Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

GABIME KATEGORIKE

Diskutimet në sferën publike shqiptare mbi kërcënimin “islamik” ndaj Perëndimit kanë marrë përmasa idioteske. I kërkohet bashkësisë fetare dhe përfaqësuesve të tij të distancohen nga dhuna, të kërkojnë ndjese për krimet e kryera nga shtetas francezë në Francë apo Siri, apo të heqin dorë nga përkthimi i parimeve fetare në instrumente apo alternativa politike.

Kjo kuptohet që ka si qëllim krijimin artificial të kampeve dhe zhvleftësimin e çdo argumenti të përfaqësuar nga myslimanë të mënjanuar rregullisht në diskursin publik.

Në këtë diskutim premisat janë përzierë nga disa nivele që nuk përputhen doemos me realitetin, sidomos atë shqiptar: politikat e shtetit kombëtar, angazhimi komunitar në një shoqëri pluraliste, veprimet individuale, ideja e shoqërisë civile globale me norma universale të së drejtave të njeriut, dhe së fundmi aleancat ushtarake apo politike ndërkombëtare. Gjithsekush zgjedh gjellën e vet. Por gjella më e shpifur është reduktimi i diskursit në dallimet ndërmjet kulturave, duke përjashtuar realitetet politike të shteteve dhe aftësitë e njeriut si qënie racionale. Sidomos, nëse problemi duhet shtruar për zgjidhje, ai nuk mund të përkufizohet si kulturor, por si politik, policor ose social. Në aspektin politik diskutimet kulturore janë broçkulla, përveç nëse ato zhvillohen në kuadrin e operacioneve subversive ideologjike ndaj kundërshtarëve politikë.

Ideologji politike si komunizmi, islamizmi e të tjera doktrina kanë rezultuar të suksesshme në kapjen e shtetit vetëm kur gjatë mobilizimit kanë pasur edhe mbështetjen subversive të një shteti tjetër. Kjo nuk është teori konspirative. Edhe një atentat i thjeshtë ndaj një kundërshtari politik kërkon përgatitje të mirëfilltë operative e angazhon persona e institucione, profesionalizmi i të cilëve shkon përtej motivimit ideologjik. Sa i përket të marrëve, këta do të kryenin gjithsesi një akt vetëshpallës, në cilindo justifikim.

Kur Perëndimi u përball me terrorizmin, kryesisht atë të së majtës ekstreme, terrorizmi nuk vërehej si problem kulturor, por si problem politik dhe policor. Kjo sepse ky lloj terrorizmi ishte pjesë e lojërave të nxehta të Luftës së Ftohtë ndërmjet dy kampeve ideologjike-politike që përbënin kërcënim ekzistencial për njëri-tjetrin. P.sh. tanimë dihen lidhjet e StB (Státní bezpečnost /Shërbimi Sekret i Çekosllovakisë) më Brigadat e Kuqe në Itali, lidhjet e Stasi-t me Rote Armee Fraktion dhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës etj. Partitë Komuniste në SHBA, Francë, Itali e gjetkë merrnin vazhdimisht fonde të mëdha nga KGB-ja, përtej kontributeve zyrtare nga Moska e shtetet socialiste. Infrastruktura organizative e partive dhe tabani i tyre ideologjik përdorej gjerësisht nga KGB-ja për spiunazh diplomatik, industrial e ushtarak, apo subversion si p.sh. raste të asgjësimit të karakterit të personazheve nëpërmjet shpifjeve etj. Instrumentalizimi i së majtës nga Bashkimi Sovjetik dhe interesat meskine të agjentëve të KGB-së delegjitimuan të majtën ekstreme si alternative politike pas viteve 90. Edhe qeveritë perëndimore angazhoheshin në ngjarje të ngjashme në vendet e tyre, siç dëshmojnë dokumente mbi operacionin “Gladio” në Itali, veprimtaria e CIA-s në Panama, Guatemala, në Italinë e pas-luftës etj.

Nëse terrorizmi i së majtës ekstreme ishte pjellë e politikave hegjemoniste të BS-së, po ashtu edhe terrorizmi islamik mund të jetë pjellë e politikave të shteteve që përfitojnë nga zhvendosja e lojalitetit të komunitetit mysliman në Perëndim: p.sh. përpjekjet hegjemoniste të Iranit, Turqisë apo Arabisë Saudite. Mekanizmat e mbrojtjes përveç atyre diplomatike e ushtarake, janë edhe të natyrës subversive për të zvogëluar numrin e mundshëm të rekrutëve.

Ndërsa ka analistë politikë që mendojnë se terroristët janë aktorë globalë jo-shtetërore, sikurse krimi i organizuar, për vetëm së këta të fundit nuk kërkojnë marrjen e pushtetit politik. Mekanizmat veprues e kundër-veprues të shteteve perëndimore janë të së njëjtës natyrë si ndaj aktorëve shtetërorë: infiltrim i celulave terroriste, subversion ideologjik dhe eliminim fizik (siç njihet ndryshe “high-value targeting” në SHBA). P.sh. dihet se shërbimi sekret (MI5 dhe SIS) i Britanisë së Madhe ka infiltruar me sukses thuajse çdo organizatë islamike që vepron në Britani e Pakistan. Që policia franceze kishte dijeni për lëvizjet e vëllezërve atentatorë ndaj revistës “Charlie Hebdo”, do të thotë se ishin në mbikëqyrje nga DSGE (shërbimet sekrete franceze). Në Kosovë dhe në Shqipëri të ashtuquajturit “vullnetarë për luftën në Siri” janë infiltruar nga shërbimet sekrete përkatëse për llogari të shërbimeve perëndimore.

Kur ka një infiltrim kaq të thellë e të shpërndarë të celulave terroriste, nuk është çudi që dikush të thurë teori konspirative për angazhim të shërbimeve sekrete perëndimore në veprimtari terroriste. E megjithatë infiltrimi dhe neutralizimi janë disa prej mekanizmave më efikase për reduktimin e rrezikut terrorist.

Të tjerë mendojnë se brezat e sotshëm të terroristëve mobilizohen për shkak të problemeve sociale me të cilat ata përballen në shtetet e tyre (diskriminimi, mos-përfaqësimi, varfëria etj.). Por, edhe në këtë rast zgjidhjet janë politike (ose policore). Përkufizimi kulturor i debatit duke i karakterizuar grupet e prekura si të pacivilizuara, nuk i shërben zgjidhjes se problemit.

Gazetarë e të tjerë “mendimtarë” shqiptarë ushqehen nga mediat e huaja në analizat e tyre. Por në zgjidhjet e tyre vazhdojnë në traditën komuniste të paternalizimit dhe indoktrinimit me çdo mjet, duke bërtitur se komuniteti mysliman është nën rrezik të ideologjisë së vet. Edhe pse, në ndryshim nga vendet e mëdha perëndimore që kanë probleme me emigrantët e brezit të dytë e të tretë për shkak të integrimit, në Shqipëri komuniteti mysliman është pjesë e kombit. E megjithatë, ndërsa në Francë diskutimet do të evoluojnë drejt gjetjes së fajtorëve konkretë, në këtë rast dështimi i shërbimeve sekrete në izolimin dhe neutralizimin e terroristëve, në Shqipëri çekani do të vazhdojë ti bjerë gozhdës së rrezikut të Islamit në Shqipëri, sepse nuk jemi në gjendje të debatojmë për zgjidhjen e problemeve konkrete.

Andrew, Christopher. The sword and the shield: The Mitrokhin archive and the secret history of the KGB. Basic Books, 2000.

Schmeidel, John Christian. Stasi: Shield and sword of the party. Routledge, 2007.

 

Pa Komente

  1. Kapedan,

    Përshëndetje për shkrimin! Ndër më të kthjelltët që kam hasur rreth të ashtëquajturit rrezikut të terrorizmit në Shqipëri. Them të ashtëquajturin jo sepse nuk ekziston porse, sikurse e ke shtjelluar ti, shtrohet në mënyrë të pasinqertë.

    Megjithatë po ofroj edhe unë disa premisa që nuk janë gjithësesi shqiptare (autoktone).

    Po e prek problemin social jo ashtu siç po trajtohet gjërë në kuptimin sociologjik, por nga pikëpamja ekonomike. Këtu do i referohem Hanah Arendt e cila, në kuadrin e sferës publike dhe shoqërisë, e sheh shoqërinë moderne si një rezutat i transferimi të funksioneve të ekonomisë familjare tradicionale në sferën publike, çka sjellë me vete edhe ndarjen e punës (labor division). Kjo e fundit është edhe kushti kryesor i modernizmit, baza e revolucionit industrial, por edhe i atij financiar, de-industrializimit (hollimit), dhe revolucionit teknologjik që po përjetojmë.

    Ndërkohë që pranohet gjërësisht se moderniteti e ka origjinën në perëndim, disa kultura natyrën ekonomike të modernitetit nuk e patën fare të vështirë ta adoptonin, siç janë vendet e Azisë Lindore (Far East).

    Të tjera kultura nuk e adoptuan, dhe këtu hyjnë edhe shume vende të botës islamike. Këto të fundit, ndonëse në kontakt më të ngushtë me perëndimin e krishterë, mund të mos e kenë adoptuar për arsye antropologjike, kulturore, apo edhe kolonializmit, por që unë nuk kam fare kapacitet t’i analizoj, dhe nuk është qëllimi i komentit tim.

    Megjithatë vlen të përmendet se midis tyre ato që janë më të zhvilluara ekonomikisht, dhe politikisht më afër me perëndimin, sic është Arabia Saudite, Katari apo Kuvajti, kanë për bazë ekonomike shrytëzimin e burimeve natyrore, por jo një bazë zhvillimi ekonomik modern si ai i përkufizuar më sipër. Kjo i jep zhvillimit të tyre shijen e një moderniteti fallco, çka e thekson edhe më shumë dallimin, por edhe konfliktin, që rrjedh prej këtij zhvillimi ekonomik të pabarabartë (modernitet – tradicionale).

    Për tu kthyer tek lufta ndaj terrorizmit, ashtu siç u ideua ajo fillimisht nga George Bush, parashikonte përhapjen e liberal-dmokracisë në vëndet e botës islamike, prej nga ku mendohej se origjinonte terrorizmi.

    Është e qartë se ky synim (përhapja dhe suksesi i demokracisë liberale) ka dështuar, por bashkë me të edhe ndonjë zgjidhje politike e problemit, ndryshe nga se e parashtron t’i në shrkrim kur bën krahasimin me komunizmin dhe fashizmin.

    Tashmë, për mendimin tim, ne ndodhemi përball një fakti kokëfortë të dështimit të projekti modern pa ndonjë alternativë të gatshme ndaj tij.

    Po ashtu dështimi nuk përfshin vetëm botën islamike, por po bëhet gradualisht realitet edhe në zona të tjera siç është Europa lindore, për të mos përmendur Afrikën. Ndaj edhe konflikti nuk duket se po ngushtohet, apo izolohet.

    Dy fjalë për Shqipërinë:

    Elita politike e Tiranës, që e prezanton veten si filo perëndimore, po ashtu ka dështuar në projektin modern, aq keq sa edhe shumica e shteteve të botës islamike, prej të cilëve kaq shumë kërkon të distancohet. Ndaj edhe aleanca me SHBA, me Francën, apo me këdo tjetër vënd të zhvilluar në perëndim, do kërkonte një preokupim me zhvillimin ekonomik modern të vendit, dhe jo betime fallco.

    Ndërkohë është më e lehtë të marrësh pozat e karikaturistëve të Charlie Hebdo, sesa të flasësh me punë dhe vepra.

  2. Kapedan, po t’i përmblidhje me pak fjalë problemet konkrete me të cilat e mbyll shkrimin, kush janë këto e cilat janë më urgjentet? Pyes për orientim.

    1. po them me ;pak fjale se problemet jane te ndryshme ne shqiperi, nga ato ne perendim. Diskursi atje eshte per integrim te komunitetit fetar mysliman.dhe loyalitetin ndaj shteteve ku jane vendosur (keto jane edhe dy problemet kryesore, prej nga nis ligjerimi politik atje – mungesa e identifikimit me vlerat perendimore vjen si pasoje e mungeses se loyalitetit ndaj shtetit). Ne Shqiperi nuk kemi probleme te tilla, as me integrimin, as me terrorizmin e as me kercenimin e rendit kushtetues. Prandaj cdo diskurs i tille me duket brockull.

      1. se harrova. problemet konkrete, nese formulohen ne menyre qe te zgjidhen, i ka permendur edhe Lubonja ne nje shkrim, jane ato qe kane te bejne kryesisht me autoritetin e shtetetit, korrupsionin, perfaqesimin demokratik, zhvillimin ekonomik etj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin