Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Totalitarizëm

METALI I ZËRIT

Në një bisedë mes miqsh, kur ra fjala te komunikimi nën totalitarizëm, më erdhi në mend imazhi i altoparlantëve në shtyllat e llambave neon, në sheshin “Skënderbej” të viteve 1960 – i shoqëruar me kujtimet e mitingjeve politike dhe jehonën e zërave të amplifikuar, në muret e ministrive përreth.

Regjimi totalitar u fliste shtetasve të vet me zë metalik, prej makine; të zhveshur nga nuancat dhe overtonet, të reduktuar në dhunën e shkrimit fizik në timpan; dhe kushedi nuk ka qenë rastësi që altoparlantët modernë, të shumëfishtë dhe ajrorë si flamujt, u instaluan në sheshet e Shqipërisë njëkohësisht me ndriçimin publik, i cili nga ana e vet ipso facto ia hodhi një hije dyshimi, politike dhe ideologjike, errësirës si të tillë.

Ndoshta për këtë arsye, them se më përhihet një lloj frike e përzier me neveri, sa herë që shoh një megafon ose më duhet të hyj në marrëdhënie me të; meqë asgjë të mirë nuk pres të dalë prej asaj tyte. Për mua është thjesht një instrument për kontrollin e masës, i barasvlershëm me shkopin e policit, ndoshta edhe me gazin lotsjellës.

Në një film bullgar që pamë para pak ditësh (Zift), jeta e personazhit kryesor organizohej, ose më mirë pikësohej, nga sinjalet orare të radio Sofjes, dikur në vitet 1960. Të gjithë u bindeshim hipnotikisht atyre sinjaleve, elektronike dhe enigmatike, që i paraprinin zërit institucional të spikeres, e cila njoftonte orën sipas sistemit burokratik 24-orësh; madje edhe RAI vetë na i dërgonte, drejtpërdrejt nga Instituti Galileo Ferraris, i Torinos (që sot nuk ekziston më).

Pa çka se te ne sinjali orar kish zëvendësuar edhe kambanat.

Po tek ai film, më ngacmoi një nga ato radiot-altoparlant, pa sintonizator, që i ndeshje në institucione totale, si spitalet ose konviktet – vetëm me një buton budalla të volumit; të cilat lidheshin me tel me qendrën e zërit të institucionit, për të transmetuar muzikë të detyrueshme, gjimnastikën e mëngjesit dhe njoftime të rëndësishme.

Qendra e zërit – ja një organ pa të cilin totalitarizmi nuk do të funksiononte dot; një pikë nevralgjike, që bashkonte në vetvete centralizimin dhe kontrollin e zërit, si element edhe më primordial se logos-i.

Në Perëndim, kësaj teknologjie i përgjigjet konsola – pa çka se qendra e zërit kujdesej më shumë për forcën dhe besnikërinë e mesazhit; ndërsa konsola për nuancat.

Kanë të përbashkët, megjithatë, udhëtimin njëdrejtimsh të tingullit; madje edhe konsola, sado teknologjikisht e përparuar, nuk mund të dëgjojë përveçse zërin e vet; ose, për ta thënë ndryshe, duhet ta bëjë të vetin zërin e Tjetrit, që të mund ta ta dëgjojë.

Nën totalitarizëm, cilësia e ulët, lo-fi, e altoparlantëve publikë i vishte një diçka si uniformë ushtarake zërit nga lart, të cilën e ndeshje njëlloj, si në fjalimin në shesh, ashtu edhe në tekstin e folur të një kinoditari, në kinema.

Me atë zë të fliste shteti.

Ata që kanë analizuar raportet e shtetit modern demokratik me mediat, zakonisht kanë vënë në dukje si informacioni, i përcjellë në kohë reale, e shton pjesëmarrjen e publikut në punët e qeverisë.

Kjo sikur bie pak ndesh me një kriteret e vendosura prej Aristotelit, për stabilitetin e polis-it ose të qytet-shtetit: dhe pikërisht, që ky shtet duhej të ishte aq i madh, sa zëri i stentor-it (ose i tellallit) të mund të dëgjohej nga njëri skaj në tjetrin.

Optimistët e demokracisë të thonë, në këtë rast, se rolin e stentor-it, në demokracitë moderne, po e luajnë mediat, shtypi, radioja, televizioni dhe Interneti.

Se sa qëndron kjo, mund të diskutohet – meqë mesazhi që përcjellin mediat gjithnjë varet nga kush e kontrollon qendrën e zërit, në kuptimin literal të fjalës.

Kur flet për fëmininë e vet në ishullin dalmat të Brac-it, filozofi Ivan Illich përmend karakterin ciklik të përditshmërisë në atë komunitet, e cila nuk ndikohej shumë nga kush sundonte pikërisht: dogjët e Venedikut, sulltanët e Stambollit, piratët e Almissa-s, perandorët e Austrisë apo mbretërit e Jugosllavisë.

Njerëzit jetonin në shtëpitë që i kishin ndërtuar vetë; qarkullonin në rrugë të shkelura prej thundrave të kafshëve të tyre të barrës; dhe, mes të tjerash, kur dëshironin të flisnin, e bënin këtë me zërat e tyre.

E gjithë kjo ndryshoi, thotë Illich-i, me mbërritjen e tij në Brac, në 1926. Qëlloi që me të njëjtën anije, ia behu në ishull altoparlanti i parë – një vegël deri atëherë e panjohur. Deri në atë ditë, të gjithë burrat dhe gratë në ishull kishin folur me zëra njëlloj të fortë; por tash e tutje kjo do të ndryshonte, dhe kush do të kish akses te mikrofoni, do të mund ta “fuqizonte” zërin.

Për ta thënë me Illich-in: “Heshtja pushoi së qeni pjesë e the commons; dhe u shndërrua në një resurs, për të cilin altoparlantët do të luftonin mes tyre. Dhe vetë gjuha u shndërrua nga një commons lokale, në një resurs kombëtar të komunikimit. Njëlloj sikurse pronësimi i commons nga të fortët e rriti prodhimtarinë kombëtare duke ia mohuar fshatarit individual të drejtën për të mbajtur ca dhen, ashtu edhe imponimi i altoparlantit e shkatërroi atë heshtje që, deri atëherë, ia kish dhënë çdo burri dhe gruaje barazinë e zërit. Nëse nuk e përdorje dot altoparlantin, ta kishin mbyllur gojën.”

Ideja e Illich-it, të cilën ai e shtjellon më tutje, është se the commons e ligjërimit janë të cenueshëm (vulnerable) dhe mund të shkatërrohen lehtë nga mjetet moderne të komunikimit.

Dhe më tej, thotë ai, “Heshtja, sipas edhe traditës perëndimore edhe asaj lindore, është e domosdoshme për lindjen (emergence) e personit; por atë na e përvetësojnë makinat që imitojnë njerëz. Fare lehtë mund të krijojnë varësi ndaj makinave për të folur dhe për të menduar, sikurse kemi tani varësi ndaj makinave që na zhvendosin.”

(Ivan Illich, In the Mirror of the Past, Lectures and Addresses, 1978-1990.)

Illich-i i shkruante këto në një kohë kur Interneti nuk ekzistonte; edhe pse, po ta vijojmë logjikisht arsyetimin e tij, Interneti vërtet ka ri-vendosur një farë ekuilibri midis atyre që flasin dhe atyre që “dëgjojnë” duke e rikthyer realitetin e the commons të paktën në hapësirën virtuale, por e ka bërë këtë duke e shkatërruar edhe më tej heshtjen; ose duke na e sjellë një qendër zëri në çdo dhomë, madje edhe në xhep të xhaketës, me telefonin inteligjent.

Kjo na e ka bërë praktikisht të pamundur që të marrim pjesë, në komunitet, duke heshtur; sepse e ka shndërruar heshtjen në një metaforë publike të vdekjes.

 

Pa Komente

  1. ¨shkrim i bukur
    që nga dita e lindjes së jetës në këtë tokë “altoparlantët”kanë qënë të pranishëm!!
    djelli e hëna,stinët e kështu me rradhë zëri i më të fortit i klerikut,këmbanat dhe minaretë,altoparlantët,radiot televizionet interneti dhe blogjet të gjithë përpiqen të ndryshojnë mendimin e tjetrit!kërkojnë të vendosin sundimin e tyre!!
    si ti dhe unë përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë!!ti ndryshojmë mendimin njëri tiejtrit!
    në këtë mënyrë të shprehjes së pushtetit në mes të shumllojshmërisë së interesave kemi dy kryesoret:
    -mendimi tim është i drejtë dhe këtë duhet ta pranojnë dhe të tjerët!
    -mua më intereson që njerzit të mendojnë si unë!të më binden!!
    ku qëndrojmë ne?kush është qëllimi i “altoparlantëve”tanë??
    në rastin e parë, nqs bindem se mendimi tim nuk është i drejtë,ndërroj mendim!
    në rastin e dytë,nqs nuk më ecën varianti i shprehjes së mendimit,ndryshoj taktikë(lëkurë)!
    sot po e shohim këtë lëkurë tek politikanët tanë!tek politikanët botërorë!!ku më shumë e ku më pak të gjithë nuk kanë në trup lëkurët e tyre!kanë vetëm altoparlantët e shumfishtë!kohë të reja altoparlantë të rinj!!

    1. anticensurë,

      po bëj një përjashtim nga rregulli i zakonshëm, për t’ju mos përgjigjur ndërhyrjeve të tua, ngaqë nuk pres asnjë përfitim intelektual për veten time, por nga që ja paske vënë si qëllim që të ndërhysh në çdo rast i pari me një mendim tëndin dhe t’i shkatërrosh diskutimet, duhet të të them, që e ke kuptuar çdo gjë anapolla!

      Në këtë blog autorët nuk mundohen t’i ndryshojë mendimin njerëzve. Ata vetëm i komunikojnë atë të tyrin lexuesit, i cili është i lirë ta bëjë mendimin e autoritetit të vetin apo jo. Kjo ka qenë kështu që ditën e parë të këtij blogu e vazhdon edhe sot. Nëse të ka shpëtuar, do të thotë që ti ke një problem madhor me mënyrën e perceptimit të gjërave thelbësore, gjë që askush pastaj nuk ta ka për borxh të të ta bëjë kabull.

      Kaq!

      Kjo është thelbësore dhe për hatër të Zotit, mos beso asgjë tjetër.

      Qëllon që njerëz si ti e kuptojnë këtë gabim dhe fillojnë t’i vënë shqelmin çdo gjëje që ju del përpara me besimin se kështu u rregullokan gjërat, por ky është problemi (misioni ose misionimi) i tyre.

      Kështu që merri gjërat diçka më ngadalë dhe mos përfito nga liria që të ofrohet kaq bujarisht për t’u shprehur që t’i prishësh muhabetet pa u hapur akoma. Ose gjej një hapësirë tjetër për të luftuar për pikëpamjet e tua, se këtu kontributi yt është i padukshëm, por të lëmë më një anë, që shpesh diskutimit i vjen ngordhja, sapo ndërhyn ti.

      1. pa dashur ti hy një debati kaq intelektual,pashë që nuk ishe shumë i njohur në këtë blog!!vetëm dy komnete në mëshum se njëmuaj!ndoshta me këtë emër!dhe unë jam i ri në këtë blog,por gjithnjë me të njëjtin emër prej 4.5 vjetësh!
        kuptimit tim anapulla i je përgjigjur po anapulla dhe ti!!
        unë me atë injorancën time kuptova se “jemi kemi qënë dhe do të jemi të sulmuar nga mendimi i autoritetit;qoftë privat,fetar a shtetëror!ky mendim nuk është asnjëherë i pranueshëm 100%,por në rastet kur ky mendim shërben për të çuar shoqërinë përpara,është në leverdinë tonë!kur ky mendim këtheht në indoktrinim për përfitim,nuk është në leverdinë tonë!”
        si i paditur do tu jepja një këshillë të thejshtë dhe njerzore!!
        nëse nuk iu intereson mendimi tim;më injoroni,mos ma varni fare!më lini të jetoj në padituri,injorancë!mos shtoni tuajën duke u marrë me mua!
        në të kundërtën!?
        mundohuni të më zbardhni shikimin!mundohuni të më sillni në nivelin tuaj,ose të paktën diku më lart nga ky që kam!!gjithnjë do tua dija për nder!
        nqs e merrni mundimin ta bëni njërën nga këto këshilla a dëshira,merrini si të doni,bëjeni me fjalë të thonë diçka,që kanë kuptim!jo si më lart!
        ps:themeluesi i këtij blogu zoti vehbiu,më vuri një kusht,dha një këshillë!”Nëse t’i kanë hequr ndonjëherë shkrimet, kjo është bërë për arsye të nivelit të papërshtatshëm ose shkeljes së rregullave të komunikimit në blog, jo të përmbajtjes.” (në rastin në fjalë,këtë koment nuk ka shkelur asnjë rregull)të cilës po i përmbahem,gjëja që nuk kuptoj nga replika tënde është SE PËRSE TË KA DJEGUR PËR TË SHKRUAR NË KËTË MËNYRË??
        duke bërë llogari 0+1=1 them se të ka djegur në ndonjë jetë tjetër virtuale(pseudonim)!!
        ska rëndësi!ti mos dil nga rregulli i zakonshëm,unë po vazhdoj të shpreh injorancën time!
        normalisht nuk mbaj hatër askujt,flas për qënje që egzistojnë,e jo më për ato që nuk egzistojnë!të paktën për mua!
        unë po e mbyll këtu!
        ti!?
        nuk është puna time!!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin