Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

DREJTËSIA E KALLASHIT

Një nga pasojat më të rrezikshme të rritjes së kriminalitetit është humbja e toruas dhe e arsyes nga ana e qytetarëve. Këta, të dëshpëruar nga rritja e pasigurisë dhe e korrupsionit, të zhgënjyer nga mosveprimi i shtetit, i dorëzohen reagimit emocional, zgjidhjes së shpejtë, dorës së fortë dhe kulturës së hakmarrjes.

Problemi ndërlikohet kur mendime të tilla shfaqen hapur në media, madje në cilësinë e shkrimeve kryesore, ngaqë tregojnë se mendimi është pjekur në shoqëri, aq sa të mbështetet hapur, dhe ngaqë marrin një status më të konsoliduar publik, që shkon përtej reagimit zemërak në lokalin e fshatit.

Në shkrimin “Ka një drejtësi që nuk korruptohet, është Kallashnikovi” (Mapo, 21.12.2015), me autor Mentor Kikia, ka shumë emocion dhe (as)pak arsyetim. Do të kishim dashur ta zbërthenim me çelës ironik, por ishte e pamundur. Gjithsesi, artikulli nuk do të na kishte rënë në sy sikur pas tij të mos fshihej një mendësi e tërë, që e shikon zgjidhjen e kriminalitetit pikërisht tek kallashnikovi.

Autori i referohet ngjarjes së rëndë në Durrës, vrasjes së dy të rinjve mu në qendër të qytetit. Sipas autorit, të gjithë e njihnin aktivitetin kriminal të njërit prej tyre. E dinte policia, e dinin gazetarët. Ja çfarë lexohet:

Në fakt policia ua di motivet shumicës së krimeve, sapo ato ndodhin. “Çunat” lajnë hesapet mes tyre, vrasje pas vrasjeje, pazare droge, trafiqe të tjera, makina të grabitura etj etj.

Megjithatë të pandehurit i kanë shpëtuar drejtësisë. Po përse vallë? Sepse paguajnë, thotë Kikia. Paguajnë policët tek vendi i ngjarjes, prokurorin që ndjek çështjen, gjykatësin që jep pafajësinë. Pavarësisht nga këto, nënvizon ai, drejtësia vjen:

Por në fund vjen drejtësia e vërtetë. Drejtësia e Kallashnikovit. Ajo nuk ka nevojë për ekspertë kriminalistike, as për prokuror, as për gjykatës. Ajo vepron shpejt e shpejt, është edhe hetues, edhe gjykatës, edhe përmbarues. Dhe padyshim që është drejtësia më e pakorruptuar. Askush nuk e paguan dot drejtësinë e Kallashnikovit.

Sido që ta lexosh shkrimin, qoftë me mirëkuptimin më të madh, adhurimi dhe apoteoza ndaj “drejtësisë së kallashnikovit” duken të qarta: drejtësi e shpejtë dhe e pakorruptuar. Në fakt, në këtë këndvështrim, kallashnikovi zgjidh dy problemet më të rënda të drejtësisë shqiptare: korrupsionin dhe vonesat procesuale. Si të thuash, vendimi i formës së prerë vjen shpejt e shpejt, pa ryshfete nën dorë e pa shkallë gjykimi të tejzgjatura.

Mirëpo, ata që e kërkojnë ose e mbrojnë “drejtësisë” e kallashnikovit harrojnë diçka thelbësore. Nuk kemi të bëjmë aspak me drejtësi, madje përdorimi i kësaj fjale është krejtësisht abuziv, kur nuk është oksimoron. Në rastin më të mirë, mund të supozohet se në qytetin e Durrësit është verifikuar vetëgjyqësia, çka përbën vepër penale të padiskutueshme.

Për ata që nuk e dinë, ekziston një nen në Kodin Penal shqiptar ku vetëgjyqësia konsiderohet si vepër penale e dënueshme. Neni 277 i K.P. thotë se vetëgjyqësia është:

Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Tani, edhe po të mos jesh jurist e kupton se në rastin e mësipërm kemi të bëjmë me vrasje, pra edhe me armëmbajtje pa leje, e vepra të tjera të rënda. Fakti është se personi duhet t’u drejtohet organeve kompetente të drejtësisë për të vendosur të drejtën e vet dhe jo të bëjë vetëgjyqësi. Sipas të drejtës moderne, monopolin e zgjidhjes së konflikteve e kanë autoritetet gjyqësore.

Të gjithë e pranojmë se shqiptarët e kanë një problem me vetëgjyqësinë, që vjen nga historia e hershme, por kjo është një arsye më shumë për të mos e glorifikuar drejtësinë e armës, aq më tepër që këtu nuk kemi të bëjmë as me rregulla të Kanunit ose, siç është zakonisht, me pseudo të tilla.

Të pranosh drejtësinë e kallashnikovit, qoftë në mënyrë pasive e nga dëshpërimi, do të thotë të pranosh dështimin total të shtetit e të organeve gjyqësore. Nëkupton delegimin e drejtësisë atyre që janë në anën e kundërt të frontit. Mirëpo, jo të gjithë ata që nuk kanë besim tek drejtësia shqiptare e shikojnë shpëtimin tek Far West-i nëpër rrugët e Tiranës e të Durrësit. Tek e fundit, pas thënies “hanë kokën e tyre”, ose urimit “kokën hëngshin!”, ka një farë indiference, ose pafuqie për të ndërhyrë, sepse të gjithë e kuptojnë se, edhe kur nuk ka kalimtarë të pafajshëm, që vriten “pa dashje”, aty ku kërcet kallashi luhet me jetën tonë.

Nga ana tjetër, dorëzimi në krahët e të ashtuquajturës drejtësi të kallashnikovit, tregon se ka individë në Shqipëri që i shikojnë zgjidhjet duke kaluar nga rruga më e shkurtër, gjithsesi nga dhuna e vdekja, përderisa kallashi nuk shëron jetë. E tepërt të përmendim atë pjesë të opinionit publik, që do ta dëshironte dënimin me vdekje, por me hipokrizi cinike e pranon mungesën e tij ngaqë “është imponuar” nga Europa.

Natyrisht, logjika që qëndron pas arsyetimit të mësipërm është ajo që ka sjellë gjatë historisë fashizmat e të gjitha ngjyrave, sepse krizat e ndryshme, pasiguria në popull, janë zgjidhur me ndërhyrje të fortë; e nuk është habi që njerëzit në kohë trazirash ta kërkojnë natyrshëm dorën e fortë të dikujt, për të vënë rregull e për t’i shtrënguar frerët. E ndoshta ky është rreziku më i madh që i kanoset një demokracie të brishtë si ajo e Shqipërisë, që vuan, midis të tjerash, edhe nga një krizë të rëndë besimi tek qytetarët e saj.

Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri mund të instaurohet një regjim fashist, por që opinioni publik mund të bëhet gati të pranojë çfarëdolloj regjimi, duke pezulluar ato të drejta që kërkoi me aq ngulm pas rënies së Murit. E një nga këto të drejta, përveç sigurisë, është edhe funksionimi i mirë i drejtësisë dhe ndarja e pushteteve.

Zgjidhja nuk kalon pra nga gjaknxehtësia, as nga thurja e lavdeve ndaj grykës së pushkës, aq më pak nga vetëgjyqësia, por nga ndërtimi i shtetit ligjor. E në qoftë se ky nuk ekziston, le të krijojmë kushtet që të ndërtohet, por jo t’i biem nga rruga më e shkurtër, se jo rrallë ajo të nxjerr më gjatë.

2 Komente

  1. “Të gjithë e pranojmë se shqiptarët e kanë një problem me vetëgjyqësinë, që vjen nga historia e hershme, por kjo është një arsye më shumë për të mos e glorifikuar drejtësinë e armës, aq më tepër që këtu nuk kemi të bëjmë as me rregulla të Kanunit ose, siç është zakonisht, me pseudo të tilla”.

    E vertete, por njerezit kerkojne drejtesi neper institucione dhe marrin mbrapsht vetem percmimin dhe padrejtesine. Nje shembull se cfare kosto po prodhon degradimi i plote i sistemit eshte kostoja qe po i faturohet shtetit shqiptar nga vendimet per ceshtjen e pronave. Paguajme koston e ligjeve qe bien ndesh me Kushtetuten , por edhe koston e vendimeve te gjyqesorit qe eshte me te vertete nje korporate. Jeta iken dhe ti kupton se nuk te mbetet rruge tjeter vec te deformohesh, te shpelahesh, te lesh ate qe je, per t’u bere ai qe duhet. Disa e quajne civilizim kete, sidomos kur e ben duke vazhduar te qeshesh. Por disa nuk e perjetojne mire fare. Kikia permend aty rastin e vrasjes, por per ceshtjet civile si i behet? Gjykata e Larte deklaroi para disa muajsh se sapo nisi shqyrtimin e dosjeve te vitit 2012!!!! Po cfare drejtesie eshte kjo xhanem? Natyrisht nuk shkojne te gjithe te kallashnikovi. Ulin koken dhe durojne.

    Shkruani: “…personi duhet t’u drejtohet organeve kompetente të drejtësisë për të vendosur të drejtën e vet dhe jo të bëjë vetëgjyqësi. Sipas të drejtës moderne, monopolin e zgjidhjes së konflikteve e kanë autoritetet gjyqësore”.

    Kam nje pyetje: Me cilen te drejte, ky shtet, qe operon sipas frymes se ketij percaktimi me gjykon mua per nje veprim te kryer ne vitin 1997? Ku te drejtohesha une ne ate kohe, kur shteti me kishte thene: bej hall e jepi derman!
    Xhanem edhe tani ashtu te thote, vetem se kush paguan e paguan per reklame.

    1. Jam shumë dakord me indinjatën tënde. Madje pak ke thënë për hallet e shqiptarëve. Por zgjidhja nuk është t’i këndojmë kallashnikovit, aq më pak duke i përqasur fjalën drejtësi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin