Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion / Sociologji

DJE PËRBUZJE, SOT SHEMBULL

Në një shkrim në The Guardian[1], Lea Ypi thekson se protestat në Shqipëri kundër një projekti luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, të cilat kanë nisur në zonën e Zvërnecit dhe janë shtrirë më gjerë, shprehin një formë të re mobilizimi qytetar të bazuar në vetërespekt dhe kundërshtim ndaj kapjes oligarkike. Ajo sugjeron se, në vend që Shqipëria të “arrijë Evropën”, këto lëvizje mund të shërbejnë si shembull për Evropën, duke treguar një model alternativ zhvillimi që lidh mbrojtjen e mjedisit me legjitimitetin demokratik. Por artikulli i Ypit nuk është i vetmi në këtë drejtim në Britaninë e Madhe. Në një artikull në “IBT”[2], Audrey Liza M. Nolasco e quan lëvizjen “revolution”, duke e paraqitur si rezistencë qytetare ndaj privatizimit të bregdetit dhe thekson shqetësimet për pronën dhe transparencën. Po The Guardian[3], në një tjetër artikull, thekson shkatërrimin e mjedisit, mungesën e konsultimit dhe rolin e OJQ-ve mjedisore. Po ashtu, edhe Anna Flori shkruan për Euronews[4] duke theksuar mbrojtjen e ekosistemeve dhe duke përmendur mungesën e konsultimit publik. Me këtë artikull ajo u jep zë aktivistëve dhe qytetarëve.

Pra, shqiptarët, që deri dje në diskursin politik britanik shpesh trajtoheshin si “problem importi”[5] që po sulmonte ishullin, sot shfaqen si shembull i rezistencës qytetare ndaj oligarkisë, madje duke u përdorur si argument për demokraci dhe transparencë në Evropë.

Në Gjermani, mediat gjermane u morën edhe ato me protestat në Shqipëri, por më shumë në kontekstin se projekti në Zvërnec lidhet me familjen Trump. Me një qasje më teknike, siç është zakonisht stili i tyre, dhe me më pak emocione, ato përmendnin se “Në Shqipëri po shpërthen diçka”[6], titullin në faqen e emisionit politik Tagesschau. Artikulli u jep shumë hapësirë aktivistëve mjedisorë dhe e paraqet protestën jo si një reagim të izoluar ndaj një resorti, por si shprehje të një pakënaqësie më të gjerë qytetare ndaj mënyrës së qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik. Die Deutsche Welle gjithashtu i ka ndjekur protestat nga afër që në fillim, duke ndarë çdo ditë lajme që lidhen me protestat në Tiranë, por edhe me ato në qytetet e Gjermanisë. DW flet për një lëvizje qytetare kundër zhvillimit të pakontrolluar dhe për një konflikt mes interesit publik dhe investimeve elitare, duke u fokusuar te mjedisi dhe transparenca e munguar nga ana e qeverisë shqiptare. Der Spiegel, në një artikull, flet me ironi për Ivanka Trump, e cila deklaroi se, duke notuar, zbuloi ishullin e Sazanit[7].

Pra, mediat gjermane sot i lexojnë protestat shqiptare si demokraci në veprim, jo si krizë. Imazhi, jo shumë kohë më parë, i protestave ku hidheshin bomba molotov para Kryeministrisë, nuk është ekzagjerim të thuhet se është zhdukur thuajse tërësisht nga mendja e publikut gjerman.

Në Itali, media si Il Giorno dhe LaPresse i paraqesin protestat shqiptare jo si tension social[8], por si mobilizim qytetar dhe solidaritet transnacional për mbrojtjen e mjedisit dhe hapësirës publike.

Në Itali, vendi që në vitet ’90 ndërtoi një nga narrativat më të forta të frikës ndaj shqiptarëve në Evropë, sot media si Alanews dhe Varese7Press raportojnë protesta të komunitetit shqiptar në Milano si shprehje të qytetarisë aktive dhe shqetësimit për interesin publik. Nga një figurë e “rrezikut social” të dikurshëm[9], shqiptarët shfaqen sot si pjesë e debatit politik dhe mjedisor evropian — një kthesë ironike, por edhe shumë interesante, që vetëm koha dhe “flamingot” mund ta prodhojë.

Në fazën e parë të ngjarjeve në Zvërnec, disa media dhe aktorë politikë në Greqi e trajtuan situatën përmes shqetësimeve për minoritetin grek në zonën e Vlorës, diçka që pala greke e bën sa herë që mundet. Madje pati edhe reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme greke pas incidenteve të dhunshme gjatë protestës së 30 majit, ku u përmend një shtetas grek i lënduar dhe u kërkua hetim[10].

Por, me zgjerimin e lëvizjes dhe daljen në pah të kërkesave më të gjera kundër korrupsionit, investimeve të mëdha dhe kapjes së shtetit, narrativa filloi të zhvendoset: nga një çështje e tensioneve lokale, protestat u lexuan gjithnjë e më shumë si shprehje e një qytetarie aktive dhe mjedisore. Ironia, siç vërejnë disa komentues, qëndron në faktin se shoqëria atje dikur prodhonte stereotipe të forta për shqiptarët[11], e mishëruar kjo edhe në frazën e njohur të diskursit të ashpër: “Nuk do bëhesh grek kurrë, o shqiptar o shqiptar”. Një përqindje e madhe e shoqërisë greke i përdor këta të fundit si shembull të reagimit qytetar, madje me një “shyqyr”[12] të nënkuptuar për faktin se grekët vetë nuk reagojnë me të njëjtën ashpërsi ndaj padrejtësive të shtetit apo oligarkëve. “Paskan bërë mirë shqiptarët që nuk u bënë grekë”, është shpesh komenti në lajmet për protestat e “flamingove”.

Me kalimin e ditëve dhe intensifikimin e protestave dhe shpërndarjen e tyre në qytete të ndryshme të botës ku ka emigrantë shqiptarë (ku nuk ka vallë emigrantë shqiptarë sot?), simpatia e shprehur për protestat nga mediat ndërkombëtare sa vjen e shtohet. Në të njëjtin drejtim janë edhe komentet në rrjetet sociale, ku protestuesit shqiptarë lavdërohen për çështjen që po ngrenë dhe për dëshirën e tyre për të mbrojtur natyrën dhe për të mos shitur Shqipërinë ndaj miliarderëve. Në këtë mënyrë, një lëvizje që nisi si reagim lokal po merr gjithnjë e më shumë një dimension simbolik më të gjerë, duke u lexuar si pjesë e një debati evropian mbi kufijtë e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e hapësirës publike përballë kapitalit të madh.

Nga analistët e panumërt që kanë mediat televizive shqiptare shtrohet që në fillim të protestave pyetja se ku do të shkojnë këto protesta dhe a do të kenë ndonjë rezultat pozitiv për vendin dhe për qytetarët e tij. Por ja që diçka pozitive ka ndodhur me imazhin e thyer në Evropë prej dekadash të shqiptarëve. Shqiptarët po bëhen shembull për mënyrën paqësore se si protestojnë, për kërkesat e drejta dhe për masivitetin e këtyre protestave. Madje, për herë të parë pas shumë kohësh, diskursi ndërkombëtar nuk e vendos theksin te “problemi shqiptar”, por te aftësia për mobilizim qytetar dhe artikulim politik në rrugë. “Flamingot” deri sot mund të shihen ashtu siç thekson Ypi në The Guardian, jo thjesht si një simbol estetik, por si metaforë e një vetëdijeje të re publike që po tenton të riformulojë raportin mes shoqërisë, shtetit dhe interesit publik.

(c) 2026 Elson Zguri. Imazhi është sugjeruar nga autori. Të gjithat të drejtat të rezervuara.

Referencat:

  1. https://www.theguardian.com/commentisfree/2026/jun/08/albania-jared-kushner-protests-europe
  2. https://www.ibtimes.co.uk/albania-flamingo-revolution-protests-coastal-development-1801009
  3. https://www.theguardian.com/world/2026/jun/04/protests-in-albania-grow-over-jared-kushner-backed-luxury-resort
  4. https://www.euronews.com/my-europe/2026/06/02/protests-against-luxury-resort-in-albania-linked-to-jared-jushner-now-in-second-day
  5. https://www.bbc.com/news/uk-65872070
  6. https://www.tagesschau.de/ausland/europa/proteste-albanien-luxusresort-100.html
  7. https://www.spiegel.de/ausland/albanien-ivanka-trump-und-jared-kushner-wollen-aus-der-insel-sazan-ein-privates-luxusresort-machen-a-52117cf0-e0a6-4edd-894f-1ed6f320ad12
  8. https://www.lapresse.it/cronaca/2026/06/09/albania-la-protesta-dei-fenicotteri-rosa-arriva-anche-in-italia-non-siamo-in-vendita/
  9. https://balkaninsight.com/2023/04/13/how-fear-of-albanians-went-mainstream-in-1990s-italy/bi/
  10. https://albaniandailynews.com/news/greece-raises-concerns-over-violence-at-albania-protest-says-greek-citizen-was-injured
  11. https://peizazhe.com/2025/01/27/shqiptaret-e-greqise-%ce%bf%ce%b9-%ce%b1%ce%bb%ce%b2%ce%b1%ce%bd%ce%bf%ce%af/
  12. https://www.facebook.com/photo?fbid=1591722878980194&set=a.1723653584518389


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading