Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

TIRANIA E FJALËS

retorika presidenciale dhe debati për demokracinë

Ditët e fundit, presidenti Trump ka postuar në platformën e tij Truth Social një sërë mesazhesh që kanë bërë përshtypje për ashpërsinë e tyre të skajshme, edhe pse ajo gjuhë ka qenë tipar i tij kryesor qysh prej hyrjes në politikë në vitin 2015.

Të tilla ishin p.sh. montazhi i disa personaliteteve të ish-administratës Obama – me në krye këtë të fundit – të shfaqur me rroba burgu e të etiketuar si “figura të errëta”, “njerëz të këqij”, “të sëmurë” dhe “shkatërrimtarë” të vendit. Një tjetër i ngjashëm i drejtohej me fjalë fyese një gjyqtari, pa ia kursyer as bashkëshorten, sepse ai kish marrë një vendim jo në favor të presidentit. E gjithashtu disa postime drejtuar kryebashkiakut të Chicago-s apo figurave të tjera publike.

Sot kësi postimesh kalohen pothuaj pa ndonjë reagim të veçantë, për të mos folur për shqetësim, nga të dy krahët e politikës. Elitat duken të mësuara prej kohësh me atë mori fyerjesh e fjalori të ulët që del përditë nga goja dhe duart e presidentit në adresë të kundërshtarëve, realë apo të perceptuar, një model komunikimi që, fatkeqësisht, është kthyer në standardin e ri të politikës amerikane.

Por këtu po dua të ngre një problem më të thellë: atë të retorikës presidenciale në vetvete dhe të rëndësisë së saj jetike për institucionet demokratike dhe shoqërinë në përgjithësi (1).

Kapitali social, besimi dhe roli historik i presidencës

Dihet se në demokracitë moderne pushteti s’mbështetet veç mbi dokumente formale si kushtetutat e ligjet, apo mbi aparatin shtetëror e policinë. Ato kanë nevojë jetike për një tërësi normash të pashkruara, një rrjet bashkëpunimi e besimi reciprok, një realitet i përbashkët që e bën shoqërinë të funksionojë pa qenë nevoja për frikë apo detyrim të vazhdueshëm, ajo që sociologu Robert Putnam e quan “kapital social”.

Kjo s’do të thotë aspak që qytetarët duhet të mendojnë njësoj. Përkundrazi, shoqëritë e suksesshme liberale perëndimore kanë nxitur me vendosmëri traditën e mendimit ndryshe dhe të debateve të ashpra publike. Por në çdo rast ballafaqimi ka nënkuptuar një bazë minimale faktesh si edhe pranimin e legjitimitetit të personit apo të palës përballë. Me fjalë të tjera qytetarët duhet të jenë të gatshëm jo vetëm të bashkëjetojnë me njerëz që mendojnë ndryshe, por edhe t’i respektojnë si të barabartë, si pjesëmarrës në të njëjtin rend kushtetues.

Mbi këtë premisë funksionojnë edhe mekanizmat e shtetit. Administrata tatimore, për shembull, arrin t’i mbledhë taksat sepse shumica e qytetarëve besojnë se sistemi është në thelb legjitim. Aparati i drejtësisë dhe gjykatat respektohen sepse njerëzit i pranojnë vendimet e tyre edhe nëse s’pajtohen me to. Në mënyrë të ngjashme, edhe ndërrimi i pushteteve nëpërmjet zgjedhjeve bëhet i mundur sepse pala humbëse pranon rezultatin, ndërsa fituesit pranojnë që opozita të konsiderohet rival legjitim, e jo armik ekzistencial.

Për rrjedhim, nëse ky rrjet i kapitalit social dobësohet apo shpërbëhet, vetë sistemi vihet në rrezik, institucionet mund të vazhdojnë të ekzistojnë formalisht, por e humbasin efektivitetin real e madje mund të kthehen në karikatura të vetvetes.

Mekanizmat në fjalë janë shumë më të brishta se duken, dhe pikërisht këtu hyn në lojë roli i retorikës presidenciale.

Kjo sepse në Shtetet e Bashkuara, presidenti s’është vetëm kreu i pushtetit ekzekutiv, por edhe kryetar i shtetit dhe figura simbolike qendrore e republikës. Për arsye të këtij autoritetit kushtetues dhe simbolik, te pakrahasueshëm me asnjë post tjetër, edhe komunikimi presidencial merr një peshë institucionale unike.

Në këtë kuptim gjuha fyese e qytetarëve, mediave apo e çdo politikani tjetër, mund të jetë problematike, por ndikimi i saj mbetet i kufizuar. Për shembull, veprimi i kryetares (Speaker) së Kongresit, Nancy Pelosi, në shkurt 2020, kur ajo grisi publikisht fjalimin e sapombajtur nga presidenti Trump në State of the Union, ishte padyshim i rëndë dhe fyes, por ai mbeti një akt proteste politike. Ndërsa kur fyerjet apo gjestet përçmuese vijnë nga presidenti, ato vishen automatikisht me autoritetin e vetë shtetit.

Një nga paradokset më interesante të sistemit amerikan është se Kushtetuta u projektua nga etërit themelues mbi parimin e mosbesimit ndaj pushtetit të përqendruar: ata krijuan një numër kontrollesh të ndërsjellta (checks and balances) në mënyrë që qeveria federale të mos kthehej në tirani. Megjithatë, me kalimin e kohës, pozicioni i presidentit mori një peshë simbolike shumë më të madhe nga ç’parashikohej fillimisht, duke iu afruar asaj të një “monarku republikan”: një figurë që, edhe pse pa pushtet absolut, mishëron shtetin dhe kombin (2).

Për shkak të këtij roli të jashtëzakonshëm publik, presidenca ka funksionuar edhe si “zëri moral” i shtetit. Mënyra se si presidenti shprehet për institucionet, zgjedhjet, median dhe kundërshtarët politikë ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në nivelin e besimit brenda vendit, por edhe në opinionin ndërkombëtar ndaj SHBA. Retorika presidenciale s’është pra thjesht çështje stili apo komunikimi politik, por një element bazë, me aftësinë t’i forcojë ose minojë normat e lartpërmendura.

E vërteta është se historia e vendit ka njohur një sërë konfliktesh të ashpra politike, dhe tradita amerikane s’ka qenë aspak ajo e mirësjelljes, apo harmonisë sipërfaqësore. Përkundrazi, presidentët i kanë sulmuar fort kundërshtarët dhe kanë përdorur gjerësisht propagandën për të ndikuar e manipuluar opinionin publik. E megjithatë disa vija të pakalueshme janë respektuar në vazhdimësi, si ruajtja e besimit tek sistemi kushtetues, refuzimi për të delegjitimuar rolin e arbitrit institucional, dhe mishërimi i unitetit të kombit.

Në këtë aspekt, presidentët kanë luajtur edhe një rol si të thuash “pedagogjik”, sepse gjuha e tyre ka përcaktuar kufijtë e asaj që konsiderohet e pranueshme në diskursin kombëtar, duke vendosur pra standardet për trajtimin jo vetëm të institucioneve, por sidomos të kundërshtarëve.

Abraham Lincoln është padyshim shembulli më kuptimplotë i një roli të tillë. Duke qenë president gjatë Luftës Civile, ai u përball me krizën më të rëndë ekzistenciale të historisë së vendit. E megjithatë, edhe kur mijëra amerikanë vriteshin me njëri-tjetrin në fushat e betejave, retorika e tij mbeti e orientuar drejt vullnetit të mirë dhe ruajtjes së vazhdimësisë kushtetuese.

Kështu në fjalimin e tij të dytë përurues, në mars 1865, Lincoln s’u lut për triumfin e Veriut, palës së tij, por që i tërë vendi të shpëtonte sa më parë nga “mallkimi i rëndë i luftës”. Duke folur si president i të gjithë amerikanëve, ai bëri thirrje që askush të mos trajtohej paskëtaj “me keqdashje, por veç me mëshirë e dashuri”. S’kemi të bëjmë këtu thjesht me një gjuhë morale, por me një strategji të mirëfilltë për mbijetesën e republikës: ajo do të ishte e pamundur nëse gjysma e vendit do të konsiderohej përgjithmonë si armike dhe ilegjitime.

Një dëshmi tjetër e mbizotërimit të respektit për institucionet ishte edhe dorëheqja e Richard Nixon pas skandalit Watergate. Pavarësisht sulmeve të ashpra ndaj medias dhe rivalëve, ai pranoi më në fund largimin për të shmangur një kolaps kushtetues, një akt që tregoi më së miri aftësinë e sistemit për t’u vetëkorrigjuar.  

Ndërsa tre raste të tjera të mëvonshme tregojnë respektimin e traditës për kalimin paqësor të pushtetit si aspekt themelor i politikës amerikane.

Letra që presidenti George H W Bush la për Bill Clinton në janar 1993 mbetet një model i dorëzimit të pushtetit me dinjitet: edhe pse fushata kish qenë tepër e ashpër, presidenti në ikje i premtonte pasardhësit përkrahjen e tij të plotë. Duke shkruar se suksesi i tij do të ishte tashmë “suksesi i të gjithë vendit”, Bush vendoste qartësisht institucionin mbi zhgënjimin e humbjes personale.

E njëjta normë u rikonfirmua fuqishëm nga zv/presidenti Al Gore pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2000. Pavarësisht polemikave të mëdha rreth numërimit të votave, Gore zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke u shprehur se “për hir të unitetit të vendit dhe të forcimit të demokracisë, unë pranoj rezultatin”.

Edhe presidenti George W Bush dëshmoi po këtë frymë në letrën për pasardhësin Barack Obama më 2009 duke i shprehur atij tërë përkrahjen e duke i uruar sukses të plotë.

Në të gjitha rastet e mësipërme shohim të mishërohet parimi themelor amerikan: qëndrueshmëria e sistemit është gjithmonë më e rëndësishme se ambicia apo revolta personale.

Transformimi mediatik i presidencës: nga radioja te rrjetet sociale

Ndërkaq një vështrim mbi transformimin historik të platformave të komunikimit na ofron një element tjetër thelbësor për të kuptuar krizën aktuale, sepse mënyrat e shprehjes dhe ndikimi i autoritetit presidencial kanë ndryshuar paralelisht me zhvillimin e teknologjisë.

Në epokën e shtypit tradicional, presidenti komunikonte relativisht rrallë dhe mesazhi i tij do të komentohej e interpretohej doemos prej gazetarëve të çdo krahu.

Ishte lindja e radios ajo që solli ndryshimin e parë rrënjësor në këtë marrëdhënie, në formën e “bisedave pranë vatrës” (fireside chats) të presidentit Franklin D Roosevelt. Një seri fjalimesh në radio, ato u konceptuan prej tij si mënyra më e mirë për t’iu drejtuar amerikanëve drejtpërsëdrejti e për t’u shpjeguar nga afër politikat e tij në çastet kritike të krizës së madhe të viteve’30. Por përveç anës praktike, ato patën edhe një efekt tjetër më të thellë sepse presidenti hyri në familjet amerikane edhe nga ana emocionale, pra si bashkëqytetar i tyre.

Më pas dalja e televizionit e transformoi sërish presidencën, dhe kjo përkoi me personalitetin karismatik të John F Kennedy. Fillimi i viteve ‘60 simbolizon kësisoj lindjen e epokës moderne në mediat, kur imazhi dhe mënyra e paraqitjes publike vijnë e bëhen po aq përcaktuese sa edhe programi apo politikat e zbatuara konkretisht.

Megjithatë, ndryshimi më i thellë ishte interneti dhe rrjetet sociale: për herë të parë presidenti kishte mundësinë të komunikonte drejtpërdrejt me miliona qytetarë, duke anashkaluar tërësisht ndërmjetësimin nga mediat tradicionale. Ky kapërcim u përshëndet fillimisht si demokratizim i komunikimit publik, por në realitet ai e futi presidencën, ashtu si edhe aktorët e tjerë publikë, në kurthin e logjikës emocionale të algoritmeve.

Në këtë mjedis të ri digjital vëmendja u shndërrua befas në valutën mbizotëruese, duke bërë që suksesi të matet me nxitjen e konflikteve gjithfarësh, me polarizimin moral, me hiperbolizime, teori konspirative e reagime të menjëhershme, duke lënë pra mënjanë logjikën e shëndoshë. Virtytet e trashëguara nga filozofia e lashtë, si maturia e moderimi, megjithëse të vërtetuara në praktikë nga evolucioni i gjatë i marrëdhënieve politike, kthehen sakaq në disavantazhe. E meqë valuta e vetme është vëmendja, liderët që flasin me kujdes e me nuancë janë të destinuar të humbasin përballë atyre që prodhojnë konflikt të vazhdueshëm.

Ky realitet i ri digjital na kujton paralajmërimet e filozofes Hannah Arendt rreth rrezikut më të madh për demokracinë moderne: zbehjes dhe përhumbjes së sferës së përbashkët publike, apo të kapitalit social që përmendëm. Dhe elementi më shkatërrues në këtë mes është zhdukja e kufirit ndërmjet të vërtetës dhe propagandës: qytetarët s’janë kësisoj të aftë të bien dakord për faktet, çka ja heq demokracisë bazën e saj racionale.

Një shoqëri e hapur demokratike, e mbështetur mbi parimin e madh amerikan të “miratimit të qeverisësve nga të qeverisurit” (consent of the governed) (3) s’kërkon kurrsesi që të gjithë të mendojnë njësoj. Por nga ana tjetër ajo kërkon domosdo ekzistencën e një realiteti objektiv mbi të cilin mund të ngrihen pastaj interpretime nga më të ndryshmet.

Në këtë kuptim dukuria që thirret zakonisht me termin polarizim s’është tjetër veçse tkurrja dhe dobësimi i vazhdueshëm i atij realiteti, një prirje tepër e rrezikshme, e pranishme në Amerikë prej disa dekadash, por në rritje galopante këto vitet e fundit.

Prandaj futja e konceptit të “fakteve alternative” (alternative facts) nga këshilltarja e dikurshme e Shtëpisë Bardhë, Kellyanne Conway (4), s’ishte lapsus, por një kodifikim kuptimplotë i këtyre prirjeve: zhdukjes së realitetit të përbashkët sipas asaj që “secili ka faktet e veta”.

Duhet theksuar se elita e majtë amerikane është po aq përgjegjëse për këtë në përpjekjet për t’iu kundërvënë populizmit. Gjuha e saj ka qenë përjashtuese në vazhdimësi, si p.sh. duke paraqitur çdo fushatë zgjedhore jo si garë mes programesh politike, por si “betejë ekzistenciale për mbijetesën e demokracisë”. Dhe është e lehtë të kuptohet se kur kundërshtari nuk shihet më si rival, por si “kërcënim fashist”, politika e ka tepër të vështirë të mbetet proces negociatash, siç duhet të jetë: ajo kthehet në një “luftë të shenjtë” ku hapësira për kompromis ngushtohet, apo edhe zhduket.

Rasti Trump: delegjitimimi i arbitrit institucional

Kjo na sjell tek rasti i Donald Trump që po shqyrtojmë, dhe duhet thënë se debati rreth tij përqendrohet kryesisht në pyetjen nëse ai është “më i ashpër” apo “më polarizues” krahasuar me paraardhësit. Por ky është një vështrim sipërfaqësor, sepse historia amerikane ka njohur edhe presidentë të tjerë konfliktualë.

Kështu p.sh. Andrew Jackson (1829-1837) ishte tepër agresiv me kundërshtarët, Richard Nixon (1969-1974) përdorte, sidomos ndaj medias, një retorikë të ashpër e madje armiqësore, ndërsa F D Roosevelt (1933-1945) dhe Ronald Reagan (1981-1989) karakterizoheshin nga polarizime të forta ideologjike.

Për këtë arsye ndryshimi ogurzi që solli Trump s’ishte thjesht zhdukja e rregullave të “mirësjelljes” në politikë, por delegjitimimi në vijimësi i vetë rolit të arbitrit institucional.

Sulmeve të tij s’i ka shpëtuar asnjë nga institucionet që sigurojnë funksionimin e rregullt e të suksesshëm të një demokracie liberale.

Institucioni i zgjedhjeve të lira, elementi më parësor i një demokracie të tillë, ishte në qendër të fushatës së kritikave tejet të ashpra presidenciale pas zgjedhjeve të nëntorit 2020. Pretendimi i përsëritur se “zgjedhjet u vodhën” çoi në ngjarjet e 6 janarit 2021 në Capitol Hill, hera e parë në historinë amerikane ku procedura e kalimit paqësor të pushtetit u detyrua të ndërpritej për disa orë.

Po ashtu fyerjet e panumërta personale ndaj gjyqtarëve, si rasti që përmendëm në fillim të këtij artikulli, s’mund të mos cenojnë respektin për gjykatat e krejt sistemin gjyqësor, duke minuar rrjedhimisht edhe legjitimitetin e tyre.

E njëjta gjë vlen edhe për institucionin e mediave, sepse etiketimi i tyre famëkeq si “armiq të popullit” (the enemy of the people) dhe futja e konceptit fake news pavarësisht nga saktësia e raportimit, shënoi padyshim kapërcimin e një “vije të kuqe”. Kjo është për t’u theksuar sepse s’kemi të bëjmë me një debat normal mbi njëanshmërinë e mediave, që mbetet problem i vërtetë në hapësirën publike. Por përdorimi në vazhdimësi i epiteteve të tilla përjashtuese nga ana e kryetarit të shtetit krijon domosdoshmërisht një klimë ku institucionet e pavarura humbasin çdo autoritet.

E më në fund, një vijë tjetër e kuqe e kapërcyer nga Trump, e madje më e rëndësishmja për imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë, është qëndrimi që ai ka mbajtur e mban ndaj paraardhësve të tij në forume ndërkombëtare.

Përmendëm më lart normat e pashkruara që mbajnë në këmbë një sistem demokratik, dhe në fakt presidentët amerikanë i janë përmbajtur historikisht njërës ndër më të rreptave mes tyre, asaj që “politika s’mund ta kalojë oqeanin” (politics stops at the water’s edge). Kjo do të thotë që presidenti duhet t’i shmanget shfaqjes së pakënaqësive lidhur me politikën e brendshme, kritikave ndaj kundërshtarëve, e aq më tepër fyerjeve ndaj paraardhësve, kur ai ndodhet në tokë të huaj. Qëllimi i kësaj norme është vetëm një: respektimi i imazhit institucional të Shteteve të Bashkuara në botë, me theksimin e pjesës së dytë të emërtimit të tyre zyrtar, qenies bashkë (5).

Trump e shkeli hapur këtë normë gjatë mandatit të parë, duke vënë publikisht në shënjestër paraardhësit e tij gjatë vizitave jashtë vendit, e madje duke shprehur miratim për kritikat e lëshuara nga armiq të deklaruar të Amerikës, si Kim i Koresë së Veriut (6). Ndërsa në janarin e kaluar, në Davos, ai ofendoi paraardhësin Biden para një audience elitare globale, një mosrespektim i qartë i imazhit institucional që thamë.

Nga ana tjetër, për mbështetësit e tij, kjo gjuhë e rëndë shihet si mjeti i vetëm autentik për të nxjerrë në shesh hipokrizinë e një elite që e ka humbur kontaktin me realitetin.

Vërtetësia e kësaj konsiderate është çështje e veçantë që ja vlen të diskutohet gjatë, e që del jashtë kornizave të këtij shkrimi. Por është e sigurt se nëse presidenti u drejtohet në vazhdimësi kundërshtarëve me fyerje e poshtërime gjithfarësh, nëse i portretizon ata rregullisht si “armik’ e tradhëtorë”, dhe nëse interesi e përfitimi personal vihen në çdo rast mbi respektin ndaj traditave e ndaj vendit, parimet bazë të bashkëjetesës demokratike minohen keqas.

Mund të thuhet se retorika negative ka arritur tashmë në pikën ku qenia “republikan i mirë” s’përcaktohet më nga parimet ideologjike konservatore, por kryekëput nga besnikëria ndaj një njeriu të vetëm.

Kjo logjikë, ku partia identifikohet me udhëheqësin suprem, sjell detyrimisht në kujtesë, sidomos për shqiptarët që kanë jetuar epokën enveriste, një model totalitar ku devijimi më i vogël nga vija e “njëshit” cilësohej si tradhti ndaj atdheut.

Në këtë vështrim duket se, përveç emrit zyrtar, s’ka mbetur më sot asnjë ngjashmëri ndërmjet Abraham Lincoln, themeluesit të Partisë Republikane, dhe udhëheqjes së saj të sotme (7).

Dështimet e establishmentit dhe pasojat afatgjata: Trump shkak apo simptomë?

Megjithë zhvillimet që përshkruam më lart, Donald Trump s’mund të konsiderohet kurrsesi shkaku i vetëm, dhe i izoluar, i gjendjes së sotme. Kjo sepse, për fat të keq, mosbesimi ndaj institucioneve ka njohur prej disa dekadash vetëm rritje, i nxitur e i mbajtur gjallë nga dështimet e njëpasnjëshme të elitave politike të vendit.

Kështu lufta e Irakut më 2003 ishte e bazuar mbi premisën e “armëve të shkatërrimit në masë”, e cila rezultoi krejtësisht e rreme, e ashtu dëmtoi rëndë besueshmërinë e drejtuesve, dhe të aparatit shtetëror në përgjithësi. Ndërsa menaxhimi i vajtueshëm i krizës financiare të vitit 2008 nga një administratë demokrate vulosi përfundimisht tek qytetarët përshtypjen se sistemi ekonomik s’funksiononte në favor të tyre, por në favor të elitave të të dy partive.

Bash për këtë arsye mund të themi se Donald Trump s’e krijoi nga hiçi krizën e mosbesimit: ai veç arriti ta kanalizonte e ta intensifikonte atë me mjeshtëri të lartë politike, duke u shfaqur njëkohësisht edhe si produkt, edhe si përshpejtues i krizës në fjalë.

Shqetësimi kryesor në këtë situatë është se delegjitimimi i vazhdueshëm që përshkruam krijon efekte përtej afateve të një apo disa cikleve zgjedhorë.

Duhet bërë këtu edhe një dallim tjetër thelbësor: kritikat e politikave specifike të palës përballë, madje edhe me retorikë të rëndë, nuk sjellin dëme afatgjata për sistemin. Ato politika, në çfarëdo fushe qofshin, mund të ndryshohen, apo edhe të përmbysen nga administrata e ardhshme në pushtet.

Dëmi i vërtetë, dhe i pariparueshëm, ndodh kur denigrohen e hidhen poshtë normat e pashkruara të bashkëjetesës institucionale, ato që Alexis de Tocqueville i pat quajtur  “zakone” (mœurs) e që përbëjnë, siç thamë, rrjetën e padukshme të kapitalit social, bazën e arkitekturës republikane. Ajo rrjetë është thurur e konsoliduar përmes përvojës historike të disa shekujve, por mund të shkatërrohet shumë lehtë e madje shumë shpejt.

Mund të duket ndërkaq sikur problemi i shtruar më sipër i mëshon më tepër tonit e jo përmbajtjes së diskursit politik, mirëpo duhet pasur parasysh se në një demokraci, toni është edhe përmbajtje. Mënyra si flasin udhëheqësit ndikon së tepërmi në mënyrën si qytetarët e konsiderojnë dhe trajtojnë kundërshtarin politik, dhe vetë sistemin, prej ku edhe roli i jashtëzakonshëm i mesazhit që vjen nga presidenti e nga Shtëpia e Bardhë.

Thamë aty më sipër se të gjitha demokracitë, e jo vetëm ajo amerikane, funksionojnë sepse humbësit e pranojnë rezultatin si legjitim, e prandaj në çdo rast vazhdimësia e sistemit varet në radhë të parë nga qëndrimi i tyre, pra i palës humbëse. Nëse, për çfarëdo arsye, besimi tek sistemi zgjedhor tronditet dhe secila parti fillon të besojë se humbja është automatikisht produkt manipulimesh, mekanizmi patjetër që paralizohet plotësisht.

Ironia historike është se pikërisht në këtë klimë mosbesimi të thellë do të kremtohet së shpejti 250 vjetori i revolucionit dhe i themelimit të Shteteve të Bashkuara. Pyetja e madhe që mbetet pezull është nëse institucionet amerikane do të arrijnë ta ruajnë aftësinë e tyre vetëkorrigjuese, apo nëse standardet të reja janë tashmë të pakthyeshme.

Gati dy dekada më parë, gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2008, kandidati republikan John McCain bëri një gjest të famshëm duke korrigjuar aty për aty një mbështetëse të tij gjatë një mitingu, dhe duke mbrojtur dinjitetin njerëzor e legjitimitetin patriotik të rivalit të tij demokrat, Barack Obama.

Sot, në prag të jubileut madhor të 4 korrikut, mbetet për t’u parë nëse ai qëndrim i McCain do të kujtohet nga historia si dëshmi e gjallë e qytetarisë amerikane, apo si akti i fundit i një epoke të perënduar të mirësjelljes dhe stabilitetit demokratik të republikës së themeluar më 1776.

(c) 2026 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

====================

(1) këtu po konsiderojmë vetëm retorikën ndaj aktorëve brenda vendit, jo të tjerëve si Europa, NATO, Papa Leoni XIV apo Irani.

(2) roli i presidentit ishte një nga çështjet më të debatuara në Konventën Kushtetuese më 1787.

(3) ky parim është shtjelluar sidomos nga filozofi anglez John Locke (1632-1704), por revolucioni amerikan e ktheu atë praktikisht në gurin themeltar të demokracive liberale të tipit perëndimor.

(4) koncepti u përdor gjatë një interviste televizive në janar 2017 lidhur me një temë fare dytësore, madhësia e turmës në ceremoninë e përurimit të Trump, por rëndësia e tij për retorikën politike të vendit rezultoi emblematike.

(5) shprehja latine “e pluribus unum” (nga shumë, në një), motoja zyrtare e SHBA prej themelimit deri më 1956, shihet qartë edhe në stemën e tyre.

(6) në maj 2019, gjatë një vizite zyrtare në Japoni, i pyetur rreth fyerjeve të mediave koreano-veriore drejtuar Biden, Trump deklaroi se “administrata e Joe Biden me Presidentin Obama ishte katastrofë në shumë drejtime… kështu që unë pajtohem për këtë me [Kim Jong Un].”

(7) kjo qëndron edhe për Partinë Demokratike, por objekt i vetëm i kësaj analize është retorika që vjen nga Shtëpia e Bardhë, e cila sot është në duart e liderit republikan.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading