Kur e pyetën dikur në vitet 1920 Mussolini-n se cili ishte programi politik i fashistëve, tha: “të marrim pushtetin.” Asgjë më tepër se kaq.
Këto ditë mediat e Tiranës nuk duket të flasin për gjë tjetër, përveçse për “kandidaturat” e partive për pushtetin lokal: emra, CV, portrete fotozhenike.
Nga njëra anë, procesi kontrollohet me imtësi të frikshme nga partitë; nga ana tjetër, shohim të përvijohet një përplasje personalitetesh (yeah), jo idesh – a thua se nuk bëhet fjalë për parti me synime dhe vizione në thelb ideale, por për banda të fortësh me synime dhe vizione në thelb materiale.
Dhe këtu ka një kontradiktë, sepse kandidatët e ndryshëm nuk i sheh të kundërvihen sipas programeve ose ideve që sjellin, por sipas grupeve që i mbështetin; teksa debateve po ua zënë vendin batutat.
Pluralizëm? Aspak – thjesht segmentim i politikës sipas vijave të forcës. Kush ka akoma dyshime për statusin e “pluralizmit” në Shqipëri, le t’u hedhë një sy skeçeve komike që konsumohen në parlament.
Ironia është se partitokracia, që tashmë e sundon pa kufizime procesin politik, as që e sheh më të nevojshme të harxhojë kohë me përpunimin e ideve politike, së paku për opinionin publik.
Më e arsyeshme do të ishte që, në vend të përplasjes midis Veliajt dhe Kosovës në dyluftim për bashkinë e Tiranës, me një terzo incomodo në mes si Bojaxhiu (alternativa qualunquista), të kishim përplasje vizionesh dhe programesh për të ardhmen e kryeqytetit.
Këto vizione dhe programe doemos ekzistojnë dhe ka njerëz që kanë punuar me to seriozisht – por sa u përgjigjen dallimet mes tyre dallimeve në ideologji dhe programe midis palëve që mbështetin kandidatët?
Diskursi politik në media dhe në Facebook ka mbetur i mbyllur në kavanozin e karremave kombëtaristë: bashkimi kombëtar, ç’gjuhë duhet të përdorë Janulatosi në meshë, harmonia fetare, ndeshja Shqipëri-Serbi.
Mungojnë çështjet e mëdha të punësimit, të arsimit, të rendit publik, të shëndetësisë, të sigurimeve shoqërore dhe të mjedisit; le të shpresojmë se mungojnë vetëm në skenë dhe jo në prioritetet e qeverisë dhe të aksionit politik në përgjithësi.
Dhe, çfarë është edhe më keq, duket sikur aksionit politik në përgjithësi ia kanë zënë vendin përfundimisht premtimet; dhe koha e ardhme i ka fituar luftrat gramatikore me kohët e tjera të foljes.
Kur e pyetën dikur në vitet 1920 Mussolini-n se cili ishte programi politik i fashistëve, tha: “të marrim pushtetin.” Asgjë më tepër se kaq.
Pavaresisht se gjendja eshte e tipit “si salvi chi puo”, duhet pranuar se ne zgjedhjet lokale marrin rendesi njerezit e jo idete. Duhet pranuar edhe qe 25 cerek shekulli moralizim mediatik ka deshtuar ne menyre spektakolare nqs ka pasur synime edukative te ndonje lloji. Te shpetojme shpirtin, tha, se mishi eshte i denuar.