Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

KULTURA NË VËMENDJE

Më datën 4 shkurt të vitit 2026 i dërguam një letër ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit z. Blendi Gonxhja dhe zëvendësministres Lira Pipa, të shqetësuar me paqartësinë në marrëdhëniet mes revistës sonë “Peizazhe të fjalës” dhe institucioneve publike që kujdesen për kulturën, mediat dhe botimet.

Që prej vitit 2007 kemi qenë të pranishëm në hapësirën mediatike shqip si një platformë e pavarur e mendimit shqiptar. Kemi botuar që nga ajo kohë mbi 4,000 ese, artikuj dhe shkrime origjinale në shumë fusha, nga autorë mes më të mirëve të mendimit dhe të gjuhës shqipe sot. I gjithë ky material ofrohet sot e kësaj dite falas për të interesuarit, përmes arkivit tonë; teksa revista mbetet një eksperiencë kulturore e rrallë dhe e pastër nga reklamat.

Megjithë shërbimin publik në lëmin kulturor që jo vetëm ofrojmë prej gati 20 vjetësh, por edhe kemi provuar se mund ta ofrojmë me cilësi mbi mesataren, shteti ka treguar indiferencë dhe refuzon të kuptojë se edhe iniciativa si e jona kanë nevojë të përfshihen në politikat publike të mbështetjes kulturore.

E mbajmë revistën falë dëshirës dhe vullnetit tonë për të bërë diçka dhe të bindur se hapësirës shqip i duhet një revistë online si jona, por nuk na vjen mirë kur shohim si përdoren dhe, shpesh, shpërdorohen fondet e kulturës, në një kohë kur ne mezi arrijmë të paguajmë një korrektor teknik a një faqosës për revistën, pa përmendur punën tonë si redaktorë apo atë të kontributorëve.

Nuk duam të besojmë se shteti dhe institucionet publike mbështetin financiarisht vetëm ato nisma kulturore që përputhen me vizionin e ngushtë të kulturës si diçka në shërbim të politikës, të turizmit, të përmirësimit të imazhit kombëtar a të arsimit. Sikurse nuk duam të besojmë se drejtuesit e institucioneve kulturore publike sot në Tiranë ende nuk kuptojnë mirë revolucionin mediatik që ka ndodhur dhe zhvendosjen e ligjërimit kulturor online, përtej gjeografive, krahinizmit dhe politikave aq të vjetruara të diasporës; dhe media të tilla si “Peizazhe të fjalës” duan me këmbëngulje t’i trajtojnë si të ishin portalet që shpesh funksionojnë si sekserë dhe gjobëvënës të politikës, dhe t’i përçmojnë siç përçmojnë portalet. Vërtet nuk jemi fizikisht të pranishëm në Tiranë dhe në qokat kulturore e burokratike ku luan ende rol prania fizike, por prej vitesh jemi të angazhuar në çështjet më të mprehta dhe aktuale të kulturës, të historisë, të gjuhësisë, të arkitekturës, të artit, letërsisë e të teatrit si faktor serioz që prej vitesh gëzon besueshmërinë e lexuesit.

Shumë nga debatet kulturore që vazhdojnë sot e kësaj dite, shpesh duke iu rikthyer të njëjtave temave, i gjen të shtjelluara më mirë e më shterueshëm në faqet e revistës sonë, çka provon se formati ynë është ndoshta më i përshtatshmi për të çuar përpara një lloj të caktuar produktiviteti idesh aq të nevojshme për të sotmen e ndoshta edhe për të nesërmen e kulturës. Nuk jemi të vetmit që kërkojmë të eksplorojmë këtë format e këtë përmasë të re të mendimit e të dialogut në shqip dhe jemi të vetëdijshëm se shqetësime si tonat i përjetojnë edhe kolegë të tjerë, në përpjekjet për t’iu përshtatur frymës intelektuale të kohës.

Letra jonë deri më sot ka mbetur pa përgjigje, çfarë edhe provon argumentin se institucionet nuk po duan të tregojnë interes për veprimtari kulturore si revistat online, që shkojnë përtej statuseve të Facebook-ut dhe podkasteve; kjo është edhe arsyeja që po ia japim lexuesit kështu siç është, për t’i shërbyer të paktën debatit dhe produktivitetit të ideve për kulturën. Çështja nuk është te financimi për këtë apo për atë nismë kulturore a editoriale, por te masa e angazhimit publik të shtetit me nisma shumëvjeçare dhe të pabujë si jona, angazhim që nuk mund të likuidohet me një koncert në park. 

Si revistë, kemi mbajtur zakonisht qëndrim kritik ndaj establishmentit kulturor por pa u identifikuar me opozitën politike në format që kjo manifestohet sot; por jemi të vetëdijshëm se i kemi ofruar publikut kaq shërbim kulturor falas në rrjedhë të viteve, sa të kemi merituar mbështetje morale dhe materiale njëlloj si aktorë dhe agjenci të ngjashme në panoramën kulturore shqip. Shpërfillja e deritanishme, e sidomos kjo tani së fundi, është një sinjal që refuzojmë ta pranojmë, si për veten ashtu dhe për kulturën. Kjo letër u drejtohet institucioneve shqiptare dhe juve si përgjegjës të saj, jo ambasadave e ambasadorëve siç është bërë tashmë adet, e sado zemërgjerë të jenë treguar këta me kulturën.


Lënda: Rreth mbështetjes të programeve kulturore me aktivitet të vazhdueshëm – Rasti i revistës “Peizazhe të Fjalës”

I nderuar ministër Gonxhja dhe e nderuara zëvendësministre Pipa,

Ju shkruajmë në emër të revistës kulturore “Peizazhe të Fjalës”, e cila që nga viti 2007 ka funksionuar si një platformë online e pavarur e mendimit shqiptar. Me përvojë pothuajse dy dekadash në shërbim të kulturës shqiptare, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dy thirrjet publike që MTKS ka hapur për vitin 2026, të cilat krijojnë një paradoks thelbësor: ato mbështesin krijimin e aktiviteteve të reja kulturore, por lënë jashtë mbështetjes iniciativa kulturore ekzistuese, të qëndrueshme dhe me ndikim të dëshmuar si “Peizazhe të Fjalës” që nuk kanë status formal si OJF. Duam fort të besojmë se ju keni njohuri për veprimtarinë tonë gjatë këtyre 19 viteve, prandaj nuk po zgjatemi me një prezantim biografik të revistës apo tonin si botues, redaktorë dhe autorë.

Me vite e kemi kritikuar dhe refuzuar logjikën e “aktiviteteve” në kulturë: festivalizmin, turistifikimin, trashëgiminë, posterët me sponsorë në salla bosh. Kemi refuzuar të marrim pjesë në një ritual të tillë me shpresë se edhe institucionet me kohë do të ndërgjegjësoheshin.

Ndërhyrjet tona të vazhdueshme për të ndikuar në një vizion më të gjerë të kulturës janë injoruar, me kosto jo vetëm personale për Peizazhe të Fjalës por për skenën e gjerë. Po ju shkruajmë këtë letër për të dëshmuar specifikisht disavantazhin që kanë iniciativa kulturore si e jona.

Le të shqyrtojmë situatën konkrete të “Peizazhe të Fjalës”: Në thirrjen për Mbështetje e Programeve Kulturore të Organizatave jemi automatikisht të përjashtuar. Në thirrjen për Projekt Propozime Për Ngjarje Kulturore Dhe Turistike mund të aplikojmë ose si “person fizik” ose si “person juridik” por asnjë nga këto opsione nuk përfaqëson atë që ne jemi në të vërtetë: një iniciativë kulturore e vendosur me aktivitet të përditshëm, të vazhdueshëm dhe me ndikim të ndjeshëm prej 19 vjetësh.

  • Nëse aplikojmë si person fizik, jemi të kufizuar në Kategorinë III – “Aktivitete kulturore e turistike për komunitetin”. Kjo do të thotë që duhet të krijojmë një “aktivitet” të ri – një event, një festival, diçka me fillim dhe mbarim. Por puna jonë ËSHTË një aktivitet i vazhdueshëm: ne botojmë çdo ditë, ne krijojmë përmbajtje analitike, ne shërbejmë si hapësirë debati.
  • Nëse aplikojmë si person juridik, ende nuk jemi të pranueshëm, sepse kjo kategori është vetëm “për projekte në fushën e turizmit”. Ne nuk jemi turizëm. Ne jemi kulturë.

Rezultati? Ne gjendemi në një hapësirë të askujt: shumë të vogël për thirrjen e OJF-ve (sepse nuk jemi OJF), shumë kulturore për thirrjen e turizmit (sepse nuk jemi turizëm), dhe shumë të përhershme për thirrjen e “aktiviteteve” (sepse nuk jemi një event i përkohshëm).

Ky është absurdi: entitete që krijojnë aktivitete vetëm kur marrin financim – dhe që mbeten joaktive gjatë gjithë vitit – mund të aplikojnë lehtësisht. Por entitete si “Peizazhe të Fjalës”, që veprojnë rregullisht çdo ditë të vitit por pa financim të rregullt, nuk kanë vend në asnjë kategori.

Ajo që “Peizazhe të Fjalës” ka nevojë – dhe që mungon plotësisht nga thirrjet aktuale – është financimi bazë (core funding) për të mbështetur aktivitetin e iniciativave informale që nuk kanë status OJQ. Nuk kërkojmë financim për të krijuar diçka të re; kërkojmë mbështetje për të vazhduar atë që tashmë po bëjmë me sukses.

Ky është një parim i njohur gjerësisht në mbështetjen kulturore ndërkombëtare: organizata që kanë provuar qëndrueshmërinë, cilësinë dhe ndikimin e tyre meritojnë mbështetje për operacionet e tyre të përditshme, jo vetëm për “projekte” të veçanta. Donatorë të respektuar ndërkombëtarë na e kanë dhënë sporadikisht këtë lloj mbështetjeje si grupim informal. Pse Ministria nuk e njeh këtë nevojë për kulturën ndërkohë që  pret propozime nga grupe informale për thirrjen e lajmëruar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.   

Pa këtë mekanizëm, thirrjet aktuale (si dhe ato më herët) na detyrojnë të krijojmë një shtresë tjetër pune – një “aktivitet” të veçantë – thjesht për t’u kualifikuar për financim si individë. Thirrjet kanë një kuptim shumë të ngushtë të “aktivitetit kulturor”: evente, festivale, shfaqje, ngjarje me datë fillimi dhe mbarimi. Por kultura është gjithashtu – dhe ndoshta më thelbësisht – aktivitet i vazhdueshëm, i përditshëm, që nuk spektakularizohet. Një revistë që botohet çdo ditë është aktivitet kulturor në vetvete. Një platformë që ruan kujtesën kulturore është aktivitet kulturor. Një hapësirë ku mendimi kritik kulturohet dhe merr pjesë në komunikim të përditshëm me mijëra lexues është aktivitet kulturor. Këto nuk janë më pak aktivitete sepse nuk kanë “ceremoninë hapëse” ose sepse nuk mbushin një sallë me audiencë për një natë.

Fokusimi ekskluziv në “ngjarje” dhe “festivale” mund të vijë si efekt i një kuptimi performativ të kulturës – kultura si spektakël, si moment, si konsumim. Kjo lë jashtë kulturën si proces, si reflektim, si ndërtim i vazhdueshëm i identitetit dhe mendimit kolektiv. Fokusimi në “aktivitete” dhe festivale ka lënë shumë pak hapësirë për mendimin kritik dhe debatin – aspekte thelbësore të një kulture të shëndetshme, dhe ku “Peizazhe të Fjalës” ka vite që shërben. Kultura nuk është thjesht argëtim; është vend reflektimi, kontestimi, analize dhe debati i pavarur.

Thirrjet aktuale reflektojnë një logjikë të vjetruar: mbështetje vetëm për “projekte” të reja, jo për institucione kulturore të qëndrueshme. Kjo krijon një cikël ku entet duhet vazhdimisht të “rifillojnë”, të shpikin diçka të re, në vend që të thellohen, të përmirësohen dhe të zgjerojnë atë që tashmë bëjnë mirë. Kjo favorizon oportunizmin ndaj qëndrueshmërisë.

KULTURA NË SHËRBIM TË TURIZMIT: NJË VIZION I KUFIZUAR

“Peizazhe të Fjalës” ka kritikuar vazhdimisht mënyrën se si kultura dhe krijimtaria po vihen ekskluzivisht në shërbim të turizmit. Fushat që gjenerojnë të ardhura – festivale muzikore, evente masive, atraksione turistike – kanë në dispozicion më shumë mekanizma tregu që i mbështesin. Por puna intelektuale, kritika kulturore, letërsia dhe publicistika serioze, revista që stimulojnë debat publik – këto nuk mund të mbështeten nga tregu i lirë. Ato janë të mira publike që kërkojnë mbështetje publike.

Pikërisht këto fusha – që nuk shesin bileta, që nuk mbushin hotele, që nuk krijojnë “momente Instagrami” – duhet të jenë në fokusin e Ministrisë, sepse ato nuk kanë asnjë mekanizëm tjetër për t’u mbështetur. Nëse Ministria i braktis këto fusha, kush do t’u dalë zot?

Një mungesë thelbësore në të dyja thirrjet është mungesa e fokusit në mbështetjen e krijimtarisë për hir të krijimtarisë, pa barrën për të shitur, argëtuar, ose bërë promovim turistik. Ministria është institucioni i vetëm që mund të mbrojë të drejtën e krijuesve për të krijuar pa pasur nevojë të provojnë menjëherë ndonjë “vlerë të shtuar ekonomike” ose ndikim në “zgjatjen e sezonit turistik”. Kur çdo gjë duhet të ketë një bottom line të menjëhershëm, atëherë humbet hapësira për eksperimentim, për punë që sfidojnë statusquo-në, për zëra kritikë që janë thelbësore për një kulturë të shëndetshme.

Thirrja e lajmëruar (më 16 janar), por ende e pashpallur për Fondin e Krijimtarisë nga QKLL, sërish nuk na përshtatet si revistë, pasi aty, e shumta, do të mund të aplikonte vetëm një nga ne si autor, por jo revista si ent që nxit dhe promovon krijimtari. Në të kaluarën, këto thirrje kanë qenë të parapërcaktuara për grupmoshat e reja ose “të rinjtë”. Në pritje të thirrjes për Fondin e Krijimtarisë, ku mund të ishim ose të mos ishim të përfshirë, po digjen afatet për të aplikuar për dy thirrjet e hapura tashmë.

Në mungesë të mbështetjes institucionale nga QKLL, “Peizazhe të Fjalës” ka shërbyer si një institucion informal për të nxitur dhe promovuar shkrimin cilësor: kemi krijuar hapësirë për shkrimtarë të rinj, kemi stimuluar debatin letrar, kemi nxitur nivelin e diskursit e mendimit shqip, dhe kemi kontribuar në edukimin e publikut lexues.

Kjo punë është bërë me sakrifica personale dhe financiare të botuesve dhe të redaktorëve tanë, Ardian Vehbiu dhe Elona Pira, të cilët kanë mbajtur revistën në këmbë kryesisht me punë vullnetare dhe burime të vetëfinancuara, shpesh duke lënë mënjanë projekte krijuese vetjake. Pyetja ngrihet: A duhet që struktura informale të vazhdojnë të kompensojnë për dështimet institucionale, ndërsa njëkohësisht penalizohen për informalitetin e tyre kur kërkojnë mbështetje?

Prej 19 vjetësh, ne kemi botuar çdo ditë, falas, pa financim të rregullt publik. Kemi krijuar një arkiv të pasur të mendimit kritik shqiptar (me mbi 6000 shkrime origjinale në dispozicion falas të çdo vizitori), dhënë hapësirë për shkrimtarë të rinj, mbajtur gjallë debatin intelektual në një kohë kur hapësirat e tilla janë rralluar. Ky është kontribut real, i matshëm, i qëndrueshëm. Entitete si “Peizazhe të Fjalës” meritojnë mbështetje publike, bazuar në vlerën dhe qëndrueshmërinë e tyre të dëshmuar. Ne nuk duhet të detyrohemi të justifikojmë pse meritojmë të mbështetemi kur e gjithë veprimtaria jonë është vetë prova.

KËRKESA DHE PROPOZIME

Në bazë të sa më sipër, ne ju kërkojmë:

1.      ZGJERIM I THIRRJES “MBËSHTETJE E PROGRAMEVE KULTURORE TË ORGANIZATAVE”: Kjo thirrje duhet të pranojë aplikime nga struktura të ndryshme organizative (individë, kolektive informale, OJF) bazuar në vlerën dhe qëndrueshmërinë e dëshmuar në terren. Të zbatohet praktika e donatorëve të huaj që mbështesin grupe informale si hap drejt formalizimit, duke njohur që formalizimi është një proces, jo një parakusht.

2.      SQARIM: Duke pasur parasysh afatin e aplikimit më 10 shkurt 2026, kërkojmë sqarim të menjëhershëm: Si do të mundet “Peizazhe të Fjalës” – një iniciativë kulturore me aktivitet të përditshëm dhe të vazhdueshëm prej 19 vjetësh – të aplikojë për mbështetje?

3.      FONDI I KRIJIMTARISE: Të hiqen kufizimi i aplikimit vetëm nga moshat e reja për mbështetje nga QKLL. Të përfshihen në thirrje grupet informale si “Peizazhe te Fjalës” që nxisin dhe kultivojnë krijimtarinë.

4.      ZGJERIM I KONCEPTIT TË “AKTIVITETIT KULTUROR”: Të zgjerohet kuptimi për të përfshirë punë të vazhdueshme dhe të përditshme, jo vetëm evente dhe festivale me datë fillimi dhe mbarimi. Një revistë digjitale që botohet çdo ditë është aktivitet kulturor. Një arkiv që ruhet, mirëmbahet dhe përditësohet është aktivitet kulturor. Një hapësirë debati që funksionon vazhdimisht është aktivitet kulturor. Të hiqet kërkesa që entet me aktivitet të vazhdueshëm të krijojnë punë shtesë (evente artificiale) vetëm për t’u kualifikuar për financim. Kjo krijon barrë të panevojshme dhe favorizon oportunizmin mbi qëndrueshmërinë.

5.      NDARJE E KULTURËS NGA TURIZMI: Të krijohen mekanizma mbështetëse për kulturë dhe krijimtari që nuk është në shërbim të turizmit – fusha që nuk kanë mekanizma tregu dhe që janë të mira publike që kërkojnë mbështetje publike. Të njihet vlera e krijimtarisë pa detyrim komercial të menjëhershëm apo bashkëpunim dhe varësi nga entet mbështetëse.

6.      MBROJTJE E MENDIMIT KRITIK: Të njihet vlera e hapësirave për mendim kritik, debat dhe reflektim intelektual – jo vetëm spektakli dhe argëtimi. Kultura si proces mendimi, jo vetëm si produkt konsumi.

7.      RIVITALIZIM I QKLL OSE ALTERNATIVA: Të merren masa urgjente për rivitalizimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si institucion funksional, ose, në mungesë të kësaj, të krijohen mekanizma alternative për mbështetjen e letërsisë dhe kulturës së shkrimit.

PËRFUNDIM

“Peizazhe të Fjalës” nuk kërkon privilegje. Ne kërkojmë që sistemi të njohë realitetin: ekzistojnë entitete kulturore të qëndrueshme që veprojnë çdo ditë, që kanë ndikim të matshëm, që kontribuojnë në mënyrë themelore në jetën kulturore të vendit – dhe që nuk përshtaten dot në shabllonët burokratikë të krijuar për evente dhe festivale.

Ne nuk duhet të detyrohemi të shtrembërohemi në diçka që nuk jemi për të marrë mbështetje për atë që tashmë po bëjmë me sukses prej gati dy dekadash. Sistemi duhet të përshtatet me realitetin e peizazhit kulturor, jo të detyrojë peizazhin kulturor të shtrembërohet për të përmbushur kritere arbitrare.

Në një kohë kur kultura shqiptare ka nevojë për zëra të pavarur, për kritikë të ndërgjegjshme, për hapësira ku mendimi kritik kulturohet pa presion komercial, politikat publike duhet të mbështesin, jo të penalizojnë, ato struktura që kanë dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj misionit kulturor në kuptimin e tij më të thellë.

Presim përgjigjen tuaj dhe mbetemi të gatshëm për çdo diskutim të mëtejshëm rreth këtyre çështjeve.

Me respekt dhe shpresë për një dialog konstruktiv,

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Në emër të kolektivit të revistës “Peizazhe të Fjalës”
Themelues, botues, autorë dhe redaktorë


Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin