Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

PUNË EMRASH

Një mjeke amerikane në Massachusetts më pyeti një herë nëse mund ta ndihmoja për të kuptuar më mirë një sëmundje, nga e cila vuakëshin shumë prej pacientëve të saj shqiptarë të moshuar; më dërgoi edhe emrin e sëmundjes, siç e kish dëgjuar të shqiptuar prej pacientëve, kur i pyeste nëse kishin vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike në të kaluarën.

Nuk e mbaj mend si e kishte tejshkruar pikërisht atë emër mjekja, por sapo e pashë e njoha menjëherë sëmundjen misterioze: ishte fjala për spondiloartrozën, çrregullim tepër i diagnostikuar në Shqipërinë e viteve 1970-1980 (së bashku me “shiatikun”), por me sa duket jo shumë të njohur në SHBA. Natyrisht, diagnostikimi i një sëmundjeje shoqërohet edhe me një protokoll për mjekimin e saj, çka do të thotë se spondiloartroza, në Shqipëri, ishte më shumë se një sëmundje – meqë kishte përfunduar në institucion.

Që emrat e sendeve kanë fuqi magjike, këtë e dinin deri edhe shamanët parahistorikë; por në kohët moderne, me këtë fuqi është marrë ajo degë e gjuhësisë që quhet semantikë e përgjithshme, në bashkëpunim edhe me të ashtuquajturën hipotezë të Sapir-Whorf-it, sipas së cilës gjuha që flasim ndikon në perceptimin që i bëjmë botës, falë kuptimit të fjalëve (semantikës) dhe strukturës gramatikore.

Whorf-i, i cili punonte si inspektor për parandalimin e zjarreve, kishte vënë re se shumë zjarre në zonat ku ruheshin fuçitë e zbrazëta të benzinës shkaktoheshin ngaqë punëtorët i trajtonin këto fuçi si të zbrazëta (empty) dhe nuk tregonin kujdes me cigaret kur punonin me to ose pranë tyre, edhe pse një fuçi benzine e zbrazët është në të vërtetë e mbushur me avuj benzine, të cilët janë vetvetiu shpërthyes. Që këtej, ai formuloi hipotezën se zjarret i detyroheshin, në thelb, kuptimit jo shumë preciz të fjalës anglishte empty, e cila ndikonte drejtpërdrejt në perceptimin e realitetit prej punëtorëve.

Edhe në mjekësi, nuk do shumë mend për të kuptuar fuqinë vrastare të një diagnoze – p.sh. kancer, ose skizofreni, edhe pse shpesh pas së njëjtit emër ose term fshihen kuptime dhe realitete aq të ndryshme, sa edhe personat vetë. Mjekët e njohin mirë këtë virtyt të fjalës ose efekt të placebos gjuhësore, dhe shpesh përpiqen ta përdorin në psikoterapi, ose gjithsesi për t’i ndihmuar të sëmurët t’i përballojnë më mirë simptomat.

organ freeNga ana tjetër, sëmundjet dhe veçanërisht diagnozat e tyre, janë gjithnjë të rrënjosura në kulturë, aq sa ndonjëherë ndihmojnë edhe për t’i kuptuar më mirë epokat. Këtu nuk e kam fjalën për sëmundje infektive si tuberkulozi, të cilin zakonisht e shoqërojmë me poetët dhe muzikantët romantikë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX; ose pleuriti (pleviti), me të cilin na kërcënonin kur dilnim jashtë, ende fëmijë, të veshur hollë; por për diagnoza si hidropizia (nga e cila duket sikur nuk ka mbetur monark e dijetar i Rilindjes pa vdekur), histeria, koliti (këto të dyja në kohën e Freud-it) më në fund spondiloartroza dhe shiatiku, ose edhe ulçera deri-diku, në rastin e shqiptarëve.

Kritikët e mjekësisë së sotme perëndimore, veçanërisht amerikane, vërejnë se një pjesë e çrregullimeve të cilat diagnostikohen rëndom në popullatë kanë natyrë të papërcaktuar mirë – p.sh. sindroma e kapitjes kronike (CFS), fibromialgjia, ADD, një pjesë e alergjive, e kështu me radhë. Megjithatë, shumë pacientë e shndërrojnë këtë sëmundje në pjesë integrale të jetës, madje të personalitetit të tyre. Pa folur pastaj për forcën irracionale që bartin me vete fjalë të tilla si kolesteroli

Në këto rrethana, një emërtim sëmundjeje ose çrregullimi i pastudiuar mirë, mund të japë efekt kundërprodhues për diagnostikimin dhe sëmundjen përkatëse. Dikur ishte normale që fëmijët me prapambetje mendore (IQ nën 70) të diagnostikoheshin si idiotë, ose më popullorçe, budallenj. Edhe Shvejkun komisionet mjekësore e kishin quajtur haptazi idiot noterik. Mirëpo, meqë asnjë prind nuk do të pranonte lehtë që e kishte fëmijën e vet idiot, dalëngadalë termi erdhi duke dalë nga përdorimi, për t’u zëvendësuar me dement, debil, oligofren, e kështu hap pas hapi, deri në fëmijë me autizëm, ose fëmijë me çrregullime të të mësuarit (learning disability).

Një sëmundje tjetër mendore mjaft e përhapur (prek rreth 1.7% të amerikanëve), e cila manifestohet zakonisht me kriza të forta dhe të pashpjegueshme ankthi të shoqëruara me rrahje të shpejta të zemrës dhe dhimbje gjoksi ose vështirësi në frymëmarrje, është quajtur “çrregullim i panikut” (panic disorder), edhe pse njerëzit zakonisht nuk kanë qejf të pranojnë se i kap paniku; prandaj shumë prej tyre e refuzojnë diagnozën dhe i rezistojnë mjekimit; madje ndonjëherë përfundojnë në duar të kardiologëve, të cilët ua mjekojnë takikardinë dhe palpitacionet si forma të aritmisë.

Para disa kohësh, më kish kapur një kollë me ngjirje zëri, që po më zgjaste me muaj. Pasi i provova çajrat, avujt, antibiotikët dhe barnat kineze, u kandisa më shumë të shkoj tek mjeku; mjeku, siç është adeti këtu në US, më testoi për një numër sëmundjesh nga ato që ende identifikohen me numra ose kode, pastaj më në fund më dërgoi te një specialist laringolog për konsultë; deri atëherë, më shqetësonte më shumë meraku se ç’mund të ishte kjo dreq kolle, sesa kolla vetë. Specialisti ma vështroi laringun me sondë dhe ma vuri menjëherë diagnozën: GERD (Gastro-Esophageal Reflux Disease), që donte të thoshte se në fyt kishte gjetur disa lëndime si “djegie” të shkaktuara nga urthi, ose acidi i stomakut. Që nga ai moment, vërtet u lehtësova, edhe pse ky GERD (emër pak si ilir) pastaj erdhi duke m’u bërë, dalëngadalë, pjesë e jetës sime; entitet i pranishëm brenda meje, me nevojat dhe kapriciot e veta, humorin që i luhatej, ushqimet që i pëlqenin dhe që nuk i pëlqenin; qenie kryeneçe dhe trushkulur, por tepër e ndjeshme ndaj stresit tim, shqetësimeve, gëzimeve, pozicionit si e mbaja trupin, orareve të të ngrënit… Edhe qen ta kisha pasur, nuk do të më skllavërohej kaq shumë. GERD – vetëm një emër, etiketë e ngjitur mbi një kompleks simptomash, shkurtore për t’u kursyer kohë mjekëve, farmacistëve dhe të sëmurëve. Në drugstore ka një raft të tërë të mbushur me remedies (vëreni gjuhën edhe këtu) për këtë farë magjie – lëngje, hapje, tableta, kapsula, karamele me lloj-lloj ngjyrash dhe shijesh dhe aromash; një industri miliarda-dollarëshe është ngritur dhe mbahet në këmbë rreth këtij koncepti.

Mbaj mend edhe gjyshin tim, ndjesë pastë, që këtë farë sëmundjeje e quante thjesht stomak; dhe kur i digjnin mukozat nga acidi i tepërt, i kërkonte gjyshes t’i përgatiste sodën e bukës, ndonjëherë edhe me pak limontoz (acid citrik pluhur). I thoshte: “sodën, se m’u bë prapë stomaku“. Ka diçka naive dhe njëkohësisht metafizike, në emërtimin e simptomave dhe ankimeve të trupit me organet përkatëse – shqipja thotë është me zemër, është me mëlçi, është me veshka madje edhe është me prostatë; thuase këto gjallesa që strehojmë në shtëpinë e trupit e që i vëmë në punë çdo ditë si t’i kishim skllevër e shkuar skllevërve fitojnë një identitet të tyrin e kërkojnë sadopak vëmendje vetëm kur sëmuren, duke na folur me simptomat e tyre.

Të jetë që u vëmë emra shqetësimeve, që ashtu t’i begenisim më mirë?

3 Komente

  1. “I thoshte: “sodën, se m’u bë prapë stomaku“. Ka diçka naive dhe njëkohësisht metafizike, në emërtimin e simptomave dhe ankimeve të trupit me organet përkatëse – shqipja thotë është me zemër, është me mëlçi, është me veshka madje edhe është me prostatë; thuase këto gjallesa që strehojmë në shtëpinë e trupit e që i vëmë në punë çdo ditë si t’i kishim skllevër e shkuar skllevërve fitojnë një identitet të tyrin e kërkojnë sadopak vëmendje vetëm kur sëmuren, duke na folur me simptomat e tyre.”

    Historikisht, pervoja, shendeti per njeriun ka ndertuar harten e perpjekjes fizike menderisht. Ate qe pranon si vlere/prezence e te padukshmes eshte qe sheh per te menduar dhe c’mendon sheh.
    Ku ta dijme se tempulli yne (trupi) eshte harte aktive qe jeton nje kohe, ne te tashmen, ku mund te shohesh te shkuaren dhe te ardhmen. Cdo gje ekziston ne te tashmen fillimisht dhe vazhdon te jet ne te tashmen vazhdimisht, duke perfunduar ne te tashmen perfundimisht. Sistemi i te gjithe sistemeve eshte tempull yni-trup.

    Interesant vezhgimi i hartes ku jetojme-trup.

  2. ””Të jetë që u vëmë emra shqetësimeve, që ashtu t’i begenisim më mirë?””

    Ka qe thone (edhe ti e permende me duket) se emri i vertete i dickaje njeherit, vleresohej si esenca e gjese, dmth te dish emrin nenkupton te dish te arrish ta kontrollosh. Kjo pastaj ka sherbyer per pseudonimet e atyre qe thonin dicka kunder pushtetit dmth ruhej emri i vertete duke dhene nje te rreme.

    Kete mund ta themi per mbiemrin meqe mbiemri shpesh ka shume te dhena per individin qe e mbart, sidomos nese kombinohen me te dhena te tjera.
    Per Romen thuhej se emri i vertete ruhej si sekret qe armiqte te mos e njihnin e te arrinin ta kontrollonin,biles aq sekret saqe humbi.
    Kjo eshte fushe interesante qe gjendet midis mitit dhe realitetit.

    Eshte me zemer , deshmon le te themi prapambetjen ne njohjen e semundjeve te zemres, nderkaq kap edhe esencen e semundjes, semundje e zemres keshtu qe jep idene e nje semundje qe ka kapur organin me vital, dmth percillet e perceptohet me lehte rendesia e semundjes nga e cila vuan filani.

    Sot mjekesia ofron ca emra qe ne perdorimin e perditshem nuk jane aspak efikas e me shume shtien tmerr, psh per nje futbollist mund te degjohen diagnostikime per publikun si:
    rottura parziale del menisco e del tessuto cartilagineo con lesioni ti secondo grado del legamento collaterale mediale e rottura definitiva del legamento crociato anteriore, cui bisogna fare una ricostruzione tramitte un trapianto.

    Ue thote tifozi mesatar (injorant ne anatomi), ca behet kshu, po ky po vdes mo vlla.
    Ne fakt futbollisti si perdoret rendom, ka ‘thyer gjurin’ dmth kupa e gjurit leviz jo si duhet se jane shkeputur disa lidhje.

  3. Xhaxha, une kete kornizen teorike te simptomave e konsideroj si hyrje te mire. Ne pritje per te degjuar mbi simptomat nga nje kendveshtrim me direkt…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin