nga Armend Mazreku
Te filmi Le mani sulla città (1963), regjisori italian Francesco Rosi, fiksionalizon një “histori” korrupsioni në qytetin e Napolit – ku një tycoon i pasurisë së paluajtshme, me emrin Edoardo Nottola (i luajtur nga Rod Steiger), njëherit anëtar i zgjedhur në Këshillin e Qytetit – përdor gjithë pushtetin politik dhe ekonomik për të bërë lloj-lloj allishverishe me pronat publike dhe private.
Historia është e thjeshtë: Partia e Nottola-s drejton qeverinë; qeveria ka në dorë gjithë agjencitë e planifikimit dhe ndërtimit urban të qytetit të Napolit, kurse Nottola, ironikisht, është përgjegjës për “programin e rilindjes urbane.”
Falë kësaj skeme kriminale, sidoqoftë, ai arrin të privatizojë edhe pronat private e publike, siç është edhe rasti me një tokë bujqësore, ku çmimi është shumë i lirë dhe fitimi shumë i lartë. Siç shprehet edhe vetë, teksa provon t’i bindë edhe disa oligarkë të tjerë për të investuar:
Sa kushton metri katror këtu [duke iu referuar tokës bujqësore të pazhvilluar]? 500, 1000 lireta. Nesër, i njëjti vendi, i njëjti metër katror, mund të ketë vlerë 70,000 lireta ose më shumë… Një fitim prej 5000 për qind. Sigurisht, ju mund të investoni edhe në fabrika, por do të përballeni me greva, sindikata, sigurime shëndetësore… Të gjitha këto vetëm sa do t’ju shkaktojnë ndonjë infarkt. Në rastin e pronave të paluajtshme, ndërkaq, nuk ka mundime e shqetësime. E gjitha është fitim i pastër dhe pa asnjë rrezik.
Mirëpo, ndërkohë, ai vazhdon me ndërtime në një lagje të vjetër punëtorësh – ku, një ditë prej ditësh, i shembet edhe muri i një ndërtese të tij, duke lënë kështu të vdekur dy veta dhe një djalosh të paralizuar në karrocë.
Të indinjuar me këtë, qytetarët napolitanë ngrihen të kërkojnë llogari. Më pas, në sallën e këshillit, shohim edhe De Vita, një komunist pasionant, duke u përpjekur të shtrojë çështjen e këtij skandali, masakrës urbane dhe korrupsionit politik; por që kryetari i bashkisë, për fat të keq, dëshiron ta mbyllë, duke i thënë De Vita-s se kjo “çështje nuk është në rendin e ditës.” Dhe De Vita ia kthen: “Zoti Kryetar, më fal, por njerëzit nuk mund t’i planifikojnë vdekjet për t’i përshtatur me rendin tonë të ditës.”
Për këtë arsye, De vita insiston që të krijohet një komision hetimor, i përbërë nga përfaqësues të çdo grupimit politik, për të hetuar konfliktin e interesit të Nottola-s. Por, me përjashtim të një anëtari, Balsamo-s, ai nuk arrin t’i “bindë” të tjerët që ka pasur konflikt interesi. Madje, Kryetari i Bashkisë, tamam si këta tanët në Kosovë e Shqipëri, refuzon kategorikisht që Nottola të ketë pasur fare konflikt interesi, duke i thënë De Vita-s që, në fund të fundit, edhe ai (Nottola) është qytetar privat; dhe si i tillë, shton ai, ai ka të drejtë të investojë kudo që dëshiron!
Kështu, Nottola shpëton pa asnjë ferrë në këmbë, si thuhet. Ndërkaq e vetmja shpresë për ndryshim, siç mund të shihet edhe nga filmi, është De Vita, i cili refuzon kategorikisht të bëhet pjesë e këtyre allishverisheve dhe u qëndron besnik parimeve, ideve dhe idealeve të majta.
E pashë të udhës t’i referohem këtij filmi sepse mendoj se ndihmon për të kuptuar skandalin e radhës së Bashkisë së Tiranës me lulishten e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.
Ashtu si në film, edhe këtu kemi të bëjmë me një prirje të pushtetit politik dhe oligarkik për të privatizuar hapësirën publike; e cila, besoj unë, është po aq totalitariste sa edhe ajo e shekullit të shkuar për zhdukjen e krejt pronës private. Sepse, të merremi vesh: parqet dhe hapësirat e tjera si këto nuk janë thjesht vende argëtimi e dëfrimi për fëmijët e të moshuarit, por edhe hapësira ku (mund) të lindin forma kolektive të subjektivitetit politik – siç ishte rasti, ta zëmë, me protestat masive e fundit në Parkun Gezi në Stamboll (2013), ku mijëra njerëz dolën në shesh për të kundërshtuar, fillimisht, planin për zhvillimin urban të këtij Parku; dhe, më pas, tkurrjen e lirisë së shtypit, lirisë së shprehjes, lirisë së asocimit, e kështu me radhë.
Njëlloj si në film, edhe këtu kemi të bëjmë me një veprimtari fitimprurëse, që i ka shndërruar jo pak politikanë në milionerë dhe jo pak biznesmenë në politikanë. Madje, në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se kjo është shndërruar në një nga industritë më fitimprurëse – krahas asaj të drogës, privatizimeve dhe tenderëve publikë. Ndryshe, politikanët dhe biznesmenët shqiptarë do të ishin duke ndërtuar fabrika tek ne, jo pallate. Por jo, – pse të ndërtojnë fabrika kur, brenda pak kohësh, mund të bëhen milionerë duke ndërtuar pallate? Siç e thotë edhe Nottola në film, këtu fitimi është i pastër, i kollajtë dhe pa asnjë rrezik, kurse ai me fabrika të sjellë njëqind mijë telashe.
Sërish si në film, edhe këtu kemi të bëjmë me politikanë që, në vend që t’u shërbejnë qytetarëve dhe publikut shqiptar, u shërbejnë veç interesave të oligarkëve dhe privatëve. Prandaj dhe Bashkia e Tiranës është pozicionuar në mbrojtje të këtyre oligarkëve, dhe jo qytetarëve. Edhe këtu kemi të bëjmë me një situatë ku një pjesë e konsiderueshme e parave përfundon, mes të tjerash, në llogaritë e partisë.
Për t’u shënuar se të vetmit aktivistë politikë që i kanë dalë në mbrojtje qytetarëve në Tiranë, madje edhe duke ngrënë dajak nga policët dhe kokërruarit (që të çojnë mallin e kokërruarve nazi-fashistë), janë të Organizatës Politike.
Mbase do të ishte rasti që filmi në fjalë të përdorej në protestën e kësaj së mërkure, si formë artistike e ndërgjegjësimit qytetar dhe kundërshtimit të pushtetit politik dhe oligarkik që i ka vënë për qëllim vetes përvetësimin e hapësirave publike në Shqipëri.
Ndoshta eshte koha per nje film/dokumentar i bazuar ne situaten aktuale te kesaj forme te bunkereve te ri ne Shqiperi.