Vetëm dy-tre orë ka, që më lajmëruan për vdekjen e mikut tim të dashur, Ardian Klosit. Distanca oqeanike që më ndan nga Tirana ma bën dhimbjen edhe më të hidhur, mosbesimin edhe më real dhe refuzimin të vetmin reagim sado pak të arsyeshëm.
Dan Klosi, duke ikur kështu, më braktis dyfish – sepse e kisha shok të vjetër, që në vitet e gjimnazit e të universitetit, gati-gati duke u rritur bashkë me të dhe i pritur në familjen e tij si të isha i shtëpisë; por edhe si koleg dhe bashkudhëtar të paçmuar, në rrugën e letrave dhe të kulturës.
Ishte nga ata njerëz që vijnë gjithnjë të paktë dhe që kërkojnë vëmendje e kujdes, si çdo pasuri tjetër kombëtare; vëmendje dhe kujdes që jo gjithnjë ia dhamë. Me përpjekje të palodhura dhe energji të habitshme, ia doli që të krijojë një hapësirë të vetën, në kulturën shqiptare, për të cilën të gjithë do t’i jemi mirënjohës: si publicist, si shkrimtar, si kritik letrar, si përkthyes, si botues, si njeri i kulturës, si protagonist betejash të shoqërisë civile. Nuk e zëvendësojmë dot, veç mund ta kujtojmë tani me pikëllim.
Herën e fundit e kam takuar në Tiranë, në vjeshtë të vitit që shkoi; ishte i lënduar nga disa brenga në familje, por megjithatë planet për të ardhmen i kishte të shumta: përkthime, botime, një panair të ri libri në Pranverë.
Nuk dua të përmend këtu shkakun e vdekjes – vdekja vjen e njëjtë, pavarësisht nga çfarë na e afron. Mbushem me maraz të parrëfyer, kur mendoj që mund të kishim bërë diçka më tepër, që unë vetë mund të kisha bërë diçka më tepër, për ta parandaluar kobin – por as për këtë nuk duhet folur.
Përkundrazi, dua ta kujtoj Dan Klosin siç e mbaj mend nga vitet e dikurshme, me libra të ndaluar, ironi, melankoli, këngë të Beatles-ve, shirita magnetofoni dhe një garanci se jo gjithçka në Tiranën tonë të atëhershme, të viteve të këqija 1980, kishte degraduar.
Jetoj larg Shqipërisë, që tani m’u bë edhe më e largët, sikur natës që kemi në mes t’i shtohej edhe një orë ose fundja edhe vetëm një minutë. Me Dan Klosin më lidhnin kujtimet e pashlyeshme të një periudhe tjetër, krejt heroike deri edhe në meskinitetet e veta; por edhe plane për të ardhmen, të shumta dhe aq motivuese, të paktën për mua.
Më dhemb dhimbja e vajzave të tij dhe e motrave, me të cilat më lidh gjithashtu miqësi e vjetër. Nuk e përfytyroj dot si mund të përballohet ikja kaq e papritur dhe e padrejtë, nga jeta jote, e një njeriu kaq të rrallë dhe të mrekullueshëm, që ndriçonte me mendjen dhe zemrën.
Requiesce in pace, mik i dashur.
Vertet nje humbje e madhe. Cdo fjale tjeter do te ishte e tepert. Xhaxha a merrte pjese ne blog tend Klosi? Nese po a mund te dime se cfare pseudonimi perdorte (nese eshte e lejuar gjithmone). Do te doja te rilexoja serisht disa shkrime te tij.
Ngushellime familjes. Po dhe ty 2xha qe e njihje personalisht.
“Nuk dua të përmend këtu shkakun e vdekjes – vdekja vjen e njëjtë, pavarësisht nga çfarë na e afron”
E vertete.
Lajm i dhimbshem.
I nderuar Xha-xhai, ndoshta nuk eshte momenti, por me lejo te t’ju them se ju jeni studiozi qe me mire se kushdo shpreh ndjenjat ne mendime, mendimet ne gjuhe te materializuar ( ne gjuhen tone te bukur dhe te pasur shqipe).
Sot shqiperia eshte me e varfer me vdekjen e Ardian Klosit…
Humbi nje nga guret e cmuar te thesarit te leterave e publicistikes shqiptare.
Nuk e di se si mund te ngushellohesh nga nje humbje e tille …nuk e di se sa figura te tjera te inteligjences dhe mendimit bashkekohor shqiptar ngjasonin me ARD KLOSIN…Ajo qe di me siguri eshte se kjo eshte nje humbje pothuaj e parikompesueshme …qe ka nje boshllek te madh me hapsiren e mendimit dhe pblicistikes shqiptare.Me vjen keq …me dhemb shume kjo humbje e papritur..
Ne rruge paqeje Ardo ….I pa harruar ne shekuj me jeten dhe vepren tende!
Gjëma është se nuk ka ndërruar jetë thjesht njeriu Ardian Klosi, por disa të tillë që zotëria me këtë emër mishëronte.
Humbja është shumë e madhe, e ngushëllimi i vështirë. Shpresa për të zëvendësuar njerëz kaq të vyer, gjithnjë e më e hollë.
Në këtë orë të zezë për atë pak Tiranë që ka tepruar, e që sot është zgjuar më e mjerë, dhimbja e dhimbjeve është për shpirtin e njeriut.
Zoti e mbështjelltë me mëshirë!
I hidhur lajmi, sidomos per ata qe e kane njohur, ndermjet te cileve edhe une. Dhe kur iken papritur eshte edhe me e dhimbeshme. Shqiperise i iku nje kritizer/luftetar i ketij regjimi fashisto-mesjetar, familjes njeriu i dashur.
Dhimbje e respekt per Dan Klosin….nje yll me pak ne yllesine edhe ashtu te rralluar, te intelektualeve me I te madhe te kombit tone.
Prehu ne paqe, Dan!
nuk e kam njohur …por e kam njohur…dhe me dhemb dhimbja ime per vdekjen e vlerave…per moshen…dhe me dhemb dhimbja ime per pakuptueshmerine qe ka tani kenga “e ku ka si ti o Shqiperia ime,,,Nuk e kam pasur mik, por kam nevoje te ngushellohem…e nuk gjej dot ngushellim ne Shqiperine e atyre…pa ata qe vertet e deshen…
nuk e kuptoj dhe nuk dua as edhe ta gjykoj ikjen e tij ..por e di dhe e ndiej qe ne vendin tone per njerez vertet intelektual dhe me dinjitet po behet gjithmone e me e veshtire mbijetesa..kjo ikje per mua eshte nje akuze ..qe Dani i ben shoqerise se tij te ciles ai i dhuroi punet e tij intelektuale ..
nuk arrij ta kuptoj se pseee kjo shoqeri ishte aq apatike dhe e heshtur kur nje figure intelektuale si e tij ndodhej ne ate veshtiresi shpirterore sic u ndodh ai ..
nuk e di ..dhe ndoshta sdo ta mesoj kurre se perse Dani vendosi te ikte pergjithnje. ne ate menyre…
NJEREZ si aA.KLOSI duhet ti kujtojme jo me dhimbje, per kohen dhe menyren se si iken, por per ato qe na ofruan ne jeten e tyre, dhe shtuan sadopak drite dhe buzeqeshje ne realitetin e diteve tona.RESPEKT !!
Dan Klosin e mbaj mend qe nga koha e universitetit, te brishte, te zbehte,…..gjithnje na dukej sikur ndonje dite do fikej, ja ashtu pa zhurme, para syve tane.
Vdekja e tij sot ngjan po ashtu, e brishte, e pakuptimte, e dhimbshme. Me ardhka shume keq per Danin, per familjen e tij, per miqte e te afermit.
U prefte ne paqe.
Bashke me Ardian Klosin u shuajt edhe nje pjese e ndershmerise dhe dinjitetit kaq te pakte te Shqiperise. Ngushellime familjareve dhe miqve, ngushellime Xhaxha
Nje humbje qe s’na duhej. Nje njeri, me te cilin gjithnej flisja me kenaqesi. Nje nga dritaret e pakta te qytetarise ne kete vendin tone te mbushur me mediokritet. Si ka mundesi qe s’e nidhmuam dot te fitonte mbi ate qe e mundonte?
Marr pjese ne dhimbjen tende XhaXha, ngushellime familjes dhe ndaj pikellimin me intelektualet shqiptare dhe me shume me ata te brezit tim, ne te cilin ai bente pjese. Ndaj te njejtin imazh me tendin dhe e kujtoj Dan Klosin si nje disident i heshtur te brezit tone.
“Përkundrazi, dua ta kujtoj Dan Klosin siç e mbaj mend nga vitet e dikurshme, me libra të ndaluar, ironi, melankoli, këngë të Beatles-ve, shirita magnetofoni dhe një garanci se jo gjithçka në Tiranën tonë të atëhershme, të viteve të këqija 1980, kishte degraduar.”
E vertete, ashtu e mbaj mend edhe une, edhe pse ishim vec te njohur. Le te kujtojme nje jete intelektuale te fikur per ate qe na la pas e qe eshte shume e vlefshme.
Vdekja e Klosit është një humbje e jashtëzakonshme për kulturën dhe shoqërinë civile shqiptare. Emri i tij i bashkërenduar me një botim, përkthim, mendim të shprehur në publik apo aksion qytetar ishte si certifikues i një cilësie të lartë intelektuale ndërkohë që humbja e tij lë një zbrazëti të pakompensueshme. Sidoqoftë vendimi i tij për të zgjedhur “vdekjen e lirë” (Freitod) meriton të merret në konsideratë me respektin dhe distancën e nevojshme. Klosi ishte ai që çdo veprim do ta merrte ne harmoni me shpirtin (Geist) e tij dhe pikërisht edhe atë finalin dhe njëkohësisht fatalin do të duhet ta shikojmë si një gjest të ushtrimit të lirisë personale në ekstrem. Klosi iku pasi e mbaroi detyrën e tij e cila përbëhet nga në dy aspekte kryesore: “mos hesht” dhe “mos rri pa vepruar”. Nëse ai nuk do të na shkruajë edhe në vitin 2014 apo 2024 është tashmë një çështje sekondare. Vdekja e lirë e tij hap një perspektivë të re të gjërave. Antikonformizmi dhe antioportunizmi nuk janë më etapa të luftës intelektuale për sqarim botëkuptimor (Aufklärung), por janë platforma që bashkëshoqërojnë qenien deri në fund të ekzistencës së saj. Vetëm duke mos pushuar deri në mbarim së luftuari të keqen e ke luftuar të keqen.
Për sa i përket kontributit të tij në Blog, për të cilin nuk dyshoj se ka qenë aktiv, ma do mendja që administratori duhet të konsultojë paraprakisht praktikën për disponimin mbi pasurinë intelektuale pas vdekjes, pjesë e të cilës është edhe vendimi për t’u shprehur në anonimitet. Natyrisht që në një të ardhme të afërt mund t’i qaset çështjes në mënyrë studimore, madje kjo do të ishte më se e nevojshme, nëse jo e domosdoshme, por mirë do të ishte që gjithçka t’i nënshtrohej një procesi sistematik e analitik.
Lajmi i humbjes së Ardian Klosit erdhi vërtet tronditës. Ngushëllimet u duhen bërë vajzave, familjarëve, miqve, por edhe asaj pjese të shqiptarëve që pasqyrohej sadopak tek pasioni qytetar i pashembullt i të ndjerit.
Lidhjen me Ardian Klosin e kam pasur indirekte, nëpërmjet miqve të përbashkët. Mirëpo më ka lidhur gjithnjë ai respekt i thellë, që në largësi ndihet ndonjëherë edhe më i fortë, edhe më autentik.
Për brezin tim A. Klosi ka qenë fillimisht më shumë se mësues, e më pas më shumë se koleg. Për shumëkënd përfaqësonte Tiranën idealiste, finesën intelektuale, angazhimin civil, atë pjesë të qytetarisë që nuk përkulej kurrë përballë vrazhdësisë së injorancës. Humbja pra, është tepër e madhe për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, që në kësi rastesh vijnë dhe e humbasin kuptimin, për t’u davaritur krejtësisht përballë dhimbjes së përbashkët.
Le të prehet në paqë shpirti i tij!
Ishte nje vdekje e paralajmeruar. Kish mundesi te shmangej. Nje pakujdesi me pasoja qe nuk ndreqen me, qe i le te gjithe me ndjenjen e keqe pse s’u be dicka; edhe me ndjesine qe t’u rrime afer atyre qe duam, sidomos me te ndjeshmeve nder ta. Une do ta kujtoj per shume gjera, por edhe qe me mesoi duke vdekur.
E paç dheun të lehtë, i dashur, Dan!
Keqardhje e sinqerte per ikjen pergjithmone nga kjo bote te A. Klosit, sidomos kjo keqardhje shumefishohet ne nje rast te tille kur vdekjes i dilet perpara, nuk pritet te vije ajo te ti. Rregulli eshte qe speciet gjithmone luftojne per te jetuar sa me gjate e sa me mire, por ka edhe perjashtime. Nga njohja nga larg e Klosit, me ka lene pershtypjen e nje njeriu te nje brezi ne dileme, ne krize te vazhdueshme. Me formim te majte, nga ku kishte origjinen dhe me nje bindje per elitizem. Kundershtar i sistemit komunist por gjithsesi pa pasur forcen per tu shkeputur nga e majta. Nje vajtje ardhje e panderprere ndermjet liberalizmit dhe socializmit, ateizmit dhe teizmit. Perqafues i zellshem i ca gjerave qe ne Shqiperi te pakten nuk perceptohen ndryshe vecse snobizem.
Edhe njehere ngushellime familjes, te afermeve dhe miqve te tij..
shume lajm i hidhur dhe trishtues. po le jetim pervec femijeve, nje idé..
kisha pershtypjen se pas piftos fshihej Ardian Klosi dhe isha pikelluar me shume por shikoj se nuk eshte ashtu.. nejse, nuk mund te shkruaj dicka tjeter.
Askush nuk eshte pa paragjykime, por mendjet e ndritura kane imunitet te larte ndaj tyre.Ne pergjithesi ka pak njerez te tille.Prandaj humbja eshte aq me e madhe kur largohet nje nga keta.
Ngushellime per shokun, Xha Xha!
Merr guxim te madh nje akt i tille.
Sidomos kur arrihet ne te ne rruge racionale.
I mendon dhe i rimendon te gjitha. Pozitivitetin e tij. Negativitetin e tii, nese mund te flitet per dicka te tillej. Eshte momenti i fundit, casti i fundit, ku kanonet e natyres njerezore,si ai i se drejtes apo te se gabuares, te se mires apo te se keqes, te se ndershmes apo te pandershmes, te te vlefshmes apo te pavlefshmes, te cdo gjeje qe e mban shpirtin te lidhur mbas trupi, fillojne e hiqen si rroba te veshura dhe soditen neper duar, dhe vleresohen. Ben kjo? A me duhet me kjo? Po kjo tjetra? Deri sa ngelesh si te ka bere i madhi Zot..
Ka shenjteri ne ate qe vuan,-shkruanin te vjetrit.
Me keqardhje dhe me shprese se prehet ne paqe.
I jemi prane familjareve, dhe juve Xhaxha.
Shpesh kur kemi një gur të çmuar nuk ia dimë vlerën reale,vetëm kur ta humbim,vetëdijesohemi se kishsim në dorë një diamant.
Ngushëllime familjes dhe atyre që e patën mik !
Ngushëllime nga zemra familjes dhe gjithë të mirëve e të dashurve të Z. Ardian. Nuk e kam e kam njohur, por kur e lexoja më ndodhte ajo që thotë J. D. Salinger-i “Ato që më lënë vërtet pa frymë janë ato libra që kur i ke mbaruar së lexuari, do të deshe që autorin ta kishe mik për kokë dhe të kishe e ta merrje në telefon kur të të shkrepej”.
Nuk e di pse, por sapo mora vesh lajmin e helmuar, vajta në You Tube dhe dëgjova vargjet e Majakovskij-it për Esenin-in e vrarë, dhe pastaj ato të Pasternak-ut për Majakovskij-in e vrarë, në përkthimin italisht nga Angelo Maria Ripellino, recituar nga Carmelo Bene:
http://www.youtube.com/watch?v=J5AbtrD82Dk
dhe
http://www.youtube.com/watch?v=QspYLOKU0UM
Ngushellime xha xhai! Eshte dicka fisnike te mbash zi per nje mik ne ditet e sotme. Ju thoni diku ne shkrim, se me Klosin ju lidh nder te tjera rinia dhe universiteti, pra edhe Tirana si qyteti i perbashket. Duhet te jete derrmuese te ndjesh sesi se bashku me nje mik qe iken, vjen si vetetime ne mendje edhe ajo pjese e qytetit te dashur, te cilen sot me fat mund ta gjesh si arne te strukur brenda nje Tirane qe ecen perpara duke respektuar vetem te ardhmen. Vjen per nje cast, per te ikur pergjithnje. Klosi dikur shkroi, le te them, nje artikull nostalgjik per Tiranen dhe te folmen e saj. Eshte nje teme thelbesore gjykoj, sepse na kujton te gjitheve dicka qe e humbem edhe vete, dicka qe nuk ka per te ardhur me. Pertej ketij aspekti me ndjeshmeri personale, si pjese e publikut mendoj se me te merr goditje te rende modeli i imponimit demokratik dhe qytetar te ceshtjeve me rendesi te vertete per shoqerine. Fjale te bukura ka sa te duash, por ne ditet e sotme eshte shume te arrish te jesh qytetar.
Shqiperia humbi nje atdhetar qe luftoi po aq shume sa luftuan dhe partizanet me pushke per te mbrojtur vatanin, Humbem shume prej tij.
Lum ai qe le pas vdekjes gjurme dhe Adrian Klosi eshte nje prej tyre.
I perjetshem ka per te ngelur ne zemrat tona, si nje patriot dhe luftetar i guximshem, qe nuk u pajtua kurre me marezite e pushtetareve me vjedhjet e masakrimin e cdo gjeje , si nje analist i shkelqyer, si nje shkrimtar i zoti dhe perkethyes! Ti rrojne njerzit e tij te dashur!
Çfarë trishtimi. Pa fjalë. Prehu në paqe, Ardian Klosi.
Drite eshte; pas “fikjes”, Ardian Klosi, ne menyren e vet, ve ne prove mendjet qe jetojne.
Ngushëllime për shokun dhe njeriun e afërm XhaXha! Për ne që e lexonim, që e mbështetnim, që shpresonim bashkë me të është një humbje e madhe; një goditje e rëndë.
Është shpejt të bëhet një vlerësim real mbi veprën e Klosit, por akoma më shpejt do ndiejmë mungesën e saj.