, e treguar këtë herë në Theth:

Kur Shala dhe Shoshi erdhën këtu, gjetën banorë vendës, të cilët ishin të shkurtër nga shtati dhe të zeshkët nga lëkura. Në Shalë ka tetë familje që ende i përkasin atij gjaku. Pjesa tjetër e këtyre mërguan shumë kohë më parë (ndoshta kur serbët u larguan nga ato anë), për t’u vendosur në Deçan dhe rrethinat, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite, të gjithë të kthyer në myslimanë.

Komenton Durham-i:

Meqë shumë fise e tregojnë këtë histori njëlloj, duket e sigurtë që, pjesa më e madhe e atyre që erdhën në malësi për t’iu shpëtuar turqve dhe themeluan aty fiset e tanishme, gjetën aty një popullsi të zeshkët, të cilën e mundën (conquered). Në disa raste shkëmbyen gra me ta, në raste të tjera i dëbuan. Fakti që banorët më të vjetër gjithnjë përshkruhen si të errët, provon se të ardhurit rishtas do të kenë qenë të çelët (nga flokët, lëkura dhe sytë). Në tërësinë e vet, të gjitha fiset që e nxjerrin prejardhjen e vet nga Rasha, janë më të zeshkët dhe më të vegjël nga trupi sesa ato të Malësisë së Madhe, që thonë se vijnë nga Bosnja.

Nga gojëdhëna të tilla është vështirë të nxjerrësh ndonjë përfundim për prejardhjen ose identitetin e këtyre fiseve “të zeshkëta”, edhe pse disa karakteristika, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me ushqimin (“hanin lende lisi dhe mish kali”), u referohen vetvetiu fiseve nomade me prejardhje nga Azia që u dyndën në Ballkanin mesjetar prej fundit të antikitetit; ndërsa të tjera karakteristika (“nuk ishin sllavë, por ishin shumë të vjetër”),  të bëjnë të mendosh se malësorët e dinin që banorët që kishin gjetur në malësi e më pas asimiluar nuk kishin qenë arbër (shqiptarë) si ata.

Nga popujt e ndryshëm që zbritën në Ballkan gjatë shekujve V-XIII, vlejnë të përmenden, veç sllavëve dhe gotëve, edhe avarët, hunët, magjarët, bullgarët (që ishin një fis turkik emrin e të cilit e morën pastaj sllavët e Bullgarisë së sotme) dhe fise të tjera turko-tartare, si komanët dhe peçenegët. Vetë serbët dhe kroatët, edhe pse fise sllave të Jugut, erdhën të udhëhequr nga një aristokraci iranike. Në përgjithësi, për mungesë dokumentesh por edhe interesi, prurjet aziatike në Ballkanin mesjetar nuk njihen mirë.

Mes fiseve turko-tartare që shkelën gadishullin, kumanët janë ndoshta të vetmit që kanë lënë gjurmë në trojet e banuara sot prej shqiptarëve (ose në afërsi të tyre), dhe pikërisht në vendin e quajtur Koman, në afërsi të Pukës; por edhe në vendbanime të tjera, si Kumanova në Maqedoni, Komanovo, një fshat dikur afër Prishtinës, që iu dhurua manastirit të Hilendarit nga Stefan Urosh Deçanski; dhe Kumaniçevo në zonën e Kosturit, Maqedoni.

Me prejardhje nga stepat euraziatike, kumanët (të njohur edhe me emrin kipçakë), dihet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit mesjetar; herë duke u përplasur me Bizantin e herë në aleancë me të. Zbritja e tyre në gadishull mendohet të ketë lidhje me trazirat që shoqëruan dyndjet mongole gjatë shekullit XIII; përndryshe prania e tyre është dëshmuar veçanërisht dhe gjerësisht në zonat e Vllahisë dhe të Moldavisë së sotme.

Nëse ka pasur mbeturina kumanësh në malësitë tona të Veriut, këtë ndoshta e mbështet edhe prania e disa elementeve onomastike të cilat është e vështirë të shpjegohen me ndikimin osman, të tilla si emri Dushmani, i cili ndeshet edhe si patronim i një familjeje të njohur arbëre mesjetare të dëshmuar para shfaqjes së osmanëve në Ballkan; por edhe si emër i një katundi përsëri në afërsi të Komanit.

Gjurmët e kumanëve në trojet e Shqipërisë së veriut i ka hetuar mirë studiuesi hungarez Istvan Schütz.

Në një artikull të botuar në Acta orientalia Academiae Scientiarum Hungaricae, 39 (1985), Schütz parashtron hipotezën se këto gjurmë të kumanëve ndeshen edhe në këngën “Muji e Jevrenija” të Ciklit të Kreshnikëve.

Kënga rrëfen për të bijën e Krajle Kapidanit, Jevreninë, e cila ka rënë në dashuri me Sokole Halilin, një mysliman; për çka i jati, i zemëruar, vendos t’ua japë për nuse “gumanave t’zez”:

Shka ka ba Krajle Kapidani?

N’nji odë çikën e ka ngujue,

gumanave t’zez fjalë u ka çue:

– Tha, çikën teme ju jau paça dhanë

Kur e merr vesh këtë Muji, shpraz pushkën habertare dhe mbledh agët e Jutbinës dhe ua shpjegon se çfarë të bëjnë, për ta rrëmbyer çikën:

Atherë foli Gjeto Basho Muja:

– Na po bimë ndër gumana t’zez

e po i presim tridhetë gumana

e po e veshim veshën gumanisht

e po i msojmë gjogat tartarisht

e po i shtimë shpatat kryqalisht

e po i shtimë shapkat në krye,

para orokut krajlit qi po i shkojnë

edhe nusen na po e marrim.

Ashtu edhe bëjnë; vishen si “gumana” dhe shkojnë te mbreti për t’ia marrë të bijën; Krajle Kapidani, për të provuar që janë vërtet “gumana” u kërkon të tregojnë se janë në gjendje ta presin qiririn me shpatë pa e fikur flakën; kur provohet edhe kjo, ua jep krushqve çikën, por pastaj habitet, kur sheh se këta nuk kanë marrë “drumin e gumanave”, por rrugën për Jutbinë.

Atëherë u ka thënë mbreti:

Zoti u vraftë, gumanat e zez,

se e keni lanë rrugën e gumanave,

keni marrë rrugën për Jutbinë.

Pastaj sqarohen punët dhe të dy palët ndahen mirë, si miq, me njëri-tjetrin.

Antropologu shqiptar Qemal Haxhihasani, në komentet shoqëruese të botimit të këtyre këngëve në 1966, ka shpjeguar se gumanat nuk janë veçse “igumenë”, ose kryetarë manastiresh ortodokse. Me të drejtë, Schütz e vëren absurditetin e këtij shpjegimi, në vetvete – meqë është vështirë të gjesh tridhjetë igumenë të mbledhur bashkë, e aq më pak të armatosur si këta që vrau Muji me të vetët; por edhe ngaqë nuk ka asnjë kuptim që Krajli t’ua jepte çikën e vet igumenëve.

Natyrisht, Schütz mbron hipotezën se “gumanat” e Ciklit të Kreshnikëve nuk janë veçse një popullsi kumanësh ngulitur diku në afërsi të vendbanimeve arbëre; madje, duke u nisur nga përshkrimi që u bëhet kalorësve kumanë, mendon se autori i këngës në fjalë do t’i ketë parë kumanët me sy.

Kjo hipotezë më duket se konfirmohet, tërthorazi, nga çfarë i kanë thënë pleqtë malësorë Durham-it: që nga krahasimi me tartarët, të cilët përmenden edhe në këngën më sipër dhe që i kanë ngatërruar rëndom me kumanët në Mesjetë; aftësia e tyre për të mbarështuar kuajt (por edhe përdorimi i mishit të kalit si ushqim) e deri te përcaktimi Gumanat e zez, i cili ndoshta ka të bëjë me ngjyrën e zeshkët të komanëve (që do të kenë qenë, së paku, më të zeshkët sesa vendasit).

Gjithnjë te Durham-i kam gjetur edhe një pasazh tjetër intrigues, i cili mund të lidhet me praninë e kumanëve në malësitë shqiptare.

Gjatë vizitës që udhëtarja ia bën fisit të Berishajve, malësorët këmbëngulin për t’i treguar një mrekulli, në afërsi të fshatit.

Shkruan Durham:

Ishte një koritë e zakonshme (trough), e gdhendur trashë nga një bllok guri dhe e mbuluar me dërrasa, me kujdes të madh. Pa dyshim vepër e duarve të njeriut, mund të ishte punuar në çdo kohë, në çdo vend ku kishte gurë. Megjithatë, besohej se ishte e mbinatyrshme, shumë e çmuar dhe e pasur në kuptim. Nuk ishte krijim i njeriut. Kishte qëndruar aty për një mijë vjet, siç rrëfenin gjyshërit dhe katragjyshërit e tyre. I përkiste një epoke kur hebrenjtë (the Jews) ishin zotër të atyre anëve. Unë u thashë se hebrenjtë nuk kishin qenë ndonjëherë zotër të atyre anëve, çka u dha [malësorëve] kënaqësi të madhe.

Gojëdhëna (tale) se hebrenjtë dikur kanë qenë zotër të Shqipërisë është mjaft e përhapur. I referohet, pas gjase, traditës se në ato vende kishte një fe tjetër, para krishterimit; dhe meqë kjo fe tjetër nuk ishte as e krishterë, as myslimane, njerëzit kishin nxjerrë përfundimin se ishte hebraike (Jewish), meqë nuk njihnin tjetër. Ka shumë mundësi që, në thellësi të maleve, paganizmi të ketë lulëzuar deri vonë.

Tani, lexuesi duhet të ketë parasysh se trojet e Berishajve gjenden afër Komanit dhe Dushmanit, dy vendbanime të cilat, për nga emri por edhe për të dhëna të tjera të tërthorta, mund të kenë qenë ngulime të kumanëve, ose të kenë pasur marrëdhënie me ta. Në këtë rast, ka interes të gjurmohet më tej përkatësia fetare e këtyre kumanëve.

Dihet se kumanët e zbritur në Ballkan përqafuan fenë katolike në shekullin XIII, por nuk dihet nëse këta sollën apo jo ndonjë fe të tyren me vete.

Megjithatë, në veprën e njohur dhe kontroversiale të Arthur Koestler, The Thirteenth Tribe, lexoj se, sipas studiuesit Mikhail Artamonov, themelues i khazaristikës moderne, ka mundësi që kumanët, ose së paku një pjesë e tyre, të kenë adoptuar fenë judaike njëlloj sikurse kushërinjtë e tyre në stepat ruse, khazarët. Në fakt, dy djemtë e princit kuman Kobiak quheshin Isaak dhe Daniel, emra tipikë judaikë. Edhe pse vepra e Koestler-it është kritikuar nga shumë anë, konvertimi i khazarëve në fenë judaike nuk është vënë kurrë në diskutim.

T’i kenë përkitur fesë judaike edhe kumanët e Pukës, fqinjë të Berishajve? Besueshmëria e një hipoteze të tillë varet, në masë të madhe, nga gatishmëria për të gjetur të vërteta në gojëdhënat e maleve, të përcjella brez pas brezi; edhe pse logjikisht më duket e vetmja në gjendje t’u japë shpjegim pak a shumë racional fakteve, legjendave dhe interpretimeve në dukje fantastike të malësorëve, siç i ka sjellë në veprën e vet Durham; të mbështetura edhe nga kërkimet albanologjike të Schütz-it.

Shtojcë 1

Rastet kur një vendbanim të emërtohet sipas etnisë së banorëve ndeshen rëndom; në rrethanat kur vendbanimi rrethohet nga popullsi e një etnie tjetër. Mjaft të përmend këtu fshatra arbëreshësh si Arbanasi në Bullgari ose Arbëneshi në Dalmaci; edhe pse dukuria është shumë e përhapur – në Shqipëri gjen fshatra të tillë si Bulgarec ose Rëmenj, të emërtuar sipas përkatësisë etnike të banorëve. Është afërmendsh të supozohet se emërtime të tilla i përdorin vendësit, në kuptimin që edhe Komani do të jetë quajtur ashtu nga arbërit që ka pasur përreth, jo nga etnia që e ka themeluar.

Shtojcë 2

Natyrisht, Komani i Pukës njihet në histori dhe në arkeologji edhe si vendi ku është zbuluar e ashtuquajtura “kulturë e Komanit”, e cila ka rëndësi për të konfirmuar vijueshmërinë iliro-shqiptare në mesjetën e hershme. Është fjala për disa qindra varre të zbuluara në fillim të shek. XX afër fshatit të Komanit, në vendin e quajtur si Kalaja e Dalmacës. Mes objekteve të shumta të zbuluara atje, përmendet edhe një unazë bronzi e cila për shumë kohë u kujtua se përmbante mbishkrimin e vetëm në ilirishte – por që më pas u lexua si i greqishtes bizantine.

Nuk më rezulton që varrezat e Komanit të jenë datuar me mjete të sigurta (radiokarbon); por vetëm nëpërmjet datimit të tërthortë të objekteve të gjendura aty: fibula, qafore bronzi, varëse rrethore, vathë bronzi me varëse në formë ylli apo gjysmëhëne, unaza etj., sikurse edhe armë të ndryshme. Shumë prej arkeologëve që i kanë studiuar këto objekte, kanë vënë në dukje ngjashmërinë e tyre me zbukurimet e malësorëve shqiptarë të zonës.

Sikurse lexoj te Ilirët e Neritan Cekës (Migjeni, Tiranë 2005, f. 325-330) në vitet 1920 arkeologu italian Ugolini i bëri një analizë të plotë materialit të gjetur në Koman, duke dalluar aty objekte me origjinë kelte, romake dhe bizantine, por edhe objekte të kohës barbarike, që i përkisnin “dyndjes së popujve”. Më pas, arkeologu shqiptar Hasan Ceka arriti në përfundimin se varreza e Komanit ishte e shekujve X-XI, dhe i përkiste kulturës arbëre.

Përkundrazi, ardhja e kumanëve aziatikë në Ballkan i përket një periudhe të mëpasme, pikërisht shekujve XII-XIII; prandaj nuk përjashtohet që këta të jenë vendosur në një vendbanim të braktisur prej arbërve; sikurse nuk përjashtohet që një pjesë e objekteve të gjetura në Kalanë e Dalmacës t’u përkasin këtyre të ardhurve të vonë. Edhe një herë tjetër, duhet kujtuar se zonat malore si fortesa natyrore u kanë shërbyer si strehë popujve në periudha trazirash dhe katastrofash; por përndryshe nuk mund të konsiderohen si më të përshtatshmet për të ngritur qytetërime sedentare e të qëndrueshme në kohë.

Bibliografi minimale

1. Durham, Edith, High Albania, Phoenix Press, 2000, f. 70, 123, 189, 191.

2. Schütz, Istvan, “Des ‘comans noirs’ dans la poésie populaire albanaise”, Acta orientalia Academiae Scientiarum Hungaricae, 39 (1985), f. 193-203

3. Koestler, Arthur, The Thirteenth Tribe, Random House 1976, f. 62.

4. Muji dhe Jevrenija, Folklor Shqiptar, II, Epika Legjendare, Vëllimi i parë, Instituti i Folklorit, Tiranë 1966, f. 199.

22 Komente

  1. Antropologu shqiptar Qemal Haxhihasani, në komentet shoqëruese të botimit të këtyre këngëve në 1966, ka shpjeguar se gumanat nuk janë veçse “igumenë”, ose kryetarë manastiresh ortodokse. Me të drejtë, Schütz e vëren absurditetin e këtij shpjegimi, në vetvete – meqë është vështirë të gjesh tridhjetë igumenë të mbledhur bashkë, e aq më pak të armatosur

    Hmmm…a ka ndonje shqiptar nga Akademia e Shkencave qe ja vlen te merret si i besueshem? Se ky interpretim qe ka bere Q.H eshte vertet ose naiv ose i komanduar nga lart.

    1. Prof. Haxhihasani më ka dhënë lëndën e folklorit në universitet; kam pasur shumë respekt për të… në një periudhë të zezë për lirinë e mendimit në Shqipëri, ka qenë ndoshta nga më të lirët në mendim, mes profesoratit.

      Te Epika Legjendare mua më shqetëson gjithnjë mundësia se redaktorët do t’i kenë prekur tekstet e këngëve të Ciklit, kryesisht duke i “pastruar” nga fjalët e huaja. Këtë, me sa di unë, e kanë pasë bërë edhe katolikët shkodranë, në vitet midis dy Luftërave.

      Megjithatë, prania në tekstin e këngës më lart e një fjale si drum, në kuptimin “rrugë”, më tregon se këto ndërhyrje nuk do të kenë qenë dhe aq sistematike.

  2. Unë mendoj se një nga fatkeqësitë më të mëdha që na ndodhën nën shumë të dënuarën diktaturë ishte pikërisht se Xhaxhi na mbushi mendjen të gjithëve se rridhnim nga një fis trimash të paparë të quajtur Ilirë. Thjesht Xhaxhi përdori një nga tezat që qarkullonin prej kohësh ne ambjente albanologësh te nderuar. E përdori paturpësisht duke na e shitur si të vetmin shpjegim i të qënit të ndryshëm dhe shumë më të ynershëm se për shembull fqinjët tanë.Pastaj na e përsëriti aq shumë shekullin kur kishin mbërritur sllavët sa, po mendoja, të gjithëve na ndodh të harrojme datëlindjen e ndonjë shoku por vështirë të gjesh ndonjë shqiptar që të mos i kujtohet, dhe në gjumë ta pyesësh, se kur mbërriten sllavët.
    Sigurisht jo Xhaxhi personalisht, por një taborr i tërë me shkrues tregimesh pak a shum fantashkencore që në më të shumtën e rasteve përkthenin albanologë të njohur austriakë, në mos gaboj. Këtu nuk do të kishte ndonjë të keqe të madhe dhe sot do të na vintë për të qeshur me naivitetin popullor dhe do na kapte prapë inati i keq me Xhaxhin. Halli është se rrjedhojat e këtij operacioni ne dukje i padëmshëm dhe komik po dëftehen tragjike. Një popull i tërë që alienohet nga konteksti gjeo-historik të cilit i përket për të shkuar ku të dalë, more qoftë dhe drejt kontinentit të ri, vetëm e vetëm që të mos ketë më të bëjë më sllavët dhe grekët. Pra të vetmuar dhe, sikur të mos mjaftonte, edhe në rrethim .

    A ja vlente barra qeranë të kacavirreshim deri tek ilirët? Them se jo, nuk e harroj kurrë çastin kur një italian më tha se ilirët njiheshin si barbarë dhe që nuk ekzistonte një qytetërim ilir ne sensin historik të qytetërimit. Sigurisht, unë mbrojta deri në fund ilirët dhe u mundova bile t’i ndryshoja mendimin që kishte për ta. E pa që u preka thellësisht (emrin e kam ilirik) dhe më ngushëlloi duke më thënë se as ata, italianët nuk ndjehen pasardhës të romakëve të lashtë dhe që sigurisht në dejet e tyre rrjedh dhe gjak etrusk apo i gjthfarë fisesh që gjatë shekujve kanë kaluar apo banuar në gadishullin italik.

    E kapa veten që po lexoja me interes shkrimet e fundit. Pra, në vitin 2009, ne kemi akoma hapësira të historisë që rrekim t’i mbushim me praninë tonë. Përkthimet e pasakta por qëllim-mira janë shembulli më i përkryer i operacioneve që jemi gati të bëjmë si e si që ta futim veten atje ku nuk ndodhemi. Dhe as që nuk shqetësohemi fare për faktin se ndërkohë po manipulojmë të vërtetën.Ose citojmë ç’kanë thënë për ne të tjerët. Kur na vijnë për shtat i bëjmë heronj kombëtarë, kur guxojnë e na thonë të vërtetën sipas tyre, u hakërrehemi me inat.

    Ndërkohë që logjika më e thjeshtë të thotë që ne, sllavët, grekët, latinët (për fat më pak), komanët, çifutët, ndonjë turk (për fat të madh shumë më pak) apo mbetje kryqëzatash që nuk sosën kurrë në Jeruzalem, të jetonim afër njëri tjetrit e te jepnin e te merrnin me njëri tjetrin siç jep e merr ne Tirane ai që banon në Rrugën e Durrësit me atë që banon në Rrugën e Kavajës. Hapësirat ishin po ato që janë dhe sot (vend i vogël). Banorët shumë më pak.

    Them se në dejet tona rrjedh pak gjak ilir (ndonjë malësor i Bjeshkëve te Nëmura), shumë gjak sllav e grek. Ato fiset e tjera të sipërpërmendura dua t’ja kursej vetes. Mendoj se në dejet e sllavëve rrjedh gjithashtu gjak shqiptar, idem per dejet e grekëve. Punë e tyre nëse e mohojnë por nuk besoj. Nuk mendoj se ka ndonjë të keqe në këtë mes. Fjalëpak e jo llafazanë si latinët, të drejtpërdrejt si në të keq ashtu dhe në të mirë, gjaknxehtë por bujarë, burra qe janë burra dhe sigurisht, gratë më të bukura në Evropë.

    Autorët e cituar në shkrimet e fundit nuk e hedhin poshtë si të pabazë përshtypjen time te krijuar nga studimi i rastësishëm i tipareve të këtyre popujve.
    Shpesh grupet perkatese jane te dallueshme qartesisht. A e keni vënë re për shembull që vetëm te ne dhe te sllavët gjen vasha me flokë të zeza, pra zeshkane, por bardhoshe në lëkurë? Latinet për shëmbull kur janë zeshkane janë si gumanat e zez. NE JO….

  3. Xha xhai thotë: “Dihet se kumanët e zbritur në Ballkan përqafuan fenë katolike në shekullin XIII, por nuk dihet nëse këta sollën apo jo ndonjë fe të tyren me vete.”

    Xha xha, mund ta elaborosh pak më shumë këtë pohimin tënd më sipër: “se kumanët e zbritur në Ballkan përqafuan fenë katolike në shekullin e XIII”? Të pyes se kjo që thua ti bie ndesh me atë që është shkruar për kumanët dhe që kam lexuar unë. Në të vërtetë, pohimin se “kumanët e zbritur në Ballkan morën fenë katolike” unë nuk e kam hasur të hedhur as si ide (spekulim) e lëre më si një fakt të mireqenë.
    Për kumanët dhe vërshimet e tyre në Ballkan, siç ke thënë edhe ti, dihet pak dhe është shkruar po pak, po nga ajo që është shkruar, kumanët në gadishullin Ballkanik nuk rezultojnë të konvertuar në fenë katolike.
    Ashtu si edhe peçengët para tyre, edhe kumanët e vendosur në Ballkan u konvertuan në fenë e fuqive ballkanase te kohës (asaj bizantine, bullgare etj) pra në fenë ortodokse, që ishte në fakt në përputhje dhe me praktikën bizantino-bullgare të asimilimit të “të huajve” nëpërmjet konvertimit në fenë e tyre. Prandaj pohimi yt: “(dihet) se kumanët e zbritur në Ballkan përqafuan fenë katolike në shekullin e XIII” kërkon më shumë elaborim nga ana jote, mundësisht duke iu referuar burimeve apo studimeve serioze që e mbështesin atë pohim.

    1. Këtë e gjeta në Wikipedia, në lidhjen e sjellë në shkrim, ku ndër të tjera thuhet:

      Gjatë shekullit XIII kumanët perëndimorë adoptuan Katolicizmin Roman (në Hungari këta u bënë pastaj të gjithë kalvinistë), ndërsa Gagauzët u bënë Pravoslavë/Ortodoksë; kumanët lindorë u konvertuan në Islam.

      [In the 13th century, the Western Cumans adopted Roman Catholicism (in Hungary they all later became Calvinist) and the Gagauzes Pravoslav/Orthodox, while the Eastern Cumans converted to Islam.]

      M’u duk e kotë të specifikoja se kumanët e supozuar të Arbërit duhen futur në “perëndimorët”; aq më tepër që për këta konvertimi në katolicizëm, nëse ka ndodhur, ka shumë të ngjarë të jetë kryer paralelisht me asimilimin.

      Praktikisht të njëjtin informacion më jep edhe Encyclopaedia of the Middle Ages, në zërin e vet për kumanët:

      Në 1239, ata (kumanë) që jetonin si nomadë në Bullgari, kaluan në shërbim të Baldwin-it II… Disfata në Kalka (ndaj mongolëve) e lejoi mbretin e Hungarisë të shtrijë protektoratin e vet mbi vendin e tyre (madje duke u vetëquajtur mbret i Kumanisë, ose rex Cumaniae) dhe sikurse lejoi misionarët dominikanë të bëjnë aq konvertime për Papën, sa të krijohej, në 1229, një peshkopatë e “Kumanëve”…

      Megjithatë, po aty më poshtë, thuhet se evangjelizimi i kumanëve nuk pati shumë sukses, dhe papës iu desh të krijojë një mision françeskanësh [friars minor] për kumanët e Hungarisë (në 1348) dhe të premtojë një pakësim të të dhjetave për ata që bëheshin të krishterë.

  4. Shkrim interesant, terheqs. Mesova dicka edhe per Kumanet per te cilet s’besoj se kisha lexuar/degjuar ndonjehere me pare.

    Nga ana tjeter, meqe Berishajt permenden ketu, ky shkrim me kujton edhe deshiren qe kam prej kohesh per te njohur etimologjine e emrit BERISHA.

  5. Sipas Schütz-it, në defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 gjenden një numër toponimesh me prejardhje kumane, të tilla si Boshuçi, Bugjani, Kalkandelen, Orhanje, Shipçani, Shishmançi. Edhe më të rëndësishme se toponimet më duken antroponimet (emrat e njerëzve); meqë po në atë defter gjejmë Leka dhe Pavli, bij të një Dermani; ose Andrija, Lleshi dhe Gura, bij të një tjetër Dermani; ose një Leka bir i një Shishmani, e kështu me radhë (këtyre shembujve u duhet shtuar edhe ai i familjes bujare të Dushmanëve, bashkëkohës të Skënderbeut, të cilët ishin gjithashtu të krishterë).

    Derman, Shishman dhe Dushman janë emra dhe fjalë me prejardhje kumane, kjo konfirmohet nga shumë burime të pavarura në Ballkan. Schütz vëren se, në rastin e defterit të Sanxhakut të Shkodrës, përjashtohet mundësia se personat në fjalë janë osmanllinj; jo vetëm ngaqë emra si Andrija, Lleshi, Leka etj. i përkasin sistemit antroponimik të krishterë, por edhe ngaqë përkatësia osmane do të ishte shenjuar në defter.

    Që këtej, autori nxjerr përfundimin se kumanët e ngulimeve në veri të Shqipërisë e kishin përqafuar ndërkohë fenë e krishterë.

    [Istvan Schütz, Les contacts médievaux albano-comans reflétés par l’onomastique de Kosovo, Acta Orient. Hung. XL, 1986, f. 296-297].

  6. Ndofta nga kumanët e ka prejardhjen edhe loja e dikurshme e fëmijëve kur, pasi dalloje kundërshtarin nga larg, e eliminoje duke e quajtur “kuman, kuman”? Loja quhej “kumançe”…

  7. “”Antropologu shqiptar Qemal Haxhihasani, në komentet shoqëruese të botimit të këtyre këngëve në 1966, ka shpjeguar se gumanat nuk janë veçse “igumenë”, ose kryetarë manastiresh ortodokse. Me të drejtë, Schütz e vëren absurditetin e këtij shpjegimi, në vetvete – meqë është vështirë të gjesh tridhjetë igumenë të mbledhur bashkë, e aq më pak të armatosur si këta që vrau Muji me të vetët; por edhe ngaqë nuk ka asnjë kuptim që Krajli t’ua jepte çikën e vet igumenëve.””

    po cne te martohen igumenet = murgjit? ky mendimi kaq i thjeshte nuk i kaloi haxhihasanit ne mendje?

    1. Një lapsus, mendoj unë, asgjë më tepër. Ndoshta autori ka menduar se fjala, në këngë, është përdorur metaforikisht.

    2. Z. Autor!

      Po bej nje verejtje, keshtu, si i thone, pa vend fare. Ky shkrim, sikurse thelbi i perpjekjes suaj online, konsiston ne vendosjen e nje rendi te ri mendimi nder shqiptare, c’ka eshte ne nje fare menyre nje praktike shqiptare e Triumfit te Arsyes. Me kredon e goditjes se Kombetarizmit ne te vertete ju padashur me kete shkrim, e sidomos me pasazhin “gjetën aty një popullsi të zeshkët, të cilën e mundën (conquered)”, kultivoni nje ndjesi te munguar ne kombetarizmin shqiptar, nje brenge e cila lidhet me restriksionin historik te territorit shqiptar. Ju i jepni asaj deshmine e munguar “historike”. Me nje fjale, goditja e asaj qe ju e quani “Obsesioni me Origjinen” mund te gjeje prehje apo kompensim ironik te kapercimi i vetvetes, apo me sakte te gjetja juaj historike qe “verteton” se mbrojtja jone nder shekuj, e sjelle gati si ideologji, po deshmohet tashme si agresion fitimitar. Dua te nenvizoj, ndoshta pa paragjykim nje aspekt ironik te perjekjes suaj – te lavderueshme por gjithesesi deri me tani te pafrytshme – qe mund te konvertoje perparimin e imagjinuar te Arsyes ne Historine tone, ne nje perfocim dramatik te Mitit. Por ndoshta dukurite e para me sensin e retrospektives largohen shume nga shtrati i se Vertetes.

      PS: Mesazh 100% dashamires nga nje PUB i Tiranes ku sapo korri sukses nje grup muzikantesh maqedonas.

      1. Theollogos, pasazhi që citon është i Durham-it, jo imi. Unë besoj se autorët e huaj që janë marrë me punët tona i kemi shfrytëzuar në mënyrë tepër selektive, si të ishte fjala për të porositur nga një menu në restorant… I kemi blatuar vetes vetëm ato gjellë e gatesa që na i pëlqen qiellza. Kjo na ka futur në qorrsokak besoj unë (we have painted ourselves in a corner, do të thoshte amerikani); prandaj sikur po ndihet nevoja për dimensione të reja.

    1. Fldm BaBa per kete prurje.

      Duke ndjekur dokumentin e quajtur ‘Kronika e Janines’, dhe te tjera teza ekzotike doktorature mbi historine e Bizantit Mesjetar, gjeta nje citat qe aludon se njerezit e mesjetes, ndryshe nga sa argumentohet ne kete blog, kishin nje ide shume te qarte per ethnicitetin

      Verejme se koncepti i etnicitetit nuk eshte anakronik (per banoret e shek e 14te ne Janine), dhe se qytetaret e Janines shpesh ngriheshin ne protesta kunder emigranteve, dhe se Greket kishin disa paragjykime rreth Arberve, Serbve, dhe Latineve perendimore, madje mund te flitet edhe per urrejtje.

      Interesantja eshte qe Greket kishin nje ide aq te qarte per Arberit, sa qytetaria(citizenship) e Janinens u jepej cdo etnie tjeter pervec Arberve.

      http://www.cliohres.net/books/7/08.pdf

      1. Dokumenti bën fjalë për Janinën vetëm; le të mos nxitojmë e t’ia përgjithësojmë përfundimet për “njerëzit e Mesjetës”.
        Mua më duket sikur grekët e Janinës së shekullit XIV i bashkonte, madje edhe para ndjenjës së përkatësisë etnike, vetëdija e fortë e superioritetit ndaj të ardhurve, sidomos arbërve, që rrezikonin ta përmbytnin qytetin.
        Dinamika më duket e ngjashme me atë të Bathores sot.

  8. Mua më duket sikur grekët e Janinës së shekullit XIV i bashkonte, madje edhe para ndjenjës së përkatësisë etnike, vetëdija e fortë e superioritetit ndaj të ardhurve, sidomos arbërve, që rrezikonin ta përmbytnin qytetin.

    Dokumendi qe solla ne PDF thote qarte qe qytetaria ‘janinase’ u jepej te gjithe atyre qe vinin, PERVEC arberoreve.

  9. Kam pershtypjen se qendrimi ne despotatin e Janines ndaj shqiptareve ka te beje pikerisht me natyren e tyre te pabindur, grindese, te paneshtruar, mosnjohese dhe mos zbatuese e rregullave ekzistuese ne vend.
    Ne nje mongroafi shume interseante me titullin “Bartolomeo Minio: Venetian Administration in 15th – Century Nauplion”, shkruar nga nje studiuese amerikane, Diana Gilliland Wright, ne nje nga dispaccet qe Minio, proveditor (lloj prokonsulli) i Venedikut ne More, i dergonte qeverise se tij ne 1482, ai i pershkruante keshtu shqiptaret e “tij”: “malcontete ed zente volubile…”; “…zente de scandolosa natura, amici dele discordie et inimiti de la quiete et pacifiche vivere, zente disordinata, et de pocho obedienti…”
    Kurse ne vitin 1499, flamurtari turk per Morene,Chalul, i shkruan proveditorit te ri venedikas: “… Ma la excelentia vostra e’ venuto de novo, et non sa li costumi d’albanesi:loro si desiderano de far et mover scandal tra li signori….et non e’s honesto…”

    Edhe vete turqit iu thane venedikasve, mbas 16 vjet lufte qe nga Moreja e deri ne shkoder, se …”se vui cazerete i Albanesi de questa terran non haveremo mai differentia alcuna…”

  10. Në base të etimologjis, emri Kumanova është emër Ilir, dhe emër Shqip që përbëhet me kët kuptim “Ku” dhe “ma nova” ose “ma vendove.” Ilirët përdornin emrin Kumanova të cilin emër më vonë Romakët e adaptojnë. Sipas një legjende që është trashiguar nga brezi në brez thuhet se Kumanova, Tetova, dhe Gostivari ishin pjes të Shkupit. Një mace kishte mundësi të udhëtonte nga Kumanova gjer në Gostivar duke shkuar nga një mur tek tjetri mur i shtëpive. Sipas mitologjisë besohet se në atë kohë është zhvilluar një luft e madhe sa që nga gjaku i madhë rrugët janë vërshuar dhe rruga është shëndruar në lum gjaku. Ai lum gjaku ka qenë aq i thellë sa që lopa është fundosur. Nuk mundet të konfirmohet kjo legjend e mitologjis Shqiptare, por historia ka regjistruar dy here humbjen totale të qytetit të Shkupit.

    Në kohën Ilire qyteti ishte i njohur me emrin Zheglig, emër që rrjedh nga fjalët Zheg – nzehtësi dhe lig – i sëmur ose i keqë. Qyteti ndryshoi emrin edhe dy here. Në vitin 26 para erës sonë arritën Romakët të pushtojn ket rrajon. Vendi ishte i bukur me lumenj dhe me plot pemë dhe hije. Romakët e quajtën “ Umbra – Nova” që do të thotë vend i hijeve ose hije të reja. Disa nga Romakët e quanin “ Umeonovo” që do të thotë vend i ri me lagështi. Qyteti ndërroi emrin edhe nji here. Në vitin 26 të erës sonë në ket rrajon u vendos një kontigjent ushtarak Romak. Në kohën Romake, ushtria nuk kishte të drejtë të hyn në qytetet e mëdhaja, dhe në ket rast ushtria Romake nuk hyri në Shkup. Oficerët Romakë e quajtën vendin Cumaenova(Kumaenova). Shumica e tyre ishin nga qyteti Kampanja i cili u quheshte Cuamae. Ata e quajtën qytetin si Kampanja e re, Cumae- nova, nova- e re. Por më vonë Romakët e quanin si Cum-a-nova(Kum-a-nova). Kjo rrjedh nga fjalët Latine “ Cum ose Kum” që në gjuhën Shqipe do të thotë kur ose që nga ose sëbashku dhe ‘nova’ që do të thotë e re. Sipas shënimeve antike Romake, Kumanova ishte fshat i madh. Emri Kumanova shifet edhe në hartën apo atlasine vjetër Romakë Tabula Peutingeriana . Tabula Peutingeriana është e vetmja hartë ose atlas që tregonte rrjeting rrrugor ushtarak dhe imperial Romak, cursus publicus. Harta Tabula Peutingeriana ësht bërë nga një murg i quajtur Kolmar. Gjithashtu edhe historiani antik Romak, Gaius Sallustius Crispus i njohur si Sallust, (86-34 BC), përmend Zheglig – Cumaenova dhe ushtrin Romake të jet e përgjendruar në Cumaenova afër Skupit.

    1. ….”Gjithashtu edhe historiani antik Romak, Gaius Sallustius Crispus i njohur si Sallust, (86-34 BC), përmend Zheglig – Cumaenova dhe ushtrin Romake të jet e përgjendruar në Cumaenova afër Skupit…”

      Nese do pranuar se Sallust-i permend ne historite e veta ngjarje qe do te ndodhnin 60 vjet mbad vdekjes se tij, i gjithe konstrukti i mesiperm etimologjik eshte mbi baza te dobeta.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin