Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Totalitarizëm

KYLTYR NGA VJENA

E kam të vështirë të përfytyroj çfarë ju shkon në mendje kur dikush ju përmend Koncertin e Vjenës; e pranoj se më fatlumëve prej jush do t’ju përhihej veç një monolog i improvizuar, mjaft i njohur, i Keith Jarrett-it; por sa për të tjerët, transpozimi në sallonet e aristokracisë habsburgase më duket i pashmangshëm; dhe, sa për brezin tim, Koncerti i Vjenës ishte edhe një moment kryekrejet “sublim” (thonjëzat janë të detyruara në këtë rast) si hapje e një viti që nuk mund veçse të ishte, madje detyrohej të ishte vazhdim i të mëparshmit.

Në vitet 1970-1980, Koncerti i Vjenës i Vitit të Ri ishte një nga ato pak evente televizive të RAI-t, krahas ndonjë ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, që i transmetohej publikut në Tiranë nga ripetitori i Dajtit; krejt elita kryeqytetëse, dhe jo vetëm, mblidhej para ekranit të vogël për ta ndjekur, paraditen e 1 janarit, me kokën ende të rënduar nga rakia a vera e një nate më parë dhe zemrën të shtrënguar nga ankthi për ndonjë batutë risquée që mund të kish shpëtuar një natë më parë, në pije e sipër.

Nuk më pëlqente dhe aq Koncerti; ndoshta ngaqë paraditja e 1 janarit ishte momenti më i keq, i tërë vitit, për të shijuar artin e rafinuar mittel-europian; ndoshta ngaqë veshi më kërkonte tjetër lloj muzike. E megjithatë, vetëm shumë më vonë, i ndikuar edhe nga leximet, kam guxuar të vë në diskutim statusin artistik të eventit; dhe kjo pasi e kam kuptuar, një ditë, se muzika e luajtur atje –  valset, polkat, gallopet dhe marshet gjithfarësh, e kompozuar kryesisht nga familja Strauss – ishte e cekët, shijekeqe, ripetitive dhe pasqyrë e vanitetit të balsamosur të kryeqytetit të një perandorie, të mbetur pezull midis traditës dhe dekadencës.

Njëlloj më vonë kam mësuar edhe një fjalë për kësi dukurish: kitsch. Kur t’ju pyesin tjetër herë se çfarë është pikërisht kitsch-i, mund t’i sillni pa frikë shembullin e Koncertit të Vjenës.

Sipas Umberto Eco-s, një vepër artistike është kitsch jo thjesht ngaqë synon të përftojë efekt sentimental te publiku; por ngaqë vazhdimisht përpiqet t’i sugjerojë publikut se, duke e përjetuar këtë efekt, ai po bëhet pjesë e një eksperience estetike të privilegjiuar.

Megjithatë, përshkrimin ndoshta më të hollë të kitsch-it e ka dhënë Milan Kundera: Kitsch-i, shkruan ai, “shkakton dy lot të ndjekin njëri-tjetrin me të shpejtë. I pari thotë: sa bukur është t’i shohësh këta fëmijë që vrapojnë në bar! Ndërsa i dyti thotë: Sa bukur është të prekesh, së bashku me mbarë njerëzimin, teksa i sheh fëmijët që vrapojnë në bar!”

Duke komentuar këtë pasazh të Kundera-s, Robert Scruton vëren se kitsch-i e zhvendos vëmendjen nga objekti te subjekti, për të krijuar një fantazi emocioni pa koston reale të së ndjerit të këtij emocioni.

Dhe nëse është kështu, atëherë kitsch-i afrohet me bullshit-in, së paku në përkufizimin që i ka dhënë këtij të fundit Harry Frankfurt-i.

ViennaTë gjitha këto i gjen edhe në mënyrën si prezantohej Koncerti i Vjenës – që nga skenari ose narrativa e koncertit, me emrat e mysafirëve dhe të autorëve, duartrokitjet oqeanike, veshjet qëllimisht retro të orkestrës plot burra të thinjur dhe të publikut të plastifikuar, dirigjentët me pamje akademike, buzëqeshje të ngrirë prej buratini dhe rrudha të dyllosura, duke filluar që nga metuselahu Willi Boskovsky i brezit tim; mbajtja e skriptuar e ritmit me duartrokitje nga publiku gjatë ekzekutimit të Marshit të Radecki-t (kushtuar një kalbësire imperiale si mareshali në fjalë); mjediset si të pikturuara, skenografi prej ëndrre të zhytura në lule (të importuara nga Sanremo-ja), grila, statuja kinse klasike prej stukoje, ku luheshin baletet; dhe sidomos zëri i ulët, deri në pëshpërimë, i komentatores italiane – shpesh ka qenë Peppi Franzelin – e cila i përcillte të gjitha këto me bindjen se po ia bënte kronikën diçkaje të jashtëzakonshme, kulturalisht titanike; si për shembull, fakti që Annen-Polka i ishte kushtuar perandoreshës Maria Anna von Savoyen (Ohmigod!), dhe trivia të tjera njëlloj kutërbuese naftalinë.

Elitat e Tiranës – sidomos ato kulturore – e shfrytëzonin Koncertin e Vjenës për t’u riprodhuar si shtresë lehtësisht por domethënshëm e distancuar nga shfaqjet më brutale të pushtetit totalitar (çka quhej atëherë disidencë); sepse me prapanicat në zgrip të karriges, qoftë edhe për pak minuta, në sallonet e Vjenës dhe duke dëgjuar muzikën e sherbetosur të Strauss-ëve, i provonin vetes se ishin pjesë e Europës; në gjendje të përjetonin ato ngashërime të holla borgjeze të ornamentit dhe të dantellës dhe të opulencës dhe të përulësisë para shkëlqimit aristokratik, që përndryshe totalitarizmi ua kish mohuar. Rituali i 1 janarit, ose komunioni me kitsch-in vjenez të transmetuar me Eurovizion, ua shpëtonte shpirtin, duke i bërë ndoshta edhe përnjëmend të besonin se, tek e fundit, jeta nuk ishte edhe aq keq; sa kohë që regjimi, gjithë duke mbetur gjakatar dhe anti-njerëzor, ua lejonte megjithatë këtë dekikë të bashkëjetesës imagjinare me pjesën tjetër të kontinentit.

Nuk mbaj mend të ketë pyetur kush ndonjëherë se ç’interes kishte regjimi i Enver Hoxhës & Co., që t’ua shërbente elitave tiranase këtë tortë të zhyer në margarinë të thartuar; këtë piramidë sheqeri pluhur dhe niseshteje; këtë koleksion skulpturash porcelani, njerëzish dhe muzike të balsamosur. As unë nuk e kam pyetur gjë veten atëherë – Koncerti i Vjenës vinte si dhuratë e mirëpritur për të gjithë, dhe ne ishim aq të kapitur nga dieta kulturore gati monastike e gjithë vitit, sa do të pranonim gjithçka krahëhapur, mjaft që të na zbriste nga qielli me valët e RAI-t. Kësisoj, konsensusi elitar i Tiranës për aristokracinë vjeneze dhe kitsch-in e saj të vjetëruar shndërrohej në konsensus për të sotmen totalitare dhe çizmen moniste në zverkun e së përditshmes shqiptare.

Valset e Strauss-it (ose më mirë të Strauss-ëve) u shërbenin kuadrove, teknokratëve, burokratëve, drejtorëve të drejtorive, aparatçikëve, shkrimtarëve, mjekëve, profesorëve, studiuesve, gazetarëve, artistëve, akademikëve, regjisorëve, përkthyesve, kryeredaktorëve, ideologëve, kryetarëve dhe sekretarëve gjithfarësh, anembanë Tiranës, për t’u krekosur para pasqyrës me rrobet e festës, duke ndarë botën në dy grupe të papritura: ata që e prisnin, e ndiqnin dhe e shijonin Koncertin, dhe ata të tjerët që nuk e kishin idenë se ky mbahej ose edhe ekzistonte; mesazhi i fundit i shpresës se, megjithë brutalizimin rutinë, një grimë fisnikërie na kish mbetur ende.

Sot natyrisht nuk e shoh më Koncertin; as muzika, as salla, as koreografitë nuk më thonë absolutisht asgjë, dhe do ta kaloja kohën më mirë edhe thjesht duke ushqyer ketrat në park me kikirik (nuk është vendi këtu të shpalos kredencialet e mia si amator i muzikës dhe të deklaroj se krejt produksioni muzikor i Strauss-ëve dhe të tjerëve si këta nuk e ka vlerën e një valsi të Chopin-it; as të shpjegoj se Vjenën e fin-de-siècle do ta dëshiroja të prezantuar, bie fjala, nga simfonia e parë e Gustav Mahler-it).

E di që e kam gabim; sepse ka shumë mënyra si mund të shihet diçka – dhe ky i Vjenës është një nga ritualet mbi të cilat themelohet krejt kitsch-i kontinental i praruar, ose vetëkënaqësia e të gjithë atyre individëve, klaneve dhe institucioneve, anembanë Europës, që e shohin veten si shtylla të traditës, të pushtetit aristokratik dhe të klasit të lartë që buron nga prestigji. Ndoshta do ta kisha shijuar pa masë, sikur të arrija të ulesha para televizorit dhe ta ndiqja me po aq kureshti dhe lezet, sa ç’ndjek edhe lojën e ngadalshme të kukullave të pispillosura, në vitrinat tradicionale të qendrës tregtare Macy’s, në Manhattan.

Shënim: Shkas për këto meditime u bë ky artikull i Norman Lebrecht, botuar në The Spectator; si edhe në shumë shembuj të tjerë shkëlqimi verbues, format e sotme të luksit vezullues që përcjell Eurovizioni fshehin një origjinë të turpshme: atë të Vjenës së spastruar prej hebrenjve, në vitet e Anschluss-it – e cila nuk ka kurrfarë filiacioni kulturor me Vjenën kryeqytet të Austro-Hungarisë multi-etnike, tolerante ndaj diversitetit dhe ferment zhvillimesh intelektuale dhe artistike të pashoqe, me pjesëmarrjen kritike të komunitetit hebre të atjeshëm. Nuk jam nga ata që mendoj se vijimi i një tradite kushtëzohet pashmangshëm nga origjina e saj; por informacioni i sjellë në artikull më ofroi një shpjegim të ri, kuptimplotë, për refuzimin tim të djeshëm.

Pa Komente

  1. E ndaj me gjithë qejf mendimin tim me autorin e shkrimit, veçanërisht për mënyrën si i qasej asaj muzike shoqëria e kohës në Tiranë, edhe pse kam qejf të ruaj opinionin tim për detaje të ndryshme që kanë të bëjnë me muzikën në vetvete. Për mua është e rëndësishme që valset në fjalë të gjykohen në një kontekst të caktuar. Nuk është faji i Shtrausit (atit, por birit më shumë) përdorimi abuziv që u bëhet sot si element evokative të një epoke të perënduar, por qe synohet të paraqitet si ende ekzistuese.
    Personalisht thelbin e tyre e kam kuptuar më mirë kur kam lexuar Kujtimet e një evropiani të Cvajgut (aty ai nuk merret pothuaj fare me to). Ato ritme të panjohura më parë, ajo kohë muzikore krejt e padëgjuar dhe ajo shprehje e gëzimit të të jetuarit që buron me aq natyrshmëri më ngjajnë si finalja e një kohë te bukur e pa luftra që prej vitit 1870. Ajo muzikë duket se u thirr në skenë për të mbylluar një faqe e historisë botërore : Njerëzimin e pret horrori i L1B.
    Dukej se ishte një kohë po aq e gëzueshme sa vetë ajo muzikë. Cvajgu thotë se ishte një kohë kur nuk shqetësoheshim për asgjë, jetonim jetën tonë sepse e dinim që plaku Franc Jozef (personalisht atij i kushtohen partet me te bukura) ishte aty dhe ai mendonte për të gjithë. Papritur perdja ra dhe çfarë mund ta përshkruajë më mirë atë epokë se valset në fjalë ? E, pra, kam përshtypjen se në rolin që ishin thirrur të luanin, nuk mund të thuhet se ishte një muzikë kitsch. Por ka një gjë. Atyre valseve nuk u duhet dhënë më shumë karat se sa kanë, përndryshe u bëhet mjaft dëm. Ato janë aty për t’u dëgjuar një çast dha aq.
    Me njohjen time modeste unë kurrë nuk kam zbritur në fonotekë (e radios) për të marrë e dëgjuar një disk me valset e Shtrausit. Ajo është një muzikë e mrekullueshme, por minore, që e dëgjon se po transmetohet diku, jo se e ke kërkuar ti. Ka plot mrrekulli te tjera per te dagjuar, para tyre! Kjo është arsyeja që duhet shmangur krahasimi i një valsi të Shtrausit me një sinfoni të Malherit. Për nga forma dhe natyra janë të pakrahasueshëm. Në një vështrim të tillë, Shtrausi, jam dakord, nuk ka shumë peshë.

  2. Lexova artikullin këtu, lexova edhe artikullin nga “The Spectator”, dhe dal në përfundimin se nuk ka ndonjë faj muzika këtu, as Shtrausët. Një ngjarje muzikore ka tjetër qëllim në thelb të vet. Të ekzekutosh apo dëgjosh një koncert nuk evokon ndonjë ndjenjë Naziste. Të jesh anëtar i Filarmonisë së Vjenës nuk është krim, siç nuk është krim të jesh sot gjerman apo austriak, e kështu me radhë, krahasime ka plot. Po ashtu, Filarmonia e Vjenës nuk ka faj pse në Shqipëri ky koncert ndiqej ashtu siç përshkruhet më sipër. Pyetja që më doli ishte: po mirë, vetëm blozë është ky koncerti i Vitit të Ri? Në qoftë kështu, secili gjen diçka tjetër për të bërë. Të mos harrojmë, për traditën paguajnë të pasurit, dhe kushdo që jeton me art apo kulturë e ndjen në lëkurë këtë. Thirrjet alla Che Guevarra nuk bëjnë fajde, nuk çojnë askund. Ndonjë ide konstruktive, ka?

    1. Që është “ngjizur” në kohë të nazistëve, i lyer me suva të Vjenës tjetër (së cilës ata, nazistët, ia shkatërruan esencën) e bën edhe më kitsch Koncertin, si event, përveçse ia krimb statusin moral. Por edhe sikur ta kish dizajnuar vetë plaku Franz Joseph, nuk është se do të më ndryshonte mendjen. Nuk e kam aq me muzikën (një-dimensionale, monotone, e zbrazët; por 99% e muzikës ashtu është) sa me pompimin që i është bërë eventit prej vitesh, për ta paraqitur si emblemën e praruar të Europës tradicionale – sepse nuk është ashtu. E meriton kritikën edhe nga e djathta edhe nga e majta, prandaj përmendja e Che-së nuk më duket se qëndron (e ke bërë për efekt, jo për substancë; është edhe ajo kitsch, edhe pse këtë herë kitsch ideologjik jo artistik). Ndoshta mund të shërbejë si emblemë e Europës senile, të currufjepsur, gjysmë të balsamosur; ose versionin simfonik-koreografik të një pacemaker-i kolektiv. Ose, nëse dëshiron, një kuti me muzikë ekuivalente të Mozartkugeln, me të cilat ndonjë ende mund të kujtojë se ushqehej Mozarti vetë.

      https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/12/mozartkugel.jpg

  3. Shoh shume paralelizma midis koncertit kitsch te Vjenes, si e shihnim ne shqiptaret ate, dhe vete Europes sot. Flas qofte per idene e Europes (se bashkuar) ashtu dhe realitetit te saj sot. Ideja e Europes se bashkuar, dicka fisnike ne vetvete, riprodhohet prej kohesh pothuaj krejtesisht nepermjet kitchit. E fillojme me festivalin eurovizion po aq qesharak por te pakten me i sinqerte mbi veten se koncerti i Vjenes, programi studentor i Erazmusit (6 muaj party i shfrenuar nga i cili studentet dalin me injorante mbi vendin prites se kur futen), vete institucionet europiane ne Bruksel, qe paguhen me dhjetera vjet miliarda per te perkedhelur sedren e europianit te mire te gjermaneve dhe francezeve e per tu dhene celesat e kashtes ne momentet kyce dhe e perfundojme tek Euro, projekt politik nisur per te rritur solidaritetin europian e perfunduar si kurth per te gjithat ekonomite jashte kufinjve te Gjermanise.

    Nderkohe establishmenti europian akoma zhytur ne akuza dhe mungese solidariteti ka tashme nje performance edhe me te keqe sesa gjate depresionit te madh te viteve 20-30, dhe te gjithe e dime se c’ndodhi pas atij depresioni. I paafte edhe ti pergjigjet nje petro-shteti si Rusia. Ndersa Europa tjeter, ajo reaksionare dhe aspak kitsch e Alternative fuer Deutschland dhe Thilo Sarrazin (autor i bestsellerit te te gjitha koherave ne Gjermani “Deutschland Schafft Sich Ab”), Frontit Nacional, Ukip, Jobbik, ajo e demonstratave masive antiasilante/emigrante si dhe ajo e mijera europianeve qe po marrin rruget e Sirise per tju bashkuar organizatave qe prejne koka ne youtube rrezikon tani ta marre establishmentin perpara. Prandaj dhe elitat e sotme shqiptare nuk duhet te fandaksen para Europes si prindet tane para koncertit te Vjenes. Por ku i dihet, mbase deri atehere dantellat e Eurovizionit do te jene sofistikuar aq shume sa te gjithe do ti paguajme me qejf 25 centet e europianit te mire. Europa ka vdekur. Rrofte Europa!

  4. Romain Rolland ishte nje nga admiruesit e Ricard Shtrausit dhe muzikes se tij. Ne nje ese te gjate per te, ai permend dy gjera interesante rreth tij, admirimin per Vagnerin dhe efekti qe kishte pasur tek ai njohja me jugun e Europes(juglindjen, me sakte). Njohja me nipin e Vagnerit, Aleksander Ritter, kishte pasur nje ndikim te vecante, duke introduktuar tek Shtrausi muziken e Vagnerit.

    Sic permend Rolland-it, Shtrausi deri ne ate kohe kishte njohur vecse muziken klasike strikte te Haydn, Mozart, Beethoven, Mendelssohn, Chopin, Schumann, Brahms, etj. Ndikimi i Ritter-it kishte bere qe Shtrausi te mund te shijonte edhe muziken e Wagner-it dhe Liszt-it.

    Vizitat e tij ne Itali(Rome dhe Napoli), ne Ballkan, Greqi dhe deri ne Egjypt, e sollen ate ne kontakt me qiellin e ngrohte te Mesdheut, nje bluje te ngrohte, shume me te ndryshme nga ngjyra gri e qiellit te ftohte nordik.

    Duke qene njekohesisht poet dhe muzikant Shtrausi i konfidonte Ralland-it:”Nuk jam nje hero; nuk kam fuqine e nevojshme; nuk jam bere per beteje, preferoj terheqjen, te jem paqesor dhe te jem ne qetesi. Nuk kam gjenialitetin e mjaftueshem…dhe nuk perpiqem per ta arrire. Ne kete moment, cfare dua eshte te krijoje muzike te embel dhe lumturonjese. Jo me, heroizma.

    Ne kete sfond, me tingelloi nje koincidence e embel, nje trill i cuditeshem i fatit, qe ne repertorin e dites se sotme, nder etnomuziken e zgjedhur ne ambjentin muzikor vjenez te orkestres filarmonike dhe baletit ishte perzgjedhur nje kater minutesh qe rrokte katerciperisht muziken ballkanike te perfaqesuar nga nje kaba shqiptare fillimisht vajtuese dhe mallengjenjese, qe gradualisht fluturonte siper, te ngrinte shpirtin me ritmin e shpejte, te hovte, te gezueshem, lozonjar te Shqiperise se mesme e pertej ne Veri.

    Po kjo cfare ishte? Sigurisht ishte shpirti i Europes, asaj Europe te neperkembur, te neglizhuar, aspak kitschy. Surprize e kendeshme, ne kontrast me kollarisjen dhe shabllonizmin e nje realiteti prej varaku vjenez qe pavarsisht, e aspirojne miliona. 🙂

    Shihni linkun: https://www.youtube.com/watch?v=wt8mm2_NyMA

      1. Jam i mbare, keshtu qe me qe qelloi(se kisha menduar me te thene te drejten) si komentues i pare shpresoj te jem me kembe te mbare. 🙂

        Gezuar 2015 Xhaxha, ti dhe PTF me ndjekesit dhe kontributoret e saj!

        E priteshme mendoj, qe Richard Strauss te mos jete pjese e koncertit, 🙂 nuk eshte pjese e familjes te Strauss-ve dhe valseve te tyre; nje kontribut i tij qe lidhet me filarmonine vjeneze pervecse si konduktor i filarmonise se Vjenes per pak kohe eshte edhe e fameshmja fanfare: The Fanfare für die Wiener Philharmoniker

        Surpriza e soteshme “Albanian Soul” ne Koncertin Vjenez te Vitit te Ri, ne mendimet e mija morri nje domethenie tjeter nga kitschy i pritshem, kur kamera shetiste ne kopshtet dhe lulishtet, skulpturat dhe arkitekturen baroke te Vjenes,

        Richard Strauss-i i jepte kuptim, vertet domethenie degjimit te muzikes shqiptare nga orkestra filarmonike e shperndare ne shkallet Mumok-ut (Museut te Artit Modern) te Vjenes. Haber i mire mendoj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin