Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

DHËMBËT E INTELEKTUALËVE

Imazhi i një Mozart-i gjeni që rreket të mbajë kokën mbi ujë, teksa dhjetëra Salierë i vërtiten poshtë, për të gjetur momentin që ta fundosin, edhe i përgjigjet edhe nuk i përgjigjet realitetit. Zilia nuk është gjë shpikje e romantizmit, por edhe nuk mjafton, e vetme, për të shpjeguar marrëdhëniet mes krijuesve: ka zili, por ka edhe solidaritet; madje ndonjëherë nuk është lehtë të gjesh se ku mbaron refuzimi i solidaritetit dhe ku fillon zilia, smira dhe keqdashja.

Por imazhi i një Mozart-i të vetëm dhe i shumë Salierëve që duan ta heqin qafe është edhe karakteristikë e kulturave provinciale, të cilat mediokritetin e tyre e projektojnë me lehtësi në dinamikat e fantazuara të këtyre marrëdhënieve. Sepse është karakteristikë për mjediset kulturore periferike dhe të mënjanuara që t’i identifikojnë profesionet ose rolet, duke filluar nga ato të krijuesve, me individët që qëllon t’i kenë bërë të vetat. Që këtej edhe ato që do t’i quaja “kultura me një poet”, që janë riprodhim i strukturave social-kulturore të katundit – të kuptuar këtu si botë të kufizuar, të vetë-izoluar dhe të varfër.

Kjo më kujton një pasazh nga Claude Lévi-Strauss, në Tristes Tropiques, ku ky përshkruan disa tipare pikante të jetës qytetare në São Paulo-n ende tepër provincial të Brazilit në vitet 1930, për t’u ndalur tek elitat lokale, ose ajo çfarë ai e quan “aristokracia pauliste”.

Brenda këtij grupi, shkruan ai, “i ndeshje të gjitha mënyrat për të kaluar kohën, shijet, kuriozitetet e justifikueshme të qytetërimit bashkëkohor, por secila nga këto përfaqësohej nga një ekzemplar i vetëm (theksimi im, A.V.). Miqtë tanë nuk ishin tamam persona, por funksione, të renditura sipas rëndësisë së tyre esenciale, jo disponueshmërisë. Kështu gjendej atje katoliku, liberali, legjitimisti, komunisti; dhe, në një plan tjetër, shijetari i rrallë, bibliofili, i apasionuari pas qenve (ose kuajve) të racës, pas pikturës antike, pas pikturës moderne; dhe më tej akoma, eruditi lokal, poeti surrealist, muzikologu, piktori.”

“Në origjinë të këtyre vokacioneve,” vazhdon Lévi-Strauss-i, “nuk ishte ndonjë interes i mirëfilltë për t’u thelluar në një fushë të njohjes; nëse qëllonte që dy individë, për shkak të një manovre të gabuar ose për xhelozi, zinin të njëjtin truall ose vendoseshin në troje të afërta, këta atëherë nuk mendonin për gjë tjetër, por veç si ta shkatërronin njëri-tjetrin, me një këmbëngulje dhe mizori të hatashme.”

“Nga ana tjetër, mes feudeve fqinje, shkëmbeheshin vizita intelektuale, reverenca dhe temena; dhe gjithsekush ishte i interesuar jo vetëm të mbronte pozicionin e vet, por edhe të përsoste atë minuet social, me të cilin shoqëria pauliste dukej se zbavitej pa masë.”

“Duhet pranuar se disa nga këto pjesë luheshin me një gjallëri të jashtëzakonshme, që i detyrohej pasurisë së trashëguar, hijeshisë së lindur dhe dinakërisë së fituar, çka e bënte kaq të këndshme dhe njëkohësisht deprimuese jetën e salloneve. Por nevoja që të mbuloheshin të gjitha rolet, për ta plotësuar mikrokozmosin dhe për të luajtur lojën e madhe të qytetërimit sillte me vete edhe ndonjë paradoks – dhe pikërisht që komunisti, bie fjala, ta shihte veten si trashëgimtar të feudalitetit lokal; ose që një shoqëri kaq formaliste sa kjo t’ia lejonte njërit prej anëtarëve të vet, por vetëm njërit – sepse duhet pasur xhanëm edhe një poet avangardist – që të dilte në publik me dashnoren e vet rijoshe.”

Në këtë mikrokozmos, nuk janë artet dhe dija që kultivohen, por rangu social, i cili mundësohet nga monopoli: i rolit, i statusit dhe i njohurive. Lévi-Strauss jepte leksione në universitetin e atjeshëm, dhe shkruan, për studentët e vet se “ata donin të dinin gjithçka por, në çdo fushë, interesoheshin vetëm për teorinë më të fundit”; dhe se “të lodhur nga banketet intelektuale të së shkuarës, që i njihnin vetëm me të treguar, meqë nuk i lexonin kurrë veprat origjinale, ruanin entuziazëm gjithnjë për pjatat më të reja. Edhe pse, në rastin e tyre, më shumë se për kuzhinë, duhet folur për modë: idetë dhe doktrinat për ta nuk kishin ndonjë interes në vetvete, por konsideroheshin si instrumente prestigji, ku duhej siguruar primati. Përkundrazi, të bashkëndaje një teori të njohur edhe prej të tjerëve ishte njëlloj si të vishje rroba të përdorura: duke rrezikuar humbje të prestigjit. Prandaj edhe ajo konkurrencë e tërbuar, që nuk ndalej as para revistave popullarizuese, periodikëve me natyrë sensacionale dhe manualeve, për të shtënë në dorë ekskluziven e modelit më të fundit, në fushën e ideve.”

Lévi-Strauss habitet: “Kolegët e mi dhe unë, të seleksionuar në shtallat akademike, shpesh ziheshim ngushtë: të mësuar të respektonim vetëm idetë tashmë të pjekura, e shihnim veten objekt të sulmeve të studentëve krejt injorantë ndaj së shkuarës, por që kishin informacion gjithnjë disa muaj më të ri se tonin.”

Antropologu i madh flet për Brazilin e viteve 1930, por mua më vjen në mend veç Shqipëria intelektuale – siç e kam njohur drejtpërdrejt në vitet 1970-1980, dhe siç më rezulton të ketë mbetur, madje edhe të jetë bërë më keq, pas 1990-ës: po ai identifikim i personave me rolet, po ai monopolizim i dijes, e njëjta konkurrencë jo aq për produktet sa për monopolin vetë, i njëjti obsesion me statusin jo me rezultatet, i njëjti moral i xhunglës, i njëjti riprodhim i kastës nëpërmjet ritualit të syshkeljeve reciproke (ku Piktori ha darkë me Historianin dhe me Ekonomistin, ndërsa Avokati pi uzo me Regjisorin), i njëjti përvetësim i dijes më të fundit, gjithë duke shpërfillur bazat, e njëjta prani e gjenive të stabilizuar dhe të Salierëve që ua rrezikojnë statuset dhe rolet.

Çfarë ndoshta ka ndryshuar tek ne, në krahasim me shoqërinë provinciale për të cilën flet Lévi-Strauss-i, është ndërhyrja disiplinuese e mass mediave, të cilat jo vetëm e marrin për të mirëqenë këtë realitet të periferisë intelektuale, por edhe e promovojnë si të vetmin të mundshëm, duke iu referuar në përpjekjet e tyre për të komunikuar me publikun. Madje këto media janë tashmë pjesë integrale e karnevalit, sepse i krijojnë dhe i pompojnë rolet unike edhe atje ku qytetërimi, ose hapja ndaj botës, ua kanë vënë unicitetin në dyshim; sepse mediave gjithnjë u pëlqen të tregojnë përralla, dhe në përralla roli dhe personazhi gjithnjë ecin krah për krah, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për “heronjtë.”

3 Komente

  1. Nuk e kuptoj se cfare te ka shqetesuar kaq shume ne raportin Moxart/Salier e me tutje. Per mendimin tim ky eshte konfigurimi me i njohur ne cdo mitizim, megjithese jo domosdoshmerisht ne jeten reale. Mitizimi nuk mund te jete kurre real nese heroi nuk ka nje hije qe e shoqeron, dhe sa me i larte obelisku drejt qiellit, aq me e gjate hije perdhe. Shembujt jane te pafund, qe nga Jezu Krishti dhe Satanai, Fausti dhe Djalli, dr Jekyll dhe Mr. Hide etj. etj. Kaq normale eshte kjo ne fiction saqe edhe njerezit reale ne jeten reale kur i kap marrezia e madheshtise, nuk e quajne po nuk krijuan ca armiq reale ose imagjinare qe te mund te futen pastaj ne eposin folklorik ose sic quhet sot soc-median. Sa me e madhe hija, llogjikisht aq edhe me i madh objekti qe e leshon ate.

    1. Nuk më ka shqetësuar për gjë – thjesht m’u duk si “hook” i përshtatshëm për të zhvilluar disa ide që i kam pasur prej kohësh.

  2. OK. Thashe se mos futeshe ne grupin e njerezve qe e bezdisin thashethemet, armiqesite dhe “ligesirat”. 🙂 Kjo me kujton pak luften e Kadarese me kritiket, shkrimtaret e vegjel qe nuk beheshin dot te medhenj se ai iu kishte zene diellin, aspirantet per sekretare Partie, me “nje njeri qe te do te miren” etj etj. E pamundur te jetosh jashte shoqerise vecanerisht ne vende diktatoriale ose ne fusha te specializuara te jetes, megjithe pasojat e mira e te keqia qe sjell kjo.

    P.S. I lexoj me qejf keto persiatjet e tua, sidoqofte, megjithese nuk na ka rene rasti te njihemi. Mbase nga qe jemi pak e shume e njejta gjenerate ne kohe dhe e rritur ne koordinata shume te aferta vendore.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin