Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

30

nga Arben Dedja

Tridhjetë shtatori është Dita Botërore e Përkthimit; kalendari i krishterë përkujton Shën Jeronimin (Zrenj, 347 – Betlem, 30 shtator 420), përkthyesi i parë i Biblës (“Vulgata”) dhe pajtori i të gjithë përkthyesve. Por tridhjeta e titullit i referohet diçkaje tjetër.

Në vitin 2000, Wim Kayzer, gazetar i televizionit holandez, realizoi programin me titull “Van de schoonheid en de troost” (“Mbi bukurinë dhe ngushëllimin”). “On Beauty and Consolation”, se programi korri sukses dhe u transmetua pastaj në krejt botën anglosaksone. “Ku e gjejmë bukurinë?” “Ç’e bën jetën të denjë për t’u jetuar?” “Cilat janë gjërat që na ngushëllojnë?” Këtyre pyetjeve e pak të tjerave si këto iu përgjigjën në intervista të gjata chez eux njëzet e gjashtë shkrimtarë, filozofë, shkencëtarë, artistë, muzikantë… Njëri sosh është edhe George Steiner, shkrimtar dhe eseist, që me librin e tij themeltar “After Babel: Aspects of Language and Translation (1975; botimi i dytë 1992; i treti 1998) përsiat rëndësinë e përkthimit në marrëdhëniet midis kulturave dhe faktin që, në thelb, çdo komunikim është një formë përkthimi. Duke filluar diku te minuta e 34-t e intervistës, Steiner-i i tregon bashkëbiseduesit një anekdotë që ka në qendër Boris Pasternakun. Do të përpiqem ta rrëfej edhe unë në shqip, me fjalët e Steiner-it:

“1937. Kongresi i Shkrimtarëve Sovjetikë. Viti më i keq. Njerëzit i zhduknin si miza, përditë. I thonë miqtë Pasternakut: ‘Po fole në kongres, të arrestuan. Edhe po nuk fole, xhanëm, – për rebelim ironik’. Podiumin e ka uzurpuar Zhdanovi, dora vrasëse e Stalinit. Tri ditë kongres – Pasternaku nuk hapi gojë. Ditën e tretë dhe të fundit miqtë e marrin mënjanë: ‘Dëgjo,’ i thonë, ‘meqë, siç duken bathët, do të të arrestojnë gjithsesi, bëj diçka të rëndësishme që të mbahesh mend’.”

Vazhdon Steiner-i:

“Pasternaku ishte një burrë tejet i pashëm, i gjatë mbi 1.80. Pastenaku u çua dhe, siç ma kanë rrëfyer, heshtja që ra në kongres u dëgjua deri në Vladivostok. Pasternaku hipi në podium dhe tha vetëm një fjalë, një numër: 30. Dymijë delegatët e kongresit u çuan menjëherë në këmbë dhe recituan përmendsh tingëllimën numër 30 të Shekspirit të përkthyer nga Pasternaku. Është një tingëllimë që flet për kujtesën. Dhe përkthimi që i ka bërë Pasternaku është një mrekulli e letërsisë ruse. Pasternakun nuk e arrestuan.”

 

Sonnet 30

When to the sessions of sweet silent thought

I summon up remembrance of things past,

I sigh the lack of many a thing I sought,

And with old woes new wail my dear time’s waste:

Then can I drown an eye, unus’d to flow,

For precious friends hid in death’s dateless night,

And weep afresh love’s long since cancell’d woe,

And moan th’expense of many a vanish’d sight:

Then can I grieve at grievances foregone,

And heavily from woe to woe tell o’er

The sad account of fore-bemoaned moan,

Which I new pay as if not paid before.

But if the while I think on thee, dear friend,

All losses are restor’d, and sorrows end.

 

 

Kur kindash mendimi t’ëmbël të pazë

kujtimin e gjërave të shkuara grish,

mungesën fshaj gjërash që malli më zë

e brengash të vjetra qaj rishtaz kohën q’u shprish:

pa syrin mbyskam, q’loti s’e kish fshikur,

për miqtë kallur në të vdekjes natë pa fund,

dh’endé i qaj dashurisë brengën e fikur

dhe vajtoj barrën e shumë vegimesh q’humb:

pa shpirti më plaska vuajtjesh të kaluara

dhe nga brenga në brengë ankthshëm njehson

tespihen e trishtë të vajeve të vajtuara,

që paguaj prapë si ai që nuk pagon.

Por sa më bie ndër mend ti, mik i shtrenjtë,

çdo dhembje shter, lavomat zënë dregë.

 

© 2024 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me DALL.E 3.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Ju faleminderit per prurjen, por mjafton te shoh perkthimin e dy vargjeve te fundit, te dyshoj per gjithe vjershen. Nuk e di nese perkthimi duhet te kete po aq i ngrire ne kohe, me nje fjalor qe nuk ka kuptim te jete i vjeter ne shqip pse jane thjeshte dialektore.

    But if the while I think on thee, dear friend, / All losses are restor’d, and sorrows end.

    Por kur më shkon mendja te ty, i dashur mik
    C’ka humbur kthehet, e dhimbja më ik.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin