Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

BOJAXHIU NË ART

bojatisjaNë Bari, një pastruese e muzeut mblodhi gabimisht disa vepra arti dhe i hodhi në kazanët e plehrave. Në Ravena disa muratorë stukuan një vrimë në mur që ishte vepër e një artisti të njohur. Dy incidentet e fundit të artit, me të cilat Xhaxhai na ilustroi dilemën e pastruesit, janë aktuale por jo të vetmet. Në vitin 1978 gjatë Biennale-s së Venecias, disa bojaxhinj i dhanë një dorë vaj asaj që atyre iu duk një derë e rëndomtë, por që në të vërtetë ishte vepra artistike 11, rue Larrey, Paris e Marcel Duchamp. Thonë se zelli i tepruar i bojaxhinjve i kushtoi Biennales një thes me parà, meqë në atë kohë veprat e artit nuk siguroheshin me çmime të ekzagjeruara, siç bëhet sot kundër dëmtimeve të ndryshme. [1]

Francezi Duchamp është një nga artistët më të njohur të artit “ready-made”, një nga eksponentët e dadaizmit e të surrealizmit që nga dhjetëvjeçarët e parë të 1900-s. I njohur për urinoren e famshme prej qeramike të ekspozuar më 1917 dhe për mustaqet e pikturuara mbi fytyrën e Gioconda-s, ka provokuar gjithnjë me idenë tij origjinale të artit që shpesh fillonte e mbaronte me efektin surprizë. Duchamp është konsideruar si një nga pararendësit e artit që anashkalon cilësinë estetike të veprës së artit për t’i dhënë peshë aspektit intelektual, duke e reduktuar ligjërimin artistik në vlera ngushtësisht subjektive.

Dera si vepër arti, kishte qenë në realitet dera e studios së Duchamp-it. Shtypi bëri me dije se bojatisja e derës u konsiderua dëm i madh nga Gjykata e Venecias, e cila vendosi që koleksionisti i veprës të dëmshpërblehej.  Para se të jepnin vendimin përfundimtar, gjykatësit i kishin kërkuar një ekspertizë prof. Raffaele De Grada, që e kishte shprehur kështu mendimin  e vet: “Jemi përballë një sendi të vjetër të mitizuar e të sakralizuar, që ka kuptim artistik vetëm sepse ajo derë e vjetër, e pistë e pa kuptim, është përdorur dikur nga Duchamp që i ka vënë firmën e datën, duke i dhënë nga ai çast e tutje një vlerë prej fetishi”.

Polemikat nëse janë apo jo vepra arti provokime të tilla, që përftohen vetëm në kontekst – përndryshe do të Marcel_Duchampishin sende pa kurrfarë vlere artistike e krejt banale –, edhe pse të ligjshme, do të tingëllonin si vijim i të vjetrave, përderisa diskutimet e dyshimet  ende nuk kanë përfunduar. Debate të tilla, për artin trash, mund të ndizen edhe nga incidentet aktuale, si ato të mësipërmet, ku punëtorët e thjeshtë i ngatërrojnë veprat e artit për sende banale. Në fakt, edhe për urinoren e famshme nuk do të kishte qenë çudi e madhe sikur të ishte ricikluar, ose hedhur në kazan si mbeturinë, nga hidrauliku i radhës që kontrollonte banjat e ekspozitës.

Çfarë kanë të përbashkët këta bojaxhinj, muratorë dhe pastrues të ekspozitave? Pa dyshim i bashkon ndërveprimi me sendet e muzeut dhe ndërhyrja ndaj tyre. Ka nga ata që e krahasojnë ndërhyrjen e punëtorit me rolin aktiv të spektatorit ndaj veprës së artit, madje e vlerësojnë naivitetin dhe bonsensin e atyre që në realitet nisen për mirë, për të korrigjuar mungesën e kulturës, ose pavlerën e “veprave artistike”.

Mirëpo, ky këndvështrim, pavarësisht se mund të jetë përftuar nga simpatia që ngjallin akte të tilla instiktive, nuk mund të vihen në të njëjtin plan me “lector in fabula”, sa për ta thënë me titullin e librit të mirënjohur të semiologut Umberto Eco. Me fjalë të tjera, roli i lexuesit të veprës së artit është vërtet aktiv në interpretimin e saj, sepse lexuesi ose spektatori ndërhyn me njohuritë e veta gjatë procesit të zbërthimit të tekstit, mirëpo duhet pranuar se zelltarët e ndryshëm nuk rikrijojnë premisat e semiozës tekstuale për faktin e thjeshtë se nuk e pranojnë veprën e artit si të tillë.

Më thjeshtë: bojaxhiu ose pastruesi nuk e hodhën sendin sepse e konsideruan si vepër të rëndomtë artistike, por sepse nuk e njohën atë si vepër artistike. Incidentet, në fakt, janë pjellë e keqkuptimit, ngaqë sendet janë marrë si plehra për t’u pastruar e jo si vepra për t’u lexuar. Në këtë kuptim, xhenuiniteti i korrigjuesve duhet kuptuar edhe si pasojë e mungesës së paktit midis autorit e spektatorit, meqë vera e artit nuk u pa si e tillë. Këtu roli i kontekstit është vendimtar, por edhe vetë konteksti është viktimë e vetvetes, meqë i njëjti vend që për qytetarin e thjeshtë përbën vendin ideal të ekspozimit të artit, është vendi i punës së punëtorit çfarëdo, i cili shfrytëzon përvojën e vet për dallimin e artit nga plehrat, ndaj edhe e ka të vështirë t’i dallojë kartonët, derën, vrimën, oturakët, nga sendet artistike.

tre burra dhe nje kembeTek filmi i njohur italian “Tre burra e një këmbë” (1997), me humoristët e njohur Aldo, Giovanni e Giacomo, ka një protagoniste të çuditshme: skulptura prej druri me formën e këmbës të një skulptori avangardist. Vepra është blerë nga vjehrri i njërit prej humoristëve, i cili shpreson të fitojë shumë nga shitja, meqë autori i veprës është duke vdekur, si rrjedhim mendohet se vlera do të rritet. Këmba prej druri kalon peripeci të jashtëzakonshme: qeni e përmjerr, shokët e përdorin si portë futbolli në plazh, dikush e hedh në lumë. “Edhe zdrukthëtari im kishte për ta bërë më të bukur”, thotë njëri nga protagonistët kur merr vesh për koston e saj. Metafora e artit trash e të komercializuar është mëse e qartë. Kontrasti me ndjenjat e vërteta po ashtu (historia e dashurisë që lindi gjatë udhëtimit).

Dilema e pastruesit është edhe dilema jonë, në kuptimin që edhe ne, në atë masë që ai nuk e dallon, jemi viktima të kontekstit, me ndryshimin që neve na shfaqet në çastin e prerjes së biletës.

Bibliografi
Xha Xhai, Dilema e pastruesit, Peizazhe të fjalës, 19.2.2014.
Roberto Bianchin, Verniciarono un Duchamp ‘Era una semplice porta’, La Repubblica, 13.2.1987.
Duchamp, Marcel, Enciclopedia Treccani, 2005.
Nino Mater, Se l’opera d’arte è colta in fallo, il Giornale, 22.04.2010.
Maurizio Cecchetti , E l’arte spazzatura… finisce nel bidone, l’Avvenire, 22.2.2014
Filmi “Tre uomini e una gamba”, 1997.
Rizzoli Larousse, Enciclopedia Tematica, Arte, Milano 2005.

Pa Komente

  1. Pershendetje!
    Shkrimet tuaja vazhdojne e provokojne …per mire natyrisht.
    Kisha dicka per te shtuar: jemi te sigurt qe veprat e artit per te cilat flitet nuk mund te lexohen si ne ‘lector in fabula’? Kam pershtypjen se autoret empirik te veprave te mesiperme e kane parashikuar qe nje publik jo i rregjur me kete lloj arti do ti merrte si jo-vepra te lartpermendurat. Pra, e kane parashikuar lexuesin model qe c’ke me te! Keta autore madje e kane vendosur ne thelb kete lloj provokimi, pra vleren e vepres se arti (mustaqet e Monalizes). Rileximi i artit ne veprat e artit bashkekohor eshte kyc kam pershtypjen per te kuptuar ku rreh cekani i tyre. Madje une do te guxoja te thoja qe keta artiste kane zgjeruar ‘fabulen’ e tyre pertej objektit, perfshire ketu edhe kontekstin (muzeun) duke lekundur themelet e rendit te se perditshmes te lexuesit/lector (organizimi i jetes, instancat e pushtetit, institucionet e pushtetit sidomos ne art, etj.).

  2. Mua sepse e gjithe kjo histori, e keto diskutime, e keto komente, e keto persiatje me kujtojne perrallen e Andersenit “Rrobat e reja te Mbretit”. Pa ndonje pretendim, gjithsesi une nuk jam ekspert, madje as njohes i artit modern te dyerve te firmosura dhe urinoreve unikale. Me thene te drejten une e kerkoj urinoren vetem kur me vjen te permjer dhe nuk kam as frike as turp qe kur e shoh Mbretin lakuriq, te bertas Mbreti eshte lakuriq. Ne rregull, ata qe ne kete rast i shohin rrobat atje ku une nuk i shoh, mbase jane me intelektuale, po pastaj cfare?

  3. Kjo aradhe shkrimesh, jo vetem qe nuk provokojne, por perkundrazi, ka arritur ne nje pike ku dalja nga klisheja prej autoreve, duket gati e pamundur, nderkohe qe cdo mendim i kundert rrezikon te perqeshet si poze prej “esteti rezident,” apo si poze prej “intelektuali.” Keshtu psh, Pishaku kur flet per filmin Tre burra dhe nje kembe, shprehet “metafora … eshte mese e qarte.” Po c’metafore ka aty? Jane te gjitha klishe te thena e sterthena, stereotipizime klasike, pa te cilat komedia do te ishte e pamundur, por qe nuk ofrojne ne vetvete asgje ne nje debat serioz. “Mbreti eshte lakuriq,” thote Xhevo, pa e kuptuar se te thuash qe “mbreti eshte lakuriq” nuk eshte me e vertete atehere kur nuk ka mbret fare. Nese do kishte goje arti bashkekohor per t’u mbrojtur ne kete gjyq, ndoshta edhe do thoshte “fajin s’ma kane athinasit, por Aristofani.”

    Keshtu, nuk resht se habituri vakuumi ne referenca. Mbizoterojne referencat komike, nga nje krah, nderkohe qe nga krahu tjeter del se efekti Duchamp “fillon e mbaron me efektin surprize.” Po ju lutem, c’eshte ky angazhim i varfer me subjektin te cilit i keni kushtuar kohe te shkruani, dreqi ta haje? Te pakten Xhaxhai ne nje shkrim te meparshem e njohu vleren e Duchampit si revolucionare ne funksion te pikepyetjes qe kjo veper ngrinte mbi kodin e arteve te bukura; ndersa per Pishakun, hic, thjesht efekt surprize, nje pordhe ne qetesine e muzgut.

    Per Pishakun, anashkalimi i cilesive estetike, e con muhabetin ne vlera ngushtesisht subjektive. Serish duhet ngritur pyetja: cdo periudhe, historikisht, eshte udhehequr nga cilesi estetike jo vetem te vecanta, por shpesh here ne kundershti me cilesite estetike te periudhave te tjera, keshtu qe si eshte e mundur te flitet per cilesi estetike objektive? Te tjera cilesite estetike te Egjiptianeve, te tjera cilesite estetike te Grekeve, te tjera te Romakeve, te tjera te Rilindjes, te tjera te modernizmit, e brenda seciles, nje tjeter mori konfliktesh mbi cilesite estetike. Secila me kodet e veta subjektive. E si mund te thuhet ne kete mes se cili ka te drejte objektvisht? Mire Phaino qe shikon sharlatanizem tek subjektiviteti ne shkence, se edhe hahet, por cne ne art me objektivizem? Nese s’eshte thjesht instrument retorik nga ana juaj kjo kritika ndaj subjektives ne ligjerimin artistik, duke lene te nenkuptoni se ju zoteroni objektivitet, atehere jam kurioz te di nga se perbehet nje ligjerim artistik i pareduktuar ne vlera ngushtesisht subjektive?

    1. Cilësimi i Duchamp-it si një nga pararendësit e artit që i jep peshë aspektit intelektual, duke e anashkaluar cilësinë estetike të veprës së artit, si rrjedhim duke e reduktuar ligjërimin artistik në vlera ngushtësisht subjektive, nuk është i imi por i enciklopedisë Rizzoli Larousse për artin (f. 683). Unë personalisht nuk kam asnjë problem me Duchamp, as jam njohës i specializuar i tij, ndaj edhe shkruaja se “është konsideruar”, pra nga të tjerët, më të zotë e më të informuar se unë.
      Pavarësisht se çfarë mendimi kemi për artin e llojit Duchamp, mbetet për t’u analizuar reagimi i bojaxhiut dhe i pastruesit të radhës. Këtë dinamikë u rreka të analizoj, jo të prek idhuj.

  4. Lulian, une pranova qe jo vetem nuk jam ekspert, por as njohes i artit te dyerve dhe urinoreve (dhe kete e them pa ndonje ironi, perbuzje ose çë tjeter). Thjesht shpreha nje opinion dhe nqs ju me referoheni mua duke thene se une nuk e kuptoj qe “mbreti eshte lakuriq” nuk eshte me e vertete atehere kur nuk ka mbret fare, atehere mua me duket qe puna qenka edhe me keq nga ç’e mendova une, sepse neqoftese as Mbreti nuk u paka, sepse nuk ka mbret fare, atehere cfare bejne njerezit qe kane dale ne rruge per te pare mbretin kur te kaloje i veshur me rrobat e reja? Me fal perseri nese me profanizmin tim te pranuar, fyej ndonje ndjenje delikate.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin