Rastësisht vizitova faqen e “Qendrës shqiptare të rehabilitimit të traumës dhe torturës”, një institucion i shoqërisë civile që, mes të tjerash, është dekoruar me Medalje Nderi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Nuk kam shumë njohuri për veprimtarinë e tyre; edhe pse misioni që i kanë dhënë vetes është nga më fisnikët. Veç shpresoj që cilësia e kësaj veprimtarie të mos i ngjajë mënyrës si paraqitet faqja në shqip – me përkthim të siguruar nga Google Translate.
Më çuan te kjo faqe disa shkrime të miat, të botuara më parë në Peizazhe të fjalës: dhe pikërisht Tipologji e shpejtë e hafijes, Mëshirë me pahir dhe Komunizmi dhe shoqëria civile.
ARCT i ka marrë këto shkrime pa leje; edhe pse – edhe vetëm duke u nisur nga misioni i tyre – do t’ua kisha dhënë lejen me kënaqësi, madje duke u ofruar edhe bashkëpunimin tim.
Megjithatë, këta të ARCT-it s’janë as të parët as të fundit që kullotin në lëndinat e Peizazheve; pa çka se financimet nuk duken t’i kenë pasur të pakta; pa folur pastaj për mbështetjen organizative dhe morale nga gjithë bota (hidhini një sy faqes për t’u bindur).
Ironikisht, shkrimet e kopjuara dalin në faqen e ARCT-it si të mbrojtura me të drejta të autorit – madje më mirë se ç’i mbroj unë vetë te Peizazhet. Në fakt, po të bësh një right-click në tekst, të shfaqet mesazhi: “Stop copying the copyrighted material!”
Mos e kopjo materialin e mbrojtur me copyright! Vërtet – por këtë porosi morale, në mos ligjore, duhet ta kishin zbatuar këta të ARCT-it vetë të parët.
Jua solla këtë informacion veç për pak humor.
Vura re se ARCT është aq e bindur për të drejtat e autorit saqë e ka çaktivizuar edhe funksionin e seleksionimit të tekstit që mund të bëhet me butonin e majtë të miut. I paskan marrë të gjitha masat.
E cuditshme sepse nje shoqate si kjo e tyre, kaq e mirefinancuar, do duhet ta kishte si pjese te aktivitetit dhe misionit shperndarjen sa me te gjere te veprimtarise se tyre. Pra, ckuptim ka qe te prodhoje raporte e qendrime pa fund nese keto nuk mund te qarkullojne lirshem ne hapsiren virtuale dhe te gjenerojne me shume vemedje per kauzen e tyre. Pak a shume kjo eshte edhe nje prej arsyeve qe blogu yne mbetet i hapur dhe nuk ben policin sa here qe i merren shkrimet pa leje. Mbetet ne vizionin tone qe nje shkrim te qarkulloje e te stimuloje debat por natyrisht pjese e ketij vizioni eshte edhe respektimi i te drejtave te autorit, dhe qe minimalisht te kerkohet leje. Fatkeqsisht duket se jemi nga te paktet qe ende besojne ne kete parim.
Ndoshta do duhet te flasim me terma si dhunim e torture edhe per te drejtat e autorit qe te vihen ne levizje per ti mbrojtur keta te ARCT. Me siguri qe do te gjejne fonde te mjaftueshem sepse per ke kerkon gjithmone ka!
Pishak, para ca ditesh nje shkrim i yti perfundoi tek faqet e Gazetes Dita. Me lejen tende?
Parrulla, as që e dija që ishte botuar tek “Dita”! Pra, nuk më kanë marrë leje as mua, as blogut. Të ndjekësh shkrimet po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Shkojnë nga një cep i uebit tek tjetri. Në pjesën më të madhe na shpëtojnë.
Marrjet pa leje nuk i krijojnë probleme vetëm të drejtës së autorit, por edhe shkrimit vetë. Titulli origjinal i artikullit “Perseverare diabolicum” (Ta përsërisësh është djallëzore) i referohej deklaratës së Ramës, por lidhej me shkrimin e mëparshëm në PTF, që e analizonte më në hollësi problematikën e sindikatës. Mirëpo redaksia e ka quajtur të arsyeshme ta ndryshonte titullin; me sa duket në latinisht tingëllonte pak e çuditshme. Por titulli e kishte një logjikë të vetën brenda formatit ku mori formë. Më vjen keq që paskan marrë edhe imazhin, përgatitja e të cilit më mori shumë kohë, madje edhe pa ndonjë rezultat të hatashëm, por prapë më lodhi ca se nuk ishte e thjeshtë ta merrja nga videoja. Të paktën për mua.
Sa për studimet e mirëfinancuara, mund të them se shpeshherë kush i jep fondet e vë si kusht përhapjen sa më të gjerë të materialit. Sepse ai është objektivi qendror i dhurimit. Ndaj edhe mund t’i shkarkosh e mund t’i citosh pa problem. Kjo është praktikë e njohur në botë. Por rasti ynë është pak i ndryshëm.