Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Folklor

RRETH KOHËS SË KRIJIMIT TË EPOSIT TË KRESHNIKËVE

Argumenti më i rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi, i përdorur nga shumica e studiuesve që besojnë në përparësinë kohore të versionit boshnjak të ciklit të Mujit dhe Halilit ndaj atij shqiptarit, është se shumica e emrave të njerëzve dhe vendeve në këngë janë të lidhura me Bosnjën. Por, nga rreth 20 emra të protagonistëve të eposit që dalin në të dyja versionet (Elsie, 2011), vetëm disa mund të identifikohen me një farë sigurie si boshnjakë dhe shqiptarë; pjesa më e madhe e tyre janë emra osmanë-arabë, që i gjen si në Bosnjë dhe në Shqipëri. Por, dhe këta emra, përgjithësisht nuk janë emra personazhesh historikë, ndaj dhe nuk mund të thonë ndonjë gjë me vlerë për prejardhjen e eposit.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar studiuesit që t’i përdorin emrat vetjakë të eposit si dëshmi të prejardhjes boshnjake të tij. Por, të përdorësh analizën e emrave osmano-arabë për të hetuar prejardhjen e ciklit do të thotë të nisesh nga hamendja se eposi është krijuar pas pushtimit osman të Ballkanit, dikur në shekujt XVII-XVIII, pa e provuar se nuk është krijuar më parë. Kjo do të thotë të vësh karrocën para kalit dhe të gjithë arsyetimin mbi një premisë të pasigurt logjike me tërë pasojat negative që mund të rrjedhin prej saj.

Ka shumë të dhëna që flasin për një prejardhje të lashtë ose mesjetare të hershme të ciklit të Mujit dhe Halilit, që bien në kundërshtim me hipotezën e krijimit të eposit gjatë sundimit turk në shekujt XVII-XVIII. Ndër më të rëndësishmet e këtyre të dhënave janë:

– Elementi matriarkal që dëshmohet nga mbizotërimi i figurës së nënës ndërkohë që babai nuk del në eposet e të dy popujve. Në kohën e sundimit turk si Bosnja dhe Shqipëria ishin shoqëri tipike patriarkale në të cilat nuk kishte mbetur ndonjë gjurmë matriarkati, ndonëse nga burime të lashta greke mësojmë se fisi ilir i liburnëve, psh., në lashtësinë klasike jetonin ende në matriarkat dhe sundoheshin nga gratë (Pseudo-Skylax, Periplous § 22).

– Ajkuna, emri i gruas (ndonjëherë i motrës) së Mujit është një emër latin që mund të futej në epos dikur para shekullit të VII, por nuk mund as të përfytyrohet si ai emër mund të futej në një epos të krijuar nën sundimin turk (shih më poshtë) nga popuj ende të pashkolluar.

– Ndërveprimi i Mujit dhe Halilit me qenie mbinatyrore tipike iliro-arbërore si orët dhe zanat. Fakti që në Shqipërinë e jugut emri zanë del në formën zërë që ka pësuar rotacizmin (ndërrimin e n-së ndërzanore në r) është një provë të pakundërshtueshme gjuhësore se zana është figurë mitologjike ilire, sepse rotacizmi është një proces që kishte mbaruar së vepruari pas shekullit VI. Le të shtojmë këtu edhe faktin që figura e zanës nga eposi shqiptar ka hyrë dhe në versionin boshnjak.

– Llojet e armëve që përdorin heronjtë si shigjeta, shtiza, topuze (Neziri, 2006).

– Lloji i taksave që paguheshin në atë kohë dhe roli i madh i gjuetisë në ekonominë shtëpiake (Neziri, 2006).

Veç këtyre, një fakt, me sa di unë i papërdorur, por shumë domethënës, në mbështetje të prejardhjes së lashtë iliro-shqiptare të eposit të luftëtarëve të kufirit është se vetëm në versionin shqiptar të eposit, por jo në atë boshnjakun, bëhet fjalë për luftime në lumin Tuna (Danubi) duke e futur këtë lumë në sferën e veprimit të Mujit, Halilit dhe orëve mitologjike. Do të ishte absurditet të mendohej se Tuna (Danubi), si front luftimesh i luftëtarëve të kufirit, mund të ketë hyrë në eposin shqiptar në shekullin XVII kur dihet se midis shqiptarëve dhe Danubit, tanimë prej disa shekujsh, banonte një popullsi kompakte serbe dhe boshnjake.

Megjithatë, le t’i hedhim pas krahu të gjitha këto fakte dhe, për hir të diskutimit, le ta zëmë se është provuar që eposi është krijuar dikur pas shekullit XVII në Bosnjë dhe u përkthye më vonë nga shqiptarët, në atë kohë ende të pashkollë dhe përkthimi artistik i 34 këngëve të ciklit iu mësua shqiptarëve myslimanë dhe katolikë. Le të kujtojmë këtu se eposi i luftëtarëve të kufirit nuk hyri dot as në folklorin e popujve sllavë fqinjë të boshnjakëve: serbëve, malazezve dhe kroatëve. Edhe duke i marrë këto si të vërteta, shqyrtimi i të dhënave onomastike (emrave të njerëzve dhe të vendeve) nga studiuesit për të arritur në një përfundim rreth prejardhjes së ciklit të Mujit dhe Halilit duket se ka qenë i njëanshëm, jo-objektiv dhe metodologjikisht i gabuar për të zbuluar se ku u krijua eposi i kreshnikëve. Përveç kësaj, analiza që iu është bërë atyre pak emrave vendas që mbeten lë shumë për të dëshiruar.

Ajkuna (Hajkuna në versionin boshnjak) është emri vetjak femëror, që del në epos si grua e Mujit, e, ndonjëherë, edhe si motër e tij. Ky emër nuk dihet të jetë përdorur ndonjëherë as në Shqipëri e as në Bosnjë ose tjetërkund në Ballkan. Përgjithësisht, mendohet se mund të ketë dalë nga fjala protoindoevropiane *akkā ‘nënë’, që dëshmohet vetëm në latinisht si emër gruaje, Acca Larentia e legjendës romake, që ishte gruaja që rriti foshnjat binjake, Romulus dhe Remus, që burri i saj barí i kishte gjetur në lumin Tiber. Në shekullin VIII p.e.s., kur binjakët u rritën, Romulusi vrau vëllanë binjak dhe i vuri qytetit që themeluan emrin e vet, Roma, kurse Acca Larentia u bë perëndesha romake e pjellorisë. Me që sllavët nuk u romanizuan, futja e këtij emri latin në epos, përjashton mundësinë që ky emër latin të ketë hyrë në epos përmes sllavishtes jugore. Mbetet që ky emër të ketë hyrë në epos vetëm përmes ilirëve të romanizuar të Dalmacisë. Por kjo është e papajtueshme me çdo ide të prejardhjes boshnjake të eposit dhe flet në të mirë të pikëpamjes se eposi është krijuar dikur në lashtësinë e vonë/mesjetën e hershme, jo më vonë se shekujt VI-VII nga njw popullsi ilire, ende e pasllavizuar.

Ndonjë studiues (Skëndi, 1954) e ka marrë emrin Gjeto Basho Muji të eposit shqiptar sikur të ketë dalë nga četobaša (çetobasha) i versionit boshnjak. Por, përgjithësisht mendohet se fjala četa (çeta) në serbo-kroatisht është një huazim nga osmanishtja, ndonëse është rikonstruktuar një fjalë (ende e padëshmuar) *četa, që besohet se mund të ketë ekzistuar në protosllavishten e rikonstruktuar. Kjo fjalë e rikonstruktuar sllavishte *četa, ka kuptimin “turmë, bashkësi njerëzish”. Ndryshe prej saj, fjala turqisht çete ka saktësisht kuptimin në të cilin përdoret në të dy versionet: “grup sulmuesish keqbërës ose të paligjshëm” dhe emri çete në turqisht ka dalë nga folja çet ‘godas, sulmoj, grabis’. Këto të dhëna flasin në të mirë të idesë se emri çetë, në kuptimin që përdoret në eposin boshnjak buron nga folja turqishte çete.

Këto fakte të bëjnë të mendosh se ka, të paktën, po aq arsye të besohet që e kundërta të jetë e vërtetë, dmth, që četobaša e eposit boshnjak të ketë dalë nga përngjitja e dy emrave vetjakë Gjet(o) dhe Bash(o) të eposit shqiptar, siç ka ndodhur edhe në rastin e emrit të Gjergj Elez Alisë që në eposin boshnjak del si Đerzelez, ka dalë nga përngjitja e emrave Gjergj dhe Elez për të dhënë formën serbokroate Đerzelez. Kjo bëhet edhe më e besueshme po të mbahet parasysh fakti që përbërësi i parë i emrit četobaša (çeto), është ende sot një emër vetjak Gjet/Gjeto/Gjetan i përhapur gjerësisht në Shqipërinë e veriut. Ky emër duket se ruhet edhe në Shqipërinë e jugut në formën e patronimikut (mbiemrit) të përhapur Gjeç (Gjeçi), dhe të dyja këto forma mund të kenë dalë nga emri ilir Gentius, në pajtim të plotë me rregullin fonetik të ndërrimit g>gj para zanoreve –e dhe –i. Mungesa në Shqipërinë e jugut e Gjet/Gjeç si emër vetjak mund të shpjegohet me rigorozitetin e kishës së lindjes për t’i helenizuar emrat (jo mbiemrat) vetjake. Me këtë shpjegohet edhe fakti që ende sot të gjithë emrat origjinalë arbërorë Gjon, Gjin, Gjokë, Lekë, Pal, Martin/Mërtir, Dedë, Dodë, në Shqipërinë e jugut gjenden vetëm në mbiemrat, siç shihet jo vetëm në rajonin Labëri-Himarë, por edhe të gjithë krahinave të tjera të Shqipërisë së jugut, duke përfshirë Çamërinë.

Zanat dhe orët, qeniet mbinatyrore që dalin në epos, janë qartësisht dhe unike shqiptare dhe të panjohura në folklorin boshnjak.

*  *   *

Paradokset e pashmangshme që dalin nga pranimi i idesë se eposi është një krijim i vonë, i shekujve XVII-XVIII, mund të shmangen duke përfytyruar se eposi, ose të paktën bërthama e tij, u krijua nga një popull i vetëm nga i cili, për shkak të rrethanave të ndryshme historike dolën dy popuj të veçantë, shqiptarët si populli i vetëm mbijetues i ilirëve të lashtë dhe boshnjakët si ‘ilirë’ të sllavizuar. Në këto rrethana, eposi origjinal i luftëtarëve të kufirit të Danubit në Bosnjën e sllavizuar normalisht iu përshtat kushteve të reja të ndryshme demografike dhe fetare; boshnjakët, pasi u islamizuan u gjendën në një konflikt të ri me vëllezërit e tyre sllavë katolikë. Kufirin danubian të luftimeve, tanimë të fshira nga kujtesa e tyre historike, ia përshtatën kontekstit të ri historik të konfliktit të ri midis myslimanëve boshnjakë dhe të krishterëve kroatë në kufirin e perandorisë austriake të banuar nga kroatë.

Epose të tilla madhore si ai i luftëtarëve të kufirit krijohen në momente kritike të historisë së popujve. Ilirët, që shtriheshin nga Danubi në veri deri në gjirin e Artës e më tej (Çabej, N., 2016; Çabej, N., 2018,) në jug, u ndodhën në vijën e parë të frontit bizantin të veriut që, si rezultat i sulmeve dhe inkursioneve të përsëritura të fiseve avare, gjermanike dhe sllave në shekujt V-VI ishte dobësuar aq sa në shekullin VII bëri të mundur vërshimin e fiseve sllave dhe sllavizimin gradual të pjesës më të madhe Ilirisë. Dhe mund të përfytyrohet që bërthama e eposit ilir të luftëtarëve të kufirit të jetë krijuar në këtë situatë ekzistencialisht kritike për popullin ilir.

Ka të dhëna se Bosnja u sllavizua më vonë se sa pjesa tjetër e Ilirisë për shkak të terrenit malor dhe jopjellor të saj, gjë që e bëri atë më pak të lakmuar për ardhësit e, rrjedhimisht, më tërheqëse për grupe të tjera ilirësh që shkuan drejt saj. Një faktor tjetër që mund të ketë shkaktuar sllavizimin e vonë të Bosnjës mund të ketë qenë prania në Bosnjë e grupeve avare deri në shekullin X, sipas një njoftimi të perandorit bizantin të shekullit X, Konstantin Porfirogenetit (913-959) (Fine, f. 38-51).

Ndërkohë, në shekujt VI-VII ilirët e jugut kishin dalë si një popull i veçantë i arbërve mesjetarë. Ata nuk u asimiluan dhe arritën të ruanin gjuhën, kulturën dhe identitetin etnik ilir. Kështu ndodhi ndarja dhe evolucioni i eposit ilir në dy versionet e njohura shqiptare dhe boshnjake.

Ngjashmëria e dukshme e të dy eposeve jo vetëm në emrat e heronjve dhe vendeve por edhe në tematikën dhe në metrikën e vargut mund të shpjegohet jo vetëm me prejardhjen e përbashkët, por edhe me dy faktorë të tjerë: ekzistenca e brezit gjeografik dygjuhësor të sanxhakut të Novi Pazarit që lidhte shqiptarët me boshnjakët si dhe stërvitjet e përbashkëta në kampin ushtarak turk të Udbinës që ishte aktiv për thuajse dy shekuj, nga viti 1527 deri 1689, kur Udbina u pushtua nga perandoria austriake. Ndikimi i fortë i eposit boshnjak në emrat e vendeve (ato gjenden në Krajinë dhe rrethinat e saj) mund të shpjegohet me faktin që eposi boshnjak, ndryshe nga ai shqiptari, u ritualizua dhe institucionalizua në kafenetë e Sarajevës dhe ndonjë qyteti tjetër boshnjak, ku në secilën prej 30 netëve të ramazanit rapsodët këndonin nga një këngë të eposit për një audience qytetare myslimane (Lord, 1960), ndërkohë që versioni shqiptar zhvillua në rrethina të ngushta kryesisht familjare fshatare.

Edhe kjo hipotezë ndesh në vështirësi për të shpjeguar faktin që në versionin shqiptar të eposit mbizotërojnë emra vendesh të lidhur me Krajinën e Bosnjës. Ka të ngjarë që për këtë të kenë ndikuar dy faktorë. Së pari, kontakti i drejtpërdrejtë gjuhësor dhe identiteti fetar i boshnjakëve dhe shqiptarëve përmes një rripi gjeografik që përfshinte sanxhakun e Novi Pazarit dhe Kosovën, deri në Shqipërinë e veriut. Së dyti, stërvitjet e përbashkëta për thuajse dy shekuj në kampin ushtarak turk të Udbinës që ishte aktiv për thuajse dy shekuj, nga viti 1527 deri 1689. Le të mbajmë këtu parasysh edhe faktin që shumica e emrave të vendbanimeve që dalin në epos nuk janë as boshnjakë e as kroatë, por   kryesisht emra të trashëguar ilirë si Kotor, Kladusha (Cladosa), Zadar (del në formën zadrani për banorët e Zadarit/Zarës, qytetit ilir Jader), ndërsa Talir, është një emër i shpikur i një qyteti të përfytyruar që nuk është identifikuar gjëkundi.

Për të mos dhënë një mendim të prerë e për të qenë më të matur në gjykim, le ta mbyllim këtë shkrim paraprak me përfundimin e Albert Lord-it (Lord, 1948) të rreth 70 vjetëve më parë se “Mbetet shumë për të bërë në këtë fushë, përpara se të mund të themi me saktësi se cila është marrëdhënia midis këtyre dy traditave”.

(c) 2025 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është punuar me MidJourney.


Referimet

Elsie. R. (2010). Disa mendime për traditat epike shqiptare dhe boshnjake. http://www.elsie.de/pdf/articles/A2010TraditaEpikeJetaeRe.pdf.

Pseudo-Skylax, Periplous (Περίπλους τῆς θαλάσσης τῆς οἰκουμένης Εὐρώπης καὶ Ἀσίας καὶ Λιβύης) § 22.

Skëndi, S. (1954). Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry. American Folklore Society, Philadelphia. f. 103-104.

Antwerp Fine, J. (1991). The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century. University of Michigan Press, Ann Arbor. f. 38-51.

Neziri, Z.U. (2006). Eposi i kreshnikëve dhe epika historike. Në Studime për Folklorin I. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë. f. 169.

Çabej, N.R. (2016). Epirotes Albanians of Antiquity. Albanet Publishing, Dumont NJ.

Çabej, N.R. (2018). Epirotët – Shqiptarë të Lashtësisë. Fan Noli, Tiranë.

Lord, A. (1960). The Singer of Tales. Harvard University Press, Cambridge, MA.

Lord, A. (1948). Homer, Parry and Huso. American Journal of Archeology 52, 1, 34-44 (f. 43). https://doi.org/10.2307/500550.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin