Sot një numër i madh mediash shqip online e hapin faqen me një lajm tronditës: një Ilarion Ruvarac (1832-1905), i prezantuar si “themelues i kritikës së historiografisë dhe kundërshtar i historiografisë romantike nacionaliste serbe” paska qenë deklaruar kundër miteve kombëtariste serbe, përfshi ato për betejën e Kosovës dhe për Skënderbeun “serb.”
Burimi i këtij lajmi të pakuptueshëm është Koha ditore – them “i pakuptueshëm” sepse nuk merret vesh pse duhej përcjellë ky informacion pikërisht sot: mungon edhe elementi “dog bites man”, edhe elementi tjetër “man bites dog”; dhe i ndjeri Ruvarac ka vdekur këtu e 110 vjet të shkuara, kohë gjatë së cilës mitet serbe kanë pasur goxha kohë të fermentohen dhe të shndërrohen në strategji politike dhe demografike.
Gjithsesi, entuziazmit për këtë qëndrim të sapozbuluar të historianit “serb” i janë bashkëngjitur Dita, Tema dhe kushedi ç’faqe tjetër. Më aktuale kushedi do të kish qenë të lajmërohej sërish për bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, të vitit 1999.
Se pse po i kushtojnë vëmendje mediat shqip sot debateve në historiografinë serbe të shekullit XIX, këtë ndoshta nuk do ta kuptojmë kurrë – por ndoshta do të ketë lidhje me gatishmërinë tonë për të kremtuar çdo lloj disidence të dijetarëve, akademikëve, intelektualëve dhe shkrimtarëve serbë, ndaj vijës kombëtariste zyrtare të vendit fqinjë.
I pikturojmë këta disidentë si heronj të mendimit të lirë dhe të kultit të së vërtetës, duke përfituar nga rasti – se kush nuk do të përfitonte – për të theksuar prapambetjen e obskurantizmit nacionalist mes të tjerëve.
Kjo edhe pse disidentë të ngjashëm, por që ngrihen kundër miteve historiografike shqiptare, i kemi shpallur gjithnjë tradhtarë të kombit dhe të paguar prej armiqve tanë tradicionalë; i kemi denoncuar dhe demaskuar publikisht dhe i kemi shndërruar në karikatura.
Nuk po dua të futem në aspektet mirëfilli akademike të këtyre debateve; edhe pse nuk kam dyshim për natyrën mitike të shumë premisave të historiografisë kombëtariste, si në Serbi ashtu edhe mes shqiptarëve, në Shqipëri dhe në Kosovë. Dua vetëm të vë në dukje këtë manierizëm, ose obsesion për t’i shndërruar në heronj disidentët e Tjetrit, dhe në tradhtarë disidentët tanë; në një kohë që, po ta kishim kaq për zemër lirinë e shprehjes dhe pluralizmin akademik, do të respektonim, para së gjithash, disidentët tanë; dhe ashtu do të bëheshim të besueshëm edhe kur u thurnim pastaj lavde atyre të tjerëve.
Përndryshe, mediat shqipe që sot vajtën dhe ia trazuan eshtrat në varr Ruvarac-it nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse vazhdojnë me një lloj propagande të trashë dhe padronizuese, e cila u flet tifozerive kuqezi dhe kultivon jo lirinë e fjalës dhe të mendimit, as pluralizmin, as nevojën për vërtetësi, por vetëm kundërvëniet dhe karshillëqet dhe ballkanizimin e dijes; duke përbaltur dhe poshtëruar deri edhe gjestet e atyre pak mendjeve të ndritura dhe të pavarura, këndej dhe andej, që guxojnë ndonjëherë të mos u bashkohen koreve përkatëse.
© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi i këtij shkrimi pa lejen eksplicite të administratorit të blogut.
Meqe kryeministri foli ashtu si foli dolen edhe ca gazeta me ndjeshmeri politike. Kaq per rastin ne fjale, pastaj persa i perket pjeses tjeter, nuk ka ndonje dukuri te jashtezakonshme tek perqafimi i tezave te tjetrit kur ai mban nje qendrim qe te pelqen, eshte shume njerezore. E mira do te ishte qe perballjet e qendrimeve te zhvilloheshin ne ambjente akademike, se po u hodhen per konsum mediatik aty s’ ka me vend per diskutime por per llogore. Kush e kerkoi te verteten ne diskutime mediatike dhe e gjeti?
Besoj se ka te beje me ‘stuhine’ qe prodhon kleri mysliman ekstremist ne Kosove. Para do kohesh ‘i zbardhin’ nje predikim hoxhes famekeq “Irfan Salihu” ku ai qenkesh shprehur pro versionit serb te historise (Shqiptaret e ngulitur ne Kosove prej Turqve etj etj)