Tashmë edhe ne shqiptarët u mësuam me sharjet në politikë. I dëgjojmë shpesh kundërshtarët të shahen në parlament, në televizion, në shtyp, në tubime. Hapësira politike shndërrohet shpesh në mejhane të vjetra ku fluturojnë lloj lloj sharjesh, që ndonjëherë duket sikur kanë dalë nga muret e nevojtoreve publike, ku lihen ndyrësira verbale çfarëdo.
Para se të kuptojmë se ç’janë sharjet në politikë, duhet të pranojmë se nuk janë veçori e shqiptarëve. Në të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak, janë të pranishme sharjet, si në rrugë ashtu edhe në politikë, gjithnjë duke respektuar parametrat kulturorë, meqë jo të gjithë popujt shajnë njëlloj. Megjithatë, vihet re se në Shqipëri sharjet janë strukturuar tashmë në ligjërimin publik, në mos nga ana formale, të paktën nga pikëpamja e regjistrit të komunikimit. Me fjalë të tjera, sharja në skenën publike shqiptare është pjesë përbërëse e “komunikimit politik”.
Në të vërtetë sharja është infarkti i komunikimit, sepse momenti që ndodh përkon me dëmtimin e rëndë të shkëmbimit të informacioneve, ose të dialogut politik. Sharja i jep fund ecurisë normale të komunikimit, me rrezikun e moskthimit mbrapa, përderisa shpeshherë sharja shikohet si fjala e fundit, ose gjithsesi si ajo mënyrë komunikimi që lë shenja të pashlyeshme.
Sharja shënon edhe bllokimin e mendimit. Sikurse në trafikun e rënduar aksidenti i rëndë nuk e lejon më qarkullimin, ashtu edhe procesin e dialogut sharja e mbyll procesin e mendimit. Në fakt, në komunizmin e përditshëm as atij që shan, as atij që shahet, nuk i kërkohet ndonjë mendim i veçantë. Përkundrazi, dinamika e sharjes e përjashton arsyen, si rrjedhim e shmang mendimin i cili, le ta kujtojmë, është thelbi i politikës.
E megjithatë, e tregojnë edhe shembujt e shumtë në politikën shqiptare, ekziston rreziku që sharjet të konsiderohen si mënyrë normale komunikimi, ndërkohë që kemi të bëjmë me surrogato të tij, e në disa raste me ato forma të jetës që vazhdojnë për inerci edhe pas vdekjes. Rreziku qëndron pikërisht në ndjesinë se po bëhet politikë, se dialogu vijon, ndërkohë që sharjet nuk kanë të bëjnë asfare me përplasjet ideore në politikë.
Që sharjet në politikë koincidojnë me pezullimin e kësaj të fundit e tregon qartë edhe forma skenike ku merr jetë komunikimi mes palëve në lojë. Pavarësisht se publiku ka ndjesinë se po bëhet politikë, sharjet e përjashtojnë krejtësisht atë nga pjesëmarrja, që siç dihet ndodh edhe gjatë shfaqjeve teatrale, ku spektatorët marrin pjesë emotivisht në atë çka ndodh në skenë. Mirëpo sharjet, duke e rënduar deri në skaj fjalën me konotacione negative, e sterilizojnë dialogun, duke e lënë jashtë publikun, i cili ka iluzionin fillestar se po përfshihet në zgjedhjet e vendit, porse në të vërtetë është thjesht spektator i një komunikimi të dështuar.
Deri në një farë mase communis opinio e toleron sharjen, sepse e konsideron atë pjesë të pasionit politik, ku fjalët i shpëtojnë ndonjëherë doganës verbale të trurit. Mirëpo kufiri midis sharjes si përjashtim dhe sharjes si modus komunikimi është shumë i lehtë për t’u kapërcyer, madje pa e ndjerë fare. Problemi është se edhe ne shqiptarët jemi mësuar gradualisht me sharjet, sikurse ndodh me dozat e helmit ose të drogës; në fillim të bën përshtypje edhe një fjalë e pamenduar mirë, pastaj shkopi i kërcimit së larti të akrobacive verbale ngrihet më tej, deri sa kalohet pa e kuptuar mirë në caqe të papranueshme, me sharje të rënda edhe për garipat vetë. Trupi shoqëror mësohet ngadalë me përshkallëzime të tilla, derisa të verifikohet kolapsi komunikativ, çka do të thotë fundi i politikës, që nuk njoftohet për fat të keq me tinguj trombësh, por vihet re në realitetin e vendit.
Në qoftë se parlamenti është sheshi, rrugica, oda e djeshme, atëherë është vendi i ligjërimit, ku ushtrohet fjala, diskutimi, e ndonjëherë polemika, por pa arritur kurrë në konflikte verbale siç është sharja, e cila me konvencion nuk e ka vendin aty, sepse nuk është funksionale ndaj dialogut. Në kuptimin figurativ, sikurse lihen jashtë armët para se të hyhet në kuvend, ashtu duhen lënë jashtë edhe armët verbale vdekjeprurëse, si sharjet, që e vrasin fjalën nuk e vitalizojnë atë.
Sipas filozofit Roberto Esposito, sharja mund të ketë efekte politike, siç mund të jetë për shembull devijimi i vëmendjes së publikut në diçka tjetër; megjithatë, nuk i përket gjuhës së politikës, sepse është “shka dhe efekt i shpolitizimit, në kuptimin që e shpie praktikën politike në një fazë belbëzuese, në mos drejt afazisë”. Këtu, ne shqiptarët, si qytetarë duhet ta pyesim gjithnjë veten kur niveli i sharjeve i kalon nivelet fiziologjike, për të kuptuar nëse kanë funksionin e shashkave , pra zhvendosjen e vëmendjes diku tjetër. Përshtypja është se kjo manovër bëhet shpesh në politikën shqiptare, qoftë edhe për të maskuar mosekzistencën e politikës me P të madhe.
Nuk ka dyshim se komunikimi politik, që ka nevojë për “pullë e kuqe” kur i jepet publikut, ka lidhje me edukimin e qytetarëve. Nuk mund të pretendohet që sharjet të mos kenë efekt mbi publikun dhe që brezat e vjetër e të rinj të mos ndikohen nga sharjet në parlament ose në arenën politike. Politika është produkt i kulturës së një vendi, por njëkohësisht edhe aktor i saj, në kuptimin që merr pjesë në formimin e kulturës politike. Nuk ka dyshim gjithashtu se sharjet shkojnë e ndërveprojnë me procese relativisht të reja në kulturën moderne, siç është spektakolarizimi i politikës, mediatizimi, liderizmi, e kështu me radhë. Politika e mediatizuar, ose e personalizuar, që ndiqet obsesivisht nga telekamerat, krijon kushte ideale për forma të skajshme të shprehjes, siç janë sharjet, të cilat në analizë të fundit na japin shansin të reflektojmë për shoqërinë dhe politikën e sotme.
pervec “efektit te shashkes”, qe synon kryesisht median si percjelles (scoop, humor etj.) dhe audiencen si perceptues (elektoratin), sharjet kane edhe efektin e ngjizjes apo shtrengimit te rreshtave – nese kryetaret shahen me njeri-tjetrin, atehere kryetaret vendosin kufirin ndermjet “neve/atyre” dhe sanksionojne ne kete menyre marredheniet e individeve jashte grupit (i njejti efekt qe ka edhe stigmatizimi i “tjetrit” por ne tone te tjera) .. ndersa sharjet “poshte-brezit” synojne nje audience te atille qe politiken e trupit e lidh me autoritetin shteteror – dobesia seksuale tregon mungese karakteri dhe autoriteti – cfare eshte shkruar gjerazi ne kete blog e kryesisht mbi fjalorin e Berishes qe si mjek ndikohet nga konstrukti “mendje shendoshe me trup te shendoshe” (kujtoj rekordet e notit!)