“Jam larg atyne që flasin si unë / sa hana që bie prej rrezje në rreze”[1] shprehet Camaj në një nga poezitë e vëllimit Njeriu më vete e me tjerë, botuar në vitin 1978. Është një largësi metaforike deri në hënë e përtej saj, e cila mishëron shkëputjen e dhunshme dhe absurde të diktuar politikisht apo siç e quan ai diku “dimnin në fjalë”[2], shkëputje e cila sjell me vete drojën[3] e tëhuajzimit nga lexuesi. Komponenti socio-kulturor i të qenit autor në mërgim të detyruar shprehet në veprën letrare të Camajt përmes gjuhës dhe universit të tij semantik. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij i kushtohet përshkrimit të peizazheve dhe përjetimeve nga fëmijëria dhe rinia e hershme. Veçanërisht në prozë, vendlindja, konkretisht peizazhi malor (përkatësisht bjeshka e vërria) dhe lumi Drin, janë skena ku merr jetë çdo motiv.
Në parathënien e vëllimit poetik Palimpsest, i cili botohet së pari shqip-anglisht në vitin 1991[4], Camaj e përshkruan vendlindjen[5] e tij si “një vis të egër ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend“.[6] “Visi i egër e i thyeshëm” gjen shëmbëlltyrën e vet kryekreje në të gjithë krijimtarinë e autorit në fjalë dhe shfaqet si “obsesion (…) në trajtimin e temave të cilat përsëriten (poeti italian Leopardi i quente pensieri dominanti), ashtu si ngjet tek piktorët që s’mund të ndahen nga një objekt apo fytyrë e caktueme.” Në letrën e sapocituar drejtuar Idriz Lamajt, ai shprehet në vijim: “qenia malësor s’ndahet meje!“[7] Ky thelb i krijimtarisë letrare të Camajt, ky “obsesion” i formësuar vazhdimisht dhe rishtas në gjini të ndryshme përbën “humusin e tij kulturor”[8], siç e cilësonte miku i tij Arshi Pipa. Në një poezi të hershme të vëllimit të dytë poetik Kanga e vërrinit ai e ngërthen shumë bukur në vargje këtë humus që e ushqeu gjithë jetën: „Verat e lugjeve i ruej në parzëm / e n’fletzat e gjethit t’blerë dhe sòt / vendet e mija t’para i shoh. / Tingujt e currlave në lugina / e zâni monoton i pipzës fëminore / me mote n’mue janë rritë, / lule gjaku në shullâje / për të dalun kangë një ditë.“[9]
Në një punim botuar në vitin 1981 Camaj i qaset dhe shkencërisht këtyre “vendeve të para” konkretisht bjeshkës dhe vërrisë. Pasi vëren se “jo gjithkund ku flitet sot gjuha shqipe janë të njohuna fjalët bjeshkë e vërrî”[10], ai i mëshon qysh në krye të punimit dukurisë së transhumancës, e cila gjen shprehjen e saj shumëdimensionale në skajimet e mësipërme gjeografike. Këto dy skajime përbëjnë sipas tij një “konstelacion hapësinor”, i cili, i kushtëzuar gjeografikisht nga relievi i thyer dhe malor, shpërfaq një strukturë ekonomike, sociale dhe kulturore. Brenda universit shqiptar, brenda asaj që Çabej[11] me shumë largpamësi dhe pjekuri intelektuale qysh në zanafillë të kontributit të tij e quan „njësi etnike e kulturhistorike” të rrjedhur nga njësia gjeografike apo “emërues të përbashkët shqiptar”, skajimi i mësipërm hapësinor, me gjithçka e bashkon dhe e individualizon, përbën një ndër “numëruesit” nën këtë “emërues” të përbashkët.
Një analizë semantike e “vendeve të para” nën këndvështrimin gjithëpërfshirës të dimensionit socio-kulturor në prozën e Camajt na ofron një kuadër shumë të vlefshëm për interpretimin e veprës së tij në tërësi dhe të kodit poetik në veçanti, një ngrehinë brenda së cilës shtjellimet kuptimore të fjalëve të tilla si i parilemi, gjoja, shqarri, tërvesa, trupazia, djega, sheka, rudina, curri, mrizi, fisi, kora, kashnjeti, biga, carani, karpa, gaca, rrungaja, drangoi, zana, sharku, përteqafa, plangu, lugjet, shkundullima etj, për të përmendur vetëm disa sosh, i japin ngjyrë dhe tingëllim botës semantike të autorit në fjalë, e bëjnë të jetë ajo që është.
Në mbështetje të konceptit të Çabejt, për analizën semantike të prozës së Camajt si “emërues” i përbashkët është parë makrokozmosi shqiptar në një lidhje binare të leksemave /mal/ dhe /fushë/, ndërkohë që mikrokozmosi, një ndër “numëruesit” e “njësisë etnike e kulturhistorike” shpërfaqet po në një lidhje binare përmes leksemave /bjeshkë/ dhe /vërri/. Ky sistem i dyfishtë binar, i mbështetur në strukturën gjeografike, shërben si bazë për të kuptuar organizimin e mënyrës së jetesës dhe format sociale, ekonomike, kulturore dhe historike që lidhen me të.

Si koncept teorik bazë për analizën e prozës së Camajt, e cila për të mundësuar qëmtimin shterues të leksemave është futur më parë në kompjuter, shërben ai i izotopisë[12], një shfaqje e përsëritur e semave në njësi të ndryshme semantike të tekstit, ndërkohë që sema kuptohet si njësia minimale që shërben për diferencimin e kuptimeve.[13] Në vijim do të jepet një përmbledhje e thukët e rezultateve të analizës, e cila është një studim i plotë i botuar në gjermanisht[14], me pretendimin modest për një parashtrim të kuptueshëm të konceptit, por pa synuar për asnjë moment shmangien nga karakteri shkencor i tij.
Në bazë të sistemit të dyfishtë binar të makrokozmosit dhe mikrokozmosit qëndron struktura themelore gjeografike, e cila shërben si pikënisje për rendin jetësor dhe për format përkatëse të organizimit shoqëror-ekonomik, kulturor dhe historik. Analiza semantike që lidhet me këtë sistem shpërfaqet në katër izotopi: <peizazhore>, <ekonomike>, <historike> dhe <kulturore>, të cilat përbëjnë thelbin e të qenit malësor, identiteti i të cilit është një fill që e përshkon fund e krye veprën e Camajt, pavarësisht nga veçoritë individuale të secilit tekst, duke ndihmuar kësisoj në kuptimin dhe interpretimin e “thurimës tekstore”[15], cilado qoftë ajo, po të shpreheshim me gjuhën e Barthes-it.
Izotopia <peizazhore> formësohet në dy kundërvënie izotopike. Së pari në kundërvënien <+ konkretizuese> për leksemën /mal/ dhe <- konkretizuese> për leksemën /fushë/ dhe së dyti në kundërvënien <+hapësirë lëvizjeje> për leksemën /mal/ dhe <-hapësirë lëvizjeje> për leksemën /fushë/. Kundërvënia e parë na jep një imazh gati të prekshëm të malit në krahasim me fushën duke e konkretizuar atë në të gjithë relievin e tij përmes leksemave: /majë/, /kunorë/, /kreshtë/, /shpat/, /shpatinë/, /brijë/, /thikë/, /faqe/, /anë/, /qafë/, /grykë/, /luginë/, /lugajë/, /lug/, /gurrë/, /rranzë/, /kodër/, /kodrinë/, dhe /sukë/. Kundërvënia e dytë e paraqet relievin konkret të malit në mënyrë plastike dhe dinamike si një hapësirë së cilës i bihet kryq e tërthor, si pikënisje për të ndërmarrë diçka por dhe si hapësirë synuese përmes foljeve që tregojnë lëvizje si /eci/, /sillem/, /shtyhem/, /lëshoj kambën/, /kaloj/, /ngjitem/, /ulem/, /i futem/, /shkoj/, /vij/, /ngas/, /eci tingthi/, /këpus malin/, /ndjek/, /kapem/, /endem/, /i bie malit/, /kapërcej/, /lëshohem/, /udhëtoj/, /zbres/, /qepem/, /hipi/, /nisem/, /dal/, /marr malin/, /lëshoj vend/. Ndërkohë fusha si hapësirë lëvizjeje paraqitet statike dhe vetëm dy herë në kombinim me foljen /sillem/[16]. Madje dhe mënyra e ecjes së njerëzve karakterizohet përmes kundërvënies së mësipërme hapësinore në gojën e një personazhi të romanit Rrathë: “Na jemi njerëz brijash malore, tha ai, dhe ecja jonë nuk asht si e jueja: na sa të dalim prej shtëpie duhet të hapim sytë se ku e lëshojmë kambën sepse thejmë qafën shumë lehtë.”[17]
Izotopia <ekonomike> shpërfaqet përmes leksemave[18] /bjeshkë/ dhe /vërri/, “konstelacioni hapësinor” i të cilave parakupton një lartësi të caktuar gjeografike. Gjeografia e këtij konstelacioni i jep përparësi veçanërisht ekonomisë blegtorale. Kufiri i epërm i tij, bjeshka, fillon përtej sipërfaqes së pyllëzuar, për t’u shtrirë deri aty ku fillojnë majat e mbulueme përherë me borë. Jo rrallë në prozën e Camajt bora si fenomen është orientuese në kohë dhe hapësirë, ajo ban dorë, ngul kambën në tokë, lëshon rrajë, këput berre e barij nëpër shtigje. Ndërkohë vërrija me ndërtesa guri apo shpija e vendit mbetet qendra “ku bashkohet mbarë familja dhe kalon pjesën ma të madhe të motmotit.”[19] Kjo strukturë ekonomike me bjeshkë e vërri[20] është përcaktuese dhe për strukturën shoqërore të organizimit fisnor, sipas të cilit bashkësia ishte elementi dominues dhe “në shumicën e rasteve rruga e shkurtër mes bjeshkës dhe vërrinit bëri që kullotat dimërore dhe ato verore të bashkoheshin në territore të mbyllura fisnore”[21]
Izotopia <historike> konkretizohet përmes lidhjes binare <+ e pushtueshme> për leksemën /fushë/ nga njëra anë dhe <- e pushtueshme> për leksemën /mal/ dhe konkretisht në ndarjen e mëtejshme për leksemat /bjeshkë/ dhe /vërri/. Ky opozicioni e përvijon shumë qartë mikrokozmosin si një kufi përtej të cilit pushtuesit e ndryshëm (në prozën e Camajt përmenden konkretisht disa herë turqit) nuk arritën ta shtrijnë pushtetin e tyre.
Parë nga ky aspekt historik, por edhe nga lufta për të përballuar jetën e përditshme, “atje ku, si në Shqipërinë e Veriut male të pakalueshme pothuajse e mbyllin dhe e veçojnë banorin nga bota që e rrethon” [22], strukturat shoqërore dhe ekonomike jo vetëm që i kushtëzojnë tiparet kulturore, por janë dhe rezultat i tyre. Mbi këtë bazë bashkësia në fjalë gjeneron vlerat e saj, në tërësinë e të cilave mitet dhe përfytyrimet mitologjike zënë një vend të veçantë.
Izotopia <kulturore> konkretizohet në një marrëdhënie binare <mitologjike e përgjithshme> përmes leksemave /katallan/, /kulshedër/, /drangue/ dhe /gjarpën/ nga njëra anë dhe <mitologjike specifike> përmes leksemave /kreshnik/, /orë/ dhe /zana/ nga ana tjetër, të cilat në kombinimet semantike përçojnë një botëkuptim të veçantë për banorët e konstelacionit hapësinor të bjeshkës dhe vërrisë, botëkuptim i cili mbështetet në shkrirjen e realitetit me mitologjinë. Në artikullin e sipërpërmendur Camaj e cilëson veçanërisht bjeshkën, “ndejen e qenëseve mitologjike në përfytyrimin femnor si zanat dhe orët”[23], duke vijuar se “fryma e tyne fshehet edhe në egërsinën e malit”[24] ndërkohë që në prozën e tij ai shpesh i quan ato “të Lumet” apo “Roja e bjeshkës”.
Nga analiza semantike e leksikut të prozës së Camajt mali shpërfaqet si një boshti lidhës, një fjalë çelës e formësuar në mënyrë plastike, komplekse, dinamike dhe e konkretizuar në një strukturë shoqërore, ekonomike, historike dhe kulturore. Perspektiva socio-kulturore e analizës semantike mundëson një kuadër gjithëpërfshirës, i cili lejon një qasje shumë të natyrshme edhe karshi variantit letrar dhe leksikut specifik që përdor autori në fjalë, duke ndihmuar që të kuptohet origjinaliteti i veprës së tij në të gjitha zhanret e lëvruara, për ta parë atë “më vete” dhe me “tjerë”. Ky origjinalitet buron nga identiteti i tij malësor, por dhe nga përvoja e njohjes së drejtpërdrejtë e Shqipërisë, Kosovës, diasporës arbëreshe dhe emigracionit, përvojë që ai arriti ta shndërrojë në “një sintezë krijuese në veprën e tij”[25], duke u angazhuar për një pluraritet letrar të varianteve gjuhësore, gjithnjë në funksion të një varianti letrar që ruan identitetin, pa përjashtuar normën e njësuar letrare.
(c) 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është punuar me Midjourney.
[1] Camaj, Martin (1978) Njeriu më vete e me tjerë. Poezi (=Biblioteka shqipe 2). München, f. 75.
[2] Camaj, Martin (1996) Vepra letrare III (botues Klosi, A.). Tiranë, Apollonia, f. 206.
[3] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (22.07.25, 11:13).
[4] Camaj, Martin (1991) Palimpsest. Translated from the Albanian by Leonard Fox. Munich and New York, New York University Press.
[5] Interesant është përshkrimi i këtij “visi të egër” me çuka e hone të quajtur Temal nga von Hahn (Hahn, Johann Georg von (1869) Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar. Wien, f. 20) gjatë udhëtimit të tij në vitin 1867 përgjatë rrjedhës së lumit Drin, “më të panjohurit nga të gjithë lumenjtë evropianë”. Pasi përshkruan ngushticën e parë të lumit në zonën e Karmës, ai mbërrin në ngushticën e dytë të tij duke tërhequr disa herë vëmendjen për pjerrësinë dhe ashpërsinë e terrenit: “Ngushtica e shkëmbit hapet dhe duke ecur shkurt tërësisht në drejtim të jugut ne mbërrijmë (rrjedhës teposhtë) në një lloj ultësire të thyer, e cila ngrihet e tarracuar nga veriu në jug dhe është e rrethuar nga kodra dheu me ngjyrë gri të çelët. Brenda kësaj ultësire Drini rrjedh me një hark që fryhet lehtë drejt veriut përgjatë murit më të pjerrët verior. Në murin jugor, rreth 20 këmbë mbi lumë, ndodhen dy shtëpi të Karmës. Prej këtyre shtëpive bie në sy maja e Cukalit në veri nga lindja, dhe ajo e Temalit (fjalë për fjalë: mbi mal) krejtësisht në verilindje.”
[6] Camaj, Martin (1996), f. 177.
[7] Arkivi Monacensia, letër e datës 22.08.1989 drejtuar Idriz Lamajt.
[8] Pipa, Arshi (1991) Camaj’s Poetry and Poetics. Në: Albanica (dedicated to Martin Camaj) 2, f. 60.
[9] Camaj, Martin (1991) Gedichte Albanisch-Deutsch. München, Kyrill & Method, f. 6.
[10] Camaj, Martin (1981) Fjalët bjeshkë dhe vërri. Në: Serta Balcanica-Orientalia Monacensia. In Honorem Rudolphi Trofenik Septu Agenarii. Sonderband 1, München, f. 242.
[11] Çabej, Eqrem (1994) Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes. Tiranë, MÇM, f. 25.
[12] Koncepti i izotopisë dhe terminologjia bazë lidhur me të kanë hyrë fillimisht në gjuhën shqipe përmes punimeve të Jani Thomait, veçanërisht përmes punimit Prejardhja semantike në gjuhën shqipe, Tiranë 1989.
[13] Për të respektuar audiencën e PTF-së në parashtrimin teorik të konceptit të izotopisë do të mjaftohemi vetëm me një paraqitje tejet të thukët të evoluimit të tij sipas tre autorëve: Algirdas Julien Greimas, François Rastier dhe Umberto Eco. Me anën e konceptit të izotopisë Greimas synon të analizojë kuptimin dhe strukturën e tekstit përmes një qasjeje semantike dhe semiotike. Kjo analizë mbetet e kufizuar në përmbajtje dhe nuk merr parasysh rolin aktiv të lexuesit në interpretim. Rastier e zgjeron këtë model duke theksuar rëndësinë e kontekstit dhe njohurive të lexuesit. Sipas tij, kuptimi ndërtohet përmes aktivizimit ose virtualizimit të njësive kuptimore, në varësi të situatës dhe përgatitjes kulturore të lexuesit. Kjo ndihmon në shpjegimin jo vetëm të kohezionit të brendshëm të tekstit, por edhe të koherencës së tij, e cila lidhet me marrëdhënien e tekstit me realitetin jashtëgjuhësor. Rastier prezanton konceptin e “mënyrës së leximit”, duke theksuar se interpretimi ndryshon sipas dijes së secilit, dhe kuptimi i tekstit lidhet edhe me besueshmërinë e interpretimit. Eco e pasuron më tej këtë qasje, duke e parë tekstin letrar si sistem të hapur dhe shumëkuptimësh. Sipas tij, leximi mbështetet në “dijen enciklopedike” të lexuesit, përfshirë këtu njohuritë kulturore, letrare dhe historike të tij, dije në të cilën bëjnë pjesë si faktet historike, p.sh. vdekja e Napoleonit në ishullin e Shën Helenës, ashtu edhe ato letrare, p.sh. vdekja e Xhuljetës në Veronë. Për më shumë shih: Xhyra-Entorf, Jonida (2006) Soziokulturelle Aspekte bei Martin Camajs Prosawortschatz. Eine Untersuchung im Rahmen der interpretativen Semantik. (= Albanische Forschungen Vëllimi 24) Wiesbaden, Harrassowitz, f. 61-84.
[14] Shih më gjerë: Xhyra-Entorf, Jonida (2006).
[15] Sipas Barthes (Barthes, Roland (1974) Die Lust am Text. Frankfurt am Main, Suhrkamp, f. 94) teksti është një “thurimë” e cila në kuptimin gjenerativ “krijohet përmes një thurjeje të vazhdueshme dhe formësohet nga vetja; në këtë thurje – në këtë teksturë – subjekti humbet, tretet si merimanga që shkrihet brenda rrjetës së vet, e ndërtuar nga sekretimet e saj.”
[16] Camaj, Martin (1978) Rrathë. Roman (=Biblioteka shqipe 1). München, f. 120 dhe f. 293.
[17] Po aty, f. 161.
[18] Brenda konstelacionit hapësinor të bjeshkës dhe vërrisë Camaj rendit në artikullin e sipërpërmendur si pjesë të vërrisë dhe karmat (Camaj, Martin 1981, f. 242), “të tretin vendbanim të popullatës malore në sistemin e transhumancës”, duke theksuar se jo të gjithë vërritë kanë karma. Hahn (1869, f. 20) përmend një vend të quajtur Karma, afër Temalit, vendlindjes së Camajt, por pavarësisht nga kjo toponimi në prozën e tij Camaj e përfshin leksemën /karmat/ vetëm një herë në lidhje të drejtpërdrejtë me leksemat /bjeshkë/ dhe /vërri/ (Shkundullima, 1981, f. 34), ndonëse gjithsej ajo evidentohet pesë herë, por në kuptimin e një “shkëmbi të madh që ngrihet thikë në bregun e një lumi ose në breg të detit”, ashtu siç është përfshirë dhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1980, f. 792) dhe për këtë arsye është përjashtuar nga analiza.
[19] Camaj, Martin 1981, f. 242.
[20] Në romanin Rrathë (f.157) njëri nga personazhet shprehet: “Na të malësisë shumica kemi lindë në pranverë. Pra jemi të zanun në vjeshtë: në vjeshtë janë ba dasmat, në vjeshtë bashkohen te shtëpia e vendit, në vërri, burrë e grue që i ka nda verimi me tufa në bjeshkë.“
[21] Kaser, Karl (1992) Hirten, Kämpfer, Stammeshelden. Ursprünge und Gegenwart des balkanischen Patriarchats. Wien, f. 66.
[22] Çabej, Eqrem (1994), f. 22.
[23] Camaj, Martin 1981, f. 242.
[24] Camaj, Martin (1981) Shkundullima. Proza (=Biblioteka shqipe 4). München, f. 68: “Ndëshkimi – thanë ata – ndëshkimi i Rojes së bjeshkës, fryma e egërsinës shpaguhet; mbasi ata gjithmbarë e paskan bartë e bartë, dhe ma në fund i paska qenë mbushë kupa, jo, vra këtë dhi të egër, jo, atë shqarr, dikush (Ora apo Zana, u muer vesh!) paska thanë: mbasi Nika vetë nuk qenka i zoti ta rrudhë pak dorën gjaksore, atëherë, le ta paguejë me krye!“
[25] Fiedler, Wilfried (1993) In memoriam Martin Camaj. Në: Zeitschrift für Balkanologie 29, f. 52.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.