Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

EMRA DHE EMRA

Gjatë një diskutimi për terminologjinë e një aplikacioni të telefonisë celulare, një prej menaxherëve të projektit vuri në dukje se njëri prej vargjeve të ndërfaqes së përdoruesit (Fwd calls to device) duhej dhënë me një emër në gjuhën pritëse, meqë nuk ishte fjala thjesht për komandë, por për emrin e një funksioni specifik.

Personi në fjalë, sikurse unë, vinte nga një gjuhë mëmë ku nuk bëhej dallim midisemrit, si pjesë e ligjëratës, dhe emrit, si etiketë gjuhësore e një objekti ose koncepti; pa çka se i gjithë ky diskutim bëhej në anglishte, një gjuhë që – për fat të mirë – dallon fare qartë midis noun dhe name. I pari përkufizohet në bazë kriteresh gramatikore: ka njëjës dhe shumës, pranon të shoqërohet me numërorë themelorë dhe rreshtorë, merr mbaresa rasore në gjuhët që kanë lakim, merr nyjë shquese në gjuhët që kanë nyjë shquese, pranon mbiemra cilësorë dhe mbiemra përemërorë gjithfarësh; ose, në rrafshin sintaksor, mund të funksionojë si kryefjalë, kundrinor ose rrethanor – por jo si kallzues. Përkundrazi, i dyti (name) shënjon një etiketë gjuhësore, që shërben për të identifikuar diçka; dhe, si rregull, përfaqësohet gramatikisht me një emër (noun), edhe pse jo gjithnjë.

Në fakt, për t’u kthyer te diskutimi ynë, edhe anglishtja Fwd calls to device, si emër funksioni, përfaqësonte gramatikisht një thënie me modalitet urdhëror; e cila do të duhej përkthyer në shqip si Përcill thëniet në pajisje – ose me një fjali; çka e vendos prania e foljes (kallzuesit). Që këtej çështja mund të reduktohet në pyetjen nëse mund të përdoret një fjali si emër (name).

E shtruar kështu, pyetja është naive, sikurse e dëshmon, bie fjala, çdo titull libri – që funksionon si name, por pa qenë noun: Të kesh e të mos kesh, Vai dove ti porta il cuore, Что делать?, Say no to diabetes. Në fakt emri (name) është produkt i një procesi emërtimi (naming), që është akt gjuhësor dhe nuk ka lidhje me kategorinë gramatikore të noun-it; edhe pse, me kalimin e kohës, një name do të priret të gravitojë drejt sistemit gramatikor emëror.

Dukuria nuk i përket vetëm emërtimit, ose antropologjisë gjuhësore. Në fakt, shqipja është e pasur me njësi frazeologjike të ngrira, të tipit prit gomar të mbijë bar, (kjo është) të vësh duart në kokë, hapu dhé të futem, merre me lëng, bëni si them unë mos bëni si bëj unë, shih me sy e plas me zemër, ku rafsha mos u vrafsha, çohu prift të ulet hoxha, laj-shpëlaj, rri të rrimë, bjeri t’i biem, bëmë baba të të ngjaj, e lagu s’e lagu, nëma se s’ma ke, të rrish shtrembër e të flasësh drejt etj., të cilat janë në fakt fosilizime narrativash dhe tani shërbejnë, në fakt, si emra (names) dukurish ose gjendjesh tipike – madje kontrasti midis funksionit të tyre logjik (names) dhe funksionit gramatikor (nouns) bën që të përdoren si blloqe të palakueshme (në thelb, si citime instancash paraprirëse abstrakte).

Kështu e pat "quajtur" veten këngëtari Prince.

Kështu e pat “quajtur” veten këngëtari Prince.

Dhe jo vetëm. Këtu vijnë në vështrim edhe kompozitat urdhërore, të quajtura kështu ngaqë një prej temave është folje në mënyrën urdhërore – të tilla siqoftëlargu, shtojzovalle, etj.; të cilat paraqiten si emërzime fjalish urdhërore (qoftë larg, shtoj(u)a zot vallet).

Edhe pse rruga më e zakonshme për të emërtuar nëpërmjet një foljeje është emërzimi (nominalization), logjikisht gjithçka mund të përdoret si emër (name) – përfshi edhe një përemër dëftor (ky, kjo), një shifter si vetori unë, ose edhe një shenjë jo-gjuhësore, p.sh. një emotikonë ose një ikonë çfarëdo (p.sh. një shenjë trafiku).

Ngatërresën e kolegut tim, midis name dhe noun, ndonjë gjuhëtar si Benjamin Lee Whorf-i do ta kish konsideruar si ilustrim të hipotezës se gjuha që flasim ndikon në mënyrën si e vështrojmë botën; dhe se identiteti pak a shumë rastësor, i termit që përdorim për dy koncepte të ndryshme (emër në shqipe, nome në italishte) shkakton pështjellim logjik te folësit të tillë si nuk e gjen në gjuhë ku dallimi mes këtyre koncepteve pasqyrohet edhe në leksik (angl. noun dhe name).

Shënim: botuar më parë në blogun Shqipologji.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin