Biskotat në Tiranë janë të importuara prej Italie dhe, si rregull, shumë më të mira se në NYC; por listat e përbërësve në ambalazh mund të ngatërrojnë dynjanë.
Si i fushës që jam, gjithnjë ua lexoj etiketat në shqip këtyre produkteve, për t’u njohur me përkthimin teknologjik avant-garde dhe terminologjinë e re, që është futur tani së fundi në përdorim.
Dhe nuk mbetem i zhgënjyer, pa çka se për arsye krejt të tjera.
Ja çfarë shkruhet në ambalazhin e biskotave që ha zakonisht për mëngjes:
Teksti i kopjuar verbatim prej meje:
INTEGRAL SHKRIFET – PERBERJA: miell krunde, sheqer, margarine vegjetal (e ynd jo te hidrogjenuara, uje), veze, krunde nga miell papate 10%, esente prej pluhur qumeshti, agjent fryers (karbonat i acidi te amonit, karbonat i acidit te sodes), perzierje: vaj soje, kripe, aroma. Produkti mund te permabaje gjurme frutash gushio.
Dhe teksti italisht nga duhet të jetë bërë përkthimi:
F(R)OLLINI INTEGRALI – INGREDIENTI: farina di frumento, zucchero, margarina vegetale (grassi vegetali non idrogenati, acqua), uova, crusca di frumento 10%, siero di latte in polvere, agenti lievitanti (ammonio bicarbonato, sodio bicarbonato), sale, aromi. Il prodotto può contenere tracce di frutta a guscio.
Pas një hyrjeje që u referohet drejtpërdrejt koncepteve të analizës matematike (integraleve), vëreni si farina di frumento është dhënë si miell krunde; grassi vegetali është shkurtuar në indoeuropianishten *e ynd; crusca di frumento, kushedi pse, është përkthyer si krunde nga miell papate (ç’të jetë kjo: patate apo papaya?); siero di latte in polvere (angl. whey) është shqipëruar si esente prej pluhur qumeshti (në vend të hirrë, siç e kanë pasë quajtur plakat); agenti lievitanti janë bërë agjent fryers; pastaj përkthyesi, i fryer nga vështirësia e tekstit, ka shpikur disa lëndë kimike jashtëzakonisht kurioze: karbonatin e acidit të amonit dhe karbonatin e acidit të sodës, prej të cilëve ky acidi i sodës po më intrigon veçanërisht, sa kohë që biskotat nuk më kanë shpërthyer akoma; ndërkohë, përzierje: vaj soje duhet të jetë importuar nga ndonjë biskotë tjetër e shkrifët, sepse në italishte (dhe në anglishte) mungon. Qershiza mbi tortë janë edhe frutat gushio, të cilat, për fat të keq, ekzistojnë vetëm si gjurmë – por që, deri më tash, nuk kanë qenë të tilla që të më kenë çuar në derë të dentistit.
Më duhet të them se edhe gjuhët e tjera të përkthyera në etiketë nuk është se do të shërbejnë ndonjëherë si model për kurset post-universitare të mjeshtërisë së përkthimit; por megjithatë, shqipja dallon qartë prej tyre, sikurse do të dallonte një puçërr vullkanike nga qukat në faqen e butë të vashës.
Kush bën sikur i përkthen këto tekste? Vlera e këtyre karikaturave gjuhësore ka të bëjë me kapacitetin e performancës së shkruar të një individi për t’u zhytur në batak; sepse që të gjesh tekste të tilla të anglishtes kushedi duhet të dushkatesh në ishujt Kiriwina (Trobriand) të Paqësorit; sikurse që të gjesh tekste të tilla të italishtes duhet të shkosh e të qëmtosh ndonjë komunitet gjahtarësh të hienës pikaloshe në Abisini, që ende nuk e dinë se pushtimi italian atje ka marrë fund, pa lavdi, prej më se gjysmë shekulli.
Duke përjashtuar shërbimin bamirës Google Translate (që nuk i bën këto gafa), dy skenarë më vijnë shpejt e shpejt në mendje: ose ndonjë qelbësirë e rastit është hequr si përkthyes dhe ka futur në xhep kacidhet përkatëse, mundësisht për t’i vënë pastaj bast për një ndeshje të kampionatit kazak të hendbollit; ose importuesi i materialeve, në Durazzo, ia ka besuar këtë detyrë të lehtë thjeshtrës, që e ka mësuar italishten nga Tele Norba, ose bodigardit të vet, që ka bërë pak burg në Poggioreale të Napolit, para se ta dëbonin nga atdheu i Dantes dhe i Leopardit përgjithmonë.
Shënim: kur po fotografoja qesen e biskotave në verandë, një komshie që gjendej aty u afrua të merrte pjesë edhe ajo në këtë ngjarje të çuditshme, dhe me këtë rast i dhashë disa shpjegime, madje edhe ia lexova etiketën; dhe kur arrita te agjenti fryers, më ndërpreu për të më thënë “mir e kon vu, se kto t’fryjn!”
Xhaxha. Nuk e di nese je ne dijeni, por tek Supermarketet Conad, (qe tani eshte ne duar shqiptaresh), ka nje numer te konsiderueshem te punesuarash vajza qe kryejne fallsifikime etiketash ne magazine per prodhimet e skaduara. P.sh, po te kesh rast, merr nje shishe qumesht “Parmalat” dhe nese e ke pare ne itali, data e skadences eshte me vija te shkeputura dhe te shkruara qarte dhe e boja eshte pashlyeshme (indelebile). Nderkohe, te conad ne Tirane, ndodh qe nganjehere eshte e shtypur data e skadences me nje vule “alla shqiptarce” tek shishja (ne pjesen plastike) dhe po ta fshish me gisht hiqet fare dhe del data e vertete. Te shkretet ne çfare hame!!!! Conad ka lidhje te forta politike ne tirane!!!
Merre parasysh edhe kete gje si i fushes qe je. me respekt. Andrea
F(R)OLLINI INTEGRALI = INTEGRAL SHKRIFET eshte komplet humor vakie :-). Nuk ka rendesi grada e injorances gjuhesore te perkethyesit xhaxha. Ai mbetet i madh!
P.s. nje ndjesi me thote qe duhet te jete nga Shkumbini e siper…
Ky fenomen qe po te mos ishte i neveritshem do te ishte komik eshte bere krejt i zakonshem ne Shqiperine e ketyre 23 vjeteve te fundit.
Meson elementet fillestare te bullgarishtes tjetri dhe hidhet te perktheje Shekspirin, arrin te kuptoje cerekun e dialogjeve ne nje film cfardo italian dhe i mbushet mendja te na sjelle Dostojevskin….
Ne rastin e sjelle nga xhaxhai te lind dyshimi se gjytyrymi ne fjale jo vetem qe nuk qullos dot gje ne italisht, por ka dhe mangesi te konsiderueshme ne shqip gjithashtu.
Pasi e katranosi tekstin, nuk i hodhi nje sy kryevepres ne shqip? Shpesh pasi ke perkthyer dicka i hedh nje sy perkthimit me syrin e lexuesit duke e pare thesht nga pikpamja e ketij te fundit.
Pasurimi i fondit boteror te frutave ekzotike ose jo, eshte i dukshem ne rreshtin e fundit: “fruta gushio”.
Dridhem kur mendoj se gjytyrymi neser (kjo kategori zakonisht ben karriere) mund te perktheje instruksionet e perdorimit te ndonje defibrilatori me pasoja te imagjinueshme.
Anglezet kane nje shprehje interesane “hanged on a comma”, imagjinoni dobine e nje personi te tille i punesuar si perkthyes i MPJ!
Ka një aspekt humoristik në këto lloj historish, që më pëlqen ta shijoj, porse kujtimet e përkthimit ma ngrijnë të qeshurën në vend. Tekstet e llojit të mësipërm i kam hasur gjatë korrigjimeve të shumta që kam bërë në përkthim. Llahtari e vërtetë.
Edhe pse nuk është vendi e rasti, duhet të sinjalizoj se jo gjithnjë është faji i përkthyesve. Ka raste kur përkthimet kundërshtohen nga shpërndarësit (përfaqësuesit distributorë) zyrtarë të produkteve në Shqipëri. Këta nuk i pranojnë përkthimet e etiketave të tilla, duke imponuar versionet e tyre prodhuesve të huaj, që shpeshherë nuk kanë asnjë logjikë gjuhësore.
Prodhuesit e huaj janë të prirur t’u besojnë kolegëve tregtarë shqiptarë e gjithsesi nuk duan të hapin konflikt, meqë artikujt atje do të shkojnë, si rrjedhim i detyrojnë përkthyesit të adoptojnë “versionet e konsoliduara” në tregun shqiptar.
Në fakt nuk është vetëm përkthyesi fajtor për katrahurën e përkthimit, por edhe prodhuesi, i cili nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të kuptuar, që përkthimi i mirë i materialeve informative të produktit të tij kërkon një impenjim më të madh se ai i zakonshmi për përkthimin e një historie të thjeshtë telenovelash.
Nga eksperienca që kam, di të them se ndodh pak a shumë kështu. Prodhuesi i drejtohet një agjencie përkthimi, e cila është specializuar vetëm si ndërmjetëse në tregun e përkthimeve dhe që porosinë e përcjell tek disa bashkëpunëtorë të lirë, të cilët janë gati të punojnë për një çmim diçka më të lartë se një pastrues i një fastfood-i. Agjencia e përkthimeve e merr porosinë për disa gjuhë të një rajoni të caktuar. Përkthyesi i mjerë nuk ka asnjë shkollim profesional, por është dikush, si që e flet shqipen si gjuhë nëne në nivel emigrantësh. Përkthyesit, kur ka fat, i paguhen diçka si 30 – 40 % e çmimit që paguan dhënësi i porosisë, pjesa tjetër i mbetet agjencisë.
Nëse tregu i punës së përkthyesit është i tillë, nuk ka se pse të pritet një cilësi më e mirë në përkthim. Personalisht, kur më dërgojnë porosi të tilla unë i refuzoj, por kur kam nevojë për para i kryej. Kujdesem shumë, që përkthimi të jetë korrekt, por nuk harxhoj as edhe një sekondë më tepër, për t’i dhënë përkthimit një formë më cilësore, sesa tregu i përkthimeve është gati të më paguajë.
Ka edhe një variant tjetër, që përkthimin e kryejnë makina, që memorizojnë materiale të përkthyera më herët. Këto janë makina të ngjashme si ato që përkthejnë edhe për googel-in, të cilat përdoren vetëm për një projekt. Tregu i përkthimeve “shkel e shko” i vlerëson shumë, pasi ato ulin koston e përkthimit ndjeshëm. Kështu, në rast se ke përkthyer një togfjalësh një herë, ky memorizohet dhe sapo lind nevoja për ta ripërkthyer në vijim të tekstit, makina ta merr përsipër këtë përgjegjësi. Natyrisht që përkthyesi në këtë rast paguhet më pak dhe për çdo fjalë të ripërkthyer në këtë mënyrë një makinë tjetër, ajo që numëron germat, fjalët dhe rreshtat, bën një zbritje tjetër prej deri 75%.
Unë kam përshtypjen që përgjegjësia e përkthyesit mbaron brenda kufijve të pagesës së tij, me përjashtim të rasteve, kur rrezikohet diçka më superiore sesa interesi i tij i menjëhershëm ekonomik, si për shembull shëndeti fizik apo mendor i njerëzve.
Natyrisht që ka prodhues të tillë, të cilët janë të ndërgjegjshëm për nevojën e një përkthimi jo vetëm korrekt por edhe për një përshtatje kulturore të tekstit të origjinës me gjuhën e vendit, ku dëshirojnë të tregtohet artikulli i tyre. Ata marrin kontakt personalisht, flitet gjatë për produktin e tyre, madje ndonjëherë dërgojnë edhe kampione të produktit. Kjo ndodh më tepër kur behet fjalë për përkthimin e teksteve për sektorin e marketingut.
Unë vë re se ka një tendencë, që përkthimi në përgjithësi të konsiderohet gjithnjë e më tepër si diçka pa ndonjë vlerë të veçantë. Vetëm ditët e fundit pata dy eksperienca krejt të ndryshme nga njëra tjetra, të cilat më tregojnë një rënie të gatishmërisë për t’i perceptuar përkthimet dhe përkthyesit në rolin e tyre të vetëkuptueshëm. Një prodhues i disa produkteve ushqimore më dërgoi nëpërmjet një agjencie dy fjali, që do të duhej të shtypeshin me germa të mëdha mbi ambalazhin e prodhimit të tij, për të tërhequr vëmendjen e klientit të mundshëm, kur ky të kalonte para rafteve në supermerkato. Fjalitë ishin perceptuar si të tilla për një konsumator evropianoperëndimor, i cili në duzina vitesh i kishte konsumuar shumë më herët se ai shqiptar disa nivele të komunikimit midis ambalazhit dhe konsumatorit të mundshëm, për të arritur në atë nivel, ku këto fjali, për nga pesha emocionale dhe elementet stilistikë të tyre mund të ngrënë dot edhe të vdekurit nga varri. Natyrisht që unë do të paguhesha mizerje. Një tentativë për të sensibilizuar agjencinë të kontaktonte prodhuesin dhe t’i përcillte këtij bindjen time, se, që të përktheheshin ato dy fjali, do të duhej ndoshta puna e një përkthyesi më kompetencën edhe të një redaktori në fushën e reklamave, pra një lloj Don Draper dygjuhësh, dështoi pa sukses. Vërtetë ishin dy fjali, por përkthimi i tyre kërkonte kohë të shpërndarë në kohë (disa herë në ditë, në faza të ndryshme të ditës, në vijim të disa ditëve).
Natyrisht që bërë një përkthim siç ma kërkonin dhe më paguanin.
Tre ditë më parë më merr në telefon një djalë bajagi i shkathët nga goja në gjermanisht më më kërkoi t’i certifikojë në një farë forme njohuritë e tij të shqipes, të cilën, në gjermanishten që e fliste si bilbil, e kishte gjuhë nëne. Kishte paraqitur kërkesën për të punuar si përkthyes në polici dhe i kishin kërkuar një dokument të tillë. Ishte goxha djalë por i pashkolluar as si përkthyes e as në ndonjë fushë tjetër të ndonjë shkence sociale. Gjuha që e fliste rrjedhshëm ishte ajo e televizioneve private. Nuk fola shqip ngaqë nuk doja t’i krijoja iluzionin, se isha duke i provuar shqipen por mësova prej tij, se ishte fëmijë emigrantësh, se në shtëpi kishin folur gjithnjë shqip dhe se në vitet ’80, kur ishte fëmijë, prindërit e çonin një herë në javë në një shkollë të financuar nga shteti jugosllav për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve në Gjermani. E pyeta nëse e ndjente veten në gjendje t’i përkthente një bashkëkombësit tonë të thjeshte një sqarim juridik përpara marrjes në pyetje në hetuesi, pra të famshmen: “ke të drejtë t’ju përgjigjesh pyetjeve, të refuzosh përgjigjen e tyre si dhe të kërkosh të këshillohesh me një avokat, që e ke zgjedhur vetë”. Më tha: “me duar dhe me këmbë, gjithqysh do t’ia dal në një farë mënyre”.
Ja refuzova lutjen dhe i telefonova zyrës së policisë, që e kishte rekomanduar tek unë, për të protestuar, që si ka mundësi, që kushdo që e ndjen veten përkthyes, mund të regjistrohet si i tillë, ndërkohë që përgjegjësia e përkthyesit në fazën hetimore është e një rëndësie vendimtare për të pandehurin, pasi shumë lehtë këtij mund t’i shkelen pakujdesisht disa të drejta themelore të garantuara madje edhe në kushtetutë apo akte ndërkombëtare. Nëpunësja kompetente më tha, që Ministria e Punëve të Brendshme e landit në fjalë kishte lëshuar udhëzimin, që për të ulur shpenzimet administrative të angazhohen edhe përkthyes, të cilët nuk janë të kualifikuar, por që ofrojnë çmime më të ulëta, se ato që rregullohen shprehimisht me ligj dhe se hetuesit kanë marrë urdhrin, që përkthyesit t’i porositin sipas një liste, ku këta janë të seleksionuar sipas pagës për orë pune. Mund të përfytyrohet, se në ç’nivel rrezikojnë shumë shpesh të degjenerojnë hetimet në fazën e tyre fillestare. Megjithatë ajo që për shumëkënd është vendimtare nuk është substanca në thelb të komunikimit, por thjeshtë çmimi, i cili përsëri në fund apo që në fillim fare përcakton edhe cilësinë e përkthimit.
Padyshim qe pergjegjesia per keto fenomene nuk mund te lihet 100% vetem ne shpatullat e perkthyesit (megjithese ta marre dreqi njeriu duhet te kete njefare krenarie profesionale qe te mos nxjerre pacavure kaq qesharake nga dora).
Ka kohe qe ne emer te “Thanas, shtrengo rripin” behen shkurtime fondesh gjithandej qe ne analize te fundit rezultojne me pasoja jo shume te kendeshme.
Para ca kohesh ne Kanada ndodhi nje tragjedi ku nje tren mallrash qe transportonte lende djegese shpertheu dhe mori ne qafe nje fshat te tere.
Rezultoi se deri ne vitet 70 ishte rregullore standart qe ne trenat me ngarkese te kesaj kategorie te ishin prezente ne cdo moment jo me pak se 5 makiniste (ketej i quajne “inxhiniere”).
Ne kete aksident rezultoi se ishte vetem ….1 (qe po mundohen ta bejne koke turku sigurisht).
Ne vitet e Tecerizem/Reganizmit ku nen denglat e rritjes se konkurueshmerise iú vu kazma nje sasie te madhe rregulloresh dhe kufizimesh, shume kompani si dhe ato te transportit hekurudhor e pane te udhes qe punen qe benin 5 veta t’ja jepnin nje personi te vetem (sigurisht pa i 5-fishuar rrogen).
Dhe ja ku arritem qe procese kritike si perkthimi per Policine apo perkthimet ne Salla Gjyqesore perfundojne ne duar te njerezve totalisht inkopetente qe te vetmen merite kane….aftesine per te shitur lekuren fare lire.
Ne fund te fundit eshte lufte per mbijetese, edhe proletari ne turbo-kapitalizem do te mbijetoje….
imagjinoni te behen perkthime te tilla ne barnat mjekesore
pa merak: edhe per ilaçet ashtu eshte.
Është e bukur kjo puna e përkthimeve. Ndonjëherë duket se i bëjnë me Google translate, pa i kontrolluar fare më pas se ç’ka dalë në gjuhën shqipe.
Ndër më të lezetshmet që kujtoj, ka qenë një tekst i shkurtër në revistën Klan të viteve Nëntëdhjetë me këtë titull: “Pantallona me jetë të shkurtër”. Ishte fjala për “Pantaloni a vita bassa”, shqip “pantallona me shtrat të shkurtër”
Pa shkuar tek etiketat,
mjafton të ndezësh televizorin:
1.Edicioni informativ (emisioni e lajmeve, lajmet),
2.tekniku i Milanit (futboll, trajneri i Milanit)
3.merkato (futboll, it. “calcio-mercato”= takimet, mbledhjet etj. për shitblerjen e futbollistëve; për kalimet e futbollistëve nga një skuadër tek tjetra).