Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Fotografi

VARGONJTË E REALES

Gjithnjë më kanë tërhequr intelektualisht reliket – sende në dukje të vdekura, që çelin shtegun midis materiales dhe shpirtërores, duke projektuar një fushë depërtuese rrezatimi “të mirë.”

Para pak ditësh, kur vizitoja bazilikën San Pietro in Vincoli në Romë, më tepër për të (ri)parë pas kaq e kaq vjetësh Moisiun e Michelangelo-s, nuk mund të mos vija re edhe fragmentin e vargonjve, me të cilët besohet se kanë mbajtur të lidhur Shën Pjetrin.

Dy sende këto, statuja dhe vargonjtë, që i bashkon mes tyre edhe materialiteti, edhe forca rrezatuese.

140527-st-peter-s-chains-0A janë të vërtetë vargonjtë e ekspozuar?

Ateistët humbin shumë kohë me përgënjeshtrimin e dëshmive të tilla; teologët – siç më tha një shok gjatë vizitës – i shpërfillin dyshimet pozitiviste dhe shpjegojnë se thelbi i relikes nuk është vijueshmëria materiale, por besimi i atyre që e nderojnë; në kuptimin që është besimi që e instauron vijueshmërinë.

Po çfarë do të ishte pikërisht e vërteta në këtë kontekst? Kam lexuar diku – sa për të sjellë një shembull – se kaq shumë copëza të kryqit ku u kryqëzua Krishti gjenden në kisha anembanë botës, sa do të mjaftonin për të (ri)ndërtuar… Arkën e Noes!

Dhe këtu vjen e merr relevancë paradoksi i Anijes së Teseut; meqë na lejohet të mendojmë se, sa kohë që nuk është druri i kryqit që e bart “magjinë”, por fakti që atje u kryqëzua i Biri i Zotit, atëherë çdo copë druri mund të shërbejë për ta kujtuar atë ngjarje, nëpërmjet përjetimit mistik.

E gjithë kjo i ka themelet në paradoks. Kam lexuar, kushedi tek Eco-ja, se në një kishëz në Spanjë besimtarët adhuronin trupin e tharë të një foshnje: Jezuit fëmijë.

Si i kish shpëtuar temporalitetit ky trup i foshnjës Jezu, për të përfunduar në një kishë? Si kish vdekur dhe megjithatë vazhduar pastaj jetën Krishti? A nuk i ngjante kjo mrekulli minore dhe lokale asaj tjetrës, së Ringjalljes?

Sende që mishërojnë Jezuin, duke komunikuar dhe riprodhuar imazhin e tij pak a shumë të stilizuar, i gjen me bollëk në botën e krishterë: miliona ikona, afreske, piktura, statuja dhe figurina. Jezui foshnjë e balsamosur në kishëzën spanjolle fare mirë mund t’i përkasë “strukturalisht” këtij grupi shenjash ikonike, edhe pse pretendon të jetë diçka më tepër: jo reprezantim, por vijueshmëri.

Logjika do ta kërkonte, në këtë rast, që reliket të funksiononin si fotografi të reales, në ato kohë kur teknologjia fotografike nuk ishte shpikur.

Kalimi nga gjurma te fotografia është, tek e fundit, çështje gradualiteti.

Edhe fotografia është shenjë ikonike e objektit ose realitetit që e paraqet jo siç është por siç ka qenë; dhe njëkohësisht provë e vërtetësisë së tyre.

Ja çfarë shkruan Barthes-i për fotografinë:

Palëvizshmëria e fotografisë është njëfarësoj rezultat i një pështjellimi pervers midis dy koncepteve: Reales dhe Së Gjallës: duke provuar se objekti i paraqitur ka qenë real, fotografia fshehtasi indukton besimin se ai është i gjallë, për shkak të atij deluzioni që na bën t’i atribuojmë Realitetit një vlerë absolute, eprore, njëfarësoj të amshuar; por duke e zhvendosur këtë realitet në të shkuarën (“kjo-ka-qenë”), fotografia sugjeron se ai (realiteti) tashmë ka vdekur. [Camera Lucida: Reflections on Photography.]

Fotografia edhe e ndalon jetën në çastin e shkrepjes, edhe e riprodhon atë ad infinitum; por gjithnjë – për ta thënë sërish me Barthes-in – pa e nxjerrë atë dot nga e shkuara; ndryshe nga piktura ose skulptura realiste, të cilat e sjellin të shkuarën në të tashmen. Pikërisht si vepër arti, Moisiu i Michelangelo-s është bashkëkohor në një mënyrë që vargonjtë e Shën Pjetrit aty pranë nuk mund të jenë kurrë.

Po ta pranojmë, pra, reliken si një farë fotografie të së shkuarës, që përçon – nëpërmjet besnikërisë fotografike – forcën mistike të objektit “të fotografuar”, atëherë duket kuptimplotë që një nga reliket ndoshta më të vyera të krejt Krishterimit, Qefini i Torinos (La Sindone), mund të jetë dëshmi e një teknologjie mesjetare rudimentare të fotografisë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin