Ishte hapur fjala se aktori i njohur i estradës Mario A. kishte treguar një barceletë tepër të mbrapshtë, në një darkë private në shtëpinë e mikut të vet, Kryetarit të Federatës së Sporteve të Rënda Pashko G.; një barceletë politike nga ato që, pa mbaruar ti akoma së qeshuri, të mvishet e ngjethta e vdekjes nëpër gjymtyrë, sepse ia kupton pasojat, afatshkurtra dhe afatgjata.
Ç’ishte kjo barceletë?
Njerëzit, kur i pyesje, tundnin kokat të menduar; të gjithë kishin dëgjuar për të, por askush nuk e kishte dëgjuar barceletën vetë; por shumica të bindur se ishte e mjaftueshme për të të dërguar në burg, ose të nxirrje krom në zgafellë, ose të rrëmoje dheun me pulat, në internim.
Aktori Mario A. ishte parë të dilte nga shtëpia paradite dhe të shkonte për gotën e zakonshme të salepit te kafe “Tirana”. Si njeri i skenës, ai ndoshta nuk e vuri re vëmendjen e shtuar të kalimtarëve në rrugën e Durrësit, të cilët e kundronin njëkohësisht me admirim dhe me dhimbje; edhe pse nuk mungonin të indinjuarit, si dhe ata të tjerët që prisnin e shpresonin për arrestimin publik të qenit.
Kur në kafe “Tirana” hyri vetë ministri i Brendshëm Gavrosh F., për t’u ulur në tavolinë me Marion dhe për të porositur edhe ai një gotë salep të nxehtë, kureshtja anonime e rrugës arriti kulmin. Një prej kameriereve të kafesë, Niqi T., do të betohej më pas se ministri i ishte lutur aktorit Mario A. që t’ia tregonte barceletën. Ç’barceletë, kish pyetur tjetri. Atë që tregove mbrëmë, në shtëpinë e Pashko G.
Gjithsesi, as barceleta ishte treguar sërish, as ministri kishte qeshur.
Në drekë u hap një fjalë tjetër: se mjeshtrin e madh të sportit, kryetarin e Federatës së Sporteve të Rënda Pashko G., e kishin marrë në hetuesi për ta pyetur, por pastaj e kishin liruar sërish; dhe se Pashko G. kishte këmbëngulur se nuk mbante mend ndonjë barceletë të treguar nga Mario A. Po ai karagjoz është vetë barceletë, u tha t’u kish thënë Pashkoja hetuesve, të cilët gjithashtu kishin qeshur me këtë batutë të rastësishme.
Pasdite, në Klubin e Ministrisë së Brendshme qarkulloi një fjalë tjetër – që ministri Gavrosh F. ishte vënë tashmë në dijeni të barceletës nëpërmjet një raporti të njërit prej darkëtarëve, dhe se kjo paskësh qenë vërtet e keqe, armiqësore, e poshtër dhe antiparti.
Sipas një thashethemeje që qarkulluan mes tyre operativët, në mbrëmje ministrit të Brendshëm i kishte telefonuar vetë Kryeministri, për ta pyetur për barceletën. Ende po punojmë për këtë çështje, ishte përgjigjur ministri. Kryeministri kishte lënë të kuptonte se kërkesa për informacion vinte nga lart fare, ose nga Diktatori vetë.
Thashethemi i fundit duhej ta kishte burimin nga Xhixhi, e shoqja e aktorit Mario A., e cila paskësh treguar se natën vonë kish telefonuar në shtëpi Gani M., sekretar privat dhe fotograf i të madhit, i cili pasi kish folur pak çaste me Marion, ia kishte kaluar linjën Diktatorit. Diktatori kishte pyetur për shëndetin dhe planet krijuese të artistit të shquar të humorit, pastaj e kish pyetur, me diplomaci të spikatur, nëse vazhdonte të tregonte barceleta të kripura, si qëmoti.
Thonë se na kritikoni atje poshtë, dhe mirë na e bëni, paskësh thënë Diktatori; por nuk na pëlqen kur i marrim vesh këto gjëra nga armiku.
Sipas Xhixhit, barceletën famëkeqe e paskësh riprodhuar, po atë mbrëmje, radioja Europa e Lirë, e cila zhurmohej kudo në territorin shqiptar, edhe pse një kopje e emisionit regjistrohej nga radiostacioni në Dajt dhe u dërgohej organeve përkatëse me korrier të posaçëm.
Unë jam ushtar i Partisë, qenkësh përgjigjur aktori i njohur.
Të gjithë ushtarë të Partisë jemi, e paskësh mbyllur bisedën Diktatori.
As Marioja, as të tjerët që kishin qenë të pranishëm në darkën te shtëpia e Pashko G. nuk pranuan kurrë ta tregonin barceletën; madje nuk pranuan as që barceleta ekzistonte. Që armiku nuk priste veçse rastin e volitshëm për të provokuar, kjo dihej; që njerëzit tanë nuk duhej të shndërroheshin në megafonë të helmit, edhe kjo dihej; por sa për barceletën e keqe, kjo nga goja e Mario A. nuk kishte dalë.
Nga e gjithë kjo histori mbijetoi vetëm e qeshura; por një e qeshur e pakonsumuar kurrë, e mbetur në projekt, e mbytur që në embrion; e goditur nga organet e diktaturës, e internuar në zona të largëta të opinionit publik, e dënuar me burg në skutat më të thella të vetëdijes kolektive.
“Cfarë mendoni, se duhet të bëjmë më mirë, në këtë mandatin, tonë te dytë!!??” – pyet “Diktatori”, me sms, votuesin, selektuar random…
Barcaletë, ishte. Dhe të vjen për të qeshur, por, tashmë qeshim dhe vetëm qeshim, sepse, jemi bërë shumë për të qeshur!! 🙁
Noname, lerini keto idiotesira. Berisha ka ato qe ka, qe u lodhem duke ja thene. Por nuk ka krahasim me Diktatorin. Mos beni paralelizma koti, se i ulni vleren vuajtjeve te mijera shqiptareve nen diktaturen komuniste. Dhe meqe jemi ketu, ishalla fiton Edi Rama dhe ju ben Gramoz Rucin minister te brendshem, dhe pastaj gezojuni demokracise se re.
” Por nuk ka krahasim me Diktatorin. Mos beni paralelizma koti, se i ulni vleren vuajtjeve te mijera shqiptareve nen diktaturen komuniste.”
As nji lidhje me shkrimin-prurje te shkrmtatit Maks Gjerazi, per LG.
p.s.
…se ka frike LG se mos prishet imazh vuajtjeje.
m’u duk sikur lexova serish “darka e gabuar” e Kadarese, por kesaj rradhe e shijova shume me teper se kishte dhe te qeshuren brenda!