Veniamin Baba, një mik i vyer, më pat sinjalizuar, për Gastaren, një gabim të mrekullueshëm të faqes Shqiptarja.com, e cila shprehjen anglishte baby carrots e kish përkthyer, që në titull, si karotat e bebeve.
Gastarja vetë nuk punon më me orar të plotë, por për xhevahire të tilla ia vlen ta hapësh posaçërisht.
Meqë shkrimi shoqërohej edhe me fotografi madje edhe me video, atëherë nuk është fjala vetëm për një gabim përkthimi; por edhe për gabim të njohjes – të shqipes ose edhe të vetë realitetit.
Natyrisht, përcaktori baby te baby carrots nuk do të thotë “i bebeve”, as “për bebe”, por “i vogël, mini, etj.”; prandaj edhe baby carrots mund të përkthehej si karota të vogla, ose më mirë akoma, karotëza. Fakti që janë të vogla, nuk do të thotë që u përkasin bebeve, ose duhen konsumuar prej bebeve.
Një person që nuk di që përcaktori baby te baby carrots ka kuptimin “i vogël” nuk ka fare punë të përkthejë nga anglishtja; një person që nuk di se karotat e vogla që paraqiten në fotografinë shoqëruese të shkrimit dhe në videon vijuese nuk janë për bebe, por për t’u përdorur si snack (shprishë, thonë fjalorët), nuk ka punë t’i afrohet faqes ku shkruhet dhe flitet për ushqimet.
Edhe krejt titulli i Shqiptarja.com tingëllon surreal: Karotat e bebeve janë një gënjeshtër, nuk ekzistojnë; qoftë edhe thjesht pse të tilla shiten nga të gjitha anët. Çfarë nuk ekziston atëherë? E shumta, mund të dyshojmë se përfytyrimi që mund të ketë pasur autori i përkthimit në fjalë, për karotat në fjalë, ka qenë i gënjeshtërt; ai mund të ketë kujtuar se ato rriten në pemë, ose piqen në furrë. Por kujt i duhen këto budallallëqe?
Edhe Nicolas Cage ne filmin “Gone in 60 Seconds” Angelina Jolie-t i thote Baby Girl, por nuk do te thote qe Angelina eshte bebe
Para ca ditesh ne nje nga gazetat e perditshme, lajmi i gjetjes rastesisht te disa monedhave te vjetra ne Kalifornia nga nje cift ishte perkthyer: “Gjenden monedha nenexhik rastesisht”. Ne anglisht origjinali ishte afersisht “The coins were in mint conditions”.
Imagjinoni per nje rast situatat kur “perkthyes” te tille te gjenin nje vend “me mik” (keta normalisht as anglishten e shkolles se mesme nuk zoterojne), dhe te viheshin te perkthenin materiale farmaceutike, apo ne nje Salle Gjyqi. Pale pastaj ne OKB ku do te shkaktonin Incidente Diplomatike!
Kadareja ka nje moment shume domethenes tek “Dimri” ku gjate bisedimeve Enver-Hrushov, ky i fundit pyet per besnikerine e perkthimit……