Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Letërsi

POSTBLLOQET E LIBRIT

Nga një artikull i Kliton Nesturit, botuar në “Dita” (Provincializmi letrar shqiptar) mësova diçka të çuditshme – ose të paktën të çuditshme për mua: libri në Shqipëri po qarkullon sipas kufijve krahinorë.

Shkruan Nesturi:

Sot, në çdo anë të Shqipërisë, nga veriu në jug, ka grupime letrare, të cilat në një mënyrë a në një tjetër janë shndërruar në klane, duke zhvilluar një luftë sa të shpallur e po aq të heshtur, jo vetëm brenda për brenda tyre, por edhe njëri me tjetrin. Ky klanizim ka bërë që jeta letrare e qyteteve tona të ngulfatet duke u bërë monopol. Aq e vërtetë është kjo, sa që po të hedhim një vështrim në fondet e bibliotekave të qyteteve, do të shohim se me fondet e dhëna për blerje veprash nga ana e shtetit, këto institucione publike, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë dhe të kultivojnë në radhë të parë kulturën dhe interesin kombëtar, janë bërë thjesht pasqyra të reflektimit provincial.

Konkretisht, vazhdon ai, “në bibliotekën e Elbasanit nga fondet e përdituara janë blerë vetëm libra të autorëve të Elbasanit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Durrës, Lushnjë e kudo ku bibliotekat i janë gëzuar një fondi të dhënë për pasurimin e tyre.”

Teksa “klanet e qyteteve të vogla” kanë marrë në kontroll fondet e bashkive përkatëse për kulturën, gjithë Shqipëria është ndarë në “provinca letrare.”

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, për shkak edhe të paketës së re fiskale që e ka vështirësuar shumë shpërndarjen e librit shqip, një autor jo-lokal e ka praktikisht të pamundur që ta shohë librin e vet në ndonjë prej librarive lokale – pa folur pastaj për shkëmbimet e librave me Kosovën dhe viset ku jetojnë shqiptarë në Ballkan.

Edhe pa e treguar me gisht si fajtore për këtë situatë alarmante, Nesturi shënon se Ministria e Kulturës “nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë vizion për këtë çështje.”

Që libri në Shqipëri nuk qarkullon mirë, këtë e kisha ditur; por që pengesë për këtë të bëhet jo vetëm politika e keqe ekonomike me librin, por edhe krahinizmi – ose fortifikimi i autorëve lokalë në kullat e tyre, kjo më kapi të papërgatitur.

Pa çka se është e logjikshme që, atje ku dështon shteti, të ngrenë krye interesat lokale; çfarë nuk do marrë aq si shenjë autonomie, sa si simptomë e tkurrjes së numrit të lexuesve – të cilët shqipja i ka gjithsesi të pakët.

Nuk e verifikoj dot kritikën e Nesturit; por sa kohë që nuk kam parë gjëkundi ndonjë zemëratë institucionale, jam i prirur ta besoj – pa çka se gjithnjë më duket absurde ajo botë ku bibliotekat e Durrësit mbushen me autorë durrsakë, ndërsa bibliotekat e Fierit me autorë fierakë.

Kjo nuk do të ishte më letërsi, por reformë agrare.

Edhe pa e mësuar këtë, kam pasur bindjen se politika e librit, që ndjek ky ekzekutiv dhe veçanërisht Ministria e Kulturës ende nuk po orientohet ndaj problemeve serioze të librit shqip.

Këto ditë u mbushën mediat me lajme për lexime publike, ku u përfshinë edhe ministra dhe autoritete të tjera; pa çka se veprimtari të tilla janë të rangut të një OJQ-je dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i autoriteteve më duket i tepruar.

Është folur shumë edhe për përkthimin e autorëve të sotëm shqip në gjuhë të huaj, me ndihmën edhe të Ministrisë së Kulturës.

Unë jam vetë autor i disa librave dhe vërtet do të më pëlqente sikur librat e mi të përktheheshin në gjuhë të tjera. E megjithatë, përparësia ime absolute, si autor, është që librat e mi t’u shkojnë në dorë atyre lexuesve, për të cilët unë i kam shkruar: bashkëkombësve të mi kudo që janë.

Prandaj më duket absurde që i njëjti shtet që nuk arrin të sigurojë shpërndarjen kapilare të librit shqip në të gjitha vendet ku flitet dhe lexohet shqipja; dhe që gjithashtu nuk e vret shumë mendjen për të gjetur mënyrën që t’i ulë çmimet e librave, mund të gjejë kohë, para dhe energji që të kujdeset e të investojë për përkthimin e librit shqip për lexuesit në Itali, në Francë dhe në Gjermani.

Dyshimi që kam është se, edhe në këtë skenar, përkthimi i librit shqip do të bëhet më shumë për synime propagandistike të pushtetit, njëlloj si shumë e shumë veprimtari të tjera, për të cilat lexon dhe dëgjon nga të gjitha anët; çfarë do të thotë se ekzekutivi do të angazhohet këtu për të arritur synimet e veta politike – të cilat nuk kanë të bëjnë me synimet e mia artistike.

Ka edhe një hallkë të tretë, që nuk duhet t’i mungojë këtij arsyetimi: botuesi. Si autor, unë i kuptoj deri-diku marrëdhëniet e botuesve me autorët – por kurrë nuk kam arritur të kuptoj marrëdhëniet e botuesve me pushtetin; dhe veçanërisht me autoritetet kombëtare dhe lokale në fushën e kulturës, të arsimit dhe të mediave.

Logjika më thotë se çdo botues ka interes që të shesë sa më shumë kopje të librave që boton; dhe nëse politika e sotme e shpërndarjes së librit arrin të krijojë monstruozitete të tilla si ajo e librarive dhe bibliotekave në qytetin N. që ofrojnë vetëm vepra të autorëve nga qyteti N. dhe rrethinat, atëherë kjo politikë është drejtpërdrejt në dëm të botuesve.

Si autor, unë do të doja që një libër imi t’u ofrohej lexuesve si në Kukës, si në Korçë, si në Shkodër, si në Sarandë; dhe e lumtur do të ishte ajo ditë, kur të më thonin se ky libër, krahas veprave prej kolegëve të mi, të ekspozoheshin në libraritë e Prishtinës dhe të Prizrenit, të Shkupit dhe të Tetovës, të Gjakovës dhe të Ulqinit.

Kjo do të kish shumë më domethënie për mua, se botimi i librit tim, ta zëmë, në Bullgari ose në Holandë ose në Estoni.

Nëse pushteti pastaj ndihmon edhe që libri im të eksportohet, kjo do të më gëzonte; por mes arsyeve për të cilat shkruaj dhe botoj, eksporti renditet nga fundi. Dhe, në çdo rast, menjëherë do të kisha hequr dorë nga kjo lloj mbështetjeje, sikur ta dija që do ta zëvendësonte vëmendja dhe angazhimi serioz për ta shpërndarë librin tim shqip. Sikur.

14 Komente

  1. Është padyshim një formë e protestës antiglobalizim në Shqipëri. Buy local… : )

  2. Ndërsa e kuptoj zgjedhjen e një biblioteke provinciale që të blejë libra për vendin e vet, por nga autorë të ndryshëm, ta zëmë biblioteka e Durrësit blen libra që flasin për historinë, artin, turizmin etj. në Durrës, më duket pak absurd vendimi që të blihen vetëm libra të shkrimtarëve me prejardhje nga ai qytet. Në rastin e parë shtysa mund të jetë krijimi i një sektori të posaçëm që përmban libra për qytetin apo zonën. Por pa u kufizuar në këtë tematikë. Rasti i dytë, në rast se e marrim të mirëqenë, nuk mund shpjegohet vetëm me dëshirën për të evidentuar rolin e shkrimtarëve dhe studiuesve brenda kulturës kombëtare. Por rëndësi ka që të mos ketë ekskluzivitet, të jetë vetëm një pjesë e vogël. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se, edhe autori që ka shkruar për Lezhën ose Sarandën, dëshiron me gjithë zemër që libri t’i kalojë kufijtë e rrethit të vet. Kjo do të ishte edhe në të mirë të vendlindjes së tij.

  3. Problemi mund të jetë një solidaritet i keqkuptuar, krahinor, midis bibliotekarëve, bashkive përkatëse që japin fondet dhe autorëve të zonës, por mund të jetë dhe një arsye më banale, ku dy apo tre palët bien në ujdi mes tyre për të përdorur dhe për të ndarë fondet (ndërsa librarive private nuk mund t’u vemë shumë faj, ata thjesht i përshtaten kërkesës)

    Zgjidhja mund të ishte një urdhëresë e qeverisë për bashkitë, që nga fondet e vëna në dispozicion prej tyre për blerje librash jo më tepër se, le të themi, 10 përqind e fondit të shkoj për blerje librash të autorëve të zonës. Plus kontrollit nga MK, p.sh. në formën e një liste të librave të blera gjatë vitit me këto fonde, që i dërgohet MK në fund të vitit.

  4. Është rregull që librat e autorëve të qytetit ose krahinorë nuk blihen nga biblioteka; i dhurojnë vetë autorët ose shtëpitë botuese. Për problemet e tjera ndaj të njëjtin mendim.

  5. Eshte absurde te thuhet se bibliotekat blejne vetem librat e autoreve lokale.
    Fakti eshte se ne Shqiperi botohen rreth 400 libra me letersi nga autore shqiptare ne vit, shumica e te cileve pa asnje vlere, qe nuk kalojne asnje filter para botimit. Thjesht autoret u paguajne shtepive botuese shpenzimet e botimit dhe shpesh here e marrin persiper vete shperndarjen.

    As qe mund te mendohet qe bibliotekat lokale te blejne te gjithe librat qe botohen. Me fondet e kufizuara qe kane ato blejne librat e autoreve te njohur e te afirmuar dhe nese u mbeten leke, ndoshta, blejne ndonje liber nga autoret minore lokale. Them “ndoshta” sepse une nuk e besoj ate qe thote Nesturi, i cili para disa muajsh botoi nje artikull te ngjashem ku ankohej se librarite mbajne dhe shesin vetem autore lokale. Ne te vertete librarite mbajne dhe shesin librat qe kerkon tregu, pavaresisht nga origjina e autoreve. Me sa duket librat e Nesturit nuk shperndahen dhe nuk shiten aq sa do te donte ai, por per kete nuk i kane faj as bibliotekat, as librarite. Gjithe ky diskutim bazohet mbi ato qe thote Nesturi, por eshte per t’u çuditur sesi askujt nuk i shkon nder mend te shtroje pyetjen nese eshte vertet ashtu.

    1. Shkrimi i Nesturit është botuar në një gazetë relativisht mjaft të lexuar, si “Dita”. Ende nuk kam parë gjëkundi ndonjë përgënjeshtrim ose kontestim zyrtar. I lutem kujtdo që ndesh në një të tillë që të na e sjellë në vëmendje.

      Relapso, kam edhe një problem me shprehjen tënde “libraritë mbajnë dhe shesin librat që kërkon tregu,” sepse kjo do t’i dënonte me vdekje librat që NUK i kërkon tregu. Aq më tepër që, nga gjithë faktorët që ndikojnë në qarkullimin e librit, tregu ndoshta është më i manipulueshmi (madje një librari e mirë mund ta ndikojë edhe tregun). Dhe gjithsesi, unë nuk pres që ilaçi kësaj katrahure t’i vijë nga librashitësit.

      1. Ne gjithe boten filtri i pare qe duhet te kaloje nje liber para se te botohet eshte ai i botuesit. Jane botuesit ata qe zakonisht garantojne cilesine e librit: botuesit e mire pritet te botojne libra te mire.

        Ky mekanizem ne Shqiperi nuk funksionon. Botuesit tane kane mbetur ne nivelin e tipografeve dhe tregtareve, nuk kane arritur te behen botues te vertete, pra garante te cilesise se librave qe botojne. Ne Shqiperi nuk ka botues qe ta refuzon botimin e nje libri po t’i japesh shumen qe te kerkon. Cilesia e librit as qe hyn fare ne kandar. Kjo ka shkaktuar nje inflacion te jashtezakonshem botimesh, qe nga njera ane demton autoret dhe librat e mire, nga ana tjeter e fut ne veshtiresi edhe tregun e librit.

        Librashitesit qe jetojne me shitjen e librave kane interes te shesin librat qe kerkon tregu. Me kete besoj se jemi dakord. Nga ana e tij tregu reflekton shijet e lexuesit qe nuk ndikohen vetem nga publiciteti, por edhe nga cilesia e vertete e librave. Diku ne kete mes duhet te kishte vend edhe per rolin e kritikes, por ja qe nuk e kemi ate fat. Ne Shqiperi funksionon mekanizmi i perhapjes se fjales goje me goje.

        Nje shembull:

        Mbaj mend qe para disa vitesh u botua nje vellim me tregime i Romeo Çollakut. Pa asnje forme publiciteti a promovimi paraprak u hap fjala goje me goje se ishte liber shume i mire dhe brenda pak muajsh u shit i gjithi. Ne fund te vitit ai vellim mori nje çmim kombetar, si libri me i mire ne proze. Nderkohe autori ishte ne Greqi si emigrant pa dokumente dhe per kete arsye jo vetem qe nuk pati mundesi te promovonte librin e tij, por nuk mundi as te shkonte ne Tirane per te terhequr çmimin sepse nuk kishte dokumente.

        Dua te them se edhe ne xhunglen shqiptare libri i mire e gjen rrugen per te lexuesi.

  6. Shembulli yt është dëshpërues – aq më tepër që edhe unë mund të sjell shembuj librash që mua më janë dukur shumë të mirë, por që janë pritur, në fakt, me indiferencë, sepse ka munguar vëmendja, ka munguar kritika, ka munguar reklama, ka munguar mbështetja.

    Në fakt unë besoj se ideja që “libri i mirë e gjen rrugën për te lexuesi” është pjesë e problemit të madh që ka në Shqipëri me librin. Nuk ka botues sharlatan që të mos jetë dakord me të; ku ka më të lehtë dhe më konveniente, që të thuash se një libër nuk u shit sepse nuk bënte?

    E kundërta është e vërtetë: librat më të mirë (sipas kritereve thjesht letrare) mbeten shpesh pa u shitur. Pyet ndonjë botues serioz, të cilit ia beson fjalën – që të ta konfirmojë.

    1. Per arsye largesie fizike une nuk i ndjek dot flake per flake botimet e reja. Por me ka qelluar shpesh qe kur shkoj ne Shqiperi dhe kerkoj libra te botuar ndonje vit me pare, nuk i gjej ne shitje, sepse nderkohe jane shitur. Me ka ndodhur te kontaktoj drejtperdrejt edhe botuesin i cili me ka thene te njejten gje: “me vjen keq, por ka mbaruar, nuk me ka mbetur asnje kopje”. Nje liber i mire ne Shqiperi qe i besohet nje shperndaresi te mire shume-shume brenda tri-kater vitesh shitet i gjithi. Varet edhe nga tirazhi, nga kujdesi ne shperndarje dhe sidomos nga ndershmeria e botuesit, por natyrisht nuk mund te pritet qe libri te shitet brenda dy muajsh. Numri i lexuesve ne Shqiperi eshte ai qe eshte. Me gjithe problemet e ditura qe ka libri, si mungesa e kritikes, problemet e shperndarjes etj. librat e mire pergjithesisht shiten. Afermendsh qe botuesit dhe autoret do te donin te shiteshin me shume e me shpejt, por prapeseprape shiten.

      Heren e fundit qe isha ne panair pata rast te flisja me nje botues te rendesishem, i cili u perpoq te me argumentonte se nga pikepamja ekonomike nese nje liber nuk shitet i gjithi brenda vitit, botuesi del me humbje. Prandaj, me thoshte ai, botuesit jane te detyruar t’u kerkojne para autoreve librat e te cileve nuk garantojne nje shitje te menjehershme.

      Nuk jam ne gjendje te kuptoj arsyet ekonomike te ketij argumentimi, por te them te drejten te pretendosh qe libri te shitet brenda vitit mua me duket krejt absurde. Librat nuk jane si qoftet qe shiten sa jane te ngrohta.

      Tani meqenese permendem shembujt, a me sjell, te lutem, nje shembull te nje libri “shume te mire (sipas kritereve thjesht letrare) qe ka mbetur pa u shitur” per disa vjet?

      1. Një botues mund ta shtypë një libër në 100 kopje dhe pastaj të thotë, bashkë me autorin, se libri është shitur krejt. Një libër që mungon në treg sepse është shitur nuk do të thotë asgjë; sepse botuesi i mirë, kur e sheh që libri iu shit, printon menjëherë kopje të tjera, nuk u thotë njerëzve se “u shit,” si shitëset e artikujve të përzier qëmoti.

        Nga përvoja personale shtoj se prej një librit tim përndryshe mjaft të shitur kanë mbetur edhe disa qindra kopje gjendje në magazinë – por unë atë libër e konsideroj sukses timin edhe si numër kopjesh të shitura; dhe mbetjet shpjegohen vetëm me atë që botuesi e pat shtypur në disa mijëra kopje.

        Ka pastaj raste kur një shtëpi botuese, ku boton aksh shkrimtar i klasit të parë, nuk arrin dot as të hapë stendë në Panair – ashtu librin e tij do ta kërkojnë dhe nuk do ta gjejnë dot.

        Por nuk kam shkruar më lart për këto – përkundrazi; kam shkruar për defektet në shpërndarjen e librit dhe krahinizmin (siç e referon Nesturi) dhe dështimin e sistemit të librarive dhe të bibliotekave, për shkak të, sipas meje, indiferencës dhe inkompetencës së shtetit dhe, sidomos, të ekzekutivit.

  7. Pikërisht sot, në edicionin ndërkombëtar të The New York Times, flitet për një shkrimtar suedez, Fredrick Backman, dorëshkrimi i të cilit “A man called Ove”, tashmë një bestseller, qenkësh pritur mjaft vakët nga shumë botues, njëri prej të cilëve refuzimin e vet e paska motivuar kështu: “Ne na pëlqen romani juaj, ne mendojmë se ju keni potencial në të shkruar, por nuk arrijmë të shohim potencialin komercial”.
    Duket se problemi nuk është vetëm ndër botuesit shqiptarë.

  8. Nese kjo qe thote ky Kliton Nesturi eshte e vertete, do te thoja se ne kete rast jane vete autoret e ketyre librave fajtore, (ne fakt ketu shkon me shume fjala “batakci”), sepse cdo autor ka detyrimin moral ndaj lexuesve te zones se tij qe ti coje disa kopje falas bibliotekes, ne te kundert eshte mese e qarte 100% qe ky autor ka hyre ne matrapazllwqe me te njohur te zonen e tij qe t’ia blejne librin! Sepse ku e morri vesh biblioteka qe x dhe y autor nga rrethi i tyre ka botuar libra?!? Lajmet e medias keshtu qe keshtu nuk informojne per cdo lloj titull te ri! Ndaj, keto blerje nga bibliotekat e rretheve per autore te rretheve te tyre, (nese vertet ekziston ky fenomen), bien ere mafia.

  9. Do te doja te thoja edhe disa fjale per Relapson dhe A. Vehbiun, por nuk mund ti markoj disa pasazhe, qe ti kopjoj dhe ti hedh ketu tek komenti im, duket nga fakti se kjo faqe e Ardianit eshte ne PDF, ndaj me ngelet vetem te hidhem me tej e te nenvizoj nje nga dhjetra faktet personale, (fatkeqe apo fatlume te ketij vendi le ta gjykojne te tjeret): tre here i kam shkruar Shoqates se botuesve ne kuadrin e afer nje viti, duke e pyetur per disa kritere te pjesmarrjes ne panairin e librit, mirpo deri tani nuk kam marre asnje pergjigje! E veshtire per te kthyer nje pergjigje?!? Nuk e kam fjalen ketu per vleren e librave te mij, sepse nuk ka nene (autor) qe ta shaje femijen (librin) e vet, pra nuk dua ta personalizoj problemin sepse subjektivizmi eshte i demshem edhe per vete autorin, por do te isha kureshtar te me pergjigjej ndonjeri se perse nje autor i caktuar nuk mund te marri informacion per dy-tre pyetje drejtuar shoqates se botuesve? Gjithashtu, po t’ju tregoja odisete e tjera ne drejtim te dhurimit te librave, (jo vetem te mite, por edhe libra te shume autorve te tjere, shqiptare dhe te huaj), odise keto qe ne 60-70% te rasteve kane qene mjaft disiliniozuese, (jo aq nga bibliotekat, se sa nga disa zyra shteterore), jam i sigurte se nuk do ti besonte as edhe nje shqiptar keto odise! Po nejse, koha i melhelm disa gjera!

  10. Pse te mos e besoj Nesturin?Krahinizem po veme re edhe ne perkthimet,kryesisht ne gegerisht.Personalisht,gegerishten e dua fort,por tendenca eshte e demshme dhe e qellimte(nje lloj revanshi).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin