Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Totalitarizëm

NJË FILM I VON TROTTA-S DHE NJË PROBLEM SHQIPTAR

Në ekranin e madh të kinemasë, e veçanta e verës që shkoi ishte filmi i fundit i Margarethe von Trotta-s, titulluar Hannah Arendt. Të tjerëve është e vështirë t’u kujtosh edhe titullin.

Von Trotta, aristokrate gjermane, ishte përgatitur të bënte gjëra të tjera në jetë, sikur në vitet ’60, gjatë një qëndrimi në Paris, të mos kishte zbuluar ekzistencën e asaj rryme që në kinematografi   njihet me emrin Nouvelle vague. Qe përcaktuese për të ardhmen e saj. Ajo hoqi dorë nga karriera e mëparshme (biznesi) dhe iu kushtua formimit në artet skenike. Para se të vendosë të dalë pas kamerës, mundi të bëhet një nga aktoret e pëlqyera edhe të vetë Fassbinderit.

Qe e njohur edhe në Shqipërinë komuniste. Brezit tim i kujtohet fare mirë filmi Nderi i humbur i Katarina Blumit, ku ajo është realizuese dhe skenariste bashkë me bashkëshortin e atëhershëm Volker Schlöndorff.

Në këtë film të fundit, edhe pse nuk mund ta klasifikosh plotësisht si biopic (ai nuk përfshin veçse një pjesë të vogël të jetës së H. Arendt-it), për të luajtur filozofen e njohur ajo i bën thirrje Barbara Sukovës. Me sa duket aktorja e saj fetish, të cilës në një film të vitit 1986 i kishte besuar rolin e Roza Luksemburgut.

Von Trotta thotë se në fillim kishte patur idenë të përqendrohej në periudhën kur H. Arendt ishte studente, të merrej disi me dashurinë e saj për Heidegger-in (fotografinë e të cilit e shohim edhe në këtë film në tavolinën e saj të punës bashkë me atë të të shoqit dhe regjisorja thotë se kështu ka qenë në të vërtetë) e deri kur vdiq. Me kohë hoqi dorë nga projekti fillestar dhe u përqendrua vetëm në katër vite të jetës së saj (1960-1963), periudhë kur një gazetë amerikane (NY) i kërkoi të ndiqte në Jerusalem procesin gjyqësor të Eichmann-it (dinjitari i lartë nazist, që u kap në Argjentinë dhe u suall në Izrael në sajë të një operacioni të Mossad-it) si edhe në polemikat e egra që i pasuan pesë artikujt e saj në të dy anët e Atlantikut.

Filmi të tërheq dora-dorës, edhe pse nuk ka natyrë intriguese dhe i qëndron larg mjeteve kinematografike që synojnë ta mbingarkojnë shikuesin me skena horrori të kampeve të përqendrimit (për të mbështetur apo kundërshtuar ndonjë nga idetë që do të zhvillohen më tej). Sukova vetë që në sekuencat e fillimit të habit me natyrshmërinë e saj. Duke se ka zgjidhur rolin duke mos “luajtur” filozofen, por duke u përqendruar te jeta e saj e përditshme. Dikur fare natyrshëm publiku kupton se edhe një filozofe ka një jetë personale si edhe një sërë problemesh për të zgjidhur dhe mbi të gjitha se jo tërësia e personave që e rrethojnë e kanë të mbushur kokën me vizione të komplikuara që i japin mundësi asaj të shpjegojë dhe shprehë gjëra të hatashme.

Më tej do të qe me interes të vëreje si von Trotta ka mundur që me mjete të thjeshta kinematografike të sjellë në një masë të besueshme atmosferën e një kohe tjetër dhe kjo nëpërmjet një montazhi pa artefice, kamera është mesatarisht dinamike dhe mbi të gjitha të bën përshtypje se nuk sheh asnjë lloj efekti  hutues pa të cilët është e vështirë të kuptosh filmat e ditëve tona.

E megjithatë duhet ndalur këtu, sepse në këtë film të fundit të saj pika e rëndesës nuk bie mbi realizimin (edhe pse një realizim i dobët kompromenton rëndë edhe subjektet më interesantë) por mbi problematikën që trajton, e cila nuk është as më pak e as më shumë, por një nga përplasjet më të forta politike, intelektuale, juridike e filozofike të shekullit që shkoi .Në këtë pikë më la përshtypje të veçantë një artikull që thoshte se me këtë film M. von Trotta ka filmuar mendimin në veprim. Gjë që duket të jetë e vërtetë.

Nga ajo që u vu re edhe shumë javë pasi filmi shfaqej në sallat e shumë kinemave evropiane, mund të kuptohej se debati që kishte hapur në kohën e saj H. Arendt ende nuk ka përfunduar. Siç dihet, veç tërësisë së artikujve për procesin e Jerusalemit, ajo mbi bazën e tyre botoi edhe librin “Eichmann-i në Jerusalem”, një ese e njohur ku zhvilloi idenë e saj mbi “rëndomtësinë e së keqes”dhe ku dinjitarin nazist e pa si një nëpunës të verbër që ka zbatuar urdhrat e eprorëve.

Eshtë e tepërt të themi se këtu jemi në vazhdimësinë e një mendimi filozofik që analizon origjinën e dhunës e që nis me Platonin, Shën Agustinin e vazhdon deri në ditët tona.

Ajo shkroi se “ Eichmann-i nuk ishte as Jago e as Makbeth dhe atij as që i ka shkuar në mendje, sikundër Rikardit të III-të të bëjë keq në parim”. E diku tjetër vazhdon: “Eichmann nuk është budalla. Eshtë mungesa absolute e mendimit – që nuk është e njëjta gjë me të qenurit budalla,- ajo që ka bërë që ai të shndërrohet në një nga kriminelët më të mëdhenj të kohës së tij…”

Këto fraza nuk janë thjesht thelbi i filmit, por më fort idetë bazë që shprehu Arendt në atë kohë dhe që ndezën një polemikë që nuk ka reshtur edhe sot.

Skandali ishte i paimagjinueshëm, ajo fyhej ngado, auditori i zbrazej, njerëzit e afërt iu larguan, komunitetet çifute në Amerikë e urrenin, familjarët nuk kuptonin asgjë se çfarë kishte ndodhur. Punët shkuan deri në atë pikë sa edhe vetë shërbimet e fshehta izraelite e kërcënuan dhe nuk deshën që ajo të vazhdonte më tej të publikonte idetë e saj në vazhdën të së njëjtës logjikë. Kishte shumë që thonin se duke argumentuar se Eichmann-i kishte qenë thjesht një zbatues i urdhrave, ajo në një farë mënyrë ishte për mos dënimin e tij, diçka kjo që ishte krejt jashtë optikës së analizës së saj.

Shkrimtari e realizuesi C. Lanzman, i cili në atë kohë pati thënë se përfundime të tillë veçse provojnë marrëzinë e vetë H. Arendt-it, këtë vit iu përgjigj filmit në fjalë me në film të tijin që u projektua në festivalin e Kanës. (Një film i gjatë e i mërzitshëm)

Kishte të tjerë që mendonin se kishte ndodhur ndonjë keqkuptim dhe ajo nuk kishte kapur thelbin e procesit, sepse ndryshe nga sa e paraqet filmi, Arendt ndenji vetëm pak kohë në sallën e gjyqit. Dhe është e vërtetë. Pasi vështroi ca kohë Eichmann-in në sallën e gjyqit, ku e kishin mbyllur në një kafaz xhami, ajo vazhdimin e procesit e ndoqi kryesisht nga ekrani i tv-së në një salle ngjitur me atë të gjyqit, por edhe aty nuk ndenji gjithë kohën. Dëshmitarët thonë se dilte shpesh dhe tymoste cigare.

Ka një bindje aq të fortë në këtë pikë dhe diskutimi nuk është mbyllur as sot. Pak kohë më parë në Le Figaro filozofi Luc Ferri (ministër i arsimit i Zhak Shirakut), shkruante se fakti që nuk i ndoqi rregullisht seancat, tregon se ajo e kishte tashmë në kokë se çfarë do të shkruante. Madje shkon edhe më tej (dhe kjo qe e çuditëshme, sepse në sytë e mi ai është nga filozofët më të mirë të ditëve tona) sa shkruan se ajo në analizat e saj mbi totalitarizmin ka aplikuar logjikën dhe përfundimet e profesorit dhe të të dashurit të saj, filozofit M. Heidegger (sic).

Siç mund të kuptohet, habinë time nuk e shkaktuan përfundimet e tij, por mënyra si e thjeshtëzon origjinën e analizave të H. Arendt-it.

E vërteta është se që më 1964 idetë e Arendt-it u vunë në provë në një eksperiment i famshëm i S. Milgram-it në një universitet amerikan në përfundim të të cilit u vërejt se njerëzit mund të kryejnë akte të dhunshme pa qenë nevoja të ushqejnë urrejtje.

Disa vite më pas të njëjtat përfundime u konfirmuan edhe nga eksperimenti i psikologut Ph. Zimbardo, i njohur me emrin Standford prison experiment. Ai u kërkoi një numri studentësh të mbylleshin në bodrumin e një ndërtese, ndërkohë që disave u besoi të luanin rolin e të burgosurve të tjerët i veshi me uniformë dhe u kërkoi të bënin gardianin. Brenda javës “gardianët” me uniformë nisën të ushtrojnë një dhunë e terror të paimagjinueshëm ndaj “të burgosurve”, që ishin thjesht shokët e tyre, sa Zimbardo u shtrëngua të ndërpresë eksperimentin.

H. Arendt-it iu dha të drejtë.

Por jo të gjithë e kërkojnë të vërtetën në rrugë eksperimentale.

Më 2006, historiani anglez D. Cezarini i kthehet edhe një herë këtij problemi dhe si shqyrtoi imtësisht biografinë e Eichmann-it thotë se ai ishte një antisemit i njohur që kishte marrë iniciativa që shkonin përtej zbatimit të thjeshtë të urdhrave. Imazhi i nëpunësit të rëndomtë që zbatonte urdhëruat ishte vetëm një vijë strategjike mbrojtjeje.

H. Arendt kishte rënë në grackën e tij.

J.F. Dortier, një psikolog i njohur francez, para pak vjetësh shkruante se H. Arendt nxitoi në përfundimet e saj sepse ato i lejonin të formulonte një tezë të rëndësishme: Regjimet totalitare jetojnë në sajë të pasivitetit të njerëzve të zakonshëm. Bindja në vetvete nuk mjafton thotë historiania tjetër L. Rees, është ideologjia që kanë përqafur ajo që motivon militantizmin e tyre.

Edhe përvoja e kriminelëve modestë shqiptarë e provon një gjë të tillë. Vërtetë veglat e diktaturës nuk kishin para tyre çifutë, por rolin e tyre e luanin fare mirë “armiqtë e klasë” që ata i urrenin me të gjitha rropullitë e tyre dhe ishin mësuar t’i shihnin si burim infeksioni dhe të rrezikshëm për pushtetin.

Që në çastin që një grup njerëzish nuk cilësohen më se bëjnë pjesë te “ne”, thotë psikologu H. Eelzer (Ekzekutuesit, 2007), çdo mizori ndaj tyre bëhet e mundur. Përvoja shqiptare në këtë pikë e plotëson më së miri atë të nazizmit gjerman. Me këtë rast po kujtoj këtu se në librin e saj të famshëm “Origjina e totalitarizmi”, të botuar menjëherë pas L2B, është po H. Arendt që e krahasonte Gjermaninë e Hitlerit me regjimin komunist të Moskës. Për të në thelb nazizmi dhe komunizmi janë e njëjta gjë (të paktën në format që u shfaqën). Dhe duhet të jetë e vërtetë përderisa të dy regjimet prodhuan pushkatime politike dhe kampe përqendrimi.

Por ndërsa ndihma më e madhe që i dha bota Gjermanisë së pasluftës ishte Procesi i Nurembergut, kjo nuk ndodh me të gjitha shoqëritë me të kaluar totalitare, që synojnë të kthejnë përfundimisht faqen e historisë së tyre.

Jashtë filmit, më ka bërë gjithnjë përshtypje ngjashmëria e deklaratave të Eichmann-it me atë të ndonjë funksionari të lartë shqiptar (që ndryshe nga nazisti në fjalë, nuk hipi në podiumin e trekëndëshit për t’u varur, por ngjiti shkallët më të larta ta drejtësisë shqiptare), kur përpiqet të përligjë dhënien e dënimit me vdekje me detyrimin e zbatimit të ligjeve të kohës e madje flet edhe për akte terrorizmi të viktimave, ndërkohë që gjithçka tregon se terroristi i vërtetë ishte vetë shteti shqiptar.

Nëse mjaft vende evropiane si Greqia, Portugalia, Bullgaria etj., nuk ngurruan të vënë drejtësi për të kaluarën e tyre të rëndë, pati vende që ngurruan. Midis tyre është edhe Spanja me të kaluarën e saj frankiste të cilën e la në heshtje për të patur një lloj uniteti kombëtar përballë separatizmit katalon e bask. Por po të shohësh shtypin spanjoll e kupton se ditët më të këqija të këtij vendi të mrekullueshëm nuk janë këto të sotmet të shkaktuara nga kriza ekonomike, por ato që parathonë varret e të pushkatuarve pa gjyq që kanë nisur të hapen kohët e fundit.

Edhe Shqipëria, si në çdo fushë tjetër nuk qe në gjendje t’i mbyllte siç duhet hesapet as me të kaluarën e saj të përgjakshme. Për më tepër, në mënyrën më naive vëmendja u drejtua në pistën anësore të bashkëpuntorve dhe të funksionarëve të lartë të Sigurimit, një pjesë e të cilëve ishin pushkatuar për të mbuluar punët e pista të kryera me porosi të vetë jerarkëve partiakë, kriminelëve të vërtetë. Askush nuk deshi të kuptojë përse Nurembergu i kushtoi kohën më të madhe gjykimit të krerëve të lartë të partisë politike që ishte në pushtet, burimit të vërtetë të së keqes.

Sjellja politike e shoqërisë shqiptare tregon se mefshtësia dhe rakitizmi i saj i sotëm, paaftësia për të prodhuar drejtësi dhe progres, është pasojë edhe e krimit me të cilin bashkëjeton pa e ndëshkuar.

Dhe meqë kemi rastin unik ku drejtësia nuk është më shqetësimi kryesor i një shoqërie (as i vetë viktimave, me kusht që t’i paguash), përfundimet më interesante di t’i nxjerrë, si gjithnjë, klasa politike e vendit. Vetëm kështu shpjegohet përse prania më e dendur për metër katror e njerëzve të lidhur nga larg a nga afër me krimin vërehet në mjediset politike dhe parlamentare shqiptare.

Megjithatë, kur të gjithë qeshin me dhëmbët jashtë, tek bie fjala për drejtësinë shqiptare, ata kur e bëjnë një gjë të tillë, kujdesën që të vënë dorën para gojës.

Akt mjaft i rëndësishëm ky, që mbase dikujt do t’i shtijë në mendje idenë të bëjë një film, i cili do të fillonte me formulën: Betohem me nderin tim…

Pa Komente

  1. eshte e kote te kerkohet nje gjyq “nuerenbergu” kur nuk kishte fitues, nje klase/grup te nenshtruarish/te humburish … gjithcka ka te beje me pergjegjesine qe bie mbi disa individe apo nje grup te identifikuar me “krimin”, fajesimin e tyre… qe kerkon nje lidhje shkak-pasoje, racionale e bindese per logjiken… deri aty sa edhe regjimi socialist kishte “fajtor te ndergjegjes”: fajtor per bindje qe rrezikojne pushtetin popullor .. por ky fajesim, lidhje shkak-pasoje eshte vetem se arbitrare, rrjedhoje e pushtetit te “fituesit” … e forces … e nese ate e kane te njejtet, nuk ka ndarje rolesh… jane te gjithe njesoj

    sa mund te clirohet nje person nga faji, pergjegjesia, qofte edhe per bindjen… megjithe lirine e fjales… keshtu perpjekja e siperpermendur post-factum per te krijuar “fajesi” qe nga bindjet “anti-Semite” te Eichman .. por logjika legjitimon ne kete rast pushtetin.. shtetin e izraelit… I cili ne ate kohe kishte pikerisht problemin e legjitimitetit te gjyqit.. ky eshte konteksti politik teper problematik i ketij rasti

    keshtu qe Arendt argumenton ne nje hapesire politike te minuar.. te pushtuar nga pushteti I shtetit te sapoformuar izraelit qe kerkon te ndeshkoje ne emer te te gjithe hebrenjve, duke e perligjur ekzistencen e tij ne arenen nderkombetare pikerisht nepermjet ketij “gjyqi” (juridiksioni) ndaj nje krimineli “anti-semit” … ketu vjen nje filozofe dhe e “shfajeson” ne kuptimin juridik… ne gjyq… pa faj nuk ka denim .. duke iu shtuar problemit tjeter politik: pa juridiksion nuk ka gjyq..

    pra besoj se Lyssi kerkon te reduktoje nje problem politik ne nje argumentim filozofik e psikologjik (juridikisht eshte gjithashtu e diskutueshme) .. Ne ne lidhje me shqiperine nuk mund te flitet per fajtore nese te gjithe ishin, ne gjuhen e pas luftes se dyte boterore: Taetervolk apo Kollektivschuld [popull fajtor apo faj kollektiv: e njejta filozofi arendt-iane synon ne te njejten menyre te shfajesoje individin – Eichmann – nderkohe qe fajeson nje komb]
    … ndoshta historiografise sone te pas lufte i mungon nje narrative bindese, qe ndoshta shkon pertej skemes se fituesve/humbesve .. pjese e te ciles eshte edhe skema faj/fajtor

  2. Lyss, nuk e kuptoj mirë se ku do të dalësh po me duket se je ngatërruar edhe vetë një çikë nëpër ato dhjetra penj që i lëshon udhëve. Nuk dua të keqkuptohemi, dhe besoj se je nisur nga një predispozicioni i mirë, por ca gjërave u ke ardhur aq rrotull, sa nuk kuptohen si duhet, ose unë i kam kuptuar anapolla.
    Ta fillojmë me këtë anën estetike të filmave të fon Trotës. Si te gjithë që kanë një vepër të gjatë mund të ndahen në krijime të hershme dhe të vona, ose aktuale. Këto të fundit filluar të bëjë me ambicien e lënies në trashëgim të diçkaje “ndërepokale” disa filma, që si të tillë tilla janë të predisponuara të jenë “mesatare”, me ato përjashtime të rralla, ku i bëjnë gjenitë. Unë filmat ja shoh rastësisht, që përsëri nuk do të thotë asgjë, por fon Trota nuk është gjë se të bën të shkulesh nga shtëpia në palcë të dimrit veshur me pizhame, të turresh si marrë kinemave, pothuajse të rrihesh tek biletaria e kinemasë e kështu me radhë. T’i marrim ato tre gjëra që kam për të thënë njëra pas tjetrës, se vërtetë më duken të rëndësishme.
    Fon Trota është një përfaqësuese e një rryme revizioniste të historisë gjermane të periudhës së Rajhut të Tretë, e cila mundohet të ndajë më thikë të mirët nga të këqijtë. Po e filloj me këta të fundit, të cilët, sipas ketij botëkuptimi, ishin anëtarët e partisë nacional-socialiste, arma SS, GESTAPO, ndërkohë që ushtria (Wehrmacht) ishte e sinqertë, pak si e leshtë, e cila u shpërdorua nga këta vrasës për qëllimet e tyre kriminale. Bullshit! Të gjithë njësoj ishin e të gjithë bashkë e bënë atë punë. Mua më hapet barku sa herë që hapet ky lloj diskutimi, që më 20 korrik megjithatë shpirti i ndershëm gjerman arriti të rebelojë kundër tiranisë hitleriane dhe u mundua ta hidhte “Udhëheqësin” në erë. Ngado që të shkosh të vënë para hundës ata tre fisnikë e gjysmë, që në fund të luftës ashiqare të humbur, u kujtuan për rezistencë. Te ndjekësh këtë linjë është gabim, nga që në atë sistem të këqijtë nuk zbritën nga qielli, por i lindi sistemi vetë. Ai i bëri aq katil, si dhe pikërisht po edhe ai sistem nuk ishte në gjendje t’u bënte gjyqin (e ndërgjegjes). Dhe kjo mund të lidhet për bukuri me Shqipërinë. Edhe atje gjithë ai gjakim nuk erdhi gjë nga lindja sllave komuniste apo u lexua në librat e marksizmit, por ishte mesjeta e vetë shqiptarëve, të cilët morën punët e tyre në dorë, që t’i bëjnë pastaj si sytë që t’ju pëlcasin. Si në diktaturë ashtu edhe në demokraci. Të ushqesh iluzionin, se diçka ka mbetur pa u bërë, është diçka e trishtueshme. Të gjithë kanë bërë pikërisht atë që kanë dashur dhe kjo ka qenë edhe ajo që është dashur bërë, nëse ata nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë më shumë. Për të mundur, kanë mundur sigurisht shumë më tepër, por çështja nuk është tek mundësitë, por tek dashja. As shqiptarët, ashtu si edhe as gjermanët nuk janë në gjendje t’i bëjnë gjyqin vetes. Si në fakt edhe kushdo tjetër. Prandaj edhe gjyqin e Nurembergut e bënë aleatët. Prandaj edhe nazistët livadhisën si deshën e sa mundën në Republikën Federale të Gjermanisë të pasluftës, pa ju hyrë një ferrë në këmbë. Prandaj edhe në Shqipëri nuk do të ketë dot asnjëherë ndonjë gjyq me veten, se kush ta bëje? Shiko i/e dashur. Unë kam gati një çerek shekulli në Gjermani dhe vërtetë që i dua dhe i urrej këta njerëz njëkohësisht, si dikush njerëzit e tij. Vetëm vonë, shumë vonë duke jetuar mes tyre më ra një perde, që kisha para syve dhe fillova të shikoj, se jam duke notuar në atë “stërsupën” fillestare, prej nga ku doli gjithë ajo lëtyre ngjyrë kafe dikur. Varet vetëm sa e ngre zjarrin, ku ke vënë tenxheren dhe ç’erëza pikante mund t’i hedhesh. Nuk ka një fillim, zhvillim dhe mbarim të gjërave, nuk ka përmbysje apo revolucione, që brenda disa viteve ose dhjetëvjeçarëve mund të ndryshojnë një karakter të një kombi. Ka vetëm gjendje të tij të eksituara dhe më pak eksituara. Në rastin e parë të ndodh pastaj gjithnjë katrahura.
    Nuk dyshoj, se mund ta kem shumë gabim, por dhuna që gjeneroi populli gjerman në periudhën e tij hitleriane tregoi nivelin e tij jashtëzakonisht barbar dhe primitiv. Disa aristokratë kanë një problem me këtë dhe mundohen të shpikin disa vlera të tjera, që paskan ekzistuar diku dhe t’ju japin edhe atyre një karakter përfaqësues. Po a mund të themi dot sot për shembull, se shqiptarët janë një popull i civilizuar, vetëm se ne i flasim njëri – tjetrit ne PTF me zemër në dorë?

    1. Pifto, nuk eshte se kam gje per t’i shtuar a hequr nderhyrjes tende. Me thua se jam ngaterruar nje çike, por pastaj del qe ti te pakten nuk ke patur veshtiresi te me kuptosh, gje qe me jep te kuptoj se nuk jam shume, shume i ngaterruar. Jam dakord se si aristokrate, Von Trotta-s i vjen se mbari konkluzioni i Arendt-it, eshte e keqja me e vogel e mundeshme, nje dhurate (çuditerisht nga nje çifute) per t’i hequr ca nga balta hitleriane lavdise se nibelungeve. Madje po shtoj se ne disa intervista ajo ka thene se do te donte qe bota te mendonte si H. Arendt. Pra me kete film ajo militon ne ate linje qe thua ti. Ketu puqemi bashke, sikunder mendoj se Nurembergu qe shans per ta. Te gjithe ishin llangosur keq, por me sa duket pranuan llogjiken qe dikush duhet te paguaje dhe kete le ta vendosin prokuroret amerikane e ruse.
      Megjithate kjo nuk eshte nje arsye qe te tjeret ta bejne keq llogarine e tyre. Ose do ta pranoja edhe kete, por me kusht qe te gjitha ta benin keq. Nuk ndodhi keshtu.
      Megjithate, keto gjera nuk jane asnjehere te thjeshta.

  3. Evdote, sinqerisht qe dua t’i rri larg debatit se kush ishte me i prape, komunizmi apo nazizmi. Di te them se sa me shume kalon koha aq me kot me duket ajo puna e spiunve dhe sigurimsave. Regjimi ka qene aq i centralizuar sa, dhe kjo nuk eshte metafore, sa edhe sasia e margarines qe do t’i hidhej groshes ne mencen e sharxhive te Pukes, percaktohej ne Tirane. Tani ata qe merren me spiunet, çfare duan te thone, se ata kane vepruar me koke te tyre dhe se Partia nuk ka ditur gje? Mon oeil, thote frëngu.

  4. Lyss, ke shkruar se filmi qe Claude Lanzmann ka prezantuar kete vit ne festivalin e Kanes ishte i gjate e i merzitshem (nuk di ç’te them sepse nuk ka dale ende ne kinema), por te rekomandoj (nuk e ke pare ndonjehere) “Shoah” ( http://en.wikipedia.org/wiki/Shoah_%28film%29 ) , filmin e tij 9 oresh, i cili ka tashme nje vend krejt unik dhe deciziv ne gjithe Historine e Kinemase.
    Dhe pastaj, gjithmone sipas mendimin tim, edhe nese nuk sheh më filma, nuk do jesh fare pishman (si ky i Von Trotta-s, jo e jo njehere, sepse ai ne fakt nuk eshte film, ai eshte manual-didaktik i ilustruar me “imazhe” (me sakte: me pamje) por nejse, ky eshte krejt tjeter debat).
    “Shoah” : mos ler gur pa luajtur per te gjetur ate film !!! Dhe shihe.

    1. Per Shoah-n kam degjuar shume, di qe eshte plot intervista te deshmitarve te Shoah-s, por duhet te jete pak edhe ideologjik. Ka nje akuze te bashkepunimit te shefave te komuniteteve çifute me nazistet dhe kam pershtypjen se filmi ka synuar te hedhe poshte nje gje te tille. Filmat i ndjek rregullisht dhe me kenaqesi, por gjithnje kur eshte fjala per nje film te mire apo liber te mire, perparsine e ka libri. Ende nuk kam njohur nje film te mire qe te lere ne hije nje liber te mire.

      1. Shoah i Lanzmann i le ne hije TE GJITHE librat, pkturat, kenget, operat, filmat…. e mire te kesaj dynjaje.

        p.s : po, filmi bazohet VETEM ne intervista dhe ne imazhe aktuale dhe nuk perdor as edhe nje te vetem imazh arkive. Por pikerisht, kjo perben ndofta dhe arsyen kryesore te forces se filmit.

        1. Stalker, klikova mbi linkun qe ke dhene ne adresen tende dhe pashe se ke nje blog kinemje shume interesant, plot informacion, histori dhe mendime e analiza kompetente. E megjithate kam pershtypjen se po t’i drejtohesh vete Lanzmann-it e ti thuash se “Shoah tend i le ne hije TE GJITHE librat, pkturat, kenget, operat, filmat…. e mire te kesaj dynjaje”, kam pershtypjen se e ve ne pozite fort te sikleteshme.

          1. Kur shkruaja se ‘Shoah’ e Lanzmann lë ne hije gjithe veprat bashkekohore te cilitdo zhanri artistik qofshin, e kisha ketu:
            Godard (encore et toujours!) ka mbrojtur fort (me te drejte) idene se arti qendror i shek te XX (dmth kinemaja) deshtoi PIKERISHT sepse humbi ngjarjen e saj historike dhe metafizike kryesore : te filmonte, regjistronte shoah-n. Ose thene ndryshe, shoah eshte pa dyshim indikatori me shenjues dhe me i pameshirshem i vertetesise (la vérité) ne kinema e me gjere.

            Nga ana tjeter, eshte e vertete qe pas Luftes se dyte Boterore, u realizuan jo pak fiksione dhe dokumentare per dhe mbi të, por asnjeri prej tyre nuk arriti te ngrihet ne nivelin e vete ngjarjes. Dhe vijme tek filmi i Lanzmann (ndaj dhe thoja se duhet ta shikosh, e pastaj flasim) i cili nuk perdor asnje imazh arkivi, pikerisht per te mos rene pré e fabrikimit te klisheve, e shenjave vizuale pavlovijane, por qe shtron direkt pyetjen madhore: si ta representojme (pershfaqim) zhdukjen (eksterminimin), nderkohe qe nuk ekziston qofte edhe nje imazh i vetem i dhomave te gazit gjate funksionimit ?? Si ta pershfaqim nje krim monstruoz qe nuk ka lene asnje gjurme ? Ne nje rast te tille, perderisa vete kinemaja deshtoi ne detyren e saj per ta fiksuar ne shirit ngjarjen ne fjale, i bie qe zgjidhja me e sakte do te ishte gjithshka, vetem JO permes imazhit ! (se ai deshtoi, e thame nje here !!).
            E megjithate, Lanzmann ngrihet MBI kete rrenoje (ne nje fare menyre, mund te thuhet se ai e ‘rishpiku’, e ‘rilindi’ kinemane, perderisa ajo kish dhene tashme shpirt ne dhoma gazi), perseri PERMES imazhit, i cili ben lidhjen e nje lumi fjalesh ne te gjitha gjuhet e mundshme (frengjisht, polonisht, hebraisht, anglisht, gjermanisht,,,) me trupat fizike nga goja e te cileve ato dalin, ne vende precize, here & now, duke transmetuar me mire se çdo veper tjeter artistike (ose jo artisitke) realitetin e shoah-s.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin