Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

KUR MONSIEUR NUK DO TË THOTË ZOTËRI

Ca fjalë marrin, në gjuhë të ndryshme, kuptime që nuk ta pret mendja. Jo sepse nuk e njeh në nivel të mirë atë gjuhë, por sepse ka fjalë, që, megjithëse në kuptim të parë kanë një denduri të lartë përdorimi, mbartim kumte që dalin në dritë vetëm në kontekste e rrethana të caktuara.

Kështu, m’u kujtua ajo që më ka treguar dikur përkthyesi i frëngjishtes Enver Fico: “Diku, në një prej vëllimeve të Komedia njerëzore të Balzakut, që isha duke përkthyer, fjalë për fjalë, thuhej: Vautrin entra dans sa chambre avec un monsieur. (Votreni hyri në dhomën e saj me një zotëri.)… Por, çuditërisht, ky zotëri nuk dilte gjëkundi më në roman. Shfaqej vetëm në këtë rast dhe zhdukej! Si ishte e mundur?!

Duke kërkuar në një fjalor frëngjisht-italisht të viteve ‘50, gjeta kuptimin e dytë të fjalës monsieur. Aty mora vesh se, në një kuptim të dytë, nuk bëhej fjalë për një person, por për çelësin (universal) që hap çdo derë. Bëhej fjalë për atë çelës që, në shqip, në mënyrë jo fort elegante, quhet kopil.”…

E solla këtë episod, sepse mendoj se do më shërbejë si një pikënisje e qartë për qëllimin e këtij shkrimi, për të treguar se si një metaforë gjuhësore mund të zbulojë edhe dallime të thella në mendësinë e dy popujve. Në këtë rast, mënyra e ndryshme se si francezët dhe shqiptarët emërtojnë të njëjtin objekt, me metafora të ndryshme (me ngjyrime ekstremisht të skajshme) nuk më duket rastësi, por pasqyrim i një psikologjie kolektive të formuar nga histori të ndryshme gjatë shekujve.

Në gjuhën shqipe, fjala kopil ka një ngarkesë të dyfishtë. Nga njëra anë, kuptimi i parë lidhet me një fëmijë pa atësi, ilegal (dobiç – në kuptimin tradicional) dhe, në një kuptim të dytë, fjala kopil (së bashku me fjalët e prejardhura prej saj: kopiloj, kopilim, kopillëk ), flet për një njeri të zgjuar, dinak, finok e të shkathët… Pra, fjala kopil tek ne, përveçse një etiketë negative, 100% fyese, si në frëngjisht (bâtard), mund të marrë edhe ngjyrime që, në kontekste të ndryshme, variojnë midis neutralitetit dhe një admirimi pozitiv për njeriun që di të zgjidhë çdo situatë problemore dhe t’ia dalë mbanë në çdo rrethanë… Por, përveç këtyre kuptimeve, fjala kopil në shqip përdoret edhe për të emërtuar atë çelës të veçantë që hap çdo derë, pa qenë i destinuar për një bravë të caktuar. Çelësi kopil nuk është çelësi i rregullt, por është ai që funksionon kur rregulli duhet shkelur. Pra, është fjala për një mjet që nuk e respekton rregullin, por e tejkalon dhe, për këtë, epiteti kopil nuk më duket se është thjesht një rastësi leksikore. Në një farë mënyre, ky kuptim i tretë duket sikur bashkon dy të parët: nga njëra anë, paligjshmërinë e origjinës së kopilit dhe, nga ana tjetër, zgjuarsinë e prakticitetin e tij për t’u përshtatur e për të gjetur rrugëdalje.

Të mos harrojmë se këta lloj çelësash janë përdorur në kohë disi të hershme, kur teknologjia e bravave nuk ishte në nivelet e mëvonshme dhe, pikërisht për këtë arsye përkthyesi Enver Fico nuk e gjente kuptimin e dytë të fjalës monsieur në fjalorët e pas viteve ‘50. Pra, përdorimi i saj si metaforë për çelësin universal i përkiste një periudhe kur gjuha pasqyronte drejtpërdrejt realitetin e kohës. Megjithatë, ne arrijmë të kuptojmë se metafora e zgjedhur nga secila gjuhë pasqyronte mënyrën se si shoqëritë konceptonin autoritetin dhe rregullin. Në frëngjisht fjala monsieur ka një histori tjetër. Ajo vjen nga latinishtja mon seigneur (zoti im), dhe përdorej për të nderuar fisnikët. Në oborrin francez, Monsieur ishte titull nderi për vëllain e mbretit. Sot është ekuivalent i zotëri, por, siç thamë, në përdorime të vjetra lidhej edhe me çelësin universal, duke i dhënë një aureolë respekti mjetit që hapte dyer ilegalisht. Pra, aty ku shqipja e lidh veprimin me një figurë të sprovuar nga vështirësitë e margjinalizimi, frëngjishtja e vesh me petkun e respektit, madje edhe të përuljes. Ndërsa te kopili shqiptarët shohin vetëm paligjshmërinë, te francezët dera i hapet zotërisë edhe në shkelje të ligjit, dhe kjo s’mund të merret ndryshe veç si përulje e tyre. Pra, ndryshe nga francezët që e lejojnë të përulur ta shkelë ligjin një monsieur, shqiptarët, duke “e lënë pas dere” një të tillë, dalin më të papërulur përballë shtresave të larta. Pikërisht, se shqiptarët nuk e çmojnë absolutisht gjestin e nënshtrimit ndaj autoritetit, por vlerësojnë zgjuarsinë dhe aftësinë për të gjetur rrugëdalje jashtë rregullit…, kopili ka përparësi edhe ndaj zotërisë.

