Në valën e publikimit të materialeve komprometuese që po trondit politikën shqiptare dhe paralajmërimeve se paska shumë të tjera gati për botim, njoftojmë se edhe ne kemi në sirtar dokumentacion për ta shokuar përfundimisht opinionin publik.
Tani për tani nuk po i botojmë emrat e personazheve publike, por po mjaftohemi me informacion të përgjithshëm. Ata që janë aty, e dallojnë veten fare mirë në përshkrim dhe e dinë se ç’duhet të bëjnë.
Ja më poshtë disa materiale që mezi po presin të dalin nga kasaforta jonë:
– Foto e një personazhi me pushtet tek lexon një libër në bar;
– Foto e një politikani që shëtit në bulevard dorë për dore me gruan e vet;
– Dokument nga biblioteka që vërteton se një kryetar komune ka marrë hua disa libra pa figura;
– Video e një pushtetari me një vajzë joshëse, por që i thotë asaj “jo” e nuk pranon të ketë marrëdhënie jashtë martese;
– Selfie e një biznesmeni në një muze të rëndësishëm ndërkombëtar;
– Certifikatë mjekësore që vërteton se disa këngëtare yje nuk kanë bërë operacione plastike;
– Editorialist i fiksuar nga telekamera duke menduar para se të shkruajë;
– Dokumente nga gjykata të vendit e të huaja që dëshmojnë se parlamentari shqiptar nuk ka asnjë dënim civil e penal;
– Foto e një pronari dyqani tek jep kuponin tatimor dhe paguan sigurimet shoqërore të punonjësit të vet;
– Imazhe nga telekamerat e sigurisë të një profesori, që refuzon të marrë nga studenti një zarf të fryrë për të kaluar provimin;
– Foto intime të një zv/drejtori duke ngrënë një byrek në zyrën e vet;
– Audio të regjistruar në një spital, ku një mjek kirurg nuk pranon të marrë parà nga të afërmit e të shtruarit;
– Foto të një imprenditori të njohur dhe shumë të pasur ndërsa udhëton me linjën e autobusit urban;
– Faksimilen e denoncimit të një qytetari që akuzon disa policë që nuk kanë pranuar të marrin ryshfet por kanë parapëlqyer t’i vënë gjobë;
– Zëri i regjistruar i një pushtetari të fuqishëm që pranon në bisedë me një shok se nuk e ka tradhtuar kurrë gruan dhe se nuk ka dashnore;
– Video e një kryeredaktori gjatë një mbledhjeje konfidenciale teksa deklaron se shtypi shqiptar po konkurron për nga cilësia me plehrat;
– Audio e plotë e zënkës midis një politikani dhe një ndërtuesi, i pari i pakorruptueshëm, i dyti ambientalist;
– Pjesë bisedash në studio televizive, por të patransmetuara, ndërsa opozitari dhe qeveritari deklarojnë me sinqeritet se duan të punojnë së bashku për të mirën e vendit;
– Dokument trashëgimie të një qytetari në favor të një gjykatësi ngaqë “nuk pranoi të korruptohej”;
– Video e një politikani me rol institucional ndërsa rrëfen se këtej e tutje do të thotë gjithnjë të vërtetën.
Po e sqarojmë që tani se ky është shantazh i pastër, madje jemi duke mbledhur edhe materiale të tjera komprometuese, por ftojmë lexuesit që të na dërgojnë materiale të këtij lloji për t’u treguar pushteteve se i kemi në dorë.