Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

NGA PROTESTA STUDENTORE TE REVOLTA QYTETARE

çfarë ka ndryshuar pas shtatë vitesh?       

Çka po shohim sot në shesh nuk shkrepi si rrufe në qiell të hapur. Kush ishte student/e në dhjetor të 2018-ës e njeh këtë energji. Atyre ditëve, kur rrugët e Tiranës u zaptuan nga mijëra të rinj e të reja prej të gjitha fakulteteve, u ndez një shkëndijë që shembi muret e auditorëve dhe i dha leksionet e veta në rrugë.

Më 5 dhjetor 2018, në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Ndërtimit, pas një vendimi (të mëhershëm) të Këshillit të Ministrave për detyrimin e studentëve që të paguanin tarifa shtesë për kreditet e lëndëve të mbartura, shpërtheu një revoltë e studentëve të pakënaqur. Brenda së njëjtës ditë, studentë nga fakultete të tjera iu bashkuan protestës, ndërsa në auditorë, grupe të ndryshme studentësh, dhe hapësira universitare, nisi një mobilizim më i gjerë. Një ditë më vonë, rrugët e Tiranës u vërshuan nga studentë të të gjitha fakulteteve. Për javë të tëra, ata(ne) protestuan(m) fillimisht para Ministrisë së Arsimit dhe më pas edhe para Kryeministrisë. Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj një vendimi  qeveritar, gradualisht u shndërrua në një revoltë më të gjerë për cilësinë e arsimit, me kërkesa që shkonin deri te ndryshimi i ligjit për arsimin e lartë, anulimi i reformës privatizuese të institucioneve publike arsimore, apo dorëheqja e ministres së atëhershme, Lindita Nikolla.          
Pas pothuajse dy muajsh protestash në rrugë dhe zaptimi të hapësirave universitare, lodhja, presione të ndryshme dhe rënia graduale e pjesëmarrjes sollën shuarjen e kësaj vale proteste. Megjithatë, edhe pa arritur një fitore të plotë politike, revolta studentore e vitit 2018 riktheu për disa javë një ndjenjë të munguar prej vitesh: bindjen se ndryshimi shoqëror mund të ishte ende i mundur.
Energjia, vrulli dhe shpresa e prodhuar nga ajo protestë do të binte në gjumë për disa vite, por me një potencial për të shpërthyer si Vezuvi në një ditë të bukur me diell në këtë fillimverë.

Më shumë se shtatë vite më vonë, më 30 maj 2026, banorë të Vlorës dhe zonave përreth Zvërnecit dolën në protestë kundër një projekti të madh investimi në zonat e mbrojtura të Zvërnecit dhe Nartës. Përplasja me “milicinë” private të paguar nga investuesit, ku pati edhe rrëmbim të dhunshëm të protestuesve, madje në prani të policisë së shtetit, e zhvendosi çështjen nga një kundërshtim lokal në një revoltë më të gjerë shoqërore.      
Një ditë më vonë, në Tiranë, mijëra qytetarë u mblodhën në solidaritet me banorët e këtyre zonave, por edhe kundër një modeli të caktuar zhvillimi dhe qeverisjeje. Në ditët pasuese, kryeqyteti u kthye në skenën e një prej mobilizimeve më të mëdha qytetare të viteve të fundit, me kërkesa që shkojnë deri te dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë.

Këto dy ngjarje, të ndara disi në kohë, kanë pikëtakimet e tyre, por edhe dallime të rëndësishme. Gjithsesi, le të shohim, a janë këto protesta dy shpërthime të ndara apo dy kapituj të së njëjtës histori?


Paralelet konteksuale: Prej kërkesës konkrete në revoltë të përgjithshme

“Nuk i ke larë hesapet me studentët”

Padyshim, as protesta studentore e vitit 2018, as revolta qytetare e sotme nuk mund të kuptohen si shpërthime të izoluara apo si reagime ndaj një ngjarjeje të vetme. Të dyja, kapen si hallka në zinxhirin e gjatë të zemërimit, prej akumulimeve që prej kohësh u duhej një një pikë që të çlironin tensionin tendosës. Në vitin 2018, VKM-ja e “famshme” – e shfuqizuar gjatë protestave – ishte pika që mbushi gotën. Por, pakënaqësia kishte filluar më herët, që kur qeveria e “re” e Edi Ramës po përgatiste ligjin për reformën në arsimin e lartë.  Ndryshimet e propozuara nga qeveria për universitetet publike, rritja e kostove të studimit dhe ndjesia se universiteti po i largohej gjithnjë e më shumë idesë së të qenit e mirë publike, kishin krijuar një klimë tensioni mes studentëve dhe institucioneve. Për disa vite, kjo pakënaqësi u shfaq përmes protestave më të vogla dhe aksioneve siç ishte ai i goditjes së kryeministrit me vezë në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale nga aktivistë/e të Lëvizjes “Për Universitetin”. Por në dhjetor të vitit 2018, ajo mori një formë tjetër. Një kërkesë konkrete – anulimi i VKM-së – shpejt u shndërrua në një kërkesë më të gjerë për ndryshim, duke përfshirë kundërshtimin e ligjit për arsimin e lartë dhe kërkesa politike ndaj qeverisë.

Diçka e ngjashme duket se po ndodh edhe në protestat aktuale. Shkas u bë një kundërshtim konkret ndaj ndërhyrjes në zonat e mbrojtura të Nartës dhe Zvërnecit, por brenda pak ditësh u shndërrua në një reagim më të gjerë ndaj mënyrës se si merren vendimet publike dhe ndaj ndjenjës së përjashtimit nga proceset që përcaktojnë jetën e qytetarëve. Njerëzit që dalin sot në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera nuk po reagojnë vetëm ndaj dhunës apo ndërhyrjes së ekskavatorëve në zona të mbrojtura natyrore. Protesta po mbledh brenda saj shqetësime më të gjera: mbi pabarazinë, cilësinë e jetës, mungesën e besimit te institucionet dhe përjashtimin qytetar nga vendimmarrja.

Në këtë kuptim, të dyja protestat kanë trajektore të ngjashme: një kauzë e veçantë u kthye në një pyetje më të madhe politike. Kush ka të drejtë të vendosë për hapësirat, institucionet dhe të ardhmen e përbashkët? Në vitin 2018 ishin studentët që kërkonin të kishin zë mbi universitetin ku studionin; sot janë qytetarët që kërkojnë të kenë rol në përcaktimin e hapësirave dhe zhvillimit të vendit ku jetojnë.    
Ajo që po ndodh në të dyja rastet është edhe transformimi i hapësirës publike, ku qytetari nuk është më vetëm një individ që ankohet se është lënë anash nga shteti, por artikulohet si subjekt që manifeston ekzistencën dhe pjesëmarrjen në jetën publike. Por, nëse shkaqet e revoltës ngjajnë, mënyra se si subjektet menaxhojnë praninë e tyre publike ka ndryshuar rrënjësisht. Kjo lexohet më së miri te raporti i kundërt me kamerat.        
           
Dallimetmes ekranit dhe sheshit 

Në vitin 2018, fill pas daljes masive të studentëve pranë Ministrisë së Arsimit, mediat vendore dhe më pas edhe ato ndërkombëtare u drejtuan nga protesta për ta sjellë atë drejtpërdrejt në ekran. Por edhe studentët kërkuan praninë e prozhektorëve të mediave, me synimin për të shpjeguar pakënaqësitë, idetë dhe kërkesat e protestës (shpesh secili sipas dëshirës!). Kjo shpejt krijoi një garë të heshtur për përfaqësim: kush do të dilte në emisionet prime-time, kush do të fliste në emër të protestës dhe kush do të shndërrohej si figura e saj. Një lëvizje e madhe, por paksa e pasinkronizuar, u përball kështu me një pyetje të vjetër protestash: kush e përfaqëson atë? Për disa momente, “të përhershmit” u pasivizuan, por daljet e shumta televizive shfaqën deri diku edhe ndarjet e brendshme të protestës. Studentë pa përkatësi politike, aktivistë dhe struktura të ndryshme partiake konkurronin për të përcaktuar drejtimin dhe gjuhën e saj. Përplasjet nuk ishin vetëm mbi kërkesat konkrete, por edhe mbi mënyrën se si duhej të kuptohej vetë ideja mbi universitetin.

Në ditët e sotme, marrëdhënia me median duket krejt ndryshe. Një nga thirrjet e para të kësaj proteste ka qenë: “Bojkotoni mediat”. Deri në ditën e dhjetë të saj, protagonistët e protestës kanë pasur pothuajse zero dalje televizive. Zëri i protestës është mbajtur në rrugë, përmes tubimeve, fjalimeve dhe pranisë masive. Studiove u është lënë banaliteti. Edhe ata pak persona që kanë dalë ditëve të fundit, nuk kanë marrë guximin të flasin në emër të protestuesve apo një grupi. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston një grup koordinimi (jo doemos organizator). Por, ndryshe nga viti 2018, duket se ekziston një hezitim i vetëdijshëm për të krijuar figura individuale që flasin në emër të të gjithëve. Dritëshkurtrit e pushtetit e kërkojnë këtë. Edhe pushteti e do këtë, në mënyrë që t’i shantazhojë më lehtë. Po ata nuk duan protagonizëm, sepse më shumë duan të përbashkëtën në shesh e princip. Ndaj dhe në mungesë të studiove dhe poltronëve televizivë, tejkalimi i vetes u bë forma autentike dhe organike e këtij komunikimi të ri politik.

E përbashkët: Meme-mania – rezistencë në dy akte     Meme: fotografi, video, pjesë teksti apo ide që përhapet shpejt në internet.

Protesta e studentëve të vitit 2018, përveçse ishte një shpërthim mllefi dhe pakënaqësie ndaj qeverisë, ishte edhe një spektakël kreativiteti i rinisë përmes pankartave që lindnin gjatë saj. Një zë i munguar prej kohësh në diskutimet për universitetin, jetën studentore dhe hapësirën publike, u rikthye si tekst, ironi dhe imazh. Të frymëzuar nga fenomeni i meme-ve në internet, studentët krijuan mesazhe të shkurtra, të forta dhe kreative, të cilat nuk ishin thjesht dekor i protestës, por një mënyrë tjetër komunikimi. Në një protestë të gjatë dhe të lodhshme, jo të gjithë donin të artikuloheshin përmes fjalës publike dhe megafonit; shumë prej tyre zgjodhën ta krijonin mesazhin e tyre në një copë kartoni dhe ta mbanin në duar përpara kamerave dhe turmës. Kjo ishte edhe një formë rezistence ndaj një pushteti që kishte mbyllur shumë prej hapësirave ku qytetarët dhe studentët mund të shpreheshin. Për disa ditë, pankarta u kthyen në një gjuhë politike më vete. Ky fenomen tërhoqi vëmendje edhe përtej kufijve, duke u pasqyruar nga media ndërkombëtare.

Shtatë vite më vonë, jemi në epokën e Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, mediumet e artikulimit qytetar ende mbeten të kufizuara, ndërsa një tjetër frikë shfaqet përballë nesh: ndikimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale dhe teknologjive të reja mbi mënyrën se si mendojmë, komunikojmë dhe krijojmë. Por pikërisht në momentin kur dukej se kjo frikë po merrte kuptim – duke parë posterët e ditëve të para të protestës (të gjeneruara me IA) – në skenë doli gjenerata Z. Me humor, ironi dhe kreativitet, ajo po rikthen një lloj të ri meme-parade, duke e bërë protestën jo vetëm një ngjarje politike, por edhe estetike. Pankartat nuk janë vetëm kundër politikave të caktuara; porse janë edhe një mënyrë për të treguar se imagjinata ende gjallon. Ato e kthyen sërish talljen, satirën dhe lojën me gjuhën në mjet politik. Madje disa prej tyre po përdoren edhe nga kryeministri në rrjetet e tij sociale, ndoshta si përpjekje për ta neutralizuar fuqinë e tyre duke i kthyer në objekt humori.

Është pikërisht kjo është ajo që e bën interesant fenomenin: kur pushteti përpiqet ta përthithë ironinë, shpesh zbulon se ajo ka kaluar tashmë në duart e qytetarëve. Në këtë formë, meme-ja bëhet një mënyrë e vogël, por domethënëse, e rebelimit të një gjenerate që refuzon të shihet si pasive, boshe apo pa zë.

Dikur antagonizëm; tani gjithëpërfshirje

Më shumë sesa në kërkesat e tyre të drejtpërdrejta, dallimi mes dy protestave shihet në mënyrën se si ato e ndërtojnë dhe e shfaqin veten si lëvizje politike. Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë vetëm me dy momente të ndryshme historike, por me dy forma të ndryshme të qytetarisë në hapësirën publike.        
Protesta studentore e vitit 2018, nga jashtë, prodhoi një ndjesi të fortë solidariteti dhe simpatie. Ajo u përshëndet nga shumë qytetarë si akt i pastër rezistence, një shpresë që dukej se po lindte në një moment të gjatë lodhjeje shoqërore. Studentët që marshonin nga fakultetet drejt Ministrisë së Arsimit dhe më pas Kryeministrisë, shpesh shiheshin si një masë e unifikuar që mbartte një kërkesë të drejtë dhe të kuptueshme. Por brenda saj, kjo protestë ishte më e ndërlikuar. Ajo mbeti në thelb e kornizuar brenda një kundërshtimi ekskluzivisht ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe nuk arriti të prodhonte një gjuhë politike që ta tejkalonte këtë kufi. Në vend të zgjerimit të saj si lëvizje shoqërore më e gjerë, ajo u përball me tensione të brendshme, me përpjekje për ta orientuar dhe përfaqësuar atë nga grupe të ndryshme të studentëve të lidhura me partitë politike dhe jo vetëm. Kjo e bëri të vështirë ndërtimin e një identiteti të vetëm politik dhe të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, protesta studentore mbeti kryesisht një lëvizje e një kategorie të caktuar shoqërore, pa arritur të përfshinte në mënyrë organike shtresa të tjera si punëtorët, qytetarët e klasës së mesme apo grupet e tjera sociale.

Në anën tjetër, protesta e ditëve të sotme duket se po prodhon një formë tjetër bashkimi në ide dhe kërkesa. Duke zhbërë çdo ndarje klasike (ju dhe ne – kjo s’na takon ne), kjo protestë ka bashkuar të rinj e të moshuar, studentë, aktivistë dhe profesionistë, të punësuar dhe të papunë, qytetarë nga qendra dhe nga periferia, të majtë e të djathtë. Ky diversitet nuk e dobëson protestën, por i jep asaj një karakter më të hapur dhe gjithëpërfshirës. Kërkesat e saj nuk kufizohen vetëm në dorëheqjen e kryeministrit Rama, por artikulohen gjithnjë e më shumë si kundërshtim ndaj të gjithë establishmentit të politikës shqiptare. Kjo protestë jo vetëm që ka pamundësuar “ndërhyrjen” e partive të vjetra opozitare, mirëpo ka eklipsuar edhe ato më të rejat. Thirrjet që po kumbojnë më së shumti në sheshe sot për sot janë: Rama në burg, Berisha në burg!, Opozitë e Shitur!, Shqipëri e Re! dhe Revolucion!

Kësodore, kjo protestë po sjell shpresë e vizion për një Shqipëri të re, duke e Jetësuar përditë atë energji në kolektivitet. Po dëshmon se një shoqëri e drejtë nuk është utopi që zbret gjetiu, por një realitet që qytetarët po e ndërtojnë sot, me praninë dhe trupat e tyre në shesh.

Drejt një rezistence të pashtershme

Një lëvizje e pjekur e përdor të shkuarën si manual taktik. Në 2018-ën, revolta studentore e mbajti frymën për dy muaj, por u sfilit kur fushëbeteja mbeti statike dhe ra në kurthin e kalendarit. Festat e fundvitit boshatisën rrugët, duke i dhënë qeverisë oksigjenin e nevojshëm për t’u rigjeneruar. Sot, përballemi me një grackë të ngjashme: stinën e verës. Pushteti lutet që vapa dhe rutina e pushimeve të gushtit ta shpërndajnë energjinë e Tiranës. Ndaj, kjo lëvizje qytetare e ka jetike t’i mbajë motorët ndezur, duke e shpërfillur komoditetin e kondicionerit.

Përgjigjja e vetme kundër shterimit mbetet përshkallëzimi. Kur marshimet e 2018-ës rrezikuan të ktheheshin në rutinë të parashikueshme, studentët bënë një kapërcim strategjik (të pashmangshëm): zaptimin e fakulteteve. Marrja e kontrollit fizik të atyre hapësirave e detyroi shtetin-për ca kohë-të përballej me një krizë brenda mureve të tij.

Në kontekstin e sotëm, ky përshkallëzim kërkon fronte të reja. Vatrat paralele në qytete të tjera, duke i kthyer sheshet, nga jugu në veri në pika presioni njëkohësisht. Së bashku me zgjerimin e brendshëm, aktivizimi i diasporës dhe dalja e emigrantëve në sheshet evropiane e thyen monopolin e propagandës qeveritare dhe e ngre revoltën nga një përplasje lokale kundër ekskavatorëve, në një krizë të hapur legjitimiteti ndërkombëtar. Gjithashtu, solidariteti i bizneseve të vogla, duke ulur qepenat në fasha të caktuara orari, e godet sistemin drejt e në nerv, tek ai “kinse normalitet” që e lë protestën të izoluar vetëm në orët e mbrëmjes. Kjo protestë kthehet në bllokadë vetëm kur edhe  tregtari i lagjes, ngasësi i transportit publik, punëtorja e fasonerisë bëhet njësh me protestën.

Lëvizja fiton pikërisht atëherë kur bëhet e kudondodhshme.

(c) 2026 Dardan Konjufca. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përpunuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading