Në lidhje me përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Venezia-s këtë vit dhe ndonjë event tjetër kulturor të njëkohshëm, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shkroi sa vijon në faqen e saj në Facebook:
Jam e bindur në rolin emancipues të artit e të kulturës në shoqëri siç nuk vë në dyshim shërbimin e jashtëzakonshëm që i bën kultura vendit në forcimin e pozicionit të vet në skenën ndërkombëtare.
Shqipëria dhe Kosova kartëvizitën më të mirë kanë artin dhe kulturën, kalorësit më të fortë kanë artistët, gratë e burrat e kulturës dhe lajmet më të mira i kanë prodhuar me art e kulturë.
Politika në Shqipëri e në Kosovë ka shumë për të mësuar prej tyre, po të jetë e mençur edhe mund të përfitojë prej tyre, po të jetë largpamëse duhet t’i mbështesë ata, po të jetë e emancipuar duhet t’u kerkojë ndjesë se u ka borxhe me dekada.
Sot, aty ku është dritëshkurtër politika rri në çadra, fshihet pas gishtit, punon kundër progresit, madje prodhon antikulturë.
Për fat të mirë Kultura ecën para dhe na jep shpresë e dritë se do ndryshojë politikën dhe do emancipojë shoqërinë.
Nuk mund të spekuloj për synimet që e shtynë znj. Kumbaro të shprehet kështu, por do të komentoj më poshtë për efektin e këtyre fjalëve, të cilat nuk i kapërdiva dot.
Ato lënë të kuptohet, mes të tjerash, se artistët krijojnë për t’i shërbyer vendit të tyre, çfarë është absolutisht naive, në mos e gabuar – dhe i përket si koncept, në mos realizmit socialist, të paktën një kombëtarizmi të thjeshtuar, i cili vë interesat e grupit (në rastin përkatës, të kombit) mbi ato të individit dhe e përfytyron kulturën si një orvatje kolektive për të emancipuar kombin, në vetvete dhe në raport me kombet e tjera, sikurse kërkon edhe të imponohet si default-i i çdo politike kulturore.
Sikurse lënë të kuptohet se artistët shqiptarë i bashkon ndonjë synim i lartë ose suprem ose ndonjë parim krijues kombëtar, duke i dalluar kështu nga artistët e kombësive të tjera, çfarë është dyfish naive dhe ndoshta dyfish e gabuar; sepse artistët shqiptarë përfaqësohen individualisht secili me veprat e tyre; dhe se nuk ekziston ndonjë art vizual shqiptar, as si shkollë krijuese dhe as si program i artistëve që qëllon të jenë të kombësisë shqiptare.
Kur flitet për artistë shqiptarë, fjala gjithnjë është për individë qytetarë shqiptarë, të cilët krijojnë për publikun shqiptar; pa çka se në këtë grup përfshihen ndonjëherë edhe artistë me prejardhje shqiptare, të cilët nuk krijojnë për publikun shqiptar, por që thirren të marrin pjesë në evente të tilla, sikurse thirren futbollistët nga Zvicra dhe nga Gjermania, për të luajtur me kombëtaren. Iluzioni, dhe ndonjëherë gënjeshtra, fillojnë kur këtij lloj grupimi, të artistëve shqiptarë, i jepen atribute dhe valenca mirëfilli artistike – a thua se artistët shqiptarë krijokan në ndonjë mënyrë specifike “shqiptare”; çfarë mund edhe të ketë bazë në rastin e shkrimtarëve që shkruajnë shqip, por jo edhe të artistëve vizualë.
Këtë e them i vetëdijshëm se, në Perëndim, jo rrallë art i mirëfilltë do të mbahet vetëm ai i krijuar nga artistët perëndimorë, ndërsa arti tjetër do të shihet gjithnjë si etnikisht i ngjyrosur; a thua se një artist nga Namibia, nga Shqipëria apo nga Trinidadi nuk munden veçse të mishërojnë a të performojnë, nëpërmjet artit që bëjnë, identitetin e tyre etnik; çfarë është thjesht folklorike dhe padronizuese, sa kohë që presupozon ekzistencën, brenda panoramës së artit vizual, të dialekteve kombëtare sipas origjinës etnike të autorëve.
Nëse mund të flitet ende për artistë shqiptarë, në kontekstin e Bienales, kjo vjen ngaqë Bienalja vetë është e organizuar në bazë të shteteve pjesëmarrëse; dhe qeveritë përkatëse mbështetin financiarisht dhe moralisht pjesëmarrjen e artistëve.
Shtetet dhe qeveritë përkatëse përpiqen të shfrytëzojnë artin dhe artistët, për të fituar kapital para së gjithash politik dhe më tej kulturor; çfarë e bëjnë nëpërmjet pagesave, honorareve, mbështetjes financiare dhe gjithçka tjetër të ngjashme, me burim nga paratë e taksapaguesve ose të donatorëve.
Ky përdorim që u bëjnë shteti dhe sidomos pushteti artit dhe artistëve është vetë-shërbyes dhe ka natyrë tejet politike, edhe pse maskohet me kozmetikë kombëtariste.
Artistët mund të vendosin të bëhen pjesë e kësaj loje dhe të bashkëpunojnë me pushtetin, qoftë ngaqë gjykojnë se kjo i shërben veprës së tyre dhe popullarizimit të saj; qoftë ngaqë besojnë se nuk kanë opsion tjetër; qoftë ngaqë mendojnë se pushteti duhet ndihmuar edhe me art; qoftë ngaqë janë aq naivë sa të besojnë se kështu po i shërbejnë popullit, kombit, atdheut, flamurit dhe të tjerave klishe si këto.
Në fakt politikanët janë ata që shërbejnë; por artistët jo. Artistët shërbejnë kur vihen në shërbim të politikës.
Dhe më duket tejet anti-artistike ideja që një artist të vihet të krijojë dhe të ekspozojë veprat e veta “për t’i bërë shërbim vendit në forcimin e pozicionit të vet në skenën ndërkombëtare.” Sepse një artist që vepron kështu nuk është më artist, por propagandist; madje edhe sikur të vepronte thjesht e vetëm me qëllime fisnike, do të ishte propagandist me qëllime fisnike.
Politika në Shqipëri – për të cilën Kumbaro ka plotësisht të drejtë të flasë – dhe në Kosovë – për të cilën Kumbaro nuk e kuptoj se me ç’titull i jep direktivat – mund dhe duhet vërtet t’i mbështesë artistët; por idealja do të ishte sikur t’u krijonte artistëve kushte që të mos kishin nevojën e politikës, për të krijuar lirisht.
Kjo është edhe vetmja mënyrë – për mendimin tim – se si kultura mund të emancipojë shoqërinë; dhe një politikë e cila nuk bën dot pa futur duart në art, dhe pa shfrytëzuar arritjet e artistëve jo rrallë në mënyrë vetë-shërbyese krejt parazitare, e shumta që mund të bëjë është që t’u sigurojë artistëve lirinë krijuese dhe mundësinë për të punuar me dinjitet. Gjithçka tjetër, përfshi këtu edhe përzierjen në muhabet të “çadrës”, nuk ka lidhje as me kulturën dhe artin, por me një lloj politike e cila qëndron në antipodet e artit, sepse është skllave e interesave të ditës, meskinitetit dhe kalkulimeve me laps kopjativ.