Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

NDERI DHE PRIVILEGJI I MJEKUT

Dr. Isuf Kalo, një mjek diabetolog që i ka shërbyer Enver Hoxhës, thotë tani në një intervistë televizive që i ka dhënë Tonight Show të Ilva Tares, se “e ka quajtur si nder dhe privilegj profesional(*)” këtë eksperiencë dhe se “ndihet pak i përkëdhelur në sedër nga kjo.”

Kjo meriton një debat, drejtpërdrejt të lidhur me qëndrimin tonë sot ndaj regjimit totalitar të djeshëm.

Dr. Kaloja dikur e pat shndërruar eksperiencën e tij si mjek i Hoxhës në cavallo di battaglia – e bënte këtë menjëherë pas vdekjes së diktatorit, në takime me publikun; por kam frikë se po e bën njëfarësoj edhe tani.

Njëkohësisht, dhe ndryshe nga dikur, ai parapëlqen të mos shqiptohet për rolin e pacientit të vet si burrë shteti: “le të merren historianët, sociologët,” thotë ai. Qëndrim shumë i dobët, për një intelektual me profilin e z. Kalo, por të paktën duhet lëvduar për sinqeritetin që e mbështet.

Në fakt, me një figurë si Hoxha, është ende herët që të merren veç historianët dhe sociologët, sa kohë që pasojat e rënda të politikës së tij autarkike dhe të dhunës totalitare të frymëzuar dhe nxitur prej tij drejtpërdrejt janë ende të pranishme, në çdo aspekt të shoqërisë shqiptare sot.

E cila ende nuk ka treguar as kurajon, as dëshirën për të reflektuar rreth distancës etike që na ndan nga e shkuara.

Kur i shërbente dr. Kaloja Enverit, kish vërtet shumë shqiptarë që e adhuronin liderin e tyre – mjeku ynë ishte veç njëri prej të shumtëve dhe mes të shumtëve. Nuk kish qenë zgjedhja dhe vendimi i tij që t’u bashkëngjitej mjekëve të oborrit – të tjerë e rekomanduan dhe e përzgjodhën, të tjerë garantuan për “besnikërinë” e tij.

Natyrisht, një mjek endokrinolog kujdeset për trupin e pacientit të vet; dhe nuk mund të vihet dr. Kaloja para përgjegjësisë, se pse ka mjekuar një diktator gjakatar, i cili për 40 e kusur vjet miratoi dhe udhëhoqi të gjitha fushatat sistematike të dhunës kundër qytetarëve të vet, kundërshtarëve dhe bashkëpunëtorëve; dhe më tej të shkatërrimit të institucioneve sociale themelore, si prona private dhe feja.

Pavarësisht nëse kish apo jo vetëdije morale dr. Kaloja për krimet e pashembullta të Hoxhës – pushkatimet, burgosjet, internimet deri edhe të fëmijëve të vegjël, dëbimet, sekuestrimet, shpronësimet – kjo nuk mund të ndikonte, sikurse edhe nuk ndikoi, në shërbimin që ai ofronte si mjek.

Megjithatë, ai thotë tani edhe se ndihet krenar dhe i privilegjiuar që i shërbente diktatorit – pra, jo duke e paraqitur punën e vet si detyrë, as si mundim; jo si torturë etike, as si luftë me vetëdijen qytetare; por duke u identifikuar edhe moralisht me shërbimin që ofronte atëherë.

Si dr. Kaloja ka edhe shumë të tjerë që kanë shërbyer devotshëm atëherë: infermierë, pastruese, roje të armatosura, hidraulikë, kuzhinierë, kamerierë, pjatalarës, berberë, manikyristë, masazhatorë… Një diktator gjithnjë e rrethon veten me personel të tillë, madje e izolon, deri sa vjen një ditë që deri edhe botën përreth e filtron përmes shërbëtorëve të vet.

Edhe ajo infermierja e djeshme kushedi ndihet sot krenare që ia ka gjetur Hoxhës Marc Quinnvenat, edhe pastruesja që ia ka ndërruar çarçafët e lodhur, edhe rojet e armatosura që s’kanë lënë as harabelin të fluturojë në hapësirën e bllokut, edhe hidraulikët që kanë siguruar ujë të rrjedhshëm 24 orë në nevojtoret e bollshme të vilës, edhe kuzhinierët që ia kanë gatuar çomlekët dhe qifqitë për merak, edhe kamerierët që ia kanë servirur kafenë me pak, edhe berberët që ia kanë rruajtur mjekrën të madhit, edhe manikyristët që ia kanë prerë thonjtë, edhe masazhatorët që ia kanë gjallëruar muskujt e flashkët…

Të mos kemi asnjë iluzion: ky është niveli për të cilin po flasim. Trupi i Enver Hoxhës kish nevojë për një armatë mirëmbajtësish, të cilët ishin po aq pjesë e aparatit totalitar represiv sa ç’ishte edhe trupi vetë pjesë e shtetit të diktaturës së proletariatit – në kuptimin që edhe Enver Hoxha, si lider totalitar, kish nevojë për një armatë ndërmjetësuesish, për ta ushtruar pushtetin e vet.(**) Dhe kjo e ndërlikon punën.

E megjithatë, të gjithë këta kanë bërë punën e tyre; siç kanë bërë punën e tyre edhe të tjerët: hetuesit, kufitarët në kufijtë tanë të paprekshëm (nga brenda), gjykatësit e dënimeve absurde, forcat e ndjekjes, dëshmitarët e rremë, administratorët e burgjeve, korrespondentët vullnetarë të policisë sekrete, përgjuesit e telefonave, shoferët që shëtisnin me makina fëmijët e Bllokut poshtë e lart nëpër Europë, fotografët në bahçet e udhëheqjes, kujdestarët e qenve të gjahut, ushtarët e togave të pushkatimit… ku ta heqësh vijën ndarëse?

Dr. Kaloja ishte mes tyre – krenar dhe i privilegjiuar, sikurse dëgjojmë tani. Ndryshe nga ca të tjerë, që i kanë rishkruar tashmë hareshëm kujtimet e tyre të atyre viteve, ai të paktën i mbetet besnik vetvetes.

“Ishte njeri që nuk besonte kollaj,” thotë dr. Kaloja për diktatorin; ende i gëzuar që ky ia lexoi mjekut besnikërinë në sy – por pa qenë në gjendje, ose kushedi pa dashur të vendosë lidhje midis kësaj paranoje intime të pacientit të tij dhe zhvillimeve historike fatale, në Shqipërinë e viteve 1970 – përfshi këtu edhe pushkatimin, krejt pa shkak dhe pa kuptim, të kolegut të dr. Kalos, ministrit të Shëndetësisë dr. Llambi Ziçishtit.

A do të kish pasur guxim, dr. Kaloja, të pyeste pacientin e vet se pse ia vrau kolegun vallë? Doemos që jo – dhe askush nuk mund t’ia kërkojë këtë. Por me siguri do të ketë ndier frikë atëherë; madje jo frikë, por tmerr visceral, djersë të ftohta, makth që të zë frymën: për vete dhe për famijen e vet.

Prandaj kur e dëgjoj të flasë tani për “nder dhe privilegj profesional”, nuk mund të mos më shkojë mendja te sindroma e Stokholmit – meqë dr. Kalon, si mjek personal të një diktatori senil, paranojak dhe inatçi, nuk mund ta shoh veçse si viktimë.

Do të kisha dëshirë që këtë mjek të mirë – dhe me siguri të shquar në profesionin e vet – ta shihja në qendër të vëmendjes publike jo për shërbimin e tij të detyruar pranë Enver Hoxhës diktator total; por për veprimtarinë e tij të mëvonshme në të mirë të mjekësisë; që, me sa di, është shtrirë edhe në detyra ndërkombëtare të suksesshme jashtë Shqipërisë (në OBSH).

Nuk di sa lidhje ka midis rezymesë së dr. Kalos në vitet 1990 dhe stazhit të tij të mëparshëm si mjek i udhëheqjes totalitare në Shqipëri; por ma merr mendja, gjithsesi, se vëmendja që i kushtojnë atij sot mediat në Tiranë buron e tëra nga afërsia e tij e dikurshme me Hoxhën.

Dhe kjo është një arsye më tepër, pse çështjet morale që lidhen me totalitarizmin dhe trashëgiminë e tij në të sotmen e Shqipërisë nuk mund t’u përkasin vetëm historianëve dhe sociologëve.

(*) Në versionin fillestar të këtij shkrimi, në vend të “profesional” kisha shkruar, gabimisht, “personal.” E korrigjova tani, pas vërejtjes që më bëri një koleg.

(**) Për një qasje tjetër, më fiksionale ndaj temës së trupit të diktatorit, mund të lexoni edhe këtë tregim të Maks Gjerazit.

Shënim: u lutem miqve të mi gazetarë në mediat online dhe gjetiu që të mos e marrin këtë shkrim nga blogu; nëse e gjejnë me interes, i ftoj të komentojnë këtu.

Pa Komente

  1. Ka nje gabim ne fakt ne citimin e pare. Kalo thote nder dhe privilegj profesional, jo personal. Nuk eshte pa rendesi kjo. Te jesh mjek i udheheqesit, mes dhjeterave kolegeve, eshte padyshim nje arritje profesionale, dhe perse jo mund te ta perkedhele edhe sedren ( si profesionist ).

    Duket se te pakten ne kete pjese, Kalo eshte perpjekur te jete i kujdesshem. Cfare nuk e ben dot ne fakt me poshte, kur thote se :

    “Unë mjekova diktatorin, jo diktaturën. Njerëzit e kanë me diktaturën. Diktatura është sistem. Nëse nuk e bënte Enver Hoxha do e bënte dikush tjetër.”

    Eshte pikerisht ky besoj une, pohimi me i forte i asaj interviste. Duket se doktorin ketu e tradheton kujdesshmeria e tij, dhe kalon ne nje plan qe shkon pertej profesionit te vete, duke shfajesuar me nje te rene te lapsit jo vetem diktatorin, por me qindra kriminele te tjere, dosjet e te cileve ende flejne sirtareve.

    1. Falemnderit. Gabim i bërë nga pakujdesia ime në citim, dhe që tashmë e ndreqa me shënimin përkatës. Natyrisht kjo nuk i prek asgjë shkrimit vetë. Madje unë do të thoja se, të jesh mjek i udhëheqësit mes dhjetëra kolegëve, është arritje edhe profesionale – ngaqë kriter kryesor do të ketë qenë besnikëria; gjë që nuk ka lidhje me profesionin.

      1. Ishte e qarte qe ishte gabim nga pakujdesia, sepse ka nje pjese tjeter me poshte ne shkrim ku i njejti citim jepet i sakte.

        Une gjithsesi e mendoj pak ndryshe, dhe pikerisht qe kriteri i perzgjedhjes duhet te kete qene mbi te gjitha profesional. Fakti e tregon se karriera e doktorit edhe pas regjimit, ne instanca qe perndryshe nuk kane lidhje jo me diktaturen po as me Shqiperine vete, ka qene e shkelqyer. Madje edhe sot mbetet nje prej mjekeve me te mire ne fushen e vete. Kjo per mua eshte e kuptueshme, per sa kohe udheheqesi natyrshem kerkon me te mirin te cilit t’ja besoje trupin e vete. Dhe meqe jemi te besimi, per cfare konkretisht e kemi fjalen ketu ? Sepse eshte thene edhe ketu ne blog, me te drejte, qe maredhenia me mjekun eshte mbi te gjitha edhe ceshtje besimi. Besim se tjetrit po i beson trupin, besim se tjetrit po i beson privatesine (mbi trupin dhe gjendjen tende). Dua te them se besueshmeria, ne kete rast, eshte edhe ajo pjese e profesionalizmit vete.

        Dhe per sa kohe Kalo flet si mjek, mendoj se ka te drejten legjitime te ndihet edhe i nderuar edhe i respektuar, edhe i privilegjuar, qe i ka sherbyer nje personaliteti si kreu i shtetit (kujdes, ai eshte mjek, nuk i takon ta shohe pacientin si diktator apo bude), rendesia e te cilit presupozon edhe nje filtrim profesional ndaj profesionistit qe i sherben.

        Eshte si te thuash mjeku qe operoi Shumakerin, i privilegjuar qe u zgjodh ai te mjekoje nje prej sportisteve me ekselente. Apo mjeku qe operoi Clintonin kur pati nevoje per bypass, apo Luis Garcia Sabrido, mjeku nga Madridi qe u mor me mjekimin e Fidel Castros. Mund te jene krenar dhe te privilegjuar, profesionalisht pra.

        1. Kur flas për “besnikëri”, kam parasysh se, në kohën kur u përzgjidh dr. Kaloja si mjek personal i diktatorit Hoxha, kishte në Shqipëri mjekë më përgatitur se ai – të cilët kishin mbaruar në universitetet e Lindjes; ndryshe nga dr. Kaloja që kishte studiuar në Universitetin e Tiranës, kur ky ishte ende në shpërgënj. As mund të krahasohej profili profesional i mjeku që kishte mbaruar, bie fjala, në Moskë ose në Leningrad, me atë të një të diplomuari në Tiranë. Por Hoxha, me sa duket dhe konsekuent me paranojën e vet dhe parimin autarkik, parapëlqente të mbante pranë vetes një prodhim vendi; meqë ata të Lindjes mund të ishin “komprometuar” nga agjenturat përkatëse – siç u ndodhi shumë kolegëve të Kalos, të cilët përfunduan të penguar në karrierë dhe ndonjëherë të qarkulluar, të internuar dhe të burgosur, thjesht ngaqë ishin martuar me gra të huaja. Nuk di me hollësi çfarë pritej të bënte pikërisht dr. Kaloja si mjek personal i Enverit; por ma merr mendja se ai administronte diabetin, një sëmundje kronike, ndërsa me problemet madhore të shëndetit të diktatorit – si zemra – merreshin të tjerë. Kam përshtypjen se edhe protokolli i mjekimit të diabetit vendosej gjetiu dhe dr. Kaloja thjesht kujdesej që ky protokoll të zbatohej në rregull. Hoxha deri edhe për një operacion në dorë e solli kirurgun nga Franca – me gjithë ushtrinë e kirurgëve që kishte në spitalin nr. 2; le pastaj për sëmundje më abstrakte, si diabeti.

          1. Dakort, por u perzgjodh si me i miri i te besueshmeve, dhe jo si me i besueshmi i te mireve. Qe do te thote se perzgjedhja se kush ishte apo jo i besueshem shkonte pertej aftesive te mjekut si i tille. Pra nuk eshte se Kalo pati ndonje aftesi te madhe qe ishte i besueshem, thjesht pati fatin te mos ishte i dyshueshem. Ne kete kontekst, pasi diktatori beri krasitjet e veta, me i miri doli te jete ai. Une prape mendoj se arsye per tu ndjere profesionalisht i privilegjuar apo i perkedhelur ne seder ketu ka. Sinqerisht me duket me shqetesues ai pasazhi i fundit, ku diktatura dhe krimi shteteror na jepen si nje ndeshkim prej qiellit, dhe njerezit na dalin te gjithe te pafajshem.

    2. Nese flasim per brezin qe ka jetuar me doktorin, jane te gjithe te lindur, te rritur, dhe te shkolluar nen diktature apo thene ndryshe ne nje sistem totalitar. Dhe kuptohet qe edhe punet qe duheshin bere ,qofte ato te “mirat” si mjek, mesues, artist etj, apo qofte ato ‘te keqijat” si hetues, gjykates, kryetar kooperative, sekretar partie etj, nga njerzit qe jetonin ne kete sistem do te beheshin. Mundet psh qe Isuf Kalo nga mjek te ishte bere hetues dhe kjo do te ishte mese normale per ate sistem. Dhe kesisoj, Isufi nga nje mjek i shquar dhe i nderuar ne fushen e tij, mund te ishte bere nje hetues karierre ne mbrojtje te diktatures dhe ne ndeshkimin e armiqeve te diktatures se proletariatit por qe sot do te shikohej si kriminel. Prandaj ne kete konteks eshte shume e veshtire te vecosh dhe fajesosh individin nga sistemi.

  2. OBSH është një nga ato institucione që përndryshe perceptohen me të drejtë si vend pullumbash, për shkak të rrogave të larta dhe privilegjeve të shumta për të punësuarit e vet. Dr. Kaloja hyri në atë institucion shumë herët, kur për efekt të kuotave që vendosin këto institucione për punësime nga shtete të ndryshme dhe personelit të pakët që ofronte Shqipëria e asaj kohe, për dr. Kalon ishte e lehtë të hynte atje falë privilegjeve që kish shijuar deri një ditë më parë.

    Po të konkurronte sot dr. Kaloja me CV e tij sipas rregullave normale të të bërjes së gjerave ma do mendja, që do të ishte ndryshe.

    Pastaj edhe passioni për të folur për diktatorin është siç duket e vetmja gjë substanciale që ka bërë ai njeri, pasi po të ishim duke folur për Dr. Kalon tonë në OBSH, do kishte qenë më vend të flitej për ebolën dhe jo për diabetin e Enver Hoxhës. Po në këtë pikë ndoshta i duhet dhënë të drejtë, ngaqë ashtu siç ka dështuar e gjithë OBSH në lidhje me ebolën, shpalos edhe Dr. Kalo dështimin e tij të vockël, duke mos ditur të flase edhe pas 25 apo 30 vjetësh për asgjë substanciale, veçse për kohën e artë, kur ishte dikushi, kur i shërbente diktatorit.

    1. Citimi i sakte veç zbeh, ne mos neutralizon sinqeritetin, e doktorit, sepse ka qene privilegj profesional dhe PERSONAL. Ta kishe Parisin shtepi te dyte duke shoqeruar sojin e sorrollopin e EH ishte kryesisht favorizim personal, dhe favori personal pillte favore per doktorin, fisin e tij e te se shoqes. Ndaj Xha Xha eshte dashamiresi t’i etikosh diagnozen e sindromit te Stockholmit. Ky i shkon atyre shqiptareve, dhe ishin shume, qe e qane e lane shuarjen e EH. Por ata qe ndanin buke e kthenin gota me te nuk ishin pengj. Dhe vete Doktori s’e konsideron veten peng, po ndez cigaren pas 25 e kusur vjetesh ne mjekrren e viktimave te gjalla e te vdekura te asaj sketerre. Ve re dicka, ketu e dhjete vjete me pare (apo kur e pergjonte me makth Shqiperine nga Danimarka), s’do ia kish mbajtur te jepte nje interviste te tille. Kush e ku kush i fryn tani ne flatra.

    2. Eshte krejtesisht e vertete ajo qe thoni ju lidhur me OBSH, dhe kjo eshte po keshtu edhe per organizata te tjera nderkombetare deri ne OKB. Une per vehte njoh nje mjek tjeter qe pat punuar ne Institutin e Shendetit Publik, me iniciale V.G. qe u rekrutua nga OBSH. Me logjiken e Kalos mediat duhet ta merrnin ne interviste cdo muaj per shkak se na kish punuar per OBSH, por ky mjek qe nuk pat punuar per Enverin vazhdon te mbetet anonim, pavaresisht se mund te kete punuar per OBSH me gjate se Kaloja.

      Ka shume shqiptare te tjere qe kane qene punesuar ne organizata te tjera nderkombetare si FAO, UNICEF, IAEA etj. etj. Nuk me qellon te lexoj intervista te tyre megjithese mund te jene profesioniste te mire, apo shume te mire, por qe “fatkeqesisht” nuk i paten sherbyer diktatorit. Dhe me fal, por per mua po t’i kesh sherbyer diktatorit, drejperdrejt apo jo i ke sherbyer diktatures.

      Absolutisht nuk mund te pretendohet qe Kaloja duhet ta rrefuzonte pozicionin kur iu ofrua, apo duhet te kishte kryer ku di une cfare heroizmi duke i demtuar shendetin diktatorit, apo helmuar ate, por me duket se te vazhdosh te tundesh flamurin e asaj kohe si nder e privilegj, qofte edhe PROFESIONAL, me duket e tepruar dhe per te thene me te pakten, i thone te tallesh prapanicen me shqiptaret e gjore qe pervec duronin diktaturen, duhet te duronin edhe perrallat me Enver te Kalos.

      Vazhdoj te mos kuptoj deshiren morboze te mediave shqiptare, per te intervistuar dhe ne nje fare menyre per te glorifikuar personazhe te nje te kaluare te shemtuar, qe perndryshe edhe pse te detyruar per te permbushur funksione te vecanta e te rendesishme per diktaturen, sot duhen trajtuar ashtu sic jane ne te vertete njerez te rendomte, qe ashtu qelloi, iu dihet emri nga te gjithe, por jo per bema te lavderueshme e kontribute te shquara per kombin.

  3. Dr. Kalo ka një libër për diabetin, i cili ka qenë bibla e çdo të sëmuri me diabet në Shqipëri, sepse kishte këshilla për dietën e stilin e jetesës. Ka shpëtuar kaq shumë jetë, saqë, për mendimin tim, e ka larë mëkatin e shërbimit ndaj diktatorit.

    1. Ne të mirët i njohim ose kur vdesin, ose s’i njohim hiç. Pse nuk interviston Ilva Tare diabetologë që kanë shpëtuar jetë jo për larje mëkatesh.

      Sepse po të ishte për këtë duhet të kishte intervistuar endokrinologët dhe diabetologët më të mirë: Prof. ass. Sulejman Budën, i pandarë nga kati i pestë, vetëm rreth një vit në pension, që ka kulluar mbi libra e ka fituar gjithshka pa paterica, ose grupin kërkues që ka nxjerrë tre botime të një rasti të rallë rreth komplikimeve kardiake të hyperparathyroidizmit në tre revista prijëse të fushës (jo tip MCSER, por Oxford Journals, American Journal of Medical Case Reports dhe American Journal of Hypertension Research). Po këto arritje të endokrinologjisë shqiptare s’kanë impakt publik tek ne, merremi me dinouzaurët e diktaturës.

      Të paktën, ama, ka patur tek ata që u përfshinë në këtë projekt. Ja, p.sh. linku për Oxford Journals:

      http://omcr.oxfordjournals.org/content/2014/4/77.full

      Në këtë pavjon dhe fushë bllokmenët kanë lulëzuar: dje Kalo, sot Agron Ylli, dhëndri i Nexhmijes , që si sot si mot në diktaturë nuk e njohin punën dhe iu kanë shërbyer interesit vetjak, pa patur koncept mëkati.

  4. Peshperites kur thoni “Fakti e tregon se karriera e doktorit edhe pas regjimit, ne instanca qe perndryshe nuk kane lidhje jo me diktaturen po as me Shqiperine vete, ka qene e shkelqyer.”, kujt fakt i referoheni? Sepse per mua por edhe per shume te tjere Isuf kaloja eshte thjesht nje mjek politik. Ku e gjej une si publik CV-ne e Kalos qe e mban veten me kaq te madh si nje mjek qe ka bere hatane (sipas intervistes qe lexova). CV-ja e tij nuk gjendet asgjekundi. Madje institucioni qe ai drejton prej vitesh, nje institucion totalisht i deshtuar dhe qe me shume gjasa ka thithur fonde te shumta nga taksat e qytetareve, as nuk i gjendet faqja ne internet (nese ka). A nuk thote shume ky fakt?

    Tani te vijme tek intrervista. Kjo e fundit konfirmon qe Kalo ka qene me se shumti nje mjek politik. Edhe pas 90-tes ka punuar ne fushe drejtuese-menaxheriale dhe jo ngushtesisht profesionale. Kalo edhe kur u kthye ne Shqiperi perseri ne kete pozite e gjen, si drejtues te nje institucioni te dyshimte dhe me shume gjasa u vu aty nepermjet njohjes se ngushte qe ai ka me Sali Berishen. Edhe artikujt qe ka shkruar ne shtyp keto vite kane qene me teper analiza sociale ose shendetesore ne prizmin e pergjithshem qe nuk dallonin shume nga ato qe mund ti beje cdo analist ne Shqiperi qe nuk ka sfond mjeksor.

    Ne interviste Kalo mburret se ka bere pune me institucionin e tij por pyetjes se gazetares per te qene me spocifik i dredhon ne gjera te pergjithshme qe mund ti thote cdokush. Duket se me e pergatitur eshte Ilva Tare sesa Kalo. Ky i fundit ben sikur kritikon pastaj ben apologjine e sistemit duke na permendur se eshte rritur jetegjatesia dhe eshte ulur vdekshmeria foshnjore (cfare tallje me publikun!). Nje drejtor instituti cilesie dhe akreditimi qe flet gjithe intervistes per matjet dhe kriteret por nuk permend asnje matje, asnje shifer asgje konkrete.

    Personalisht do ta rendisja punen e ketij demagogu dhe institucionit qe ai drejton ne nje rang me institucionet arsmiore ne Shqiperi (nje teme kjo qe u diskutua para disa ditesh ne blog) qe vendosin kritere formale per kredite, duke rritur keshtu edhe me shume nivelin e rrejshmerise dhe nje formaliteti pa permbajtje. Njefare institucioni qe paguhet per te na thene se rakia behet nga rrushi.

    Mendoj se pikerisht perqasja qe Kalo i ben publikut dhe shendetesise eshte teresisht kallpe dhe politike dhe me e rrezikshme se cdo perqasje e tij me diktatorin, ne mos jane reflektim i te njejtes mendesi.

  5. ”’… ku ta heqësh vijën ndarëse?”’

    Sado qe ne nje pike Enveri ishte Partia dhe Partia ishte Enveri, perseri kishte komuniste dhe enveriste, dallim qe u be me i qarte pas vdekjes se Enverit.
    Pushkatimet dhe internimet thjesht per terror, krijuan nje mase komunistesh qe kishin frike Enverin dhe adhuronin Partine, keta qe mbeshteten hapur Ramizin, ndryshe nga enveristet qe s’u hynte fare ne sy Ramizi.

    1. Krenaria, privilegji dhe perkedheljet e sedres profesionale ne kontekstin e Kalos jane moralisht aq perverse e te gabuara, sa ato te mjekeve-kasap ne kampet e perqendrimit naziste! Edhe ata ne emer te shkences punonin. Te dritheron e te revolton nje pashpirtesi e kesaj derexheje! Ky zoteri do i ndynte duart prape me krenari po t’ia jepnin mundesine. Shyqyr s’behet fjale, po perse i japin mikfrofon?!

  6. Unë mendoj se Kalo tregohet i sinqertë kur thotë se ndihet i nderuar e i privilegjuar. Pa dyshim, parë në kontekstin e kohës, me siguri Kalo eshte ndjerë i përzgjedhur, i besuar e kësisoj i veçantë. Përfytyroj se si, ditën që e thirrën në Komitet / Byro / Organizatë dhe i komunikuan gradimin që domosdo u shoqërua me ngashërimet e njomura nga lotët mirënjohës, ka shkuar në shtëpi me frymë të marrë nga tronditja dhe i ka komunikuar të shoqes: “D. e dashur, që nga ky çast po flet me mjekun personal të udhëheqësit…ti po flet me Celsiusin dora vetë…”.

    Pas përmbysjes së madhe Kalo ruajti një profil rreptësisht tekniko-profesional nëpërmjet të cilit mëtoi të njihej si ekspert politikash shëndetësore para se të kujtoheshin për të si mjek i diktatorit. Me kthimin në Shqipëri pas daljes në pension nga OBSH Kalo dëshmoi të njëjtin ngashërim të njomur kur i referohej kryeministrit të kohës (flasim për kryeministrin e pas 2005-ës) si “kryeministri im” në tone patetike e servile thirrjesh pseudo të guximshme që prezantonin qasje kinse novatore për vënien e pacientit në qendër e kështu me radhë…

    Problemi nuk është sinqeriteti i Kalos në pranimin e të vërtetës së madhe mbi nderin dhe privilegjet që i blatoi atij regjimi në një moshë të re e nivel përvoje ende të freskët. Problemi sipas meje është tek arroganca e Kalos tashmë të pjekur që në mënyrë të shkujdesur refuzon të ndajë me bashkëqytetarët atë që privilegji i ka lejuar të shohë me sytë e tij e të përjetojë me shqisat e tij intelektuale shkëndijat e të cilave herë pas here shkrepin për t’u venitur më pas nga mungesa e integritetit dhe kurajos shoqërore.

    Në përfundim, për të mos rënë preh e tundimit për sulme ad hominem dua të them se arsyeja e vërtë, gjithnjë sipas meje, e irritimit të publikut me intervistën në fjalë, është guximi shpërfillës e sinqeriteti brutal që një njeri që ka të gjitha fakultetet mendore e emocionale si edhe përvojën personale për të dëshmuar historinë nga një këndvështrim i rrallë, refuzon ta bëjë këtë duke u fshehur pas bluzës së bardhë gjasme sterile të mjekut. Çfarë shpërdorimi zhgënjyes i hapësirës televizive, mundimit të gazetares, kohës dhe nervave të lexuesve…..

  7. Gjithnje me ka bere pershtypje mosdashja ose paaftesia e njerezve qe kane qene prane instancave te larta te diktatures per te na ndihmuar ta kuptojme te kaluaren tone. Nuk u afrohemi as kinezeve, mendoj. Per kete dua te permend se vone kam lexuar kujtimet e mjekut te Mao Ce Dunit. Asgje tjeter, asnje nga analistet e medhenj te asaj bote nuk te jep qartesi me te madhe per te kuptuar si funksiononte sistemi.

  8. Në këto njëzet e katër vjet postkomunizëm, kemi parë të përvijohen dy kategri të ish hierarkëve të lartë të nomenklaturës komuniste dhe të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Diktatorit Hoxha:
    Një kategori, nga Sulo Gradeci e deri tek Haxhi Kroi të cilët, përmes kujtimeve, shpalosin mirënjohjen mallëngjyese për Enver Hoxhen burrë shteti dhe dëshmojnë, përmes aspekteve të punës dhe raporteve njerzore, “natyrën humane” të Diktatorit.Kjo është kategoria e “të sinqertëve”, besnikë dhe koherentë me bindjet e tyre, të cilët i qasen së kaluarës personale dhe asaj kolektive, pa asnjë refleksion dhe distancim etik. Dr. Kalo , nisur nga intervista, edhe pse i fshehur nën bluzën e bardhë të mjekut, nuk e fsheh adhurimin për pacientin e tij Diktator.
    Kategoria tjeter është ajo e cila , përmes manipulimit të fakteve biografikë dhe riinterpretimit të tyre në frymën e kontekstit të ri social-politik, rindërton retrospektiva disidentësh të heshtur, luftëtarë të shumë hileve dhe asnjë trimërie,me bema të pabëra, thjesht kameleonë politikë , pragmatistë xhonglerë që rrëmbyen flamurin e antikomunizmit dhe që shesin antikomunizmin e sotëm si atikomformizëm edhe në të kaluarën.
    Për cilët duhet të tregojmë mirëkuptim, për kategorinë e “të sinqertëve të verbër” apo për kameleonët pragmatistë? Kush na acaron më tepër, “koherenca parimore” dhe “sinqeriteti” e rrëfimeve të Nexhmije Hoxhës apo pendesa e berberit që , teksa rruante mjekrën e Diktatorit, nuk pati kurajon për ta ngjeshur tehun e briskut ne gurmazin e tij?
    Dr. Kalo është i sinqertë kur thotë se : (asokohe) Unë e kam quajtur si nder dhe privilegj profesional (që isha mjeku personal i Enver Hoxhës).Pohimi kundërt, kur i referohet kutimeve, asaj cfrë ishte e si e përjetonte këtë fakt asokohe, do të ishte hipokrizi. Por është irrituese dhe e habitshme kur këtë përjetim emocional e aktualizon, kur thotë:unë e quaj privilegj dhe (tani) ndihem pak i përkëdhelur në sedër !! Asnjë reflektim, asnjë distancim etik, sikurse me të drejtë konstaton xha-xhai.
    Më tej, me arsyetime prej sofisti pohon: Unë mjekova diktatorin, jo diktaturën.Dhe arsyetimi përmbyllet me deklaratën : Unë nuk i kam shërbyer diktaturës…
    Ky pohim, shkon përtej dr. Kalos dhe meriton vëmëndje. Kush i shërbeu Diktaturës? Mësuesit, akademikët, shkrimtarët, historianët, piktorët, kompozitorët, këpucarët, berberët, kuzhinierët, shoferët, inxhinierët etj. etj. ? Apo damkën e shërbyesve të diktaturës do ta mbajnë vetëm ata që punonin në strukturat e mekanizmit represiv të diktaturës( Sigurimi shtetit, Ministria e Brëndshme, Hetuesia, Gjyqësori) dhe drejtuesit e piramides ideologjike, nga Byroja Politike tek fshatari analfabet, sekretar i orga.bazë të partisë në katundin më të humbur?
    Diktatura ishte sistem -thotë doktori, duke bërë pak sociologun dhe duke lënë të kuptohet se-si berberi Diktatorit, si mjeku i tij personal ashtu edhe hetuesi xhelat, të gjithë bënin detyrën!Të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë viktima! Madje, sipas kësaj optike dhe siç thotë diku Ismail Kadare, edhe Enveri ishte viktimë e enverizmit!
    Ku duhej vendosur “kufiri ndarës” që përmënd xha-xhai, në rast se do të zbatohej praktika e lustracionit të munguar?

    1. Duket se doktor Kalo e ka zgjidhur bukur kete punen e vijes ndarese ; as ne mes te fletores, as diku siper apo poshte, por nje vije te kuqe me vizore anash, si dikur ne fletoret e bukurshkrimit.

  9. Po mire po sikur Doktori ne kete bashkebisedim te thoshte qe, gjate kohes si mjek i diktatorit kishte bere perpjekje per t’ia renduar semundjen e sheqerit nepermjet dietave enkas te gabuara, dhe si rjedhoje ai iku nga kjo bote perpara kohe, cili do te ishte reagimi juaj? lol

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin