Kur punoja në Akademi, pata dëgjuar se një profesor nga ata të mëdhenjtë fare, kur ulej në banketet që i shtronin kolegët e tij në Prishtinë, hante e pinte aq shumë, sa pastaj nuk mund ta vazhdonte dot më festën e gojës, përveçse pasi të shkonte një herë në banjë dhe ta villte aty gjithë ç’kish ngrënë. Ashtu edhe bënte vend në mullë për pjatat dhe delikatesat e tjera, që s’kishin të mbaruar: mikpritja tradicionale shqiptare!
Aso kohe ende nuk kish zënë rrënjë, në kulturën e të rinjve e sidomos të rejave në Tiranë, ai çrregullim të ngrëni që mjekët e quajnë zakonisht bulimi, dhe që shoqërohet me besimin se, duke vjellë me zor pas një vakti të bollshëm, mund të ruash peshën ose gjithsesi linjat; ose edhe thjesht imazhin që ke për trupin. Gjithsesi, ai profesori që flas unë, nuk e praktikonte të vjellët për arsye shëndetësore, por vetëm për të mbrojtur strukturat e aparatit tretës nga katastrofa por edhe – dyshoj unë që e kam njohur nga afër – për t’u treguar amfitrionëve të vet se ish në gjendje t’u bënte ballë në tryezë, si burri me burrat.
Vite më vonë, ndesha në fjalën latine vomitorium, që në shqip do të përkthehej ndoshta si “vjelltore” (meqë e ka prejardhjen nga latinishtja vomo, vomere, vomitum, me kuptimin “vjell”); dhe ma shpjeguan këtë vend si një kthinë të posaçme, ku romakët e kamur proverbialë të gostive shkonin për të zbrazur stomakët e tendosur ose “për të nxjerrë zorrët” siç thotë populli, para se t’u ndodhte edhe atyre ndonjë katastrofë nga mbingrënia, siç u ndodh ndonjëherë lopëve në jonxhë.
Çuditërisht, ky kuptim i fjalës latine shfaqet shumë vonë në literaturë: pavarësisht disa pasazheve më të hershme në tekste të shekullit XIX, ishin Aldous Huxley në 1923 dhe sidomos Lewis Mumford, në librin e tij “Qyteti në histori” (1961) që e popullarizuan ekzistencën e kësaj hapësire të specializuar, përbri sallës mitike të gostive, ku hamësit legjendarë mund të shkonin “për të vjellë gjithçka kishin në stomak”, në mënyrë që të mund të vazhdonin darkën.
Për shumë dekada, vomitorium-i shërbeu si shenjë dhe si metaforë e dekadencës romake; pse kombinonte në vetvete grykësinë dhe shpërdorimin e shpenguar, kënaqësinë e jetës përtace dhe abuzimin e sistemit gastro-intestinal si një lloj aparati masturbator të gojës; a të sistemit të banketeve si një pretekst për coitus interruptus serial.
Tani, edhe pse të dhënat që romakët e kishin zakon të villnin midis vakteve nuk mungojnë (mbahen mend për këtë perandorët Vitellius dhe Claudius, të dy pak të mefshtë), praktika e të pasurit një kthinë të specializuar për të vjellët duket të jetë një sajesë e modernëve, të cilët mund edhe të jenë ngatërruar nga fjala vomitorium. Kjo e fundit ndeshet vërtet në latinishte, por vetëm me kuptimin e një kalimi, tuneli a korridori në një amfiteatër, që lehtëson mbushjen ose zbrazjen e hapësirës nga publiku: me fjalë të tjera, hyrjet ose daljet në stadiume. Termi është metaforik, dhe sugjeron një kalim që “i vjell” spektatorët brenda në stadium.
Edhe pse i bazuar në një keq-interpretim, koncepti mbetet i dobishëm: një vomitorium, i bashkëngjitur një restoranti elitar, do të shpëtonte shumë jetë në Shqipëri, sidomos mes atyre që hanë jo sepse duhet të ushqehen, por sepse pjatat u ngacmojnë shqisat e shijes dhe të mirëqenies, dhe ushqimi i ndihmon që të mbajnë pijen; madje edhe pa e marrë fare parasysh efektin mbrojtës ndaj toksinave ushqimore, kërpudhave, pesticideve, hormoneve dhe antibiotikëve të mishit, pigmenteve, verërave me alkool industrial dhe metilik, etilen-glikolit, kosit me qumësht pluhur dhe niseshte, nënprodukteve të naftës, kimikateve kineze, toksinave, rritjeve bakteriale të pakontrolluara, molepsjeve dhe vezëve të parazitëve.
Pakkush do të habitej, sikur një ditë prej ditësh Ministria e Shëndetësisë të propozonte pajisjen e detyruar, të çdo lokali ku konsumohet ushqim përkundrejt një pagese, me një vomitorium të certifikuar – në emër të shëndetit publik dhe parandalimit të sëmundjeve të rënda. E gjithë kjo, sa kohë që ende nuk është gjetur ndonjë mënyrë që ushqimi kësisoj të taksohet në favor të atyre që nuk kanë për të ngrënë (unë do të propozoja një taksë të arsyeshme, për çdo përdorim individual të vomitoriumit).
Por ka edhe më: vomitorium-et konceptuale do të bënin shumë punë, po t’u bashkëlidheshin me detyrim sajteve, portaleve dhe mediave të tjera online; për t’i lejuar vizitorët që, pasi të fryheshin e të fôheshin me gjithfarë pisllëqesh, të mund ta zbraznin pastaj stomakun e truve dhe t’ia bënin një reboot rrugëve të tretjes së informacionit, edhe pse jo doemos për t’u rimbushur pastaj me material të ngjashëm te portali tjetër. E keqja e njeriut që ushqehet me lexime është se nuk ka mundësi ta nxjerrë helmin, para se ky t’ia ketë dëmtuar mendjen; prandaj vomitoriumi në Internet ndoshta do ta meritonte një fushatë financimi kapilar, sërish nën kujdestarinë e një autoriteti të lartë publik.
Nese ne (njeriu) nuk do ti besojme te gjitha sa thuhen me sy mbyllur, do te kursenim kohen per sterhollime teorike. Teza se romaket shkonin ne banjo per te vjellur e per te ngrene prape, padiskutim qe eshte nje teze e genjeshter, e theksuar kryesisht nga te krishteret e mepasem. Ashtu sic jane te genjeshtra teza te sotme, se Roma antike kishte 1 milion banore, por kjo e dyta nga budadalleku dhe jo nga qellimi i diskretitimit, si ne rastin e vjelljes, nga te krishteret e hershem.
Mire qe autori e ka dalluar kete deformim te vertete mbi (gjoja) vjelljen e romakeve, dhe mjaft mire qe ai ka kapur edhe keqkuptimin linguistik, -ndonese une nuk u binda dhe aq nga ky keqkuptim lingistik, pasi ky deformim i se vertetes nuk besoj ka lindur ne kohet moderne, por na vjen prej te krishtereve te pare, te cilet bene dhe Neronin te cmendur, e sa e sa ngjarje te tjera nga ajo kohe i deformuan.