New York Times ka sot një artikull rreth situatës së eksodit kosovar drejt Bashkimit Europian, shoqëruar edhe me një analizë të përmbledhur të shkaqeve.
Përveç arsyes që duket të ketë si pikënisje mundësitë e krijuara rishtas në kufi pas marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës e shoqëruar me hapjen e kufijve dhe njohjen e dokumenteve të identitetit, mungesa e shpresës të bie në sy. Ndërsa kosovarët me mbarimin e luftës dhe shpalljen e pavarësisë patën një lloj optimizmi, tashmë shumica dhe veçanërisht të rinjtë thonë se nuk shohin ndonjë zgjidhje në të ardhmen.
Sipas artikullit, pasiguria në rritje i ka rrënjët pjesërisht në statusin e territorit dhe pavarësinë e panjohur të Kosovës nga një pjesë komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa vendet e varfra të rajonit kanë akses tek programet e vizave nga Bashkimi Europian kjo nuk ndodh me Kosovën, çka kontribuon edhe më shumë në sensin e braktisjes dhe të izolimit.
Kurse në planin e brendshëm, sikurse pritej, ndër shkaqet që renditen duket se është edhe skena politike e brendshme që perceptohet si problematike dhe e dominuar nga individë të cilësuar në shkrim si “power hungry and corrupt” (të etur për pushtet dhe të korruptuar).
Disa nga faktet e eksodit janë të tilla:
Sipas Ministrisë së Arsimit 5,600 nxënës janë regjistruar të kenë lënë bankat e shkollave.
Në Austri vetëm në janar 2015 janë regjistruar 1,901 aplikime për azilantë nga qytetarë të Kosovës.
Në Gjermani, prurjet nga Kosova janë ulur në 200 vetë në ditë, nga 1,400 që ishte numri i tyre në fillim të shkurtit 2015.
Faktorët ekonomikë që e mbështesin këtë eksod janë edhe më tronditës:
Kosovës i duhet 7 për qind rritje vjetore ekonomike për të përballuar vetëm punësimin e 25,000 deri në 30,000 të rinjve që përfundojnë shkollimin çdo vit.
Ndërsa investimi direkt prej të huajve në Kosovë është rreth 270 milionë dollarë, ose gjysma e asaj çka ishte në 2007 (përpara vendosjes së pavarësisë).
Kurse rrugëdaljet dhe zgjidhjet, të cilat tingëllojnë më shumë si pamundësi, renditen:
Sipas një analisti kosovar, mundësi më e madhe vizash për rreth 100,000 qytetarë të Kosovës që do të mund të punësohen në Europë, në mënyrë që të kompensohet për një lloj lënieje pas dore që ndiejnë qytetarët e Kosovës. Porse lëshimi i këtyre vizave në situatën aktuale duket i pamundur. Në vendet e Bashkimit Europian ka një rritje të populizmit, nacionalizmit, dhe pakënaqësi të votuesve ndaj imigrimit, qoftë ky edhe brenda për brenda Bashkimit Europian nga vendet anëtare si Bullgaria dhe Rumania.
Kurse shpresa e Kryeministrit të Kosovës (i cili duket edhe më i pashpresë se edhe vetë situata të cilën kërkon t’i japë zgjidhje – shënim i autorit) është të lehtësojë pakënaqësinë e të rinjve me ndërtimin e objekteve kulturore dhe sportive anembanë Kosovës – e cila zien nga temperaturat e larta gjatë verës, por që nuk ka qoftë edhe vetëm një pishinë publike (sipas NYT) – si dhe të përmirësojë nivelin e edukimit.
Në fakt do kisha shumë dëshirë t’ia vishja këtë koment të fundit të Kryeministrit të Kosovës ndonjë keqkuptimi, nxjerrje nga konteksti, apo qoftë edhe t’ia atribuoja një lloj humori me të cilët editorët e New York Times-it kanë zakon t’i zbukurojnë shkrimet e tyre.
Sigurisht sikur të mos e dija të vërtetën se kjo është mënyra më e sinqertë e shprehjes së vizionit të lartë që kanë politikanët shqiptarë për mënyrën se si duhet të zgjidhen problemet ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri dhe Kosovë.
Personalisht nuk e kam shumë të qartë se çfarë e bën seriozisht të mendojë Kryeministrin e Kosovës se shpërndarja e objekteve sportive dhe kulturore do t’i japë zgjidhje dhe shpresë rinisë në Kosovë. Sikurse nuk kam kuptuar asnjëherë se në ç’mënyrë do t’u jepnin zgjidhje dhe shpresë qytetarëve të Tiranës fasadat e lyera dhe ngjyrat nëpër pallate të implementuara nga Edi Rama, modeli “par excellence” i politikanit shqiptar.
Por ajo çka është e qartë, është se këto modele nuk shkojnë dot përtej demagogjisë – një lloj demagogjie shumë të ngjashme me atë që Shqipëria la pas me komunizmin.
Në përgjithësi, ky model demagogjik e gjen suksesin e vet tek inferioriteti ekonomik dhe presioni që shoqëria shqiptare ndjen kundrejt Perëndimit.
Është pikërisht ky inferioritet që shembi regjimin e kaluar – sado shumë herë më i sofistikuar në shpërndarjen e qendrave sportive, kulturore dhe artistike – dhe që vazhdon të shembë përditë kalanë prej rëre të rendit të tanishëm social-ekonomik.
Ajo çka i bën qytetarët e Kosovës të largohen përditë është ekonomia. As 100,000 dhe as 1,000,000 viza nuk mund ta zgjidhin problemin.
Gjithashtu problemin e 25,000 të rinjve që lënë bankat e shkollave dhe që i drejtohen punësimit çdo vit nuk e zgjidhin platformat e arsimimit (me gjithë rëndësinë e padiskutueshme të tyre) por ato ekonomike.
Ironia e gjithë kësaj situate është se sa më shumë bien barrierat e botës së ekonomisë globale, me ndihmën e teknologjisë dhe internetit dhe shpërndarjes së ideve, aq më të izoluara janë kthyer në vite ekonomitë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Se sa të paqena janë barrierat e statusit dhe mungesa e vizave, këtë e dëshmojnë ekonomi të tjera siç është për shembull Tajvani me të njëjtin status si i Kosovës, apo vende të tjera aziatike ku aksesi fizik dhe i drejtpërdrejtë me vende të zhvilluara ka qenë shumë më i kufizuar se i Shqipërisë dhe i Kosovës.
Problemi i Shqipërisë dhe i Kosovës nuk është se ato janë apo kanë qenë të izoluara për shkak të të tjerëve, porse ato janë të izoluara për shkak të vetes. Izolimi, më parë i Shqipërisë, dhe tashmë i Kosovës, është vetizolimi që ia kanë bërë politikanët vendas, sidomos në rrafshin e ideve, burimeve njerëzore dhe pjesëmarrjes apo angazhimit qytetar. Nuk është i imponuar nga faktorë të jashtëm. Dhe nuk është i nxitur siç besojnë konspirativët nga agjentura të huaja, por është i nxitur nga interesat meskine dhe injoranca.
Tashmë është fakt se Shqipëria dhe Kosova i kanë shumicën e qytetarëve ekonomikisht më aktivë jashtë territoreve të tyre. Aksesi ndaj ideve, por edhe burimeve financiare duhet kërkuar gjithashtu tek këta qytetarë, si nëpërmjet votës, pjesëmarrjes politike ashtu edhe mundësive për investim.
Por më e rëndësishme, duke qenë se jemi te hapja politike, politikanët shqiptarë bëjnë mirë që përveç ekzaltimit bosh ndaj gjestit me flamurin e Shqipërisë etnike të shpalosur në një ndeshje futbolli, t’u ofrojnë qytetarëve të Kosovës nënshtetësinë shqiptare si një gjest dhe mënyrë praktike e hapjes dhe bashkimit të mundshëm, duke marrë kështu mbi supe jo vetëm barrën e demagogjisë patriotike por edhe të veprave.
…Por ajo çka është e qartë, është se këto modele nuk shkojnë dot përtej demagogjisë – një lloj demagogjie shumë të ngjashme me atë që Shqipëria la pas me komunizmin….
Kam frike se nuk eshte fjala per nje demagogji te vertete e te kalkuluar imet se sa per nje kufi te brendshem te vizionit politik. Deri aty shkon, nuk ke çfare t’i besh. Nuk mund t’i kerkosh shqarthit te ulerije si tiger…
Lyss,
Shumë dakort. Ka një dallim midis asaj që bëhej në mënyrë sistematike nga regjimi i kaluar, dhe asaj që bëhet nga “halli” tani. Sidomos në rastin e Kryeministrin të Kosovës ka doza të mëdha naiviteti, në kuptimin që ai vërtet beson se disa fusha të reja sportive apo pishina do zgjidhin diçka me rininë në Kosovë. Dhe kjo nuk i kishte shpëtuar as editorit të NYT.
Megjithatë, sot demagogjia ka karakter fluid dhe pse jo më e sofistikuar. Përshembull si demagogji sistematike në politikën Shqiptare sot është kthyer lufta kundër kriminalitetit (nesër do jetë diçka tjetër). Duket se ata që bërtasin më shumë janë ata që janë më pak të interesuar për zgjidhjen e ndonjë problemi. Nuk kam ndonjë aprovim kushedi për Ramën në përgjithësi, por nuk kam si të mos bie dakort me të se kjo që po ndodh me Doshin është një farsë shumë e rrezikshme. Sa më shpejt të marri fund aq më mirë – dhe protestat janë gjëja e fundit që nevojitet.