NUSET NGA JASHTË

GeraldinaMë datë 27 prill 1938, mbreti i shqiptarëve Zogu I u martua me konteshën Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony, vajzë e një konti hungarez dhe e një amerikaneje joaristokrate. E komentuar nga shumë anë, në atë kohë dhe më pas, kjo martesë u shqua edhe ngaqë e vendosi në lidhje mbretin shqiptar me familjet aristokrate të Europës, lidhje që, përndryshe i kishte munguar.

Natyrisht, edhe para mbretit Zog, aristokratët e vendit të shqipeve ishin martuar rregullisht me gra “të huaja”, ndonëse historia dhe gjenealogjia e familjeve të bejlerëve shqiptarë nën Perandorinë Osmane mbetet për t’u shkruar. Me përkufizim, aristokracia i përdor martesat e përziera për të përmirësuar dhe kthjelluar gjakun, por edhe për qëllime politike dhe të pronës; dhe nga ky rregull nuk do të bënin përjashtim as shqiptarët.

Edhe historia e familjeve bujare gjatë shekujve XIV-XV, e cila kulmoi me përpjekjen e Gjergj Kastriotit për t’u bërë ballë ushtrive osmane, flet për natyrën e përzier të aristokracisë arbre; vetë i jati i Gjergjit, Gjon Kastrioti, ishte martuar me një vajzë nga një familje sllave (bullgare).

Të tjera dëshmi kuptimplote martesash të largëta i gjen në folklor; Doruntinën e legjendës së njohur e kishin martuar në Bohemi dhe logjika ta do që edhe ndonjë prej vëllezërve të asaj princeshe ta merrte nusen prej Europës qendrore, ose zonave edhe më të përtejme. Ekzogamia ndeshet rëndom në arbër e më pas në shqiptarë pavarësisht nga rangu social ose klasa, por martesa rituale me një nuse të largët ishte, si rregull, shenjë e forcës dhe e mirëqenies; sikurse provë e përpjekjeve për ekspansion.

Gjatë Mesjetës e deri në dekadat e fundit të shekullit XIX, barriera më e madhe për lidhjet martesore nuk ishte distanca gjeografike, as përkatësia etnike ose kombëtare, por feja. Askush nuk do të habitej kur një himariot ose një lunxhiot të martohej me një greke; por lidhjen mes një myslimani e një të krishtereje do ta pavdekësonte kënga, sepse ajo lidhje e sillte dramën, në mos tragjedinë me vete.

Vetëm duke filluar nga viti 1945 martesat fetarisht të përziera, mes shqiptarëve të feve të ndryshme, do të shndërroheshin në diçka normale, madje të nxitur tërthorazi nga atmosfera supra-krahinore e shoqërisë totalitare. Fëmijët e këtyre martesave, ose shqiptarët e rinj të cilët e kishin më të lehtë ta gjenin identitetin në shqiptari, sesa në krahinë e në traditë, e kishin gjithnjë diçka aristokratike në fatin e tyre; meqë i destinoheshin, njëfarësoj, të ardhmes.

Përndryshe, pas perëndimit të Mesjetës edhe në Shqipëri, gjatë viteve 1920-1939 martesat me të huaja vazhduan ta luanin rolin e tyre si riprodhuese të aristokracisë, meqë tanimë ishin studentët në universitetet e Europës që sillnin me vete, kur ktheheshin në atdhe nga Italia, Franca, Gjermania dhe Austria gra që i kishin “gjetur” aty, njëlloj sikurse sillnin me vete kulturën e vendeve ku kishin studiuar, dijen dhe modernitetin e Europës.

Lufta II Botërore e ndërpreu këtë osmozë genesh dhe memesh, por vetëm përkohësisht; meqë Shqipëria, menjëherë pas 1945-ës, do të vihej sërish në punë për të krijuar aristokracinë e vet, nëpërmjet lidhjeve dhe aleancave me botën përtej; i vetmi dallim, themelor, ishte se si pikë referimi për gjakun dhe idetë do të shërbente tash e tutje Lindja – Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Bllokut Lindor.

Gjithsesi, rruga e mblesërisë mbetej e njëjtë si më parë – nëpërmjet studentëve. Ka diçka të ngjashme midis universalitetit të dijes dhe pasurimit të geneve që sjell me vete një martesë me të huaj; prandaj edhe këto martesa, sikurse ato të aristokracisë së dikurshme, janë gjithnjë të rrezikuara nga po ato forca që i rezistojnë së ardhmes.

Midis viteve 1945 dhe 1960, një numër i madh studentësh shqiptarë, të dërguar për të studiuar në universitetet e Lindjes, u kthyen në Shqipëri të martuar me ruse, polake, çeke, sllovake, rumune, hungareze, jugosllave, bullgare… Këta studentë ishin destinuar të shndërroheshin në shtresën teknokratike që do të merrte në duar Shqipërinë, për ta pilotuar drejt së ardhmes komuniste; jo si shtet të shqiptarëve për shqiptarët, por si shtet të proletarëve për proletarët. Në atë kontekst, martesa me një grua të huaj ishte një gjest po aq politik sa edhe martesa me një grua të fesë tjetër; meqë në të dy rastet i shërbehej homogjenizimit – pavarësisht nga dëshirat individuale gjenuine të çiftit për të jetuar së bashku.

Dy kategori grash të sjella prej Lindjes tërheqin këtu vëmendjen: hebrejet dhe spanjollet; si në një rast, ashtu edhe në një tjetër, ishte fjala për vajza të cilat e kishin më të lehtë të shkëputeshin prej vendit ku jetonin, për të ndjekur pas burrat që dashuronin – hebrejet ende të traumatizuara nga tmerri i persekutimit nazist; spanjollet ende të pastabilizuara, pasi familjet u ishin larguar një herë prej atdheut të tyre, pas katastrofës së luftës civile, për t’u vendosur në Bashkimin Sovjetik.

Familjet e krijuara mes ish-studentëve shqiptarë tani kuadro në pozicione drejtuese në politikën, ekonominë dhe kulturën shqiptare dhe grave nga Lindja, i ofronin një bazë sociale të sigurt vëllazërimit mes vendeve socialiste nën drejtimin ideologjik të Moskës. Fëmijët e kësaj aristokracie të re socialiste do të shërbenin për t’i homogjenizuar elitat e vendeve të Europës lindore; si klasë, atyre u takonte e ardhmja, sa kohë që drejt së ardhmes po shkohej nëpërmjet integrimit të gjithanshëm.

Konflikti shqiptaro-sovjetik, në fillim të viteve 1960, i dha fund dramatik kësaj utopie. Brenda pak vjetësh, teksa aleatët e dikurshëm të Shqipërisë po shndërroheshin, me shpejtësi marramendëse, në kërcënim deri edhe për ekzistencën e saj; dhe teksa regjimi në Shqipëri po përfshihej çdo ditë e më tepër nga paranoja e institucionalizuar, krejt shtresa e teknokratëve shqiptarë të martuar me gra të huaja nga vendet e Lindjes e pa veten në buzë të humnerës.

Kush i ka jetuar ato vite, do ta mbajë mend se një pjesë e familjeve u shkatërruan, teksa gratë e nënat u kthyen në vendet e tyre, duke marrë edhe fëmijët me vete, në pamundësi për ta përballuar murin ndarës; të tjera gra u detyruan të marrin me forcë shtetësinë shqiptare dhe të pranojnë perspektivën e ndarjes për së gjalli nga të afërmit e tyre, familjet që kishin lënë përtej murit të hekurt, vendet ku kishin kaluar fëmininë, kulturat ku ishin ushqyer; disa prej këtyre grave u dënuan me burg si agjente të shërbimeve sekrete të vendeve nga kishin ardhur – ndonjë agjente edhe do të ketë pasur, por zakonisht këto dënime i bindeshin logjikës totalitare, dhe nuk i përgjigjeshin asgjëje në realitet. Të tjera familje u persekutuan në heshtje, duke u transferuar nga Tirana drejt zonave të padëshiruara. E gjithë kjo u shtjellua si dramë kolektive, duke prekur qindra në mos mijëra familje të burrave nga më të mençurit e të pregatiturit për brezin, në Shqipëri; faji i vetëm i të cilëve ishte që kishin besuar në të ardhmen e premtuar prej po atyre liderëve që tani po i persekutonin.

Heroikisht, një numër i madh i këtyre grave u qëndruan përkrah burrave dhe fëmijëve të tyre; megjithë padrejtësinë e frikshme që po u bënte regjimi. E madhe do të ketë qenë vuajtja e tyre, sa herë që u dilnin fëmijët përpara; sepse e dinin që ata fëmijë ishin damkosur, që në lindje, me shenjën e armikut ose të dikujt që s’i zihej dot besë; prandaj disa dyer do t’i gjenin përgjithmonë të mbyllura.

I kam përjetuar këto drama nga afër edhe pse jo në lëkurën time; shumë prej moshatarëve, madje edhe shokëve dhe shoqeve të mia, vinin prej familjesh të tilla të përziera. I vogël, mbaj mend vetëm kur e shanim ndonjëherë “çek muti” një shokun tonë, që e kishte nënën çeke; fëmijët janë mizorë nga natyra dhe ksenofobia është armë e pagabueshme e provincës së thellë, siç ishte katandisur atëherë Shqipëria fanar ndriçues i socializmit; por gjithsesi ajo sharja jonë s’ishte asgjë, para rrezikut që atij shokut tonë t’ia thirrnin ndonjëherë të jëmën në hetuesi, për ta akuzuar si agjente të Dubçekut e për t’ia hedhur hekurat.

Dyzet vjet më vonë, kur mendoj fatet e hidhura të atyre fëmijëve të atëhershëm, nuk dua të mbështetem vetëm në ndonjë histori suksesi madhështor, si Inva Mula (vajzë e një ruseje), për të nxjerrë përfundimin se martesat në masë të studentëve shqiptarë me gra të Europës lindore do t’i kishin dhënë Shqipërisë një elitë të pazëvendësueshme për nga virtytet intelektuale, kulturore dhe sipërmarrëse; por mbetem i bindur se duke i persekutuar ato familje, duke i trembur, duke i detyruar ta mbanin zërin të ulët, duke i bërë nënat të kishin frikë t’u mësonin fëmijëve gjuhën e tyre e t’u tregonin fotografitë e gjyshërve e tezeve “të ndaluara”, duke i bërë baballarët të druheshin nga hija e tyre, duke i ekspozuar ndaj gjithfarë shantazhesh, trysnish, ofertash për të bashkëpunuar me Sigurimin, kërcënimesh e detyrimesh për të “provuar” besnikërinë ndaj regjimit totalitar në Tiranë, Shqipëria ia privoi vetes një shans unik që i ishte dhënë, sado rastësisht, për të kapërcyer si shoqëri dhe si kulturë nga errësira drejt dritës.

Pas mbylljes njëzetvjeçare, shqiptarët filluan të shkojnë sërish në Europë për studime universitare e pas-universitare gjatë viteve 1980; ndryshe nga ata të djeshmit, vetëm pak prej këtyre të tanishmëve parapëlqyen të ktheheshin përsëri e të vendoseshin në Shqipëri, pavarësisht nëse të martuar ose jo me gra “të huaja”. Natyrisht, gjithkush e zgjedh vetë vendin për të jetuar (duke filluar nga unë vetë), por nga lartësitë e të sotmes tingëllon edhe më absurde akuza për ndjenjë të dobët kombëtare që mund t’u jetë bërë ish-studentëve shqiptarë të atëhershëm në Moskë, në Leningrad e në Pragë, të cilët jo vetëm u kthyen në Shqipëri për të punuar, por edhe çuan atje çfarë kishin më të shtrenjtë në jetë: gratë!

Sot e kësaj dite, në shtypin tabloid të Tiranës, dëgjon t’i përflitet ndonjë intelektuali shqiptar martesa që ka bërë me grua të huaj, ose vendimi për të jetuar me atë grua në Shqipëri. Vetë bindja se ky argument trogloditësh mund të përdoret ende në publik tradhton një prapambetje të madhe të vetëdijes qytetare në Shqipëri, sa kohë që katundi ende mund të indinjohet, kur dikush guxon t’ua prishë uniformitetin me “gruan e huaj”, duke e kapërcyer barrierën midis shqiptarëve dhe joshqiptarëve edhe biologjikisht. Nga ana tjetër, një diskutim para ca muajsh në një blog të gazetës “Shekulli”, për serbë që kërkonin nuse shqiptare ose diçka të ngjashme, u zgjat me muaj e numëroi me mijëra kontribute nga lexuesit, duke i ofruar lexuesit shembuj nga më flagrantët të egërsisë ksenofobike si llogore e fundit e injorancës.

A mund të funksionojnë martesat etnikisht të përziera, në rrethanat kur Shqipëria kërkon t’i afrohet Europës, teksa elitave shqiptare u duhet të gjejnë urgjentisht një mënyrë për të kultivuar një kombëtarizëm modern ndër shqiptarët? Madje në përgjithësi, çfarë fati u ruan e ardhmja martesave të përziera në përgjithësi, mes partnerëve nga krahina të ndryshme e nga fe të ndryshme, mes gegut dhe toskes, kaurit dhe myslimanes, malësorit dhe fusharakes, katundares dhe qytetarit, në rrethana kur ndarjet horizontale dhe vertikale në shoqëri po marrin përparësi ndaj urave, lidhjeve, përpjekjeve për komunikim, për aleancë e për gjuhë të përbashkët? Tragjedia që ndodhi në Bosnjë – një vend që i ngjan Shqipërisë nga shumë anë – duhet të na bëjë, së paku, të mendohemi; sepse atje, brenda pak vitesh, fryma e bashkëpunimit dhe e solidaritetit mes të ndryshmëve u zëvendësua nga urrejtja, artileria dhe spastrimi etnik; në mënyrë simbolike, dashurisë ia zuri vendin përdhunimi.

Shënim: Pishaku ka shkruar këtu për martesat e shqiptarëve me të huaja (dhe vice versa), nga perspektiva e emigracionit.

26 Comments

  1. Një nga tabutë e malësorëve tanë ishte: martesa brenda fshatit. Kam përshtypjen se forca dhe “fisnikëria” e një familjeje matej edhe me atë se nga sa larg e merrnin nusen djemtë e familjes. Mbaj mend të kem lexuar disa faqe mjaft “të ndjera” të E. Hoxhës , shkruar në vitet ’60, ku ai bënte thirrje për të luftuar në veri frikën nga martesat endogjene (brenda fshatit) dhe përpiqej të shpjegonte se nuk kishte asnjë arsye pse këto të pengoheshin (Gjirokastra, nga ai vinte, i quante martesat mes kushërinjve normale). Unë vetë kam qenë dëshmitar i kësaj “frike” kur punoja si mjek në veri (flas për fundin e viteve ’80). Në një fshat të zonës sime, fshat i madh, me mbi 1000 banorë, ekzistonte vetëm 1 martesë brenda fshatit (dy të rinj që ishin dashururar që në bangat e shkollës) dhe … m’i treguan me gisht sapo shkela në fshat. Qëlloi pastaj që gruas së shkretë iu diagnostikua një sklerozë multiple dhe… ju lë të imagjinoni komentet që rrodhën.
    Nga ana tjetër, më kujtohet (më falni që nuk mund ta citoj shprehimisht, por si emigrant, kam vështirësi “praktike” në rekuperimin e librave) që në njërin nga shpjegimet hyrëse të një kënge të Eposit të Kreshnikëve (e dimë si janë të mbushura citë këto këngë me rrëmbime grash) “Hylli i dritës” (jemi në vitet ’30 të shekullit të XX) e thoshte qartë që njëra nga arsyet pse po zhbëheshin zakonet dhe doket e malësorëve tanë ishin martesat e tyre…me gra serbe.
    Unë vetë jam gjysëm gegë e gjysëm tosk, gjysëm muhamedan e gjysëm i krishterë (gjyshet e mia i thërrisja njërën “nëna” dhe tjetrën “nana”), idem ime shoqe. E quaj veten me fat që kam qëlluar i tillë, ndonëse aktualisht kjo gjë nuk më sjell asnjë avantazh/disavantazh

    1. Pervecse zgjuarsise dhe pervojes, nuk shoh ndonje problem ne te qenit tabu martesa mes nje komuniteti shume te vogel dhe ju si mjek duhet ta dini kete. Gjenetikisht, rekomandohet shmangia sa me shume e kryqezimeve mes anetareve te nje grupi te vogel, per nje te mire me te madhe, qe eshte ajo e ruajtjes se shendetit te popullates.
      Dhe nje verejtje e dyte, termi “muhamedan” eshte term kryqezatash dhe nuk perdoret prej askujt sot.

  2. Kjo eshte nje perpjekje e deshperuar per te internacionalizuar shpirtin e shqiptarit.
    Jam me ata qindra mijra djem emigrante qe shkuan sa munden me te huaja, por u martuan me shqiptare e sollen ne Shqiperi idene e dobishme se te huajat jane te perdala e s’bejne per martese.

    Problematikat qe do hasin femijet e emigranteve ne dhjetevjecaret e ardhshem; femije qe pothuaj detyrimisht do martohen me vendasit/et, nuk i perkasin ‘hapesires shqiptare’ por hapesires se huaj.

    Shkeputja kulturore eshte e natyrshme e ska Zot qe e ndalon dot.

    Sa per injorancen ne kete pike , di te them qe eshte e shendetshme, le tu rroje dituria atyre qe duan te rrojne me komplekse identiteti.

    Natyra vuri pengesa, kulturat e ndryshme vune pengesa; te rrojne pengesat natyrore e kulturore, ekzistojne se ka arsye si persa i perket homogjenizimit ashtu edhe ndryshueshmerise, homogjenitetit te grupeve te medha brenda te cilave do prodhohet ndryshueshmeria e nevojshme.

    Egersia verbale e proletareve dhe qytetareve te botes, qofshin edhe shkencetare, nuk ka per ta mposhtur dot kurre instiktin e ndryshueshmerise qe prodhon individualitetin, si individualitetin e nje personi ashtu edhe individualitetin e nje grupi.

    Mpirja mendore e qytetareve te botes ka per te shkaktuar ngerc vetem tek ta dhe popujt e lodhur qe duan te vdesin, kurse popujt virile, qe duan te jetojne, qe duan te ndertojne e adhurojne vlerat e tyre, kane per tua lene argumentet e lodhura qe ne lindje, analeve te historise.

    Krahasimi me Bosnjen, me vjen keq po eshte per ti qare hallin. Cubrilovici ne projektin e tij te zhdukjes se shqiptareve nga ballkani qendror, merrte pikerisht shembull shqiptaret per vete formimin e nje kombi jugosllav. Por historia tregoi qe jemi te paimitueshem.

    Ne ishim aq te afte ne 1997, sa te shkaterronim shtetin brenda nje jave dhe ta rimekembnim brenda 3 muajve, ndersa ne Europe te gjithe kur shihnin plakat pa dhembe te gjuanin me kallash, kujtonin se Shqiperia u be si Somalia.

    Pa te ndodhte ne Amerike nje gje e tille, pa ta shihnim sa te afte do ishin mes gjithe atyre frakturave qe mbart, sa do ishte ne gjendje te rindertonte serisht shtetin.

    Ne, te vetmen lufte civile e patem si pasoje e mendesise komunisto-internacionale qe u fut, nuk kemi nevoje per nje mendesi tjeter neokomunisto-internacionale qe te na sjelle serisht luften civile.

    Mbi te gjitha, te vetmit popull demografikisht te shendetshem te Europes, nuk ka ci duhet leksioni si te semuret demografikisht.
    Le te infektohet paria shqiptare, ne fund te fundit si cdo pari tjeter para saj, do e kete jeten e shkurter, duke qene se parite tona kane qene perhere siperfaqesore e s’kane ditur ti mbijetojne furtunave te historise.

    Le ti mpihet mendja parise, populli ti jape kohe kohes.

  3. vetë i jati i Gjergjit, Gjon Kastrioti, ishte martuar me një vajzë nga një familje sllave (bullgare).

    E pse jo serbe?

      1. Për çështjen që diskutojmë, mjafton të marrim të mirëqenë se nuk ka qenë arbre. Ju lutem, përmbajuni temës. Etninë e Vojsavës debatojeni, po të dëshironi, në Muzeun e Krujës.

  4. Kam edhe dicka ne lidhje me ksenofobine dhe nivelin e larte te ndergjegjes civile qe paskerkan keta europianet, nga te cilet na u dashka te marrim nuse per tu civilizuar.

    U hoqen vizat per Serbine , Maqedonine e Malin e Zi, dmth shqipot e pushtuar levizin lirisht, ndersa shqipot e lire skane plotesuar kushtet.

    Ku eshte kjo ndergjegja civile, qytetare, kjo ndergjegja superiore e ketyre qe heqin vizat per Serbine e cila ka bere pastrim etnik e genocid jo me larg se 10 vjet me pare ?

    Ku eshte kjo ndergjegja superiore e ketyre qe heqin vizat per Maqedonine e cila diskriminon 40% te popullsise se saj?

    Po per Malin e Zi, qe i ka ndrydhur shqiptaret e atjeshem aq keq, saqe gjysma e tyre ndodhet ne emigracion e nje pjese eshte sllavizuar ?

    Jo ndergjegje qytetare por ndergjegje e felliqur, ja me cfare
    kemi te bejme, me nje ndergjegje prej Jagoje, keta bazhibozuke te kamur e te degjeneruar, qe nuk eshte se vetem po mohojne genocide e pastrime etnike mbi shqiptaret, por po tallin edhe menderen me ne.

    Mund te kapercehet mbi gjithe kete felliqesi e mund edhe te harrohet, se kemi aftesi harruese, por su kemi per borxh tu degjojme pordhet ‘civilizuese’.
    Si dreqin ndodhi qe mohuam Zotin dhe veten per te adhuruar keto ndyresira antishqiptare qe nuk hezitojne te na fyejne rregullisht.

  5. Kjo pune e martesave me duket si pak jashte kohes po ta krahasojme me “llojin” e marteses qe kupton sot nji amerikan.
    Per “zakonin” prapanik te mosmarteses brenda fshatit sot mund te japim nje duzine artikujsh shkencore mjekesore,ku thuhet qe martesa brenda te njetit grup gjaku eshte katas’trobe.Ne ate kohe qe shqiptaret e respektonin kete regull nuk kishte analiza gjaku,sic behen sot,por megjithate ate nga pervoja e kishin nxjerre kete perfundim.martesa brenda fisit sjell lindjen anormale(kur jane me te njetin grup gjaku me mjekesine e sotme).
    Komunizmi donte ta thyente me arsyen e vetme te riprodhimit mbinumer te sklleverve te bujqesise komuniste.
    Dhe me qesharakja,gjate atij sistemi nuk u beheshin asnjihere analizat e gjakut para martese per ciftin e ri.Epo,tafti bafti sistem.
    Primitivja,kur nusja h’ip’te ne kal,te cilit ne Koinene greke i thone ‘is ‘ip’os” ose “o ip’os”,me nje nji fjale camerishte-anglisht-shqip kali isht “hip”(eshte hip),eshte shembull me i qarte i perdorimit te foljes se vjeter zakonore Shqipe per te ndertuar emrin e nje familje te re gjuhesore njerezore. Kuptohet qe kali,ose hipi,perdorej natyrisht per distanca qe perfshinin prej nji fshati ne nje fshat tjeter,ose me larg sekaq,sot eshte zevendesuar nga limuzina
    E nisa ne krye me krahasimin me martesat Amerikane dhe dhe me kete desha edhe ta mbyll.
    Mire nuk eshte te martohesh shume afer,por mire,mendoj une ne kete dhe jo mjekesia, nuk eshte te martohesh po dhe shume larg.Te dy rastet mbajne mundesine e lindjes se budallenjeve.Nuk e di por amerikanet e thjeshte mua me duke qe jane shume te zgjuar per te bere budadalleqe,dhe shume budallenj per te bere gjera te zgjuara.Ndersa,elita amerikane eshte shume e zgjuar per te bere gjera te reja,dhe shume e pa afte menderisht per te bere gjera te vjetra.
    Shikoj qe elita amerikane eshte shume me uniforme raceisht se amerikanet e thjeshte.

  6. “”sot mund te japim nje duzine artikujsh shkencore mjekesore,ku thuhet qe martesa brenda te njetit grup gjaku eshte katas’trobe.Ne ate kohe qe shqiptaret e respektonin kete regull nuk kishte analiza gjaku,sic behen sot,por megjithate ate nga pervoja e kishin nxjerre kete perfundim.martesa brenda fisit sjell lindjen anormale(kur jane me te njetin grup gjaku me mjekesine e sotme).””

    Per cilin sistem grupesh gjaku e ke fjalen??? AB0??? Sipas artikujve qe keni lexuar ju martesa e dy individeve me gjenotip “i0i0” do te jete katastrofe??? Apo per sistemet Rh (+/-)??? Nje burre Rh- nuk mund te martohet me nje grua Rh-???
    Mund t’ju them qe nese nena ka grup gjaku te ndryshem me fetusin, ne shumicen e rasteve do te krijohen antikorpe te cilat duke kaluar barrieren placentare do te shkaktojne shkaterrim te rruazave te kuqe te fetusit (hemolize) dhe kjo semundje ne shqip quhet Semundja Hemolitike e te Porsalindurit.
    Ndoshta duhet t’i rilexoni dhe njehere ato artikujt per grupet e gjakut dhe per pak harrova: Sot ne bote njihen 30 sisteme grupesh gjaku, te cilat varen nga antigenet e membranes qelizore te rruazave te kuqe.

    1. E mirë de, mirë, se nuk ta dha me senet! E tha ashtu, me shaka! Edhe Orakulli jep mendimin e vet, të gjithë këtë bëjmë këtu! Apo jo?

  7. Hyllin, bindja yte se :
    “Jam me ata qindra mijra djem emigrante qe shkuan sa munden me te huaja, por u martuan me shqiptare e sollen ne Shqiperi idene e dobishme se te huajat jane te perdala e s’bejne per martese.”
    është marrëzia më e madhe që kam lexuar ndonjëherë lidhur me integrimin e shqiptarëve në perëndim. Sigurisht që gjëra të tilla përfaqësohen ndonjëhre edhe nga elementë fondamalistë islamikë, por që ti ta thuash këtë demek nga pozita evropiane, është vërtetë një mjerim kulturor i dëshpëruar.

    Është vërtetë një fakkeqësi, që ti shkruan në këtë faqe.

  8. Pifto eja me shpesh se je perfaqesues i denje i species qe me shume me pelqen te trajtoj.

    Heqja e vizave eshte venie ne vend e dinjitetit te shtetit shqiptar, nuk eshte ceshtje integrimi.
    Nuk fola gjekund per integrim.

    Po ti nuk e di c’eshte dinjiteti i nje shteti apo dinjiteti i nje institutucioni , perndryshe do e shikoje faktin qe gjithe Europa hyn e del sipas qefit ne Shqiperi, ndersa shqiptaret kane vdekur maleve apo ne det, si nje padrejtesi te madhe.

    Po nese ne do sillemi si langaraqe e do i lypim tjetrit, normal qe edhe shteti jone do jete shtet langaraq. Ne jemi sjelle aq ulet saqe lypnim e lypim pa fituar asnje kacidhe, biles i kemi dhene ekonomine peng grekut e italianit, bujqesine e financen in primis.

    Sa per shprehjen ne vetvete, ska asgje me pozitive sesa perfaqafimi i stadit etik Kierkegaardian prej meshkujve shqiptare rreth moshes 30 vjecare.

    Ndersa para asaj moshe sundon stadi apo jeta estetike ashtu si edhe ne perendim, rreth te 30-ave ndersa femrat (ashtu si edhe meshkujt, po keta sna interesojne) europiane vazhdojne te qendrojne ne stadin estetik, meshkujt shqiptare (po edhe femrat) kalojne ne stadin etik kierkegaardian.
    Pavaresisht embelsise se stadit estetik e pavaresise qe kane gezuar ne emigrim, ndenja e pergjegjesise dhe respekti per institucionet sociale marrin ne dore pjesen tjeter te jetes.

    Krimi me i madh e mjerimi me i madh kulturor eshte te denosh nje mashkull ne stadin etik te kete ne krah nje femer ne stadin estetik, pra shqiptarin normal me te huajen normale.

    Po per keto atyre si ti su plas as per se largu, keni boll pallavra libertine e pseudo-etike per te recituar.

  9. Aenema,une isha duke folur ne parim.Nuk doja te dilja ne detaje sepse humbisja temen,pamvaresisht qe si shqiptar qe jam me pelqen te dal shpesh(not so often as..) nga rjeshti i zborit ushtarak.
    Pifto,boll me deklarata cilesimoreperjashtimore.

  10. Mendoj se martesa apo bashkejetesa me nje person te nje vendi ,nacioni,gjuhe te ndryshme prej tendes eshte problematike.Them martesa apo bashkejetesa per te nenkuptuar kohezgjatjen e ketij lloj raporti.Ndersa aventura ,apo storie mund edhe te shkojne ,madje jane pozitive per formimin e nje personi….
    Ve re me keqardhje se lidhjet te shqiptareve me te huaja pas 90-es jane lidhje langaraqe,pa pike signoriliteti e vuajne shume nga komplekset…Nuk jane aspak te frymezuara nga sentimente e pasione por interesa e pse jo shpesh patologjira psikike.Kam pare jevgj te martuara me bullica italiane e ndiheshin si mbreter.Kam pare alamet djemsh shqiptare te martuara me toksike per interesa,e per te mos thene per giggolo 5 lekshash…Nuk kane ate lloj poezie e romantiçizmi qe kishin lidhjet e studenteve shqiptare me vajza te lindjes se dikurshme…

  11. Quhen ndryshe lidhje pa dinjitetin e emrit.Ngaterresa midis interesit racor,gjak mbreteror per shembull,interesit ekonomik,kerkeses biologjike dhe se fundi profesionizimit te kurverise si femerore ashtu dhe mashkullore ne te gjitha shkallet e shkakndodhjeve.

  12. “Jam me ata qindra mijra djem emigrante qe shkuan sa munden me te huaja, por u martuan me shqiptare e sollen ne Shqiperi idene e dobishme se te huajat jane te perdala e s’bejne per martese.”

    Këtë e kam dëgjuar njëherë nga goja e një rrugaçi të lagjes, kur u kthye nga Italia, ku kishte qënë emigrant për ca kohë. Kjo është hera e dytë!

  13. Ah sikur te ishin vertete martesat me te huaj i vetmi problem i Shqiperise, kush ishte si ne!

    Personalisht mendoj se gabimi me trashanik i shqiptarve/eve te martuar me te huaj, nuk qendoron tek zgjedhja e personit por tek braktisja e tradites shqiptare per hir te “dashurise”.
    Vetem “katundaret” dhe gjenite arrijne te mos i krijojne komplekse identitetit te tyre. Te paret arrije te mos kene komplekse duke u martuar me gra te te njejtit komb, te dytet, kane pricipe aq solide sa nuk i luan as guri jo me nje martese me te huaj.

    Jeta eshte filozofi, mund te zgjedhesh te shohesh anen pozitive apo ate negative.
    Shqiptaret duhen konsideruar edhe si pjesetar te nje kombi edhe si pjesetar te nje bote.
    Mund te jene njerez me karakteristika specifike por jo tipike vetem te ketegorise se tyre.
    Ne internacionalizmin e kemi te lindur perderisa arrijme te bashkpunojme ne menyre perfekte me cdo kulture te botes, nuk na e heq dot as Kanuni as ndonje ligj tjeter, megjithate, sigurisht qe persona te rritur ne vende te aferta kane me shume tipare te perbashketa.
    Si pasoje, teorikisht kane baze me te forte lidhjet midis personave te te njejtit komb.
    Problemi i Shqiperise qendron ne faktin se burrat nuk kane kuptuar kurre nivelin e larte te grave te tyre, dhe nese e kane ditur, atehere kane qene budallenj duke dhunuar kete talent te bashkshorteve me maskilizmin e tyre.
    (kete e thote dhe Cajupi “burrat nene hije rrine e kuvendojne, pika qe s’ju bie se nga grate rrojne”).
    Forca e shoqerise shqiptare eshte pikerisht gruaja, por probabiliteti per nje grua shqiptare te gjeje nje burre te denje per karakterin e saj gjenial eshte 1/100 pak a shume.

    Personalisht, nuk e vras shume mendjen me ke do me bjere fati te lidh jeten, sepse kam proven qe njerezit qe me rrethojne sillen ashtu sic pretendoj une te sillen.
    Gjenialiteti qendron ne karakterin aktiv te personave. Une mendoj se nje martese me nje te huaj me nivel te larte, do ishte ne dobi te kombit…Keto budallenjt e budallackat qe martohen sa per etikete, i merr lumi i jetes vete.

    Perfundimisht, jam e parimit se problemi i nje shoqerie nuk qendron tek faktet specifike ( ne kete rast martesa me te huaj/ martesa me shqiptar/e) por tek aftesia per te nxjerre ne pah anen me te mire te karakterit te secilit dhe ne aftesine per te perdorur metodat/mjetet me te drejta e me te mira te mundshme per te arritur qellimin.

    Edhe Adam Smith thoshte se “nese njerezit lihen te lire te zgjedhin me te miren e mundshme per veten e tyre, atehere automatikisht ata do arrijne edhe te miren e perbashket” sipas teorise se DORES SE LIRE.

  14. Hyllin, ti shkruan për femrat perëndimore partnere të burrave shqiptare në perëndim duke i quajtur ato pa problemin më të vogël si të “përdala” dhe për këtë të arsye edhe problematike për mashkullin shqiptar, i cili pasi shkon një herë për një herë më to, ndërron mëndje dhe shkon e martohet më një grua nga Shqipëria, e cila nuk qënka e përdalur.

    Unë Hyllin nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë gomarllëk më të madh se sa ky i yti; pra nuk mund të thuhet dot ndonjë gjë më e shëmtuar për gruan në përgjithësi si dhe nuk jam në gjendje ta perceptoj se në çfarë tmerri kulturor jetoke ti, që e shikon gruan perëndimore si të përdalë. Ndonjë herë njeriu Hyllin ty vërtetë do të të donte të të dërgonte në Dreq, por kjo nuk është e mundur, se ti ca gjëra vërtetë i shkruan prej një ferri, që përsëri një Dreq e di se pse e ke zgjedhur për t’u strukur atje?

    Po pse o njeri primitiv (nuk mund ta quaj dot ndryshe dikë, që e cilëson gruan perëndimore “të përdalë”) nuk i plas sytë e të shohësh e njohësh botën përreth në dimensionin e saj normal ashtu si është? Ku në dreq e referove dhe nga ç’hale kulturore e nxore atë përgjithësim, që gruaja në perëndim është e tillë? Po ty o njeri sikur të të kenë nxjerrë shtatë dreqërit prej hundësh që del me një përgjithësim të tillë!

    Unë nuk e besoj dot që dikush të thotë dot i bindur, se shqiptari u martoka me shqiptaren, sepse evropiania qenka e përdalë, pa besuar akoma se ky njeri është vërtetë i mjerë, i sëmurë mendërisht, qorr, i lig, rrenacak, bukëshkalë; dhe këto në rastin më të mirë; pra kur presupozohet se ai është ende inteligjent.

    Hyllin mendimi që bie ti në këtë forum është një turp i madh.

  15. Une,sa shume une kemi ne,kam pas patur fatin e mirekeq te punoj per reth dy vjet si drejtues ne nje fabrike italine ne Shqiperi.Njehere,me motren e pronarit te fabrikes,e quajtur Marie,reth te 70-ve,duke pire kafe u diskutua reth ndryshimit te ketij koncepti ndermjete dy kombeve.Ajo,me solli nje shmebull empirik nga goca e saj.Goca e saj,kur ra ne dashuri per here te pare,e coi te dashurin ne shtepi dhe gjyshja,nena e Marise e pyeti se si e quajne kete djalin e bukur.Pergjigja qe Antonio.Pas kesaj,tregoi maria,goca solli ne shtepi edhe shume te dashur te tjere derisa nje dite gjyshja hoqi dore nga peyetja per emrin.Pas reth gjashte vjetesh,goca e Marise,solli te 30-tin,ose te 40-tin,kush i kishte numeruar,vazhdoi Maria,gjyshja pyeti perseri per emrin.Goca e Marise i thote gjyshes qe “Ti sikur ke hequr dore gjyshe nga pyetja per emrat”.I thote emrin:-Antonio.Mos eshte Antonio i pare ky?-pyeti gjyshja.Po-pergjigjet goca.
    Po perse moj goce ndrove gjitha ata meshkuj.U mundove kot.

  16. Pifto, ti qenke ‘talent’ ne sharje, po si e thote ajo kenga (merre metaforikisht po arrite dot):
    Sta dal dot me te qare , por me te kenduar.

    p.s talent ishte ironike, je kaq banal ne menyren e te fyerit, sa duket qe je plebe i lumtur.

  17. Po kur paskeni kaq shume rezerva per lidhjet me te huajat dhe per bashkejetesat/martesat me to, c’dreqin patet qe vajtet ne kurbet dhe nuk u kthyet?! Mund te kishin ndenjur ne shtepite tuaja te asaj “kohe” dhe te duronit deri sa te gjenit shpirtin binjak shqiptar. Eshte e vertete qe kulturat ndryshojne, por njerezit nuk bejne lidhje vetem duke u bazuar te kultura. Ka dhe faktore te tjere si terheqja fizike, karakteret (per disa te perbashketa, per disa te ndersjella), intelekti, karriera, interesi ekonomik etj. Dhe ju lutem mos ofendoni femrat ne pergithesi… dhe meshkujt…

  18. Xhaxhai preku me sa duket nje teme qe ka ngacmuar shume dhe ka trajtuar mjaft realisht fenomenin martese e perzier-si i quajne jashte shtetit (Shqiperise).
    Nuk pajtohem aspak me shprehjen se perendimi i ka femrat te perdala, por nuk dua te hyj aq thelle ketu, se duke qene i larguar nga Shqiperia rreth viteve te para te ’90-es, pasi nenvleresoja veten(si shqiptar) kundrejt njerezve me banin ne perendim, brenda nje kohe mjaft te shkurter(3-4 vjet) munda te arrij ne konkluzionin qe sma luan as topi: as Europa nuk qendron me lart nga shqiptaret. Se edhe ne Europe kam njohur njerezit e te gjitha kategorive qe kishte ka dhe do te kete Shqiperia: kurvat, prostitutat, xhambazet, hajdutet ordinere, mashtruesit me kollare etj etj. plot te tilla epitete, por edhe njerez te ndershem, humane, te rregullt me kulture sikurse dhe ne Shqiperi.
    Martesa e perzier (midis individeve te kombeve te ndryshme) eshte nje fenomen i pashmangshem dhe i shendetshem, pasi afron individe me kod gjenetik te ndryshem duke sjelle breza me tipare diversive.
    Dikur kam lexuar se ne Angli ne mesjete jetonin komunitete te vogla famijare te izoluara ku ishte e pamundur shmangja e incestit me pasoja deri sa edhe nje mbret i anglise (per shkak te martesave vetem brenda familjeve “fisnike”) na doli nje bastard qe u desh me vone ta shkurorezonin.
    I vetmi problem ne keto lidhje eshte shkalla e kultures se individeve qe perbejne ciftin. Nqs nje shqiptar (mashkull) lidhet me nje femer joshqiptare por europiane dhe nuk perputhen ne kete pike (pavaresisht se hyjne apo jo ne mearredhenie me intime) atehere nuk ka shanse qe midis tyre te kete rezultat lidhja (ngado ane anofte kandari i nivelit kulturor), ata vijne tek konkluzioni qe nxori edhe dhelpra me rrushin. Ne rastin e brezit qe perfundoi ne ish vendet e bllokut komunist dhe qe u lidhen martesa me femra nga keto vende, duhet thene se keta shqiptare pa perjashtim ishin te shkolluar, fituan kulture dhe ne pergjithesi moren per nuse te huaja, me te cilat u njohen po ashtu ne ambjentet e shkolles, pra me nivel te kultures te krahasueshem, prandaj edhe paten qendrueshmeri ne lidhje.
    Kurse Xhaxhai i perqaset kesaj teme nga ana se si kjo shtrese e vecante u perdor nga diktatori per te “vertetuar” teorine e luftes se klasave qe e besonte vetem ai dhe qe i rrinte si nje hu i ngulur ne prapanice e se linte te qete as ne gjume.
    Nuk pajtohem me dike qe ben pergjithesim per femrat ne perendim, se kemi njohur edhe femra shqiptare (studente) ne Europe qe kane lene ‘nam’, por kjo sdo te thote aspak se femrat shiptare jane te perdala.

  19. edhe une mbaj distance prej pergjithesimeve, perfshirjes te njerezve te shtresave te ndryshme ne nje kallup.

    une jetoj me nje te huaj, kam me te dy femije, te cilet i do, kujdeset mjaft, rrobat s’i hekuros ashtu si ime eme dikur, por edhe te pista nuk i le.

    sa per kulturat: ato i kemi gershetuar me sukses. shyqyr zotin, besojme qe te dy ne nje fuqi anonime.

    une jam krenar qe jam shqiptar dhe ajo qe eshte holandeze.

    shkurt: kulturat ndajne njerezit mendjembyllur, te pashkolluar ose me paragjykime gjenentike.

    njerezit e ditur i konceptojme kulturat si ura lidhese.

    sa per degjenerimin e femrave te huaja, une po ju them diçka: shumica e tyre, pasi lidhin maredhenie jane me besnike sesa ato shqiptaret tona qe e jane çvirgjeruar ne moshe te thyer.

  20. Lajthit Blushi senior te Gazeta Shqiptare:

    Kjo marrëveshje në këtë kontekst marrëdhëniesh me Greqinë nuk është e nuk duhet parë si një çudi, apo si një rrufe e rënë nga qielli…Nuk mund të ndodhte ndryshe kur kryeministri ynë i varet në qafë Karamanlisit, si një puthador pa dinjitet, kur ministri ynë i jashtëm ( ai që e realizoi këtë marrëveshje) jo vetëm që ende është i akuzuar për një super-korrupsion, po e ka bashkëshorten me nënshtetësi holandeze e kur, edhe kryenegociatori i kësaj marrëveshje, çuditërisht (por ndoshta jo dhe aq çuditërisht!) e ka gruan franceze…Mos ka ardhur koha që të paktën në përfaqësitë tonë diplomatike, ashtu si e kanë shumë vende demokratike, të ndalohen me ligj të punësohen në rangje të larta ata qytetarë që kanë dy shtetësi, apo edhe ata që kanë bërë martesa me të huaj në mënyrë që ne qytetarët të jemi të sigurt e të bindur që diplomatët tanë do të mbrojnë vetëm interesat tona?

    Nga je? Nga fshati i gruas, tha.

Comments are closed.