nga Rael Hoxha
Sinestezia është një fenomen fiziologjik, lidhur me aftësitë neurologjike të njeriut, që krijon lidhje të reja mes neuroneve (sinapse), si eksperienca jo-detyrimisht reale. Raste të tilla si: të shohësh ngjyrën blu teksa shijon një shalqi, ose të përfytyrosh numrin tre, kur dëgjon një notë të caktuar muzikore. Ky devijim ngatërron përvojat me njëra-tjetrën, si një arkiv artificial i perceptimeve të pavullnetshme.
Otium dhe Negotium, janë dy koncepte romake që përshkruajnë ndarjen e veprimtarisë njerëzore të punës, detyrimeve, politikës dhe biznesit (Negotium), dhe çlodhjes, meditimit, leximit, shkrimit (Otium). Prej këtej rrjedh ideja e resorteve dhe vilave bregdetare, të cilat shërbenin si formë rekreacioni. Otium Luxuriosum, ishte forma më dekadente, e cila shoqërohej nga kumari, festat, alkooli, orgjitë dhe pazaret. Këto aktivitete zhvilloheshin në godina private të ndërtuara përgjatë bregdetit të Italisë, në zona tërheqëse si Baia, Kapri, Komo dhe Sorrento, por edhe në të gjitha brigjet më të bukura, dhe zakonisht kishin banja termale, pishina private, rrugë të dedikuara dhe shërbëtorë. Kjo formë veprimtarie, trajtohej si privilegj i elitës, ndërsa plebenjtë nuk mund të ishin pjesë, vetëm nëse shërbenin në to. I famshëm për këtë ishte edhe Kaligula, perandori që ndërtoi jahte luksoze, në të cilat zhvilloheshin festa të çmendura. Aq i njohur u bë ky stil jetese, sa që kasta politike nisi të qeveriste Romën perandorake prej andej, që si pasojë solli edhe degradimin politik, deri në përplasje dhe rrënim të republikës.
Osho, i mbiquajtur “filozofi i të pasurve”, mendonte se dëshira për të sunduar është një sëmundje psikike madje shpirtërore. Shpesh i quante politikanët mediokër dhe egoistë, por nga ana tjetër të varfrit i shihte si një pjesë e shoqërisë që nuk duan të kuptojnë, primitivë, dhe nuk ndiente keqardhje apo përfshirje politike. “Natyra e vërtetë e pushtetit është korrupsioni”, thoshte ai, “ky është edhe qëllimi, i cili shfaqet në ligje dhe rregulla të jashtme, që synojnë të komandojnë për së brendshmi”. Osho ndërtoi një qytet distopik në Oregon, Amerikë, të quajtur “Rajneeshpuram”, i cili funksionoi për rreth katër vjet. Qyteti prej 260 kilometrash katrorë, me popullsi deri në 4 mijë njerëz, u zhyt shpejtë në kaos, me probleme financiare, komunitare, përplasje për territorin dhe përballje me autoritetet. Këto probleme u keqadministruan nga sekretarja e tij, e cila arriti të krijonte edhe një luftë biologjike me banorët e zonës ku u ngrit qyteti butaforik. Më pas, Osho, kreu disa ditë burg dhe u dëbua nga Shtetet e Bashkuara për t’u u kthyer në Indi, i shpallur non grata nga 21 shtete të tjera në gjithë botën.
Ky shembull i lakuar nga media dhe qeveritë asokohe, si një rast dështimi dhe mashtrimi, përfaqëson lidershipin si udhërrëfyes shpirtëror, shpëtimtar i të humburve, dhe njëkohësisht autoritar, që shijon së tepërmi pasuritë materiale, duke e shpallur jetën mbi tokë pothuajse të pavlerë. Nihilizmi spiritual, krijoi një mjet të ri shpëtimi për të pashpresët e Oshos, mbushur me propagandë shterpe nga një lider materialist që pretendonte se nuk detyronte askënd ta ndiqte, edhe pse vetë ai jetonte karshi rregullave dhe ligjeve të sajuara aty për aty. Shumica iu kthyen jetës së mëparshme, ndërsa disa u marrosën pas aventurave personale të liderit, deri sa u mbyllën të gjitha shtigjet shpirtërore pas vdekjes së tij.
Është e sigurt që jetojmë në disa Shqipëri njëkohësisht. Njëra është ajo e qytetarëve të rregullt, të cilët kontribuojnë me rigorozitet në taksa, ekonomi, arsim dhe drejtësi sociale. Një tjetër është ajo e qeverisjes, e cila ndan territoret, administron reformat dhe mbikëqyr ecurinë. Gjithashtu, një tjetër është ajo e “investitorëve strategjikë” dhe pastrimit të parasë. Kryeqyteti i mbart të gjitha në të njëjtën kohë, si bashkëjetuese të ngathëta, të cilat luftojnë për hapësirë. Tirana, me këto hapa ndërtimi dhe uzurpimi territorial, rrezikon seriozisht zhvendosje të tilla sociale, politike dhe psikologjike, si shembujt e mësipërm. Aktualisht po krijohet një hendek mjaft i thellë mes klasave shoqërore, dhe sakaq, trafiku i parave çon në dosjen “Aruba”, “Balluku”, “Kushner”, etj, ndërsa trafiku i automjeteve është si ai i Xhakartës dhe Shangait. Masiviteti i betonit ngjason me Guanzhoun dhe ajri i ndotur ka marrë përmasa gjenocidi, si në qytetin Indian të Lonit, në Uttar Pradesh, i cili mban rekordin prej 23 herësh mbi normën e lejuar nga OBSH. Ndërkohë, shëndetësia publike, në mungesë të shërbimeve cilësore dhe elitare, si uji dhe gjelbërimi, po e kthejnë Tiranën në një gropë të inflamuar dhe të pajetueshme, me 3.3 herë nivel ndotjeje më të lartë se norma.
Politika shqiptare, por jo e vetme, prej mëse 35 vitesh, sundon e papastër dhe e lyer me gjakun e djersën e votuesve dhe abstenuesve të saj. Askush nuk mund të thotë se qarkullimi i habitshëm i parasë në Shqipëri nuk është i lidhur me krimin dhe korrupsionin, sado që të lakohet nga ushtarët e partive kryesore. Nuk u del fundi asnjëherë, dhe nuk u dihet prejardhja burimeve të pamonitoruara, edhe pas hetimeve në ndjekje të shumave që lëvizin ndërkombëtarisht me metodën Hawala (e famshme për transaksionet e pagjurmueshme, ashtu si dhe kriptomonedha). Dukshëm, bashkëpunojnë prej kaq shumë kohësh palët kundërshtare, sa njerëzit e kanë ditur gjithnjë e kujt është çfarë, dhe se kush solli kë, apo nga se rrodhi, e çka pruri. Forma habitore e kësaj marrëdhënieje të bukur armiqsh, ndolli vetëm lëkundjen e tyre të paralajmëruar dhe revoltën e shumëpritur qytetare.
Sipas burimeve zyrtare të pushtetit, në protestën kundër qeverisë u hodhën diversantë të të gjithë llojeve, përfshirë forca të jashtme si Amerika, Irani, Greqia, Serbia, Rusia, apo Kosta-Rika, Aruba, bashkë me Noc Rrokun, antisemitët dhe prosemitët, anti-Trump dhe pro-EU, fashistë dhe monistë, zionistë dhe islamikë, që luajnë rol kryesor në fushatën anti-delir të pushtetit që ka dështuar prej kohësh. Ideja se shumë armiq po bashkohen për të rrëzuar një njeri të vetëm, e bën epike situatën, por edhe patetike. Kjo epokë e re paranoje, ishte mëse e parashikueshme, dhe do të pjellë detyrimisht një rend të ri marrëdhëniesh ndërpolitike dhe ndërarmiqësore në Shqipëri. Por sarkazmi më thumbues ndaj këtij populli fatkeq, është se gjithnjë e ka ngrënë sapunin për djathë, dhe tashmë revolta nuk përfshin vetëm të dërrmuarin e të harruarin, por këdo që i ka ardhur në majtë të hundës me pordhët e një grushti njerëzish që e shohin veten si të paprekshëm, andaj revoltat marrin kuptim, si një mënyrë për të shkundur statukuonë e një kaste. Mund të mos ndryshojë asgjë, por gjithsesi, tashmë, ka ndryshuar.
Synimi kryesor i bashkëpunimit të stërfolur të së majtës me të djathtën, është anestezimi përfundimtar i shoqërisë shqiptare. Ndaj është befasuese për pushtetin se si njerëzit na reaguakan për një breg me rërë, apo një ishull që zbuloi Ivanka dhe njerëzit hardhuca nga kontinenti i ri. Është ofenduese për Ramën dhe Berishën t’u lakohen emrat bashkë me Manen, Kastratin dhe Ulajn, sepse në poker të fluturon koka po të kapën duke bërë hile, dhe s’kanë as si ta justifikojnë bashkëpunimin përpara popullit. Tashmë me shpresë të madhe tek një lumë që vërshon pa drejtim dhe pa ndalim, trungje e gurë do të përfundojnë nëpër brigje të panjohura, si mbeturina nga shtrëngata e paparashikuar. Këtu do përfshihen edhe ata që ende nuk e kuptojnë se stuhitë nuk duan t’ia dinë për flamuj dhe pozita, sepse ato shkatërrojnë gjithçka që u del përpara, edhe agjenturën që përpiqet ta ndalë, apo aktivistët që e shfrytëzojnë fuqinë e saj për një pushtim të pushtetit, ose edhe vetë puçistët nga brenda partisë.
Edhe gara e memeve në pankartat e protestës është një luftë simbolesh dhe imazhesh që flasin më shumë se fjalët në epokën e re, semantikisht korrekte dhe konkurruese, ashtu siç i tutet vetë përdoruesi faraon, i cili ishte i bindur se askush nuk mund ta sfidonte në lëmin e tij. Kjo garë bëhet gjithnjë e më patetike, teksa ai përpiqet t’ia fsheh botës të vërtetën, ndërsa lëvizja mbivendos nacionalizëm mbi gjithçka që kërkon vëmendje, nga çmimi i naftës, deri te kriza mjedisore. Ky subversion i dyanshëm kryen funksione bipolare, me një shtresëzim problemesh që nuk marrin zgjidhje, duke i lënë shteg oligarkisë të sundojë edhe pas vdekjes së mbretit. Istikami i tij duhej të ishte një piedestal, jo një vrimë, teksa ai është i gatshëm të shfrytëzojë këdo, edhe veten. E ja që autoironia e shpie më lart figurën e tij, por edhe viktimizimi kryen rol të dukshëm në radhët e militantëve. Ai i përdor të dyja për arsye fleksibiliteti politik, me një sundim totalitar të fushës së opinionit dhe analizës. Si pasojë, eksperienca bipolare e ka kthyer nga një shkatërrues që ndërtoi, në një ndërtues që po shkatërron.
Vrasja e memories është krimi më i rëndë që mund t’i bësh një qytetërimi, sado i madh apo i vogël të jetë ai, dhe memoria është e lidhur gjithnjë me emocionet, eksperiencat e forta. Të vrasësh memorien është gjenocid intelektual. Kështu farkëtohen heronjtë dhe bëmat e tyre, luftërat për liri dhe kryengritjet. Kështu mbeten gjurmët dhe traumat, përmes kujtesës dhe historisë, sepse njerëzve nuk u pëlqen të jenë të padukshëm dhe të harruar. Kur memoria s’prodhon emocion ose emocioni nuk arrin të prodhojë memorie, atëherë njerëzit nuk arrijnë as të ndjejnë dhe as të kujtojnë të shkuarën, se si duhet të sillen apo si të shtiren me pushtetet dhe pushtuesit në të ardhmen. Çdo kujtim lidhet ngushtë me ndjenjat dhe diçka e nënvetëdijshme i mban lidhur këto të dyja. Kur nuk e shohim, ashtu si shprehja “larg syve, larg zemrës”, gjithçka dhe gjithkush mund të sundojë pa u vënë re për një kohë të gjatë, qofshin ndërtesa, zona të mbrojtura apo individë e liderë dhe legjenda, që zaptojnë territore të civilizimit. Lidhja nuk është vetëm materiale, por është edhe shpirtërore. Kësisoj, eksperienca e kryengritjes lëshon thumbin e saj te çdokush që përballet me shfarosjen e memories, ashtu siç partitë e kanë shfrytëzuar historikisht për të rrëzuar njëra-tjetrën. Në rastin e turizmit është vetë materia që ruan ndjenjat e hidhura, si një arkiv publik për ata që duan të dinë të vërtetën, e cila ulëret pabesi përgjatë zhvillimit ekonomik. Kujtimet kanë të bëjnë me fëmijërinë, dashurinë, prindërit, gjyshërit, lagjet, lojërat, kinematë, vitrinat, rrugicat, shkollat, prapësitë dhe çdo gjë që prodhohet prej eksperiencave të para, ato më të fortat. Nën këtë frymë rriten brezat e deleve dhe të ujqërve, ku mes tyre ka dhe zhaba apo kandrra të shumëllojshme, që pyllin e kthejnë në simfoni ose kakofoni, ndërsa të gjitha kuçedrat jetojnë mbi rrënoja.
Rrëzimi i kujtesës publike është kryer më kohë, sidomos këto dekadat e fundit të inkuizicionit politik, të cilat përcaktuan se kujt i përket toka, se kush është më i forti, më i pasuri dhe kush duhet të ulë kokën apo të zhduket nga faqja e dheut. Edhe ideja e një shteti të drejtë është një ëndërr, një dëshirë, është trashëgimi dhe fantazi, e cila ka vështirësi të përputhet me realitetin vendas. Shqiptari e ka patur qëllim kombëtar të kishte një shtet të drejtë, të ishte i barabartë në arenën ndërkombëtare, madje edhe superior përmes disa vlerave të mbartura nga historia e ndërlikuar europiane. Por politika e keqe dhe apatia shekullore, ia futi turinjtë në baltë dhe ia nxiu faqen kudo. Pa përjashtuar faktin se ndotja kriminale e kastës politike prodhoi vetëm destabilitet, aq sa ktheu njerëzit kundër njëri-tjetrit, largoi dhe shtypi të skamurit e të diturit. Kjo natyrisht i shërben kultit të individit, andaj armatosja e një revolte do ishte revolucion i plotë dhe spastrimi do ishte kriminal gjithashtu, siç ndoshta do ta meritonin, por edhe do ta dëshironin, që kësisoj të martirizonin kauzën e tyre absurde, një vizion që pranohet me dhunë nga masat injorante që u nevojiten si votues.
“Plumbi del me plumb”, rrëzimi i bandave politike është i pashmangshëm, qoftë edhe me dhunë, sot apo nesër, nga shqiptarë apo të huaj. Nuk duhet harruar se çdo perandorie i vjen fundi, dhe ky fund është tjetërsimi, transformimi, siç ndodh me regjimet e mëdha që i kanë rrënjët thellë në pavetëdijen e popullit, aq sa nuk mund të shkulen më kurrë, dhe shpesh ky fund përkon me ngritjen e një regjimi më gjakësor se ai pararendës. Nëse këta armiq të vjetër arrijnë të shpërndajnë masat, të komprometojnë publikun, të prishin rendin e llogaridhënies dhe pendesës, do përballemi me një bashkëpunim që do na shoqërojë me zinxhirë drejt perëndimit. Lumturia, vizioni, bashkëjetesa me fqinjët dhe iniciativat për tregjet e lira ballkanike, do mbushin faqet e para të mediave të huaja për të cilat punon pushteti aktual. Ata do parakalojnë mes turmave, si dy miq të vjetër që i bashkoi një qëllim më i lartë, zhvillimi i Shqipërisë. Ky quhet patetizëm politik, në kontrast me patriotizmin kritik.
Vazhdojmë më lajme të vjetra dhe disa edhe më të vjetra.
Tirana është foltorja e tiranisë, është fletorja e skicave të planeve kapitale dhe faltorja e çdo mëkatari politik, që synon ta shpërndajë si model në çdo cep të territorit të republikës. Prej këndej niset çdo lajm, projekt, vizion, reformë, presion, kontroll, etj. Nuk e kam fjalën për Tiranën e vjetër, atë të kartolinave fashiste, me ministritë neoklasike, apo pyllin orbital dhe rrethimet ushtarake, por për një diabolizëm pervers të lidhjes së drogës dhe ndërtimit, turizmit dhe ndërtimit, politikës dhe ndërtimit, vlerës dhe ndërtimit, krimit dhe ndërtimit, medias dhe ndërtimit, kulturës dhe ndërtimit, me një vizion të ri, që të kujton planet e Hitlerit për Gjermaninë perandorake. Sepse është ndërtimi, holokausti më fitimprurës dhe pastruesi më i mirë i parasë, që e ngre peshë ekonominë tonë të kolonizuar. Ky biznes apokaliptik ka vrarë identitetin, aktualitetin dhe të ardhmen e gjithkujt. Rilindja u krodh në totalitarizëm, dhe nuk duhet ngatërruar me autokracinë, ashtu siç bëri regjimi paraardhës, që polli një sistem përjashtues ndaj kritikëve dhe mosbesuesve, duke i tjetërsuar këta si qytetarë të dorës së dytë, të cilët e meritojnë punën dhe shërbimin vetëm nëse i binden plotësisht masterplanit. Autoriteti shtetëror sundon mbi jetën publike dhe atë private, duke mbajtur privilegjin e ideve, aq sa gradualisht nuk do na lejohet të mendojmë.
Ky progres kombëtar nuk përjashton e nuk fal askënd. Ky intruzion politik ka prodhuar një kataklizëm sektorial, ku bëjnë pjesë edhe pronarët e mediave skllavopronare, si klientë dhe ortakë të pushtetit, investitorë strategjik dhe vullnetarë. Opinionistët e propagandës, që hiqen si kritikë, apo profesorët e makroekonomisë rilindëse, që ndajnë parcelat sipas barinjve, dhe oligarkët industrialë që ndërtojnë degradimin e jetës intelektuale në Shqipëri, janë shpallur aleatë të vizionit përparimtar që synon kryetari i shtetit. Po të numërojmë edhe militantët, injorantët, abuzuesit, përfituesit dhe shumë hajdutë të pozitave të ndryshme, që lulëzuan më shumë se tre dekada tranzicioni gjakatar dhe shpopullues për shqiptarët e të gjitha shtresave, trevave dhe interesave, do duheshin volume të mëdha letre. Të gjitha monstrat që kanë ngrënë dhe hanë ende resurset natyrore, parqet kombëtare, liqenet, plazhet, malet dhe zonat historike, jetojnë mes nesh. Përmes pastrimit masiv të parave nga korrupsionit, trafikut të drogës, armëve, emigracioni, prostitucioni, turizmit dhe nacionalizmit, me ndihmën e policisë së inkriminuar dhe gjyqësorit të implikuar, që mbjell veç neveri dhe urrejtje në popull, u realizua një pjesë e majme e planit. Është e pakët të thuash se politikanët e kanë hapur gropën me duart e tyre përmes kësaj skeme, duhet të presim edha ca për të parë përmasat e vërteta të gangrenizimit. Parajsat fiskale kanë funde të tmerrshme, pasoja shkatërruese mbi popullsinë dhe ekonominë, si dhe lëvizje masive të popullsisë dhe pushtetit, kriza të thella shoqërore, deri në luftë civile. Kjo autokraci që tranziton në burokraci përgjatë integrimit në BE, mund të shkasë në anarki funksionale dhe të anashkalojë plotësisht disa role autoritare, për të ruajtur pavarësinë e institucioneve publike.
Atlantida u shkatërrua dhe u fundos nën oqean brenda natës, për shkak të degradimit shoqëror, arrogancës dhe shthurjes, sipas mitit, por mbase u zëvendësua, u gropos nga ndërtimet, nga zhvillimi strategjik, nga politika dhe korrupsioni, deri sa u mbyt. Ky nuk është i vetmi rast që vjen si mësim nga antikiteti, të tjerë qytete si Sodoma, Gomorrah, Tripurah, vuajtën të njëjtin fund. Qytetet mund të thërrmohen por qytetërimet nuk avullojnë, ato shndërrohen, provincat, qytetet, fshatrat, të ngarkuara dhe të gjalla, varfëro deri në kufi të përpirjes së njëra-tjetrës. Grykësia e kastave udhëheqëse e bëri të pamundur administrimin e tyre, aq sa u plaçkitën dhe u braktisën, u dogjën dhe u përmbytën. Sot, mrekullitë e tyre civile dhe inxhinierike, ekzistojnë më së shumti në zona arkeologjike, artefakte muzeale dhe libra historie, por gjithsesi kujtohen e nderohen për arritjet e tyre, për jetëgjatësinë dhe shkëlqimin, pa marrë parasysh se pas këtij shkëlqimi fshihet dhuna, shtypja, persekutimi dhe tmerri që kanë shkaktuar këto sisteme.
Harresa është e ardhmja përfundimtare e çdo pushteti, prandaj liderët kërkojnë lavdi personale. Kjo harresë mbulon gjithçka, pallate mbretërore, monumente pushteti, turizëm elitar, luftëra për territor, pasuri dhe lavdi. Të mos kujtohesh, është sikur të mos kesh ekzistuar kurrë, ndaj udhëheqësit punojnë vetëm për librat e historisë dhe lartësimin e emrit. Njeriu nuk jeton pa një zemër dhe një trup, ashtu siç pushteti nuk jeton dot pa popull dhe ushtarë. Këto fate ndërlidhen, përplasen dhe përshtaten, deri sa vulosin ideologjitë.
Sot mund të jemi duke përjetuar fundin e historisë, ku ideologjitë nuk ndahen, pushtetet synojnë të njëjtin qëllim, demokracia liberale nuk arrin të mbajë premtimin e meritokracisë, drejtësisë dhe shpërndarjes, duke kapërcyer në sisteme totalitare që kenë si oponencë vetë demokracinë. Me kopjimin e modelit nga shtetet që duan të njëjtat përfitime, bota shkoi drejt unifikimit ideologjik, që tashmë i ndan vetëm religjioni. Por edhe këtu, rasti i Fukujamës, ndjek ligjin e progresit si motor përparimi, duke evidentuar disa nënklasa sistemesh, nga ato fetare dhe deri tek ato tribale, me argumentin se pas revolucionit francez ndryshoi historia, dhe pas luftës së ftohtë të gjitha qeveritë u kapën pas kapitalizmit për ndërtimin e një shteti të fuqishëm. Ai parashikon se ngritja e autoritarizmit do ta konkurrojë fort demokracinë liberale, përmes ligjit të xhunglës, ku secila prej fuqive do të mundohet të sundojë mbi mundësitë dhe resurset që ka, me marrëveshje të vazhdueshme ndërkombëtare, për shkak se asnjë prej shteteve nuk do të ketë pushtet absolut mbi shtete të tjera. Kësisoj, ai e lë të hapur idenë e neokolonializmit, si mundësi ekonomike, por duke parashikuar se do të ketë një nevojë për territore të reja, qofshin edhe jashtë globit, me një njerëzim gjithnjë e më të pamotivuar në mungesë të alternativave.
Si justifikohet mungesa e dashurisë për vendin tënd?
E re, e rinovuar, e rindërtuar, e rikonceptuar, e rilindur, e rinuar, vendosja e konceptit të “ri-ri-ri-mit”, e bën gjithçka të tingëllojë e vjetruar, e vdekur, e gabuar, sikur ka nevojë për përmirësim. “Novacion” – është një fjalë që përkthehet “risi”, që nuk nënkupton ndreqjen e diçkaje të vjetruar, por një lindje të re, të pandotur. Nëse kjo lindje vjen si pasojë e një vdekje të detyruar, nuk është më jetë, por është një krim. Rilindje apo ringjallje? Mos vallë do të thotë që duhet të kesh vdekur më parë, apo s’duhet të kishe lindur fare? Janë të dyja fjalë mohuese të jetës së mëparshme. Një pangopësi e të ndryshuarit me çdo kusht, e cila sjell terror publik dhe vret gjithçka që i del përpara. Nuk arrij ta shquaj mirësinë tek kjo fjalë, as në përdorimin paqësor. Rilindja është eksperiencë tronditëse, shkatërrimtare për çdo gjë që ka ekzistuar përpara saj. Të gjitha partitë politike e kanë shfrytëzuar ndër shekuj këtë koncept në programet e pushtetit dhe pushtimit. Sipas metodave shtypëse, këto janë plane rigjenerimi, edhe pse kolonizuese dhe në dëm të njerëzve, pronës së tyre private, publike, intelektuale dhe kulturore, deri në zhdukjen e ndërgjegjes, kujtesës dhe identitetit, duke i vulosur shpesh si ligje, që nuk reflektojnë drejtësi.
Më poshtë, shkëputur nga Neni 33, i ligjit Nr. 21, Datë: 2024.
Veprimtaritë që lejohen të ushtrohen në zonat e mbrojtura mjedisore janë:
Pika 2. Veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur.
I gjithë diskutimi publik reduktohet në turizëm elitar dhe turizëm masiv, ndërkohë që diskutimi i vërtetë është ndarja e klasave njëherë e mirë. Nuk ka turizëm elitar në Shqipëri, vetëm interesa të ngushta pronash dhe parash të pista. Kjo është një luftë klasash, e cila u vu re edhe në volumin 800-faqësh të dalë nga 60 studio arkitekture, të cilat sollën projektet e tyre në panairin “Bukë dhe Zemër” 2026 (që nuk pati as bukë e as zemër), për Shqipërinë e re që do ndërtojë Edi Rama dhe kasta e vjetër politike. Me justifikim zhvillimin ekonomik përmes turizmit elitar, panairi pushtoi tokën, detin, lumenjtë e liqenet dhe malet. Gjithsesi, harrojnë se turisti elitar e dallon një krim mjedisor dhe njollën e zezë të korrupsionit që shkatërron natyrën. Si çdo kategori tjetër turisti, ata duan kulturën, traditën, natyrën e egër, aventurën e rastit, biodiversitetin, ushqimin e pakontaminuar, ajrin e pastër, dhe asgjë nga këto fëlliqësira betoni që ofron pseudo-turizmi me pesë yje në vendin tonë, që nuk i shërben dot elitarit, kur nuk i pëlqen as plebeut.
Përmbytjet, abuzimet me ndërtimin, me zonat e ruajtura, mungesa e planifikimit, mungesa e shërbimeve, shëndetësisë, arsimit në zonat rurale, infrastruktura e dobët, rrugët e lëna pas dore, fshatrat e izoluara, uzurpimi i plazheve, tokave, pronave dhe varfërimi i zonave bujqësore, përfshi këtu emigrimin masiv, taksimi i lartë, niveli i jetesës së ulët, janë probleme reale dhe tregues të një lidershipi që ngjan me sindromën savant, ku i prekuri shfaq aftësi gjeniale në një drejtim, por i mungojnë ato më të thjeshtat. Kjo formulë qeverisjeje polli edhe betonizimin progresist në vendin tonë, ndaj të cilit, të prekur rëndë nga ky fenomen, njerëzit do jenë doemos kundër.
T’u qepemi fushave dhe maleve, t’i kthejmë në resorte, si bregdeti!
(c) 2026 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.