Kanoni i letërsisë botërore ka regjistruar dy ditarë prej dy arketipash të kundërt të çmendurish. Shkruar të dy gjatë shekullit 19, këto ditarë regjistrojnë atë që për analogji të “dhunës së kulluar” të Walter Benjamin do e quaja çmenduri të kulluar nga njëra anë, si dhe ate që për hir të teorive motivuese të shekullit 20 do e quaja çmenduri meritative nga ana tjetër.
Këto dy ditarë të çmendurish – respektivisht të Nikolai Gogol dhe të Guy de Maupassant – nuk do të pranoja kurrë t’i lexoja si justifikim i çmendurise, pasi nuk mund të lexohen përvecse për të shijuar atë sferë të aktivitetit njerëzor ku çmenduria kanalizohet në letërsi duke fituar kështu veti emancipuese e rrjedhimisht për t’u cliruar nga çmenduria duke kuptuar shkaqet e saj. E kotë të shtoj që nëntitulli i këtij shkrimi është “Çmenduri dhe Dije.”
Edhe pse e shkruar më vonë e me një sarkazëm të kontrolluar nga margjinaliteti i autorit dhe ekspertizës psikologjike (gjë që në meritë çmendurie e vendos pjesën vetëm një shkallë poshtë “një propozimi modest”), e ndoshta edhe si homazh me të njëjtin titull, besoj se leximi duhet filluar me “Ditarin e një të çmenduri” nga Maupassant, pasi edhe na lejon të kuptojmë më mirë shkaqet, apo PSE-në e çmendurisë së kulluar në “Ditarin e një të çmenduri” nga Gogol.
Premisa e tregimit është vdekja e një gjykatësi të nderuar dhe të respektuar, “jeta e paqortueshme e të cilit ishte proverbiale në gjithë sallat e gjyqit në Francë.” Në gjithë jetën dhe karrierën e tij të gjatë, ky gjykatës ishte model shembullor si për kolegët dhe gjeneratat e reja të avokatëve dhe të gjykatësve, ashtu edhe për vetë sistemin e drejtësisë. Spikat me një nostalgji të makthshme, të paktën për ata që e kanë përjetuar funeralin e Enver Hoxhës, e fundja edhe të Tanit të Topit, përshkrimi i funeralit të këtij
Ai kishte ndërruar jetë tani pas tetëdhjetë e dy vjetësh, i nderuar nga homazhi dhe i ndjekur nga pikëllimi i një populli të tërë. Ushtarë me pantallona të kuqe e kishin shoqëruar për në ndalesën e fundit dhe burra me kravata të bardha kishin folur e kishin derdhur lotë që dukeshin të sinqerta buzë varrit të tij. (perkthim i lirë nga anglishtja)
Por, thotë autori, një shkrim i tij i titulluar PSE? në formë ditari që u gjet pas vdekjes, i kishte lënë të gjithë gojëhapur. Ditari fillon ditën që gjykatësi i ka dhënë dënimin me vdekje një burri që kishte vrarë pesë fëmijët e tij, dhe pasi pyet veten se pse ky burrë kishte bërë këto vrasje, del në një konkluzion të çuditshem për një gjykatës, se të vrasësh është kënaqësia më e madhe, pasi vrasja, shkatërrimi, është një me aktin e krijimit.
Nuk e di në është fati vetëm i shqipes, apo i gjithë gjuhëve indoeuropiane, por marrëdhënia konfuze mes “krimit” dhe “krijimit” është referuar historikisht si origjina e tragjedisë. Këtu merr moment të papërmbajtshëm principi i qëllimit që justifikon mjetin. Puna dhe vizioni patriotik justifikojnë vjedhjen, krijimi justifikon krimin, jeta justifikon vdekjen.
Në fakt, në arsyetimet e tij, gjykatësi shkon më larg se kaq. Përderisa, gjykon, qënia, një fije jete, është e ngulitur në hic, në mosqënie, atëherë pse është krim të vrasësh? “Perkundrazi”, regjistron gjykatësi në ditarin e tij, “është ligj i natyrës.
” Madje jo vetëm aq, jo vetëm kjo është nevojë për të jetuar, por njeriu “ka nevojë të vrasë për kënaqësi”. Ashtu edhe “fëmija vret mizat që gjen, zogjtë e vegjël dhe gjithë kafshët e vogla që i vijnë rrugës.”
Duhet kuptuar këtu se ka një mosdallim të frikshëm mes nevojave dhe dëshirave, mes thjesht jetës dhe statusit, mes domosdoshmërisë dhe lluksit. Ajo çka është dukuri dhe fakt i kudogjëndur, tërheqja dhe joshja ndaj kënaqësisë dhe statusit të mbretit të xhunglës apo të togës së zezë, ngatërrohet me normën, me faktin se nuk është e thënë se duhet të jetë patjetër kështu. Gjë që rëndom gjen shprehje në vizionet fëminore të patriotizmit utopik, ku tregohet mospërfillje ndaj gjuhës së përdorur për tjetrin si mizë e rrezikshme, si dhe një mospërfillje ndaj barazise para ligjit.
Madje gjykatësi shpreh pakënaqësi ndaj një revolucioni shoqëror. “Para shumë kohësh kjo nevojë kënaqej me sakrifica njerëzore,” shkruan. “Tani, kërkesat e jetës në shoqëri e kanë bërë vrasjen krim.” Duket qartë që shkaku që e ka shtyrë këtë njeri të jetë gjykatës, nuk është një ndjenjë detyrimi, por nevoja për të plotësuar kënaqësitë e tij.
Duke qënë se shoqëria e konsideron detyrë ndëshkimin e krimit, ky gjykatës nuk ndjen kënaqësi prej ndëshkimit të kriminelëve, edhe kur i dënon me vdekje. Ky detyrim represiv i shoqërisë nuk mund t’i bëjë ballë rrjedhjes së natyrshme të gjërave: vëri digë sa të duash, që të huazoj një metaforë nga këto të fundit, lumi ka rrjedhën e vet. Prandaj edhe janë dhe luftrat, sipas gjykatësit, prandaj dhe ai vetë mbyt një fëmijë në park, e me vonë, i pakënaqur nga mungesa e gjakut, i pret kokën një peshkatari në gjumë.
Ajo që vihet re në kalimin e tij prej vrasjes me butonin e gijotinës, tek mbytja me duart e veta të fëmijës, e tek prerja e kokës së peshkatarit me shpatë, është jo vetëm verbëria ndaj mjeteve rrethanore, por edhe prirja për të zotëruar një çmenduri të kulluar që të kulminojë në një akt poetik, akt i cili është qëllim në vetvete. Ja si e përshkruan çastin:
“20 Tetor. Dhe një tjetër. Po ecja anës lumit pas mëngjesit. Dhe pashë nën një pemë një peshkatar që flinte. Ishte mesditë. Një shpatë ishte ngulur në një fushë me patate aty pranë, a thua enkas për mua.
E mora. U ktheva; e ngrita si shkop golfi dhe me një të rënë të tehut ia hoqa kokën llokmë peshkatarit. Oh! ky, derdhi gjak! Gjak ngjyrë trëndafili. Rrodhi në ujë, lehtë, lehtë. E unë shkova me hapa të rëndë. Sikur të më shihnin! Ah! ah! ç’vrasës i shkëlqyer do isha dukur.”
Por para se të kryejë nevojat e tij artistike, ia vlen të lexojmë se si shpreh në mënyrë eksplicite sistemin meritokratik të shoqërisë ndaj çmendurisë:
“Ndonjëri mund të supozojë se të destinuarit të kryejnë këto kasaphana njerëzish do përçmoheshin! Jo, ata janë të mbuluar me ndere. Janë të larë në ar dhe rroba shkëlqyese; mbajnë pendë në kokë dhe ornamente në gjoks, dhe u jepen kryqe, shpërblime, tituj të çdo lloji. Janë krenarë, të respektuar, të dashuruar nga femrat, të duartrokitur nga turrmat, vetëm sepse misioni i tyre është të derdhin gjak njerëzor. I tërheqin nëpër rrugë instrumentet e tyre të vdekjes, që kalimtari, veshur në zi të shohë me zili. Sepse të vrasësh është ligji i lartë i vënë nga natyra në zemër të ekzistences! S’ka asgjë më të bukur dhe të nderuar se të vrasësh.”
Ky sistem meritokratik i çmendur i spjeguar nga Maupassant, nuk duhet lexuar në kontrast me Ditarin e një të çmenduri nga Gogoli, por si shkak për çmendurinë e heroit të tij tragjik. Ajo që vëmë re sapo fillon hyrja e parë në ditar, është zgjimi i menjëhershëm dhe traumatik i heroit. Me t’u prezantuar me hapësirat burokratike ku punon, lexuesi mëson titujt, statuset dhe atmosferën e zilisë apo të përçmimit që ushqehet nga një sistem çmendur ranku dhe gradash. Simbolizmi bosh i këtyre hierarkive e i shumësit të sjellshëm vihet re nga pakënaqësia që shfaq heroi ndaj të mirave materiale të një rangu më të ulët nëpër provinca.
Shoh që duhet të kërkoj ndjesë, pasi ky tekst nga Gogoli është tejet i dendur dhe një lexim kaq i shkurtër nuk do t’i bënte nder, kështu që këmbëngul që leximi që po i bëhet këtu është në marrëdhënie me leximin e tekstit të Maupassant-it. Puna që kryen heroi, është mprehja e lapsave për “Shkelqesinë e Tij,” një punë detyrimisht e përçmuar në kontekstin meritokratik, por që po të lexohet paralelisht me përbuzjen e mjetit nga Gjykatësi i Mauppasant, do të kuptojmë se këtu nuk ka dhe aq të bëjë qëllimi final, poetik, utopik e i drejtë që ishte aq i rëndësishëm për Gjykatësin, se sa dedikimi ndaj mjeteve, dhënë me anë të metaforës së mprehjes së lapsave.
Nuk jam i sigurt nëse Shkëlqesia e Tij është Gjykatës apo jo, por ajo që vihet re në dy ditaret, është një analogji karakteristike. Pasi ka folur i ekzaltuar për nderet, gradat dhe kryqet Gjykatësi vret peshkatarin, dhe kthehet ne shtëpi ku tregon oreks të mirë dhe humor të hollë. Ndërkohë që Shkëlqesia e Tij, pasi i flet i ekzaltuar qenit për një medalje apo dekoratë që priste të merrte, kur ia arrin qëllimit, kthehet në shtëpi dhe tregon oreks të mirë dhe histori komike.
Tre janë kushtet e padiskutueshme që e shtyjnë heroin drejt një çmendurie të kulluar dhe këto janë, vertigoja meritokratike, shndërrimi në rutinë i kushteve të këqia materiale pavarësisht përkushtimit ndaj përsosjes së mjeteve, dhe mospërmbushja e nevojave elementare, në këtë rast seksuale, falë segregimit patriarkal. Të treja këto kushte në fakt janë bosh në vetvete dhe përshkruajnë ngritjen në piedestal të hiçit, adhurimin nihilist të një amshimi kolektiv që udhëhiqet nga gradat dhe uniformat e që nuk merr parasysh individin.
“Nonsens” shkruan heroi në ditarin e tij për sa i përket kësaj çmendurie meritokratike. “Edhe çfarë se është Kalorës i Dhomës? Kjo nuk është vecse një nder: nuk është gjë e prekshme që mund ta marrësh në dorë. Të qënit Kalorës i Dhomës nuk i jep njeriu një sy ekstra në ballë. Hundën nuk e ka prej floriri, por krejt si timen, apo të kujtdo tjetër.” Kjo është boshësia dhe hiçi irracional i ngritur në meritë mbi të cilën ndërgjegjësohet i çmenduri i Gogolit, ndërkohë që barazitë elementare as nuk përfillen.
Ndërgjegjësimi mbi varfërinë e pashmangshme që shfaqet si pasojë e këtij sistemi meritash të bazuar në adhurim nga një krah, dhe në përbuzje nga krahu tjetër. “Ha! mendon se askush nuk është aq me skrupuj sa ty? Më jep një kostum të modës nga Rutsch, më ler të vesh një kravatë si jotja, dhe ti nuk do të vleje as për të më pastruar këpucët. Varfëria – ah, kjo është cështja!” Pandryshueshmëria e kushteve të tilla të varfra, ndërkohë që përpara syve i feks lluksi dhe jeta e lartë e oborrit, nuk mund të jetë veçse shkak i pamohueshem i ëndërrimeve me sy hapur e deri edhe i halucinacioneve.
E për sa i përket mosplotësimit të nevojave biologjike, analogjia që ngre mes vardisjes që bëjnë qentë e tjerë përballë qenushes të cilës po i lexon letrat dhe vardisjes që bën rradha e gradave përballë vajzës së Shkëlqesisë së tij, e drejton leximin për nga një pavendosmëri që nuk mund të kapërcehet përveçse duke u hedhur në veprim, pa të dalë ku të dalë.
Ky hiç që ushqehet nga shoqëria e që nuk është e thënë të jetë detyrimisht një depresion personal, natyrisht nuk të ngop. Në mohim të një ngjitjeje reale në mirëqënie, heroi i mbush këto tre kushte boshe me fantazi (qen shkrimtarë), konsum gazetash dhe përvetësim individual titujsh e gradash, deri sa e shpall veten Mbret të Spanjës në një kohë që vendi i Mbretit në Spanjë sipas gazetave ishte vakant. Ndërkohë që mund të kërkohet dhe gjehet një rrënjë etimologjike e përbashkët, qoftë edhe fiktive mes “varfërisë” dhe “vartësisë”, realiteti i varfërisë së sindikatave profesionale dje dhe sot të varura nga kulti dhe grada e individit është i pakundërshtueshëm.
Shqetësimi për fatet e mbretërve të Europës, duhet thënë se i ngjan shumë komenteve me natyrë makro-gjeo-politike që ndeshim sot nëpër media, e madje edhe obsesionit me Big Brother. E po aq realisht duhet lexuar shpallja e sovranitetit prej turmave idiote apo të çmendura.
Kjo shpallje sovraniteti shprehet nga heroi me anë të një elementi stilistikor që flet për një çmenduri të kulluar, është shpërfillja ndaj kalendarit gregorian në momentin e pranimit të kësaj çmendurie dhe hyrja e datave hibride apo krejt të pakuptueshme në ditar. “Vetëdija e plasjes të vazhdimësisë së historisë është vecanti e klasave revolucionare në momentin e aksionit të tyre,” thotë Walter Benjamin në tezën XV mbi konceptin e historisë, duke treguar për një poemë nga anonimati që regjistron thyerjen e sahatëve publik gjatë Revolucionit të Korrikut. Nderkohë që ashtu si lumi që nuk pyet për digën, është e kotë të vë në dukje se ditari i Gjykatësit ka një rrjedhje kalendarike racionale.
Së fundi, është e qartë që çmenduria e kulluar është e dhunshme dhe si e tillë e rrezikshme. Por problemi nuk mund të konsiderohet i zgjidhur vetëm duke izoluar individët simptomatikë, qofshin këta artistë disidentë apo aktivistë radikalë. Nuk mund të trajtohet një shoqëri e tërë si të ishte pacient terminal ndaj organizmit të së cilit eksperimentohet me placebo. Po jua kërkoj sërish të përfytyroni një organizëm që vetëm duke i thirrur mendjes dhe duke i dhënë zemër vetes mund të jetojë përjetësisht. Kini parasysh sidoqoftë që kjo nuk mund të ndodhë në kurriz të jetës, qoftë kjo jetë edhe një fije jete. Pasojat e vetme që mund të shkaktojë nënshtrimi sistematik ndaj një çmendurie me merita kolektive, janë ose ato të nderimit me statusin më të lartë vrasësit më të egër, ose një çmenduri klinike e kulluar, që do na detyrojë të ndalojmë orët duke ndërhyrë përgjakshëm në shoqëri.
“Po jua kërkoj sërish të përfytyroni një organizëm që vetëm duke i thirrur mendjes dhe duke i dhënë zemër vetes mund të jetojë përjetësisht.”
Jeton perjetsisht, cdo gje, por jo ndonji gje e vecante, qe mund te pretendoj te aludohet ne citimin e siperm.
“Kini parasysh sidoqoftë që kjo nuk mund të ndodhë në kurriz të jetës, qoftë kjo jetë edhe një fije jete. Pasojat e vetme që mund të shkaktojë nënshtrimi sistematik ndaj një çmendurie me merita kolektive, janë ose ato të nderimit me statusin më të lartë vrasësit më të egër, ose një çmenduri klinike e kulluar, që do na detyrojë të ndalojmë orët duke ndërhyrë përgjakshëm në shoqëri.”
Realitet i menduar bardh-zi, qe nuk i ndryshon statusin nenkuptimi i ngjyres se kuqe, montuar ne fragmentin: “që do na detyrojë të ndalojmë orët duke ndërhyrë përgjakshëm në shoqëri.”
Direkt, pas leximit, ndjej munges te nji perceptimi artistik te cmenduris ne shkrim, edhe pse dija nuk mungon.
p.s.
Edhe pse forma e te shkruarit eshte me e sukseshmja e nje mos ndricimi qe shkuhet mire.
Mos ndoshta e gjithë ajo tërësi normash rregullash dhe ligjesh që na drejtojnë në jetë na janë ngulitur në kokë së prapthi?
Që fëmijë, ku pasi jemi djegur një çikë, na kanë terrorizuar me “hëhë…xhixha”… ndërkohë që po të mësoheshim të duronim dhimbjen që në fillim, ndoshta nuk do ta konsideronim dhimbjen si të tillë tashmë, për të mos shtuar që të tjerë e konsiderojnë edhe si burim kënaqësie atë.
Po sikur perceptimet që merr nga bota budallai/i çmënduri të jenë më të përafërta me realitetin se vetë perceptimi (i shtrembër?!) që ne të tjerët kemi për botën?
A s’jemi ne që jetojmë në një botë të drejtuar nga rregulla të përcaktuara në sajë të përvojës së njerëzimit, por që shpesh ato rregulla i shikojmë që shkelen… dhe nuk e konsiderojmë budallallëk shkeljen e tyre?
Kur them shkelje të rregullave nuk e kam fjalën për shkeljen nga keqbërësit, që e kanë në natyrë që të shkelin ligjet (dhe në një farë mënyre i konsiderojmë si të çmëndur), por tek vetë ligjvënësit që në njëmijë mënyra gjejnë “kleçkat” e ligjeve për t’i shkelur ato me anë të të cilave duan të justifikojnë “çmëndurinë” e tyre ( shpresoj që Luljani, në këtë seri shkrimesh të tija, të bëjë diçka tjetër dhe për “gjëndjen e jashtzakonshme” të trajtuar nga Agamben 😉 ),
E keqja është se ne shqiptarët jemi rrahur që kulishë e vazhdojmë të rrihemi…
Pathologjike/percmuese, pse jo fashiste, duket te jete kur perftyrimi i njeriut shihet si kulishe e se rrihet nga dikush-“zot” kulishesh.
p.s.
Vulgaritet te ketij niveli nuk mund te duroj nje bisede qe rreflekton ne dialog, por vetem ajo (bisede) me mllef/merzi/cinizem percmues, qe edhe ne se lind dicka nga perjetimet e saj eshte hidherim/helm.
Eshte per te ardhur keq se mundesia me e madhe per kete blog te funksionoj si platforme e nje mendimi qe do te cliroj njeriun nga demonet e tij, sabotohet. Pra mund te kursehen keto komente, per rrjedhoj edhe shkrime qe s’kan shkendij drite per veten e tyre e jo me per lexuesin.
Asnjhere njeriu ateist nuk mund te kuptoje perfundimisht jeten me gjithe kompleksitetin e saj.Askush nuk ka vertetuar deri me sot nje teori e cila ti kete qendruar shekujve.
Ka nje humnere midis dy boteve jetes dhe vdekjes, qe femije keto dy bote na sforcojne te zbatojme rregulla dhe tu perulemi atyre.Keshtu ka ndodhur, ndodh dhe do te ndodh.Gjate gjithe jetes sone jemi te destinuar te jetojme pa e zgjidhur misterin.
Vetem Jezusi i kaperceu te dyja, ndaj dhe njohuria e tij i ka rezistuar kohes.