Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

VORBULLAT E LIBRIT SHQIP

Gjatë ceremonisë së hapjes së “Tirana lexon”, një event kulturor që ka si qëllim “afrimin e lexuesit me librin”, ka marrë fjalën edhe Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cila ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me një “ftohje” të brezit të ri nga libri (më gjerë për këtë seri nismash dhe projektesh mund të lexoni këtu).

Ajo tha se po e shpreh këtë shqetësim “si qytetare, si pedagoge por edhe sidomos si prind” – çfarë është gjë e mirë në vetvete; edhe pse në fakt detyra e saj, si ministre e Kulturës, besoj është të marrë masa urgjente dhe sistematike kundër kësaj bombe me sahat, që herët a vonë do ta shkatërrojë indin kulturor qytetar që i ka mbetur Shqipërisë.

Largimi i brezit të ri nuk ka të bëjë vetëm me librin, por edhe me fusha të tjera të artit dhe të kulturës; megjithatë nuk është e thënë të ketë të njëjtat shkaqe kudo. Në artet pamore ose në muzikën serioze, mund të lidhet me natyrën elitiste të këtyre krijimeve; të cilat vetvetiu i drejtohen një publiku shumë të zgjedhur e të përzgjedhur – pa folur pastaj për krijime që bëhen për tregun dhe publikun jashtë Shqipërisë.

Sa i përket librit, unë jam i bindur se znj. Kumbaro e di se për çfarë flet dhe i ka shifrat në dispozicion (unë nuk i kam); por kjo nuk më pengon të jap disa sugjerime të thjeshta.

Para disa kohësh, pata argumentuar këtu në Peizazhet se një arsye që i mban larg lexuesit në Shqipëri nga libri është çmimi i lartë i librave. Znj. Kumbaro e njeh mirë, bie fjala, tregun e librit në Francë – dhe do ta ketë të lehtë të krahasojë çmimin relativ të një libri atje, në krahasim me të ardhurat për frymë, me çmimin relativ të librit tek ne.

Mua më ka rezultuar që librat në Shqipëri kushtojnë disa herë më shtrenjtë se gjetiu në Europë. Dhe këtu ka vend që të ndërhyjë znj. Kumbaro, jo si qytetare dhe si pedagoge dhe si prind, por si ministre e Kulturës, duke gjetur mënyra për t’i ulur çmimet e një kategorie librash – për shembull të atyre nga autorë shqiptarë, duke i subvencionuar botuesit një përqindje për çdo kopje të shitur.

Me fjalë të tjera, përpiquni seriozisht ju si qeveri, zonja Kumbaro, që libri në Shqipëri të kushtojë po aq shtrenjtë sa në Francë, në Itali dhe në Gjermani; dhe pastaj flasim sërish sa shitet dhe sa lexohet nga të rinjtë.

Për shembull, Italia ka një GDP per capita prej rreth 36,000 USD; ndërsa Shqipëria diçka si 4700 USD. Kjo do të thotë se GDP per capita në Itali është 7.6 herë më i lartë se në Shqipëri.

E megjithatë, një libër paperback në Shqipëri kushton diçka midis 7 dhe 10 USD, ndërsa në Itali 15-20 USD; çka do të thotë, për mua, se librat në Shqipëri duhej të kushtonin diçka midis 2 dhe 2.5 USD – prandaj edhe, në terma relativë, i bie që librat në Shqipëri të kushtojnë 4 herë më shtrenjtë se në Itali.

Arsyet pse ndodh kjo edhe dihen, edhe nuk dihen; dhe gjithsesi unë nuk jam ekonomist dhe nuk i diskutoj dot mirë. Por si njeri i interesuar për fatin e librit dhe të leximit shqip, edhe si lexues edhe si autor, besoj se kjo diferencë duhet reduktuar nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit në shitjen e librit; ose duke e subvencionuar çmimin e librit, njëlloj siç subvencionohen çmime të tjera produktesh që nuk arrijnë “ta shesin veten”, por që janë megjithatë të domosdoshme.

Jam pothuajse i sigurt që një italian i mesëm do të mendohej gjatë, para se të blente një libër paperback që t’i kushtonte 60 ose 80 USD. Atëherë pse habitemi dhe pikëllohemi që lexuesi shqiptar nuk blen aq libra sa duhet?

Do të më thoni – ky lloj subvencionimi kërkon fonde dhe fonde nuk ka. Por këtu unë e kam përgjigjen gati: qeveria e Shqipërisë po shpenzon fonde jo të vogla, ca të vetat dhe ca të tjera të gjithfarë donatorëve, për veprimtari dhe projekte shpesh të kota dhe boshe dhe jo rrallë të dështuara, herë-herë paralele që ia zënë frymën njëra-tjetrës dhe të dizajnuara keq ose sa për sy e faqe dhe pa asnjë përpjekje për t’iu përgjigjur kërkesave të publikut; dhe që prandaj jo vetëm nuk tërheqin e frymëzojnë njeri, por edhe as e çajnë kokën që të tërheqin njeri, sepse e kanë arritur tashmë e ndërkohë synimin që kishin: financimin. Sa ka ndikuar kjo lloj patologjie – sepse unë kështu e shoh, si patologji – që Ministria e Kulturës të tundohet të veprojë me statusin e një OJQ-je çfarëdo, në kërkim të përhershëm fondesh, donatorësh dhe mbështetësish nga jashtë Shqipërisë (duke filluar nga ambasadat e akredituara në Tiranë), të cilët pastaj edhe e deformojnë dhe çnatyrojnë axhendën e veprimtarive?

(Një kritikë imja më e zgjeruar për një veprimtari të këtij lloji mund të lexohet këtu.)

Qeveria e Shqipërisë gjithashtu shpenzon fonde të mëdha me gjithfarë veprimtarish kulturore, për mendimin tim edhe ato shpesh të panevojshme, anembanë Europës dhe botës, të cilat nuk i vlejnë shumë gjallërisë as gjallërimit të jetës kulturore në vend, por më tepër promovimit propagandistik të qeverisë vetë dhe të artistëve që qeveria ka zgjedhur t’i mbajë pranë, pa llogaritur pastaj cheerleaders të të gjitha specieve dhe biçimeve.

Fonde të tjera, sërish të mëdha, që duket sikur shpenzohen për “kulturën” janë, në fakt, drejtpërdrejt në shërbim të turizmit, për të cilin qeveria ka të paktën edhe një ministri tjetër.

Pa u shtyrë në fusha ku nuk kam ndonjë kompetencë të flas, unë këtu thjesht do të pyesja: çfarë përpjesëtimi zënë shpenzimet në mbështetje të librit shqip, në raport me fondet që vë në dispozicion a shpenzon Ministria e Kulturës për fusha të tjera, që nga artet vizuale te spektaklet falas në sheshe, që nga opera lirike te festivalet gjithfarësh dhe konferencat dhe panairet dhe kostumet dhe udhëtimet dhe ekspozitat anembanë botës e kështu me radhë? Kësaj pyetjeje nuk i përgjigjem dot – por kam frikë se përgjigjja do të më jepte të drejtë mua.

Në fakt, libri i shkruar shqip ka nevojë për mbështetje institucionale publike masive, sepse “pellgu” i lexuesve është vetvetiu dhe objektivisht i kufizuar nga numri i atyre që mund të lexojnë shqip. Teorikisht, një firmë nga Shqipëria që prodhon bie fjala shampo ose shami hundësh mund t’i shesë këto në gjithë planetin (global economy, economy of scale); por për librin shqip kjo logjikë nuk vepron. Dhe nuk vepron se, po të ndiqet thjesht logjika ekonomike, do të dalim në përfundimin se vetë lëvrimi i gjuhës dhe i kulturës shqipe nuk “bëjnë sens” ekonomikisht, prandaj kot që mundohemi. Dua të them: nuk ka asgjë, në ekonominë e tregut, që të garantojë mbijetesën tonë, me këtë identitet kulturor që kemi.

Shqetësimin që ngre zonja Kumbaro, “si qytetare, si pedagoge por edhe sidomos si prind”, ia kuptoj drejt; madje e ndaj me të, dhe largimi e ftohja e brezit të ri nga libri më dhemb mua edhe më shumë se ministres së Kulturës, sepse unë ia kam kushtuar jetën librit dhe fjalës shqipe, qoftë edhe vetëm si autor. Nga këto pozita, do të thoja se unë nuk pres që znj. Kumbaro, me cilësinë e ministres së Kulturës, t’i japë një zgjidhje të shpejtë dhe të kënaqshme këtij problemi kaq kompleks, që në mënyra të ndryshme ka prekur gjithë Europën dhe Perëndimin dhe kushedi edhe gjithë botën mbarë; por unë gjithashtu besoj se qeveria e tanishme në Shqipëri, në traditën e krijuar dhe të konsoliduar tashmë nga qeveritë që i kanë paraprirë, as ka bërë dhe as po bën atë që duhet për librin shqip; dhe tani e ka humbur edhe të drejtën morale të shqetësohet “zyrtarisht” me një dukuri për të cilën një pjesë të përgjegjësisë, sado të vogël, e mban ajo vetë.

4 Komente

  1. Duke mos patur ndonjë informacion për shkaqe specifike për çmimet e larta për librat në Shqipëri, mendoj se arsyet për këtë duhet të jetë kombinimi nga njëra anë i kostove të larta fikse të botimit – letra, shtypshkronja, magazinimi, shpërndarja – me tregun e vogël shqiptar të librit dhe me të ardhurat e ulta të blerësve, në anën tjetër.

    Madhësia e kufizuar e tregut të librit shqip – e tregut real dhe sidomos atij potencial, të librave që mund të shiten – e bën amortizimin e kostove fikse të botimit nëpërmjet vëllimit të shitjeve të vështirë, në mos të pamundur. Prej këtej, rruga e vetme që u ngelet botuesve është që këto kosto, bashkë me fitimet e tyre, t’i rikuperojnë nëpërmjet çmimeve më të larta. Çmime këto që për shkak të nivelit të lartë të tyre në raport me të ardhurat e qytetarëve shqiptarë, e zvogëlojnë edhe më tepër tregun e librit.

    Tregu i librit në Shqipëri është një shembull klasik i një tregu që, për arsye objektive, e ka të pamundur që të arrijë përfitimet e një “economy of scale” (po përjashtoj këtu ekzistencën e ndonjë oligopoli të botuesve për të bllokuar hyrjen e konkurrentëve në treg apo për të mbajtur çmime artficialisht të larta për arsye fitimi, edhe pse edhe kjo është e mundshme).

    Një arsye tjetër mendoj se mund të jetë elasticiteti i ulët i kërkesës për libra, ndaj nivelit të çmimit: botuesit mund ta dinë nga përvoja e tyre se, kush ka për ta blerë një libër – atij që ia mban xhepi apo atij që i duhet libri – ai e blen edhe kur çmimi është i lartë në raport me të ardhurat personale, ndërsa një ulje modeste e çmimit – po themi 10 apo 20 përqind – nuk shkakton ndonjë rritje të konsiderueshme të shitjeve, për të mbuluar rënien e xhiros për shkak të çmimit të ulur. Nga këndvështrimi i botuesit, i cili është thjesht një sipërmarrës që shikon atë që i ngelet në fund të llogarisë – fitimin e tij – ky është një risk i madh për tu marrë në konsideratë.

    Kjo praktikë çmimesh dhe shitjesh, nëse është reale, sigurisht që e mban tregun të vogël dhe natyrisht që përjashton nga ky treg shtresa të gjera të shoqërisë, të varfërit dhe fëmijtë e tyre, të rinjtë, pensionistët etj.

    Kjo nuk do të thotë që shoqëria në përgjithësi dhe shteti në veçanti të pajtohen me këtë fakt që, në Shqipëri, librat kushtojnë shtrenjtë dhe që njerëzit nuk lexojnë shumë; sigurisht, nëse duam që një ditë të arrijmë nivelet e shoqërive më të civilizuara.

    Që njerëzit të blejnë më shumë libra, duhet që uljet e çmimeve të jenë masive – 50 përqind e më shumë nga niveli aktual, për të arritur ne dy apo tre dollarë për libër, duke iu përgjigjur të ardhurave mesatare aty – dhe që çmimet të mbahen të ulura për një kohë të gjatë, për vite e dekada madje. Dhe duke qënë se tregu i lirë nuk është në gjendje që të sigurojë çmime të ulta, mbetet që kjo gjë të bëhet nga shteti, ose nëpër subvencioneve direkte apo indirekte, ose duke ndërhyrë vet si aktor në tregun e librit.

    Rruga klasike e subvencionimit direkt nga shteti të çmimit të librit, mund të bëhej me kosto relativisht modeste për shtetin shqiptar, por vetëm nëse arrihej që të shmangeshin abuzimet nga botuesit me subvencionet: le të supozojmë që në Shqipëri shiten 500 mijë libra jo-shkollorë në vit dhe shteti subvencionon botuesin, po themi, me 3 dollarë për çdo kopje që shitet në treg me një çmim jo më të lartë se 3 dollarë, kostot vjetore të programit nuk shkojnë më shumë se 1.5 milionë dollarë, që duhet të përballoheshin nga Ministria e Kulturës. 1.5 milionë dollarë në vit nuk janë pak, por nuk janë dhe aq sa të fundosin financat shqiptare, aq më tepër kur ka dhe shumë aktivitete të tjera të financuara nga MK dhe qeveria, qëllimet dhe rezultatet e të cilave janë të paktën të diskutueshme.

    Por problemi kryesor, që për mendimin tim e bën këtë metodë praktikisht të pamundur në Shqipëri, është shmangia e abuzimit të botuesve me subvencionet e shtetit. Duke njohur dellin “krijues” të biznesmenëve shqiptar për t’iu shmangur taksave, tatimeve, për të vjedhur TVSH etj, kjo metodë mund të sjellë një bum artificial botimesh pa vlerë, fletushkash ordinere që deklarohen si libra dhe shitjesh fiktive, me qëllimin e vetëm për të marrë subvencionet nga shteti. Kontrollet, krijimi i listave të librave që subvencionohen, komisioneve përzgjedhëse etj. vetëm sa do e bënin procesin më të shtrenjtë, më burokratik dhe më të prekshëm nga korrupsioni.

    Një rrugë tjetër – edhe kjo jo shumë praktike – për të ulur kostot fikse të librit të shtypur, mund të ishte marrja përsipër e aktivitetit të shtypjes së librave nga shteti, pra një shtypshkronjë shtetërore që vë në dispozicion letrën dhe shtypjen me një çmim minimal. Edhe këtu, problem është burokracia, abuzimet e mundshme, kontrolli i shpenzimeve dhe konkurrenca e pandershme që shteti do u bënte shtypshkronjave private (faktikisht kjo do i nxirrte një pjesë të tyre jashtë loje dhe do i falimentonte), por edhe nuk garanton një çmim final të ulur, sa kohë që botuesi privat mund të preferojë që kostot e ulura të mos ia kaloj blerësit – plotësisht apo pjesërisht – por të rrisi me to fitimin e vet.

    Më efikase është përdorimi i subvencioneve indirekte, siç bëhet dhe në vende të tjetra, nëpërmjet taksave më të ulta mbi librin (TVSH e reduktuar ose zero), mbi importet e letrës dhe mbi fitimet e shtëpive botuese; këto do ta ndihmonin për ta ulur çmimin, edhe pse jo aq sa ta përgjysmojnë atë apo më tepër.

    Rruga tjetër, por dhe që kërkon më shumë punë dhe kohë për të dhënë efekte, është ajo e dixhitalizimit të librit dhe i kanaleve të shitjes së tij, si alternativë më e lirë krahasuar me librin e shtypur dhe kostot e larta fikse të lidhura me të. Edhe këtu shteti mund dhe duhet të luaj një rol të rëndësishëm për nxitjen e krijimit dhe përhapjes së platformave dixhitale për shitjen e librave, për subvencionimin e plotë apo të pjesshëm të tabletave për lexim (p.sh. “një nxënës, një e-reader” për shkollat e mesme, me kosto vjetore diku te dy milionë dollarë, nëse marrim 40 mijë nxënës të një brezi shkollor x 50 dollarë për tablet) etj.

    (Nëse kjo është në interesin e shtëpive botuesve, kjo ngelet për tu parë, edhe pse kjo do të ulte shume kostot atyre – ato të letrës, shtypshkronjës, shpërndarjes – por dhe me riskun që autorët të shkëputen komplet nga botuesit dhe ta bëjnë vetë edhe shitjen, nëpërmjet platformave dixhitale…)

    Personalisht mendoj se, bashkë me subvencionet indirekte, dixhitalizimi i librit dhe kanaleve të shitjes së tij, është rruga më efikase për të ulur kostot dhe çmimet e librave në Shqipëri, për të rritur shitjet dhe, rrjedhimisht, për t’i bërë qytetarët shqiptarë që të lexojnë më shumë libra.

    1. Shkruani:

      Por problemi kryesor, që për mendimin tim e bën këtë metodë praktikisht të pamundur në Shqipëri, është shmangia e abuzimit të botuesve me subvencionet e shtetit. Duke njohur dellin “krijues” të biznesmenëve shqiptar për t’iu shmangur taksave, tatimeve, për të vjedhur TVSH etj, kjo metodë mund të sjellë një bum artificial botimesh pa vlerë, fletushkash ordinere që deklarohen si libra dhe shitjesh fiktive, me qëllimin e vetëm për të marrë subvencionet nga shteti.

      Mbase kjo mund të shmanget nëpërmjet kuponave – që t’u shpërndahen në bazë individuale nxënësve ose studentëve ose shtresave më të interesuara për librin, që janë edhe ato relativisht me më pak të ardhura. Kjo do të kërkonte miratimin dhe gatishmërinë e librarive për të bashkëpunuar, natyrisht. Gjithsesi formula me kupona mund të eksperimentohej, në fillim, në një panair, ku botuesit i shesin vetë librat e tyre.

      Kuponat do të zbatoheshin ndaj librave fiction dhe non-fiction, me prioritet për autorët shqiptarë, por pa i lënë jashtë përkthimet. Meqë diferenca do t’u shlyhet shtëpive botuese për libër të shitur, ndoshta kjo do të ndihmojë për t’i dekurajuar disi abuzimet. Unë gjithnjë dua të besoj se botuesit kanë një qasje ndaj tregut disi më fisnike se, të themi, tregtarët e insekticideve, të pllakave të majolikës e të pajisjeve elektro-shtëpiake. Nëse jo, dikush duhet t’ua shpjegojë se libri shqip nuk mund të jetë ai lloj biznesi ku të mund të pasurohesh dhe aq më pak të pasurohesh shpejt – por ai të jep kënaqësinë e një misioni fisnik.

      Sistemi i zbritjeve me kupona mund t’i shërbejë shtetit edhe për të kontrolluar botuesit piratë – sa kohë që botuesit e tjerë, ata të rregullt, gjithnjë ankohen se po i dëmton pirateria.

      Përndryshe, unë besoj se shpenzimet që do të ketë shteti për të subvencionuar librin duhen konsideruar si investim afatgjatë.

      1. Nuk më shkoi mendja te përdorimi i kuponave, por ideja më pëlqen. Një sistem kuponash – për nxënësit, studentët e interesuar, vizitorët e Panairit të Librit – i organizuar siç duhet, do të arrinte efektin e çmimit më të ulët për librin duke reduktuar njëkohësisht mundësinë për të abuzuar nga ana e botuesve, duke qënë se është mbajtësi i kuponit ai që bën dhe përzgjedhjen, se cilat libra do të blej. Ndërkohë që shteti mban kontrollin mbi kostot totale të subvencionit dhe mbi shpërndarjen te grupet e interesuara të lexuesve, duke shmangur kështu, në mos plotësisht, të paktën pjesërisht, krijimin e një tregu të zi për kuponat.

        Një kupon libri i thjeshtë p.sh. do të vlente 4 dollarë për çdo libër të shitur me kupon fiskal, çmimi maksimal i të cilit është po themi 8 dollarë (çmimi tavan i librit duhet pasi përndryshe, pra pa tavan, kuponi mund të kishte efektin e kundërt, pra të çonte në rritje të çmimeve në vend që t’i ulte ato…). Kuponi duhet të vlej për një vit kalendarik, dhe çdo vit do të kishte një seri të re kuponash në qarkullim, duke i mundësuar kështu shtetit kontrollin e kostove dhe marrjen e masave të shpejta, në rast abuzimi. Po ashtu duhet një limit në numrin e kuponave që i jipen një personi, për të shmangur shitjen nën vlerë (ose shitjen tek botuesit) e kuponave të tepërt dhe abuzimet e mundshme me to.

        Problemi i sistemit të kuponave është burokracia që ai sjell (si për çdo subvencion, në fakt) por dhe pëdorimi i kufizuar, duke mos arritur që ta bëj librin shqip masivisht të lirë, por vetëm për një grup lexuesish. Por ia vlen të mendohet seriozisht futja e një sistemi të tillë, të paktën derisa tregu i librit – në kombinim dhe me masa të tjera si ulja e TVSH së librave dhe me përhapjen e platformave dixhitale dhe e-readers – të arrijë vetë në kosto dhe në çmime më të ulta të librave.

        [Në komentin e mëparshëm, nuk doja që të vija në dyshim ndershmërinë e të gjithë botuesve, por mjafton që mes tyre të ketë një “skifter”, që i siguron vetes avantazhe në konkurrencë nëpërmjet abuzimit, që të detyroj dhe të tjerët që ose t’i hyjnë kësaj valleje të abuzimeve, ose të lënë biznesin…]

  2. Çmimi ka peshën e vet, por s’i duhet mëshuar më shumë se sa duhet. Dëshmi për këtë është numri i shqiptarëve vetëm në disa vende (shih https://botasot.info/diaspora/500041/zbulohet-numri-i-sakte-ja-sa-shqiptare-ka-ne-bote/ për disa shifra të përafërta, jozyrtare). Vetëm në dy vende fqinje (Greqi dhe Itali) duhet t’ia kalojë një milion, dhe pjesa dërrmuese e këtyre janë në një nivel ekonomik shumë më lart se ai i shqiptarit të mesëm në Shqipëri. Për këta nuk mund të thuhet se i pengon çmimi për të blerë libra shqip. (Shifrat, nga përvoja personale me dy familjet të afërmish, janë të papërfillshme, ndoshta jo më shumë se 10 të dyja bashkë, 20 e shumta).

    Ndoshta duhet parë brumi i botimeve. Ja se ç’raporton një sajt që merret me shitje librash në shqip, për librat më të shitur:

    http://www.shtepiaelibrit.com/blog/10-librat-me-te-shitur-gjate-muajit-shtator-2016/

    http://www.shtepiaelibrit.com/blog/librat-me-te-shitur-gjate-veres-2016/

    Përshtypja ime është se me këtë ofertë zor se afron dot pjesën potenciale të blerësve. (4 apo 5 nga titujt më sipër brezi im ka patur mundësinë t’i lexojë para 30 e ca vjetësh). Asgjë nga botimet non-fiction bashkëkohore, të cilat kanë qenë me pikatore dikur dhe që ende mungojnë thellë, teksa ka kaq shumë gjëra interesante dhe të dobishme që ia vlen të lexohen.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin