Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Politikë

REKORDE TË KRIMIT

Krejt papritur, të gjithë kanë filluar të flasin për “rekorde kriminale”, sidomos në kontekstin e kandidatëve në zgjedhjet lokale.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani u bëri thirrje krerëve të partive politike në Shqipëri që të distancohen nga personat me rekorde kriminale…

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha se në listat për zgjedhjet vendore ka kandidatë me rekorde kriminale

Gazetat botojnë listat e kandidatëve që do të verifikohen për rekorde kriminale

Edhe kryeprokurori Adriatik Llalla ka bërë të ditur se në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe anëtarë këshillash bashkiake ka të tillë me rekorde kriminale

Në një kohë që Partia Socialiste përmes një komunikate për mediat ka theksuar se asnjë prej kandidatëve të saj nuk ka rekorde kriminale

Teksa Basha i opozitës ka theksuar se ndryshe nga ASHE, këta nuk kanë kandidatë me rekorde kriminale

Google më jep tani gati 100 000 hite për togfjalëshin.

saltoPërdorimi është i ri dhe vjen si përkthim literal i anglishtes criminal records, pa çka se fjala rekord në shqipe ka hyrë qëkur nga anglishtja, por vetëm me kuptimin “arritje më e lartë në një garë sportive” dhe pastaj “arritje më e lartë brenda një fushe të caktuar.”

Nga anglishtja ka hyrë edhe rekordmen, e cila brenda shqipes ka dhënë formën e çuditshme rekordmene.

Tani, se ç’nevojë ka pasur për të përdorur shprehjen rekorde kriminale, këtë e dinë më mirë ata që e kanë përdorur; pa çka se shqipja fare mirë mund ta përcillte të njëjtin koncept me shprehje të tilla si e kaluar kriminale, e shkuar kriminale, precedentë penalë, biografi kriminale, nëse doni edhe dosje kriminale.

Kështu me intuitë, besoj se ky lulëzim i papritur i një barbarizmi, si në raste të tjera, i detyrohet konotacionit jo denotacionit; meqë ata që e përdorin, dashur pa dashur, duan t’i referohen pozicionit perëndimor ndaj këtij problemi të politikës shqiptare; dhe veçanërisht atij amerikan.

Dhe këtë rol rekorde kriminale kushedi e luan më mirë se alternativat që solla më sipër.

Në kuptimin që, po të them persona me rekorde kriminale, jam duke iu referuar në mënyrë implicite porosive të çmuara të ambasadorit Lu dhe po rreshtohem përkrah Amerikës; ndërsa po të them persona me të shkuar kriminale nuk ma vë kush në pullë.

Madje referenca nuk është vetëm implicite: duke thënë rekorde kriminale, unë dua që publiku të më perceptojë si megafon të ambasadorit Lu ose të kushedi kujt tjetër zyrtari të lartë dhe autoritar.

Deri këtu “dashnori i shqipes” tek unë; sepse pastaj u hedh edhe një sy tjetër shembujve të shumtë me rekorde kriminale dhe më shkon mendja se kushedi të gjithë këta që përfliten kanë thyer vërtet rekorde në fushën e krimit, aq sa të fitojnë admirimin e publikut dhe votat përkatëse; dhe se këta persona me rekorde kriminale nuk janë thjesht njerëz që janë dënuar dikur për gjithfarë krimesh ordinere dhe të ndyta, por rekordmenë të vërtetë të krimit.

Dhe Shqipëria, që në përgjithësi në sporte nuk është shquar ndonjëherë (me përjashtim të qitjes), mbase i ka rekordmenët e vet pikërisht në fushën e krimit, në rang rajonal, kontinental e më gjerë.

Ashtu do të na duhet ta rimendojmë edhe qëndrimin kritik që formuluam më lart, ndaj një parazitizmi të ligjërimit publik, në një epokë kur edhe lëmin e parazitizmit jemi duke thyer rekordet përkatëse.

Pa Komente

  1. Xha-xha, me duket se per kete ceshtje, nderkombetaret dhe shqipetaret (politikberesit tane) kane ecur ne dy shina te ndryshme. Lu-ja apo Vllahutin me “criminal records” kuptonin te kaluaren kriminale te kandidateve, ndersa politikanet tane ate se kush duhet te mbante rekordin per krime. Vetem keshtu mund te shpjegohet edhe qendrimi antinderkombetar i taneve.

  2. Me kujton keqperkthimin “Shqiperia ne moshen e internetit”…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin