Këtu e tre vjet, është kthyer në ritual të zakonshëm lajmi se organet përkatëse të shtetit po i kthejnë hapësirat publike qytetarit dhe pronën e vjedhur, të zotit. Matrapikët shtetërorë, më të pandalshëm se kurrë, po vënë në vend ligjin dhe respektin e munguar ndaj institucionit. Nën ritmin e çrregullt të matrapikut po vazhdon edhe hetimi i dokumenteve të falsifikuara të atyre që kanë tjetërsuar prona publike, konfiskimi i këtyre pasurive dhe burgosja e fajtorëve. Nuk është nevoja të sjellim shembuj, pasi të gjitha mjetet e informimit publik janë të mbushura me kësi lajmesh. Një Shqipëri me një dukje që s’e ka pasur prej kohësh.
Nën bojën e zezë të titujve të gazetave që lajmërojnë këto ngjarje, nën fotot që ilustrojnë shembjet apo arrestimet, ritual që nuk e shmang dot askush nga ata që ngjisin shkallët e Bibliotekës Kombëtare, për shkak të dy kioskave në dy qoshet e saj, ngjita shkallët e Shtëpisë së Dijes, për të shkuar në katin e dytë të ndërtesës, atje ku ndodhet “Salla Shkencore”, d.m.th., salla ku shërbehet ajo kategori materialesh, të cilat nuk mund të huazohen, por studiohen në vend. Gjeta një surprizë të hidhur (shih fotografinë), të cilën ka të paktën 20 vjet që e has çdo studiues: salla do të ishte e mbyllur për pothuaj 2 ditë, pasi në të do të zhvillohej një konferencë…. Retorikat agresive kundër vartësve, eprorëve, drejtorëve nuk kanë vend, as ndreqin gjë. Sepse zgjidhja e këtij problemi të vjetër, siç na është komunikuar shpesh, nuk është në dorën e titullarit të institucionit apo të Ministrisë nga e cila varet Biblioteka Kombëtare.
Ngucja e Bibliotekës në një qoshe sa një fole miu, krahasuar me hapësirën e mëparshme (të para vitit 1992) të saj, është një problem i trashëguar, i cili zë fill në kohën kur janë dhënë me qira shumica e hapësirave të të madhit Pallat të Kulturës, dikur në përdorim të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe të Bibliotekës Kombëtare. Titullarët e këtyre institucioneve, në kohëra të ndryshme, janë ankuar privatisht dhe publikisht për këtë uzurpim të hapësirave, janë dhënë gjysmë premtime “nga lart”, por asgjë nuk ka ndryshuar. Vetvetiu, teksa më “përzunë” dhe zbrisja shkallët, syri më ra sërish tek fotot e matrapikëve dhe prangat që u hidhen çdo ditë uzurpuesve të hapësirave publike. Duke soditur lavdinë e ligjit, më doli doli pyetja: Po uzurpuesve të Bibliotekës Kombëtare, do t’u matet matrapiku në lule të ballit? Po shitësve të saj, do t’u vihen prangat? Sepse, edhe kjo, sikundër plazhet e pyjet e zaptuar, është një hapësirë publike, për të cilën vetëm përdoruesi i saj mund të vendosë. Edhe sikur të duhet që kontrata e qiradhënies së këtyre mjediseve të duhet të prishet, çka do të thotë, për një mendje të ftohtë, kosto tejet e madhe për prishësin e kontratës, sa e madhe mund të jetë ajo kosto, krahasuar me koston e 20 viteve (që shkuan), gjatë të cilëve studiuesit enden si qen të rrahur nga i zoti, larg librit dhe shkencës, apo krahasuar me koston e viteve që do të vijnë (qiraja është 99 vjeçare, thonë), teksa nuk ka asnjë shenjë se kjo rrahje studiuesish do të ndërpritet?
Megjithatë, ndoshta, nuk është nevoja të ndodhë pikërisht kështu, pra, që shteti të shpenzojë. Sepse, a nuk “e kap shteti lepurin me qerre”? A nuk pamë, para ca ditësh, se si krenohej Bashkia e Tiranës për shembjen dhe zhdukjen e çdo gjurme brenda 48 orësh të një pallati 4 katësh, pronë private, e cila u shpronësua në dobi të së mirës publike, sepse do të bëhet zgjerimi i Unazës së Vogël të Tiranës? A nuk pamë, para ca muajsh, se si u shembën ca shtëpi në zonën ku do të zgjatet bulevardi i Tiranës? Gjatë gjithë këtyre viteve pas-komuniste kemi parë jo pak herë pronarë të shpronësuar, hallexhinj që shtrihen përpara fadromave dhe matrapikëve të shtetit, burra të pjekur që qajnë me ngashërim, se nuk kanë strehë ku të fusin kokën! Pronat e tyre shpronësohen në dobi të së mirës publike, dhe ligji nuk merr në konsideratë lot e mëtime pronarësh. Jam i sigurt, do të vazhdojmë të shohim edhe të tjera pamje të këtilla, sepse “ky vend ka zot”.
Natyrshëm kthehem dhe pyes: Po këtij hallit tim, këtij “zgjatimit të bulevardit” tim, “unazës” sime “të vogël” apo “unazës” sime “të madhe”, kur do t’i dalë shteti zot? Kur do të shoh matrapikun a prangat e ligjit, të cilat do ta kthejnë librin në shtëpinë e vet, dijen atje ku ka vendin, shkencën në qetësinë e saj të domosdoshme, lexuesin dhe studiuesin në hapësirën për të cilën, by the way, paguan edhe taksa? Pa shkarë në retorikë që avullon si çiçi i pulës, për sa kohë shteti nuk i del zot librit dhe dijes, gjendja pjesërisht funksionale e Bibliotekës Kombëtare ka për të qenë sinonim i shpronësimit të librit, sinonim i shpronësimit të dijes. Biblioteka Kombëtare mund të mos ngjajë plagë e rëndë sot, në sytë e shumë plagëve të tjera të shqiptarëve, por, ashtu si edhe shpyllëzimi pa kriter dhe shpërdorimi i shtretërve të lumenjve, ka për të sjellë katastrofa nesër. Uroj që ato ditë të kemi ende një skuadër kombëtare për të brohoritur.
[titulli origjinal: Shpronësimi i librit dhe shpronësimi i dijes në Bibliotekën Kombëtare]