Ky imazh i fotoshopuar, të cilin e ka përdorur sot “Dita” si ilustrim të një artikulli për rezultatet e zgjedhjeve lokale, dëshmon se çfarë nuk shkon me fushatën dhe vetë konceptimin e procesit elektoral në Shqipëri.
Imazhi paraqet fytyrat e zbehta të dy liderëve të koalicioneve të mëdha në garë (çfarë mes të tjerash nuk do t’i ketë pëlqyer Metës); me një sfond qielli të vranë dhe dramatik, a thua se po gatiten për ndonjë betejë të rangut kozmik.
Mungon vetëm zhurma e erës në sfond; ose ndonjë kor nga Carmina Burana.
Pa çka se as kanë qenë kandidatë gjëkundi në këto zgjedhje, as janë tani duke numëruar votat.
Zgjidhja grafike të sugjeron, në rastin më të mirë, se zgjedhjet e tanishme nuk paskan qenë për kandidatët lokalë anembanë vendit, por kanë shërbyer si platformë për një përplasje primordiale personalitetesh.
Koncept mesjetar, i bërë edhe më mesjetar nga photoshop-i.
Në fakt, edhe praktika e fushatës e konfirmoi angazhimin ballor, në nivel lokal, të liderëve politikë të vendit; çfarë edhe mund të kuptohet edhe pse jo tërësisht të përligjet.
Por të supozosh tani se kush e hodhi votën të dielën që shkoi, zgjodhi midis Ramës dhe Metës, do të thotë ta shtrembërosh vetë kuptimin dhe domethënien e procesit zgjedhor.
Kushdo që e ka përgatitur këtë imazh, duket sikur ka marrë frymëzim nga zgjedhjet presidenciale në ShBA, ku qytetarët vërtet ftohen të zgjedhin midis kandidatit A dhe kandidatit B.
Por këto të tanishmet në Shqipëri nuk ishin madje as zgjedhje parlamentare.
Qytetarët duhej të votonin për pushtetarët e tyre lokalë; që do t’u shërbejnë për t’i ndihmuar me hallet e tyre lokale.
Ilustrimi me Ramën dhe Bashën duket sikur thotë se, pa bekimin e këtyre të mëdhenjve, as edhe një kosh plehrash nuk shtohet dot në rrugë.
Nëse vetë liderët politikë e dëshirojnë këtë apo jo, kjo mund të diskutohet: nuk ma merr mendja se imazhe të tilla prodhohen dhe përdoren me urdhër të tyre. Për më tepër, mjafton një kërkim i thjeshtë në Google për të parë se imazhi qarkullon prej vitesh, aq sa të ketë pasur kohë të shndërrohet në simbol të pluralizmit dhe të konfliktit politik në Shqipëri.
Ata që i përdorin simbole të tilla duke i marrë për të mirëqena, e përfytyojnë demokracinë si të ish një duel me topuzë e patërshana, mes kryetarësh të fiseve ndërluftuese.
Në vend që të debatojnë për nevojat e tyre dhe të komuniteteve, dhe pastaj t’ia japin votën atij kandidati që duket sikur do t’ua plotësojë këto nevoja më mirë, qytetarët ftohen të zgjedhin mes dy ikonave.
Mesazhi u përcillet i qartë qytetarëve: rreshtohuni politikisht jo në bazë të gjykimit tuaj racional dhe të kujdesshëm, por sipas instinktit politik ose fytyrës me të cilën identifikoheni.
Fiks ndeshje mitiko-kozmike–mungon vetem çekiçi i Thorit (zevendeson jo keq koken e Metes).