Në këtë aspekt, epiteti kopil, në gjithë fjalët e prejardhura prej tij si, kopiloj, kopilim, kopillëk, nuk përshkruan vetëm një objekt apo një tipar njerëzor, por një mënyrë të të menduarit siç është prirja për të mos u ndalur përballë pengesës (derës së kyçur), për të gjetur një zgjidhje që s’ka të bëjë me moralin dhe ligjin. Pikërisht këtu, te këto fjalë të prejardhura (kopiloj, kopilim, kopillëk) dhe jo te parësorja që përshkruan thjesht gjendjen e një fëmije pa atësi, e ka shpjegimin pse pas çelës vendoset kopil. Megjithëse përdoret fjala e origjinës (kopil), shqiptarët, duke mos pasur në mendje statusin social, e kanë zhvendosur kuptimin nga stigmatizimi social tek aftësia praktike dhe zgjuarsia, cilësi që përshkruhen nga fjalët e prejardhura. Pra, më shumë se statusi i tij, është vlerësuar energjia, shkathësia dhe prirja për të mos u dorëzuar.

Pikërisht sepse kuptimi i fjalës kopil në këtë rast mbështetet tek fjalët e prejardhura që përshkruajnë aftësinë, shkathtësinë dhe zgjuarsinë, kemi të bëjmë me një transport kuptimi, pra me një metaforë gjuhësore, dhe jo me një epitet të përdorur si përcaktor për çelësin që hap çdo derë. Në këtë mënyrë, çelësi kopil nuk është quajtur ashtu për të stigmatizuar, por për të shprehur simbolikisht vetëm funksionin e tij: të hapë dyer të mbyllura duke shmangur rregullin, njësoj si njeriu dinak që gjen rrugëdalje në çdo situatë.

Dhe, ndoshta, pikërisht këtu, në këtë ndërthurje kuptimesh të kësaj metafore gjuhësore, mund të gjejë shpjegim një përvojë historike e shqiptarëve, ku, mbijetesa, shpesh herë, ka kërkuar jo vetëm zbatimin e rregullave dhe ligjeve, por edhe shmangien e tyre. Parë në dimensionin sociolinguistik, kuptojmë se aty ku shqipja e lidh fjalën çelës me një figurë të margjinalizuar (kopil), frëngjishtja e vesh me petkun e respektit për një zotëri. Ky kontrast gjuhësor nuk më duket thjesht rastësi. Ai pasqyron psikologjinë e popujve të diktuar nga historia. Shqiptarët, të mësuar me rrethana të vështira, duket se kanë pranuar kopilin si figurë që hap porta, që jo kushdo mund t’i hapë. Ndërsa francezët, me traditën e tyre aristokratike, e kanë koduar këtë lloj çelësi si monsieur, duke i dhënë një aureolë legjitimiteti dhe respekti atij që i hapet çdo portë. Ndërsa tek ne, kopili është një figurë e dyfishtë, e stigmatizuar pafajësisht për fatin e tij, por edhe i admiruar për zgjuarsinë që ia dikton nevoja për mbijetesë, tek francezët, monsieur është një metaforë që i jep dinjitet edhe një mjeti të paligjshëm. Ky ndryshim jo i vogël gjuhësor shpjegon shumë për mënyrën si popujt kanë ndërtuar raportin e tyre me autoritetin dhe ligjin. Gjithashtu, pyetjes se, a e pasqyron gjuha mendësinë e tyre(?), për rastin e kopilit dhe monsieur-it, duket sikur të dyja janë të vërteta njëkohësisht…, ose ka ndodhur pak nga të dyja…

(c) 2026 Ilir Mborja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Shkrimi i përket historisë kulturore të fjalëve shqipe, një fushë që do të donim ta shihnim të lëvruar më shumë dhe të pasqyruar më shpesh në faqet e kësaj reviste.

    E kërkuam edhe ne, si redaksi, fjalën monsieur në kuptimin e “çelësit kopil” – i cili sot në frëngjishte quhet zakonisht passe-partout ose rossignol. Meqë bëhet fjalë për një përdorim të Balzac-ut (shek. XIX), shpresuam ta gjenim në fjalorin Littré (https://www.littre.org/search), por pa sukses.

    Përkundrazi, gjetëm online një clé/clef maîtresse, por në frëngjishten e sotme – me një formë semantike të ngjashme me atë të master key në anglishte.

    Për mendimin tonë, kjo monsieur për çelësin kopil – sa kohë që dëshmohet në ligjërimin e Balzakut – mund të ketë lidhje me faktin që në një hotel a pension a pallat me apartamente me qira, i zoti i shtëpisë (ose personi që e përfaqëson ose pastruesja) e zotëron një çelës që i jep akses në të gjitha dhomat apo apartamentet.

    Është, si të thuash, çelësi i padronit (master).

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin