Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Urbanistikë

ORA NË MAJË TË QYTETIT

I këtyre ditëve ishte lajmi se “Ora e Kullës së Sahatit, simboli i Kalasë së Gjirokastrës”, do të fillojë (ose ka filluar) të punojë sërish, pas një ngecjeje disavjeçare.

Siç njoftohet nga mediat, “Rifunksionimi [sic] i Kullës së Sahatit u arrit falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Rotary Club Gjirokastra.”

Ministrja e Kulturës Kumbaro do të deklaronte, me këtë rast, që “Simbolika e rregullimit të orës së kullës së sahatit është një thirrje e kohës.”[1]

E një kohe që bën thirrje për t’u matur nga e para: ja një pohim që ia vlen të këqyret seriozisht.

Në veprën Technics and Civilization (1934), filozofi Lewis Mumford e ka cilësuar orën mekanike si makinën a makinerinë që mundësoi, më mirë se çdo shpikje tjetër teknologjike, kalimin nga Mesjeta në Modernitet. “Ora, jo makina me avull, është makina kyç e epokës industriale moderne.”

Si aparaturë matëse e kohës abstrakte, shkruan Mumford, ora mekanike i përgjigjet rregullimit që u bëhej ritmeve të ditës në manastiret e Perëndimit dhe futjes së të ashtuquajturave “orë kanonike” kur duheshin kryer shërbesat dhe devocionet.

Ky koncept i ri për rregullin u adoptua pastaj nga qytetet, të cilat ua kopjuan manastireve edhe kambanat lajmëruese të “orëve” me ndërmjetësimin e kishave (katedraleve).

Ora, vëren Mumford-i, nuk është thjesht një mjet për të matur kohën, por edhe shërben për të sinkronizuar veprimet e njerëzve.

Ndërkohë edhe kambanaret kishin filluar ta modifikonin vijën e horizontit urban, duke kombinuar segmentimin e kuptimshëm të ditës me rregullimin dhe organizimin e lutjeve dhe të veprimtarive të tjera liturgjike.

Kullat e sotme të sahatit, në qytetet europiane, janë produkt i një kryqëzimi të kambanareve dhe makinës orëmatëse. “Kambanat që binin rregullisht,” thotë Mumford, “sollën një rregullsi të re në jetën e punëtorëve dhe të tregtarëve. Kambanat e kullës së sahatit praktikisht e përkufizonin ekzistencën urbane […] Dhe teksa ndodhte kjo, Përjetësia pushoi gradualisht së shërbyeri si masa dhe fokusi i veprimeve të njeriut.”

Me kalimin e viteve, vazhdon ai, “edhe borgjezia e re do ta zbulonte, e para, se koha është pará.” Që këtej, ideali borgjez do të kërkonte për çdo makineri, çdo organizatë dhe çdo institucion që “të punonte si sahat.”

Mumford vëren edhe se, në funksionin e vet “për të mbajtur kohën”, ora mekanike zëvendësoi muzikën, që deri atëherë ishte përdorur me atë funksion, në formën e këngëve të punës.

Përndryshe, ora – në formën e kullës së sahatit që e bënte matjen e orëve të dukshme dhe të dëgjueshme nga gjithë qyteti –edhe e ndihmoi qytetin të distancohej nga fshati dhe jetën urbane nga jeta në gjirin e natyrës.

Kullat e sahatit si kambanare laike në qytetet shqiptare e dëshmojnë në mënyrën e tyre këtë rol historik të orës gjithashtu, krahas me vullnetin për ta zbutur sundimin e fesë së organizuar ndaj organizimit të ditës në qytet.

Që roli i orëve publike në qytetet Perëndimore përjetohej drejtpërdrejt nga qytetarët si në në rrafshin praktik ashtu edhe në atë simbolik, këtë duket sikur e konfirmon – mes të tjerash – fakti që, gjatë ditëve të para të Komunës së Parisit, siç shkruan Benjamin-i (“On the Concept of History”), një numër i madh kullash sahati në Paris u qëlluan me armë nga kryengritësit dhe dolën jashtë përdorimit.

Kjo ndodhi në të njëjtin Paris, vëren Benjamin-i, ku më pak se një shekull më parë pushteti revolucionar kish adoptuar një kalendar të ri, për të matur kohën.

Gjithë duke komentuar për këtë incident të turbullt, Herbert Markuse thoshte se ata që i goditën orët “shprehën nevojën se koha duhej ndalur njëfarësoj; së paku koha mbizotëruese, “zyrtare” (established) dhe se ashtu “do të niste një kohë e re.”

Në qytetet shqiptare, nga një periudhë historike në tjetrën, orët edhe punonin edhe mbeteshin; por nëse mbeteshin, kjo nuk ndodhte gjë në përgjigje të ndonjë nevoje urgjente për revolucion a përmbysje dhe as ngaqë i qëllonte kush me pushkë: thjesht mirëmbajtja çalonte dhe rrotullimi ia linte vendin stazës.

Edhe pse oraret ishin mekanizëm kyç për organizimin e ditës dhe sistemimin e rutinës nën totalitarizëm, qytetarët zakonisht nuk i merrnin të dhënat për orën nga këto kulla, të cilat ishin tepër të pakta për të mbetur funksionale.

Që këtej, fakti që punonte apo jo ora në qendër të qytetit nuk ndikonte në mbarështimin e ditës dhe sinkronizimin e jetës socialiste, por vetëm sa shënjonte kujdesin e Bashkisë përkatëse, në mirëmbajtjen e një funksioni gjithnjë e më tepër simbolik.

Një orë e mbetur, një orë e vdekur në majë të një kulle, sot e kësaj dite shkakton shqetësim publik; është në natyrën tonë që të duam ta shohim në punë, a thua se lëvizjet e akrepave të saj janë kritike për jetën e qytetit.

Përndryshe, ora e kullës së sahatit në Kalanë e Gjirokastrës sot nuk i duhet praktikisht askujt për të matur kohën, në këtë epokë kur nuk ka mbetur kush pa një telefon celular, pa folur për orë dore, laptop, PC, tableta dhe orë të tjera tavoline ose të varura në mure ose kudo tjetër.

Është një lodër ornamentale që i jep hijeshi qytetit tani edhe ngaqë nuk i hyn qytetarit as vizitorit në punë, përveçse për bukurinë e vet dhe vendin “e duhur” që ka në peizazhin urban.

Roli i saj nuk është të mbajë tempon e qytetit, por vetëm të lajmërojë se “unë jam orë në gjendje pune në një kullë” ose të shënjojë vetveten edhe pasi i ka humbur atributet praktike; njëlloj si qiriri dekorativ që vazhdon të digjet në një dhomë përndryshe të ndriçuar paq.

Madje një kullë sahati, aq më tepër e hijshme dhe në gjendje të mirë pune, tani bën sikur po e transporton soditësin dhe admiruesin e saj në të shkuarën, ose në atë kohë kur këto elemente të arkitekturës urbane e kishin një funksion praktik. Kushedi, ndonjë ditë një rehabilitim i ngjashëm mund t’u dhurohej edhe topave të kalasë…

Ironikisht, rivënia e orës në punë nuk është aq rikthim në funksionin kohëmatës dhe as provë e rehabilitimit të një urbanizmi arkaik, sa shenjë kuptimplote se për monumentet e qytetit tani ka dikush që kujdeset; ose provë që administrata lokale e ka qytetin në kontroll. Matja e orës nga rishtas nga kulla në kala i shërben dukshmërisë publike të pushtetit dhe një tundimi të lehtë mesianik, që manifestohet në dëshirën për ta rifilluar matjen e kohës si të bëhej fjalë për një Kohë të Re.

Besoj për humor, ABC News, këtë sihariq të rikthimit të orës në Gjirokastër e përcolli kështu: “Pas 27 vite heshtje do të dëgjohet tik-taku i saj.” Tik-taku i një kulle sahati në majë të kalasë? Të zotë ata burra dhe gra që do ta dëgjojnë…


 

[1] Simbolike është edhe që riparimin e kësaj ore mekanike po e mundëson  një shoqatë – Rotary Club – që përdor si logo një rrotë me dhëmbëza, në harmoni edhe me “rrotullimin” në emër.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin